Katastrofë në det: Tragjedi në tokë
Katastrofë në det: Tragjedi në tokë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SPANJË
NJË katastrofë ekologjike dhe ekonomike nisi më 13 nëntor 2002. Deti ishte i stuhishëm dhe në anijen naftëmbajtëse Prestige filloi të formohej një e çarë. Përpjekjet për të shpëtuar anijen e dëmtuar dështuan dhe si përfundim, pas gjashtë ditësh, gjatë të cilave kishin rrjedhur gati 20.000 tonë naftë, naftëmbajtësja u nda më dysh dhe u fundos rreth 200 kilometra larg bregdetit spanjoll.
Bashkë me naftëmbajtësen shkuan në fund të detit edhe më se 50.000 tonë naftë dhe kështu nga trupi i saj vazhduan të rridhnin gati 125 tonë naftë çdo ditë. U formuan njolla të reja nafte që vërshonin drejt bregut si një valë e pandalshme. Natyra veshtullore dhe toksike e naftës së papërpunuar bëri që pasojat të ishin tragjike sidomos për mjedisin.
Nga avujt e naftës shumë vullnetarë, që përpiqeshin të pastronin plazhet, e kishin të pamundur të punonin. Për më tepër, nafta formoi një masë pluskuese katrani që ngjitej te shkëmbinjtë si çamçakëz i zi. «Është një nga derdhjet më të këqija të naftës në histori»,—tha me keqardhje Mishel Gireni, drejtor i Qendrës së Dokumentimit, Kërkimit dhe Eksperimentimit për Ndotjen Aksidentale të Ujit.
Përpjekje heroike
Për javë të tëra, qindra peshkatarë dolën në det për të luftuar me njollat e naftës që kërcënonin burimin e tyre të jetesës. Peshkatarët bënë përpjekje heroike për ta mbledhur naftën para se ajo të nxinte plazhet dhe të rrënonte një nga rajonet e peshkimit më frytdhënëse të botës. Disa burra hiqnin me duar nga deti llumë nafte. «Ishte një punë që të këpuste kurrizin, por për ne që ishim me barka të vogla nuk kishte mënyrë tjetër»,—tha Antonio, një peshkatar vendës.
Ndërkohë që peshkatarët luftonin për të mbledhur naftën në det, mijëra vullnetarë nga e gjithë Spanja punonin për të pastruar plazhet. Të veshur me kominoshe të bardha njëpërdorimshe dhe me
maska, ata dukeshin sikur merrnin pjesë në një luftë biologjike. Por detyra e tyre e mundimshme ishte që ta mblidhnin naftën me lopata, ta futnin në kova dhe ta transportonin tutje. Ashtu si peshkatarët, edhe disa vullnetarë e hoqën me duar naftën që kishte ndotur plazhet.Pasoja tragjike
«Më theri në zemër kur pashë dallgët e zeza që e sillnin naftën drejt molit në Mukia,—tha Rafael Musoja, kryetar i bashkisë së Korkubionit në Galicinë Veriore, ku vija bregdetare ishte shkatërruar.—Derdhjet e naftës kanë dëmtuar burimin e jetesës së kaq shumë njerëzve në qytetin tonë.»
Mjerisht, një nga goditjet më të rënda nga ndotja me naftë e mori parku i ri dhe i bukur kombëtar i Spanjës, Las Islas Atlantikas (Ishujt e Atlantikut). Koloni shumë të mëdha me zogj detarë i ngrinin çerdhet në këta ishuj të pandotur më parë, pranë bregdetit të Galicisë. Përreth, platforma kontinentale ishte veçanërisht e pasur me lloje gjallesash detare.
Aty nga fillimi i dhjetorit, 95 për qind e vijës bregdetare të parkut ishte ndotur me naftë. Ornitologët llogaritën se nga kjo do të vuanin pasojat rreth 100.000 zogj. Palombarët panë madje copëra të mëdha nafte të ngurtësuar që lëviznin në fund të detit duke dëmtuar ekosistemin e brishtë detar.
Xhei Holkomi, i cili organizoi një qendër për shpëtimin e zogjve, tha: «Zakonisht zogjtë ngordhin ose nga mbytja ose për shkak të hipotermisë. Pendët bëhen gjithë naftë, dhe kjo shkatërron aftësinë e tyre termoizoluese dhe atë kundra ujit. Për më tepër, nafta veshtullore i tërheq ata poshtë, ashtu siç i rëndojnë notarit rrobat e qullura. . . . Ndien kënaqësi të madhe kur shpëton disa zogj, edhe nëse ky numër është disi i vogël.»
«Një aksident që pritej»
Bota varet nga nafta për të siguruar energji, por që kostoja të jetë sa më e ulët, shpesh nafta transportohet me mjete lundrimi të rrezikshme dhe të mbajtura keq. Prandaj, The New York Times e përshkroi këtë gjendje si «një aksident që pritej».
Naftëmbajtësja Prestige është e treta anije-cisternë që është mbytur pranë bregdetit të Galicisë në këto 26 vitet e fundit. Rreth dhjetë vjet më parë, Aegean Sea u fundos afër La Korunjës në Galicinë Veriore dhe derdhi 40.000 tonë naftë të papërpunuar. Në afërsi të bregdetit ka zona që ende nuk e kanë marrë veten nga ajo katastrofë. Gjithashtu, në vitin 1976, anija-cisternë Urquiola u mbyt në të njëjtën grykëderdhje, duke derdhur një sasi nafte prej më shumë se 100.000 tonësh, gjë që solli pasoja shkatërrimtare.
Duke marrë parasysh katastrofën e fundit, Bashkimi Evropian ka vendosur të ndalojë lundrimin e të gjitha anijeve-cisternë që nuk kanë një trup me shtresë të dyfishtë. Megjithatë mbetet për t’u parë nëse kjo masë do të jetë e mjaftueshme për të mbrojtur bregdetin evropian që ka marrë shpesh goditje të tilla.
Është e qartë se qeveritë njerëzore nuk kanë qenë në gjendje të garantojnë një botë pa ndotje, si nga derdhjet e naftës, ashtu edhe nga mbeturinat toksike ose ndotja atmosferike. Megjithatë, të krishterët presin me padurim kohën kur Mbretëria e Perëndisë të drejtojë punën për transformimin e planetit tonë në një parajsë që nuk do të ndotet kurrë.—Isaia 11:1, 9; Zbulesa 11:18.
[Figura në faqet 20, 21]
Bashkë me naftëmbajtësen Prestige shkuan në fund të detit edhe 50.000 tonë naftë
[Burimi]
AFP PHOTO/DOUANE FRANCAISE