Ilaç kundër insekteve për majmunët
Ilaç kundër insekteve për majmunët
PYJET tropikale të Venezuelës janë habitati i një primati mjaft inteligjent, majmunit kapuçin, që e ka majën e kokës si kësulë. Kur vjen stina e shirave, në shtëpinë e tyre në xhungël shfaqet edhe diçka tjetër—një re me mushkonja të pamëshirshme. Këto insekte pushtuese nuk janë vetëm të bezdisshme, por edhe të rrezikshme. Shpesh ato mbartin vezët e mizës parazite të llojit dermatobia, të cilat kur depozitohen nën lëkurën e majmunit mund të shkaktojnë ciste të qelbëzuara e të padurueshme.
Me sa duket, për t’u mbrojtur nga ky sulm, majmunët kapuçinë e lyejnë trupin me një ilaç të fortë natyror—sekrecionin e një lloji të veçantë shumëkëmbëshi të xhunglës. Këta shumëkëmbësha sekretojnë dy përbërës që janë të efektshëm kundër insekteve. Në të vërtetë, sekrecioni i tyre është edhe më i fortë se ilaçet që kanë bërë njerëzit për këtë gjë, të cilat përdoren në ushtri.
Prandaj gjatë stinës së shirave, majmuni kapuçin gërmon nëpër lëvoret e pemëve ose nëpër foletë e termiteve për të gjetur këta shumëkëmbësha të cilët janë 10 centimetra të gjatë. Kur majmuni gjen ndonjë të tillë, fërkon me të gjithë trupin, nga koka deri te këmbët. Gazeta Journal of Chemical Ecology thotë: «Majmunët e lakmojnë kaq shumë sekrecionin, saqë një shumëkëmbësh të vetëm e përdorin katër prej tyre.» Madje, kur fillon masazhi me shumëkëmbësha, s’merret parasysh as shkalla e zakonshme hierarkike, e cila vërehet në kohën e ngrënies dhe në raste të tjera.
[Figura në faqen 15]
Sekrecioni i shumëkëmbëshit
[Burimi]
Thomas Eisner/Cornell University
[Burimi i figurës në faqen 15]
Dr. Zoltan Takacs