Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Tahiti dhe kërkimi i parajsës

Tahiti dhe kërkimi i parajsës

Tahiti dhe kërkimi i parajsës

Për ditë me radhë dallgët e Paqësorit e kishin hedhur anijen sa andej-këndej. Nën diellin përvëlues marinarët përsëritnin pa u lodhur të njëjtin veprim monoton dhe pa dyshim që u kishte ardhur në majë të hundës vera e thartuar, uji me erë të keqe dhe ushqimi i kalbur. Befas, një thirrje çau ajrin: «Tokë! Tokë, nga e majta!» Tutje në largësi, dukej turbull maja e një ishulli. Pak orë më vonë dyshimi u fashit plotësisht. Para tyre shtrihej një ishull.

Që kur e zbuluan evropianët, Tahiti ka qenë sinonim i fjalës «parajsë». Eksploruesi francez i shekullit të 18-të, Lui-Antuan dë Buganvili, që drejtonte ekspeditën e përmendur në hyrje, më vonë shkroi: «M’u duk sikur kisha shkuar në kopshtin e Edenit.» Ndonëse kanë kaluar dy shekuj, Tahiti vazhdon të tërheqë turistë. Ashtu si dhe të tjerë para tyre, shumë turistë shkojnë atje për të gjetur parajsën.

Por, përse ëndrra për parajsën është kaq e dashur për njeriun? Dhe si ndodhi që Tahitin e panë si realizim të kësaj ëndrre? Për të gjetur përgjigjen, le të kthehemi prapa në fillim të ekzistencës së njeriut.

Parajsa e humbur

Ka arsye të vlefshme përse fjalën «parajsë» na e do zemra. E thënë thjesht, ne u krijuam për të jetuar në Parajsë. Sipas Biblës, Perëndia i bekoi prindërit tanë të parë me një shtëpi, të përshkruar si një «parajsë», një park ose një kopsht i bukur. (Zanafilla 2:8) Me sa duket, ky park zinte një pjesë të rajonit të quajtur Eden, emër që do të thotë «Kënaqësi». Ndonëse në përgjithësi studiuesit e ditëve tona e shohin Edenin si një mit, Bibla e paraqet atë si një realitet historik dhe jep informacione të besueshme gjeografike për vendndodhjen e tij. (Zanafilla 2:10-14) Dy elementë dallues gjeografikë, lumenjtë Pishon dhe Gihon, nuk mund të përcaktohen më se ku janë. Pra vendndodhja e saktë e kopshtit mbetet mister.

Prindërit tanë të parë u rebeluan kundër Perëndisë dhe e humbën Parajsën për të gjithë ne. (Zanafilla 3:1-23) Megjithatë, njeriu nuk ka mundur ta fshijë nga zemra dëshirën për parajsën. Jehona e këtij tregimi të Biblës ndihet edhe në mitologjitë e shumë vendeve. Grekët, për shembull, krijuan mitin e Epokës së Artë, një kohë ideale kur raca njerëzore bënte një jetë pa telashe dhe në paqe.

Shumë njerëz janë përpjekur të gjejnë Edenin e humbur mjaft kohë më parë. Disa e kanë kërkuar Edenin në Etiopi, por sigurisht më kot. Madje legjendat thoshin se një klerik i shekullit të gjashtë, i quajtur Brendan, e gjeti parajsën në një ishull në Atlantikun Jugperëndimor. Legjenda të tjera thoshin se ajo parajsë ndodhej e fshehur në një mal të lartë. I mërzitur nga mospërputhjet e këtyre legjendave, eksploruesi i famshëm Kristofor Kolombi tha me keqardhje: «Nuk kam gjetur dhe as kam lexuar ndonjë pjesë në latinisht ose në greqisht që tregon me siguri se në cilin cep të botës mund të jetë parajsa tokësore.» Si përfundim, ai u bind se ajo gjendej diku në jug të ekuatorit.

Pas udhëtimit të tij të tretë në Botën e Re, Kolombi tha: «Me sa duket, ky vend është parajsa tokësore, sepse ai përputhet me përshkrimin e shenjtorëve dhe të studiuesve teologë që kam përmendur.» Megjithatë, siç u pa, Bota e Re nuk ishte parajsa që përfytyronte Kolombi.

