Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lundrojnë me ndihmën e ujit, qiellit dhe erës

Lundrojnë me ndihmën e ujit, qiellit dhe erës

Lundrojnë me ndihmën e ujit, qiellit dhe erës

A KENI frikë se mos toka është e sheshtë, prandaj po të shkoni në buzë të saj do të bini? Me siguri jo. Megjithatë, me sa duket në të kaluarën, disa lundrues kishin pikërisht këtë frikë. Shumë prej tyre lundronin pa e humbur nga sytë bregun. Por marinarë të tjerë të guximshëm e flakën tej frikën dhe u nisën në det të hapur.

Rreth 3.000 vjet më parë, detarët fenikas u nisën nga portet e atdheut të tyre në bregun lindor të Mesdheut për të bërë tregti në Evropë dhe në Afrikën e Veriut. Në shekullin e katërt p.e.s. eksploruesi grek Piteu, i ra rreth e përqark Britanisë dhe mund të ketë arritur deri në Islandë. Gjithashtu, shumë kohë para se anijet evropiane të përshkonin Oqeanin Indian, lundruesit arabë dhe kinezë, që vinin nga Lindja, tashmë e kishin përshkuar atë. Në fakt, evropiani i parë që lundroi drejt Indisë, Vasko de Gama, arriti atje shëndoshë e mirë me ndihmën e një piloti arab, Ibn Maxhidi, i cili i drejtoi anijet e De Gamës gjatë udhëtimit 23-ditor nëpër Oqeanin Indian. Por, si orientoheshin në det këta lundrues të lashtësisë?

Llogaritja e rrugës u shpëtonte jetën

Marinarëve të hershëm u duhej të bazoheshin te llogaritja e rrugës. Kjo metodë kërkonte që lundruesi të dinte tri gjëra, siç tregohet në ilustrimin e mëposhtëm: (1) pikën e nisjes së anijes, (2) shpejtësinë e saj dhe (3) kursin e saj (drejtimin e lundrimit). Pika e nisjes nuk ishte problem. Por, si mund të përcaktohej kursi?

Më 1492, për të përcaktuar kursin Kristofor Kolombi përdori një busull. Por busullat kishin filluar të përdoreshin në Evropë vetëm në shekullin e 12-të të e.s. Kur nuk kishte busulla, pilotët lundronin të drejtuar nga dielli dhe yjet. Kur retë ua zinin pamjen, marinarët orientoheshin me ndihmën e dallgëzimeve të gjata dhe të rregullta që formoheshin në oqean nga erërat e vazhdueshme. Ata i kushtonin vëmendje drejtimit që kishin këto dallgëzime në raport me lindjen dhe perëndimin e diellit dhe të yjeve.

Si e llogaritnin shpejtësinë? Një mënyrë ishte duke hedhur nga bashi i anijes në ujë një objekt pluskues dhe duke llogaritur kohën që i duhej anijes për ta kaluar atë. Një metodë më e saktë që doli më vonë ishte të hidhnin nga anija një copë dru të lidhur me një litar që kishte nyja në largësi të barabarta nga njëra-tjetra. Druri që pluskonte në ujë e tërhiqte litarin ndërkohë që anija shkonte përpara. Pas një kohe të caktuar, litari mblidhej dhe numëroheshin nyjat që kishte tërhequr druri. Kjo tregonte shpejtësinë të shprehur në nyja—milje detare në orë—njësi matëse që përdoret ende sot. Duke ditur shpejtësinë, marinari mund të llogariste largësinë që kishte përshkuar anija për një ditë. Pastaj në një hartë detare ai vizatonte një vijë që tregonte rrugën që kishte bërë sipas drejtimit të zgjedhur.

