Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Karavidhet gjejnë rrugën për në shtëpi
«Karavidhet me gjemba kanë një aftësi të pashpjegueshme për të gjetur rrugën për në shtëpi, madje edhe pasi ua lidhin sytë, i sjellin vërdallë me kamion dhe i hedhin në ujëra që ato nuk i njohin»,—thotë gazeta National Post e Kanadasë. Studiuesit zunë dhjetëra karavidhe në ujërat e ishujve të Floridës, i vendosën nëpër akuariume të errëta dhe i lëshuan pothuajse 37 kilometra larg vendit ku i kapën. Megjithëse i kishin sytë të mbuluar, karavidhet gjithmonë shkonin drejt vendit ku i kishin zënë. Studiuesit mendojnë se kjo është mënyra më e përparuar e orientimit që është gjendur deri tani te jovertebrorët. Dr. Keneth Lohman, i cili drejtonte studimet, tha: «Pavarësisht se çfarë u bëmë, karavidhet e gjetën drejtimin që duhej të ndiqnin për të shkuar në shtëpi. Po ta mendosh mirë, ky është një zbulim mjaft i madh: këto krustace të vogla që në ndonjë mënyrë arrijnë ta përcaktojnë vendndodhjen e tyre, në kushte në të cilat njerëzit s’do të dinin fare të orientoheshin.»
Nuk përbën një krim
The Korean Herald raporton: «Të arratisesh nga burgu nuk është një krim në Meksikë. Sistemi ligjor në Meksikë e pranon se të gjithë njerëzit kanë një dëshirë themelore për të qenë të lirë dhe nuk i dënon ata që duan ta plotësojnë këtë dëshirë.» Të burgosurit paditen vetëm nëse thyejnë ligjet kur arratisen, dëmtojnë dikë, dëmtojnë pronën, japin ryshfet ose bëjnë komplot me të burgosurit e tjerë. Megjithatë, ekziston një rrezik i mundshëm. Rojet e burgut janë të autorizuar të qëllojnë këdo që përpiqet të arratiset. Kjo ka sjellë si pasojë shpikjen e disa metodave mjeshtërore për t’u arratisur. Për shembull, në vitin 1998 një i dënuar për vrasje mbajti dietë derisa arriti peshën 50 kilogramë. Kështu, gruaja e tij mundi ta nxirrte nga burgu me valixhen me të cilën merrte në shtëpi rrobat që duheshin larë. Ai u arrestua nëntë muaj më vonë, por u arratis përsëri dhe që atëherë nuk është parë më.
Zgjerimi i Bashkimit Evropian
«Gjysmë shekulli pasi Lufta e Ftohtë e ndau Evropën në dy pjesë, ndërmjetësit arritën në një marrëveshje . . . për të bashkuar Evropën Perëndimore me Evropën Qendrore»,—thotë e përditshmja e Parisit, International Herald Tribune. Duke pranuar ftesën për të hyrë në Bashkimin Evropian në vitin 2004, dhjetë vendet e ftuara: Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Qiproja, Republika Çeke, Sllovakia dhe Sllovenia, do t’i shtojnë atij edhe 75 milionë njerëz të tjerë. Kështu që, «një treg i vetëm për 450 milionë njerëz» do të sjellë si pasojë një prodhim të përbashkët ekonomik prej 10,7 trilionë dollarësh. Kjo është pothuajse e barabartë me prodhimin e Shteteve të Bashkuara prej 11,5 trilionë dollarësh. Presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi, deklaroi: «Për herë të parë në histori Evropa do të bëhet një e vetme.» Midis vështirësive të shumta që do të lindin nga ky zgjerim do të jetë sfida për të drejtuar bizneset në 21 gjuhë zyrtare.
Martesat e stilit perëndimor në Japoni
The Japan Times raporton se megjithëse vetëm 0,8 për qind e popullsisë japoneze pohon se është e krishterë, aty po fitojnë popullaritet ceremonitë martesore të stilit perëndimor: me fustan të bardhë për nusen, me buqeta lulesh dhe me ecjen përgjatë udhëzës midis rreshtave për te altari. Një sondazh i një reviste, që u bë me 4.132 çifte të martuara në vitin 2001, tregonte se 61,2 për qind kishin bërë dasma të stilit perëndimor, 20,1 për qind sipas traditave shintoiste dhe 0,9 për qind kishin bërë ceremoni budiste. Për martesat e stilit perëndimor, kompanitë e martesave zakonisht marrin në punë «të huaj që nuk janë klerikë, të cilët kanë tipare kaukaziane», meqë klientët e tyre i parapëlqejnë më shumë. Zëdhënësja e një kompanie martesash tha: «Shumë çifte të reja mendojnë se një i huaj që kryen ritet mund të krijojë një atmosferë më moderne ose më solemne në dasmë.» Këta «pastorë fundjave» thjesht drejtojnë betimet martesore dhe lexojnë fragmente nga Bibla përpara auditorit.