Utopi të mëtejshme

Megjithatë, disa studiues nuk hoqën dorë. Në vend që të nxitnin kthimin në Eden, ata u bënë nismëtarë të konceptit të një parajse të ardhshme, të krijuar nga njeriu. Shkrimtarët nisën të thurnin historira për shoqëri «ideale», një kontrast i këndshëm me shoqëritë e korruptuara ku jetonin. Megjithatë, asnjë nga këto fantazira nuk ishte tamam si Edeni. Në vend që të përfytyronin një jetë të lirë në një park të paanë, këta utopistë mendonin për një parajsë të urbanizuar dhe shumë të organizuar. Për shembull, në shekullin e 16-të, burri i shtetit, britaniku sër Tomas Mor, foli për një udhëtim imagjinar drejt një vendi që ai e quajti Utopi. Kjo fjalë do të thotë «askund».

Shkrimtarë të mëvonshëm, duke u bazuar në idetë e Morit dhe duke shtuar edhe nga vetja, krijuan konceptet e tyre. Në shekujt pasues shumë shkrimtarë evropianë përfytyruan «utopi». Por përsëri, këto shoqëri «ideale» imagjinare mund të ishin gjithçka, veç jo kopshte kënaqësie. Utopitë përpiqeshin të sillnin lumturinë duke vënë kontroll të rreptë mbi njerëzit. Por në këtë mënyrë, ato pengonin natyrshmërinë dhe lirinë e njerëzve. Gjithsesi, siç vërejti profesori i historisë Anri Bode, ëndrrat për shoqëritë utopike zbuluan një «dëshirë që nuk venitet kurrë për një jetë më të mirë . . . dhe për një shoqëri më të drejtë».

Tahiti: Lindja e një legjende

Në shekullin e 18-të, detet e paeksploruara të Jugut ofronin mundësinë e fundit për të gjetur një parajsë të pazbuluar. Por kur Buganvili nisi lundrimin drejt Paqësorit, në dhjetor të vitit 1766, synimet e tij ishin kryesisht eksplorimi, pushtimi i kolonive të reja dhe hapja e tregjeve të reja.

Pas muajsh lundrimi, Buganvili zbuloi Tahitin. Ai nuk kishte mundur të hidhte spirancën në ishujt e tjerë që kishte parë, për shkak të sharrave koralore. Tahiti ofronte një liman të sigurt. Atje, ekuipazhi i kapitur gjeti një popull mikpritës dhe furnizime me bollëk. Për ata detarë, ajo që gjetën ia kalonte çdo ëndrre. Tahiti jo vetëm që ishte një parajsë tropikale, por kishte edhe shumë veçori që e bënin të ngjashëm me utopitë e fantazuara.

Së pari, Tahiti kishte një bashkësi njerëzish që jetonin në ishull, pikërisht ashtu siç përshkruheshin në letërsinë artistike vendet utopike. Për më tepër, ai kishte vërtet pamjen e një parajse. Qindra ujëvara dhe lumenj të rrëmbyer zbukuronin peizazhet mahnitëse me bimësi të harlisur. Nga sa dukej, bimësia e dendur tropikale rritej pa vënë dorë njeriu. Bukurisë idilike të Tahitit i shtohej klima e shëndetshme dhe fakti që nuk kishte rreziqet tipike për një vend tropikal. Në këtë ishull nuk kishte gjarpërinj, insekte të rrezikshme ose vullkane vepruese.

Përveç këtyre, veçori tjetër ishin edhe vetë tahitianët. Ata ishin të gjatë, të pashëm dhe të shëndetshëm. Marinarëve, që kishin mbetur pa dhëmbë dhe që mishrat e dhëmbëve i kishin të fryra nga skorbuti, u bënin përshtypje dhëmbët e bardha të tahitianëve. Banorët kishin edhe një natyrë gazmore; shpejt ata u fituan zemrën detarëve me mikpritjen e tyre. Gjithashtu, të paktën në pamje të parë, dukej sikur të gjithë tahitianët ishin të barabartë, një nga veçoritë bazë të përmendura në letërsinë utopike. Varfëria nuk njihej. Tahitianët jetonin pa asnjë kufizim nga ana seksuale. Ç’është e vërteta, marinarët kryen marrëdhënie imorale me disa gra të hijshme tahitiane.

Po, për Buganvilin dhe ekuipazhin e tij, Tahiti dukej si një rikthim në Eden. Kështu Buganvili u largua nga ishulli me dëshirën e zjarrtë për t’i treguar botës për parajsën që kishte gjetur. Kur përfundoi udhëtimin e tij trevjeçar rreth botës, ai botoi një tregim me aventurat e tij. Libri, i cili u bë ndër më të shiturit, i dha jetë një miti, sipas të cilit ishulli ekzotik ishte i përsosur në çdo drejtim. Parajsa ishte humbur, por me sa dukej njerëzit tani mund të shijonin një parajsë tjetër, Tahitin.