Sigurisht, rrymat oqeanike dhe erërat që frynin anash anijes mund ta nxirrnin atë nga kursi. Prandaj, marinari llogariste dhe regjistronte periodikisht korrigjimet që duheshin bërë gjatë pilotimit të anijes, në mënyrë që ajo të vazhdonte sipas kursit të duhur. Çdo ditë, ai vazhdonte aty ku e kishte lënë. Vazhdonte të maste, të llogariste dhe të vizatonte. Kur më në fund anija hidhte spirancën, këto shënime të përditshme në hartat e tij ishin një regjistrim që mbetej. Ky regjistrim tregonte se si kishte arritur anija në vendmbërritjen e saj. Nëpërmjet llogaritjes së rrugës, rreth 500 vjet më parë, Kolombi lundroi nga Spanja drejt Amerikës së Veriut dhe u kthye prapë. Hartat e tij të vizatuara me kujdes bëjnë të mundur që detarët e kohëve moderne të përshkojnë përsëri lundrimin e tij të jashtëzakonshëm.

Lundrojnë me ndihmën e qiellit

Si i përdorën lundruesit e lashtësisë trupat qiellorë për të drejtuar mjetet e tyre të lundrimit? Pikat e horizontit ku ngrihej dhe ulej dielli tregonin lindjen dhe perëndimin. Kur agonte, detarët mund të dallonin se sa kishte ndryshuar pozicioni i diellit duke e krahasuar atë me pozicionin e yjeve që shiheshin ende. Natën, ata mund ta përcaktonin vendndodhjen nga ylli polar, ylli i Veriut, i cili kur bie muzgu duket se është gati pingul me Polin e Veriut. Më në jug, një yjësi e shndritshme, e njohur si Kryqi i Jugut, i ndihmonte ata të gjenin Polin e Jugut. Pra, kur nata ishte e kthjellët, marinarët kudo që të ishin, kishin të paktën një pikë qiellore referimi me anë të së cilës mund të kontrollonin drejtimin e tyre.

Por këto nuk ishin të vetmet «tabela» yjore. Për shembull, polinezianët dhe detarë të tjerë të Paqësorit mund ta lexonin qiellin natën sikur të ishte një hartë rrugore. Një nga teknikat e tyre përfshinte ta përcaktonin kursin duke ndjekur drejtimin e një ylli, të cilin e dinin që lindte ose perëndonte në horizont në atë drejtim ku donin të shkonin ata. Gjatë natës, këta lundrues shihnin edhe pozicionin e yjeve të tjera për t’u siguruar që po ndiqnin drejtimin e duhur. Nëse po shkonin në drejtimin e gabuar, qiejt u tregonin si të merrnin drejtimin e duhur.

Sa i saktë ishte ky sistem? Në një kohë kur lundruesit evropianë shpesh nuk i largoheshin bregut nga frika se mos binin nga buzët e një toke të sheshtë, me sa duket marinarët e Paqësorit përshkonin distanca të gjata përmes oqeanit midis ishujve relativisht të vegjël. Për shembull, më shumë se 1.500 vjet më parë, polinezianët lanë ishujt Markez dhe u drejtuan për në veri përmes Oqeanit të madh Paqësor. Kur zbritën në brigjet e Havait, ata kishin lundruar për 3.700 kilometra. Në folklorin e ishullit flitet për lundrimet që polinezianët e lashtë bënin nga Havai në drejtim të Tahitit dhe anasjelltas. Disa historianë thonë se këto tregime janë thjesht legjenda. Megjithatë, detarët e ditëve tona e kanë bërë përsëri atë lundrim duke u drejtuar nga yjet, dallgëzimet e oqeanit dhe nga dukuritë e tjera natyrore, pra, pa instrumente matëse.

Shfrytëzojnë erën

Anijet me vela ishin në mëshirë të erërave. Një fllad që vinte nga prapa e shtynte mjaft mirë anijen, por një erë që frynte nga përpara e ngadalësonte shumë atë. Mungesa e erës, siç ndodhte shpesh në zonën e bunacës ekuatoriale—zona përreth ekuatorit—do të thoshte të mos shkoje dot përpara. Me kalimin e kohës, lundruesit zbuluan erërat mbizotëruese në oqean, të cilat i ndihmuan në krijimin e rrugëve kryesore për anijet lundruese në det të hapur. Lundruesit i shfrytëzuan mirë këto erëra.