Bimë të rrezikshme
«Mendimi i përhapur se meqë bimët rriten në natyrë, nuk e dëmtojnë aspak trupin është i rremë»,—pohon gazeta El Financiero e qytetit të Meksikos. Sipas Abigail Aguilar Kontrerasit, që punon në Institutin e Sigurimeve Shoqërore të Meksikës, vetëmjekimi me bimë mjekësore mund të jetë i rrezikshëm. Gazeta thotë: «Përdorimi i pavend i bimëve mjekësore mund ta dëmtojë trupin, dhe madje mund të shkaktojë vdekjen, pasi ato përmbajnë substanca aktive ose drogë.» Një shembull është landra e verdhë, e quajtur edhe bërryli i murgut, e cila përdoret për të rënë në peshë. Kjo bimë mund të shkaktojë diarre, të vjella dhe të dëmtojë zemrën. Prandaj është mirë që njerëzit të konsultohen me një ekspert në fushën e bimëve mjekësore përpara se të përdorin bimë që kanë veti kuruese.
«Nën varësinë e shitblerjeve të aksioneve»
Gazeta Die Welt e Hamburgut raporton se «njerëzit që janë nën varësinë e shitblerjeve të aksioneve» tani po tërheqin vëmendjen e një terapisti gjerman. Sipas një këshilltari për varësinë, Joakim Otos, këta njerëz u joshën nga «ndjenjat euforike që vinin nga përfitimi i shpejtë». Ata filluan të merreshin me shitblerjen e aksioneve «nga frika se mos humbitnin rastin më të mirë të jetës së tyre», por pastaj humbën kontrollin dhe i mbërtheu «shpejtësia e jashtëzakonshme e transfertave të shitblerjeve, rreziku dhe gjendja e përhershme e tensionuar». Tani shumë nga ata kanë hyrë në borxhe të mëdha. Pa dijeninë e grave të tyre, disa kanë shpërdoruar të gjitha kursimet ose kanë hipotekuar shtëpinë. Shumë nga këta shkojnë të bëjnë terapi vetëm kur familjet e tyre nuk mund t’i tolerojnë më.
Binjake të lindura në vite të ndryshme
Gazeta Daily News e Nju-Jorkut raporton: «Binjaket Kalei dhe Emili Xhonson kanë shumë gjëra të përbashkëta, por jo datëlindjen e tyre. Ato erdhën në jetë në vite të ndryshme.» Kalei lindi më 31 dhjetor, në orën 11.24 të natës. Emilia erdhi në jetë më 1 janar, në orën 12.19 të drekës.» Nëna e tyre, Don Xhonsoni nga Barnegati i Nju-Xhersit, ishte e ngazëllyer. Ajo tha: «Megjithëse janë binjake, doja që secila të kishte identitetin e saj. Ato dhanë prova që në fillim.» Binjaket, të cilat pritej të lindnin më 2 shkurt, erdhën në jetë një muaj më përpara.
Gjuha e Internetit pushton klasat
Gazeta Toronto Star thotë: «Gjuha bisedore me shkurtime që përdoret në chat-rooms në Internet dhe në mesazhet e shpejta po pushton klasat angleze të shkollave të mesme.» Disa mësues mendojnë se «teknologjitë e reja po ndikojnë jo vetëm në mënyrën si shkruajnë nxënësit, por edhe në atë se si mendojnë». Nxënësit kanë nxjerrë një gjuhë të re të shkurtimeve të anglishtes. Këto shkurtime përdoren rregullisht për të shpejtuar bisedat kur komunikojnë nëpërmjet Internetit ose kur dërgojnë mesazhe me celularë. Tani kjo përzierje e fjalëve me shkurtimet e shkruara po shfaqet edhe në detyrat e shtëpisë.
Zbulime të reja për kafenë
Gazeta the Times e Londrës pohon: «Kafeja pa kafeinë nuk është më e shëndetshme se kafeja tradicionale dhe ka të ngjarë që po njësoj t’i lërë gjithë natën pa gjumë përdoruesit e saj.» Studimet që bënë shkencëtarët në Spitalin universitar, në Zyrih të Zvicrës tregojnë se përderisa të dyja llojet e kafesë ndikojnë pothuajse në mënyrë të njëjtë në sistemin nervor dhe në atë kardiovaskular, ndoshta nuk është kafeina shkaktarja e këtyre problemeve. Drejtuesi i kërkimeve, dr. Roberto Konti, pranon: «Deri tani kemi menduar se pasojat që kafeja sjell në sistemin kardiovaskular vijnë nga kafeina, por zbuluam [se] këto pasoja i shfaqën edhe ata që nuk e pinë kafenë kur iu dha kafe pa kafeinë. Kjo gjë tregon se sa pak dimë për pasojat që sjell një nga pijet tona më të njohura dhe stimuluesi që konsumohet më shumë në të gjithë botën.»