Rreziqet e mitit

Megjithatë, shpesh mitet bien ndesh me realitetin. Për shembull, tahitianët vuanin nga sëmundjet dhe vdisnin si çdokush tjetër. As që bëhej fjalë për barazi midis tyre, por përkundrazi, ata jetonin në një hierarki shoqërore të rreptë dhe ndonjëherë shtypëse. Ata zhvillonin luftëra midis fiseve dhe bënin flijime në njerëz. Ashtu si të gjithë njerëzit, jo çdo tahitian ishte jashtëzakonisht i bukur ose i pashëm. Gjithashtu, historiani K. R. Hau mendon se gratë, që shkuan me burrat të cilët shoqëronin Buganvilin, ka mundësi të ishin «urdhëruar që të bënin prostitucion», në mënyrë që të kënaqnin pushtuesit.

Sidoqoftë, miti i «parajsës së gjetur» u përhap. Shkrimtarë dhe artistë, siç ishte piktori francez Pol Gogen, vërshuan drejt Tahitit. Paraqitja e gjallë që Gogeni i bëri jetës në Tahiti ndihmoi në përhapjen e famës së ishullit. Çfarë pasojash pati kjo për Tahitin? Miti krijoi për ishullin dhe për banorët e tij një ide shabllone. Pasi ktheheshin në shtëpi, ishte e zakonshme që njerëzit të pyesnin vizitorët e ishullit: «Na tregoni për aventurat me vajzat tahitiane.»

Parajsa: Një shpresë e humbur?

Vitet e fundit, Tahiti është përballur me probleme të tjera. Ciklonet e goditën vazhdimisht në fillim të viteve 80, duke i dëmtuar sharrat koralore. Por e keqja më e madhe i ka ardhur nga vetë njeriu. Projektet e ndërtimit kanë sjellë si pasojë erozion dhe ndotje. Dona Liongu, specialiste në fushën e administrimit të mbeturinave, thotë: «Industria e turizmit prodhon sasi shumë të mëdha me mbeturina. . . . Nëse nuk do t’i kushtohet vëmendje ndotjes së mjedisit, Tahiti dhe ishujt e tjerë nuk do të jenë më vendi i lagunave të kthjellëta blu ku flora dhe fauna janë me bollëk.

Megjithatë, shpresa për një parajsë të rivendosur nuk është aspak një shpresë e vdekur. Vërtet, vetë Jezu Krishti i premtoi një keqbërësi të penduar: «Do të jesh me mua në Parajsë.» (Luka 23:43) Jezui nuk po fliste për ndonjë utopi të ngurtë, siç tregohet në letërsinë artistike, por për një parajsë globale, që do të mbikëqyret nga një qeveri qiellore. * Më shumë se 1.700 Dëshmitarët e Jehovait në Tahiti i mbështesin shpresat e tyre në këtë Parajsë të ardhshme. Ata vullnetarisht harxhojnë kohë për të folur për këtë shpresë me fqinjët e tyre. Ndonëse Tahiti i bukur ka shumë veçori parajsore, ai është vetëm një pamje e zbehtë e Parajsës mbarëbotërore që do të sjellë së shpejti Perëndia. Kërkimi i kësaj Parajse nuk është i kotë.

[Shënimi]

^ par. 24 Për informacione të mëtejshme lidhur me premtimet e Perëndisë për Parajsën, shih librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 16]

Tahiti dukej si një parajsë idilike

[Burimet]

Pikturë nga Uilliam Haxhesi, 1766

Yale Center for British Art, Paul Mellon Collection, USA/Photo: Bridgeman Art Library

[Figura në faqen 17]

Tahitianët miqësorë e mikpritën Buganvilin

[Burimi]

Me lejen e Librarisë Kombëtare të Australisë NK 5066

[Figura në faqen 18]

Dëshmitarët e Jehovait kënaqen kur u flasin fqinjëve të tyre për Parajsën e ardhshme

[Burimi i figurës në faqen 17]

Fotografi me mirësjelljen e Tahiti Tourisme

[Burimi i figurës në faqen 19]

Faqe 18: Njerëz me kaike, ujëvarë, dhe sfondi: Fotografi me mirësjelljen e Tahiti Tourisme