Sigurisht, kur erën e kishin kundër, ajo mund të sillte mjerim e vdekje. Për shembull më 1497, kur De Gama nisi lundrimin nga Portugalia për në bregun legjendar të Malabarit në Indi, erërat mbizotëruese e çuan në Atlantikun Jugor dhe pastaj e kthyen mbrapsht në drejtim të juglindjes rreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikë. Por në Oqeanin Indian, ai u ndesh me musonet, erëra që e ndryshojnë drejtimin sipas stinës. Në fillim të çdo viti, musoni i verës ngrihet në jugperëndim të Oqeanit Indian dhe për muaj të tërë i shtyn të gjitha objektet pluskuese në drejtim të Azisë. Nga fundi i vjeshtës fillon të fryjë musoni i dimrit. Duke ardhur me furi të madhe nga verilindja, ai fryn në drejtim të kundërt, pra drejt Afrikës. Por De Gama u largua nga India në gusht dhe shpejt u ndesh me erëra jo të mbara. Në vend që udhëtimi të zgjaste 23 ditë, siç ndodhi në rastin kur shkoi drej lindjes, për t’u kthyer atij iu deshën gati tre muaj. Për shkak të kësaj vonese, ushqimi i freskët u mbarua, dhe si pasojë e skorbutit, ai humbi shumë nga njerëzit e tij.

Lundrues mendjemprehtë të Oqeanit Indian mësuan të shqyrtonin edhe kalendarin përveç busullës. Anijet që shkonin drejt lindjes, duke kaluar nëpër Kepin e Shpresës së Mirë, duhej të niseshin nga India aty nga fillimi i verës, përndryshe rrezikonin të pritnin muaj të tërë për erërat e mbara. Nga ana tjetër, kapitenët e anijeve niseshin nga India drejt Evropës në fund të vjeshtës, për të mos ndeshur musonin e verës. Kështu, rruga nëpër Oqeanin Indian ishte si një rrugë me një kalim, drejtimi i së cilës ndryshonte. Gjatë një sezoni, trafiku detar midis Evropës dhe bregut indian të Malabarit shpesh shkonte vetëm në një drejtim.

Lundrimi shkon përpara

Kaluan kohë dhe përfundimisht arti i lundrimit mori një drejtim të ri. Instrumentet mekanike bënë që lundrimi të mos varej më aq shumë nga syri i lirë dhe nga hamendja. Astrolabi dhe më vonë sektanti, i cili ishte më i saktë—pajisje që përcaktojnë sa është ngritur mbi horizont dielli ose ndonjë yll—u bënë të mundur marinarëve të gjenin gjerësinë e tyre gjeografike në veri ose në jug të ekuatorit. Kronometri detar, një orë e besueshme dhe e përshtatshme për udhëtimin në det, bëri të mundur që ata të përcaktonin gjatësinë gjeografike, pra vendndodhjen e tyre nga lindja ose perëndimi. Këto instrumente ishin shumë më të sakta sesa llogaritja e rrugës.

Sot, gjirobusullat tregojnë veriun pa pasur një gjilpërë magnetike. Sistemi i Përcaktimit të Vendndodhjes në Glob mund të tregojë vendndodhjen e saktë të dikujt, mjafton të shtypësh disa butona. Hartat elektronike shpesh zëvendësojnë hartat detare prej letre. Po, lundrimi është bërë një shkencë e saktë. Por i gjithë ky përparim vetëm sa na shton respektin për guximin dhe zotësinë e detarëve të lashtësisë, të cilët i drejtuan anijet e tyre në detin e hapur e të paanë vetëm duke u bazuar në njohurinë që kishin për ujin, qiellin dhe erën.

[Diagrami dhe figurat në faqet 12, 13]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Llogaritja e rrugës

Llogaritja e rrugës dokumentohej me kujdes për lundrimet e ardhshme

1 Pika e nisjes

2 Shpejtësia përcaktohej duke përdorur një copë dru,

një litar me nyje në largësi të

barabarta dhe një kohëmatës

3 Drejtimi përcaktohej duke studiuar rrymat,

yjet, diellin dhe erën

[Figurat]

Busull

Sektant

[Figurat në faqen 14]

Instrumente shumë të përparuara bëjnë që sot lundrimi të jetë një shkencë e saktë

[Burimi]

Kværner Masa-Yards