Prepotenca: Disa shkaqe dhe pasoja
Prepotenca: Disa shkaqe dhe pasoja
ÇFARË e shtyn një fëmijë që të bëhet prepotent? Nëse ju ka ndodhur që një prepotent ju ka keqtrajtuar, mund t’ju dalin vetvetiu këto fjalë: «Nuk dua t’ia di! S’ka justifikim për atë sjellje.» Dhe ndoshta keni të drejtë. Por ka një ndryshim të madh midis shkakut dhe justifikimit. Shkaqet përse një fëmijë bëhet prepotent nuk justifikojnë sjelljen e keqe, por mund të na ndihmojnë ta kuptojmë atë. Dhe kjo gjë mund të na vlejë vërtet. Përse?
Një proverb i lashtë thotë: «Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi.» (Fjalët e urta 19:11) Zemërimi që ndiejmë kur dikush sillet me prepotencë mund të na verbojë, duke bërë që të ziejmë nga inati, madje edhe nga urrejtja. Por po t’i shkojmë më thellë problemit, mund të na bjerë disi zemërimi. Kjo na ndihmon të shohim më qartë ndërsa kërkojmë zgjidhje. Pra le të shqyrtojmë disa faktorë që nxitin këtë sjellje të papranueshme.
Çfarë e nxit prepotencën?
Në shumë raste, gjatë viteve kur individi prepotent krijon personalitetin, prindërit nuk i japin shembullin e tyre ose e lënë fëmijën fare pas dore. Shumë prepotentë vijnë nga familje ku prindërit sillen ftohtë, janë indiferentë ose madje u mësojnë fëmijëve që t’i zgjidhin problemet duke u sjellë me tërbim e duke përdorur dhunën. Fëmijët e rritur në këtë ambient mund të mos i shohin sulmet me fjalë dhe agresivitetin fizik si prepotencë. Madje ndoshta mendojnë se sjellja e tyre është normale dhe e pranueshme.
Një vajzë 16-vjeçare, që në shtëpi kishte vuajtur nga keqtrajtimet e njerkut prepotent, kurse në shkollë nga ngacmimet e nxënësve të tjerë, thotë se u bë edhe vetë prepotente kur ishte në klasën e shtatë. Ajo pranon: «Vloja nga një zemërim që sa vinte e shtohej. I bija në qafë çdokujt, të ishte kush të ishte. Të vuash është e rëndë. Kur ndien dhembje, do t’u shfryhesh të tjerëve.» Ky lloj agresiviteti fizik ndoshta nuk është tipik për vajzat prepotente, por zemërimi që fshihet pas tij, po. *
Në shumë shkolla mblidhen një numër i madh nxënësish me të kaluar të ndryshme dhe që
janë rritur në mënyra nga më të ndryshmet. Mjerisht, disa fëmijë janë agresivë, sepse në shtëpi u kanë mësuar që mënyra më e mirë për t’u dalë e tyrja është t’i frikësojnë të tjerët dhe t’i lëndojnë me fjalë.Është për të ardhur keq, por me sa duket metoda të tilla shpesh kanë sukses. Shelli Himëli, zëvendësdekane në Universitetin e Kolumbisë Britanike, Kanada, ka njëzet vjet që po studion sjelljen e fëmijëve. Ajo thotë: «Kemi fëmijë që po bëhen mjeshtra të kësaj strategjie dhe mjerisht me anë të prepotencës ia dalin. Ata fitojnë atë që duan: fuqi, pozitë dhe vëmendje.»
Një faktor tjetër që i ndihmon prepotentët t’u dalë e tyrja është mungesa e mbikëqyrjes. Shumë viktima mendojnë që nuk kanë kujt t’i drejtohen për ndihmë dhe e keqja është se në shumicën e rasteve kanë të drejtë. Debra Peplëri, drejtoreshë në «Lamarsh», Qendër Kërkimore për Zgjidhjen e Konflikteve dhe të Problemeve të Dhunës, në Universitetin «Jork» të Torontos, vëzhgoi sjelljen e nxënësve në oborrin e një shkolle dhe pa se mësuesit diktojnë e ndalin vetëm afro 4 për qind të incidenteve të prepotencës.
Megjithatë, dr. Peplëri mendon se ndërhyrja në këto raste është thelbësore. Ajo thotë: «Fëmijët nuk e zgjidhin dot vetë problemin, sepse kjo është çështje force dhe sa herë që një prepotent u bie në qafë të tjerëve, i detyron me forcë që t’i nënshtrohen.»
Atëherë, pse nuk janë denoncuar më shumë raste të prepotencës? Sepse viktimat janë të bindura që nëse tregojnë, gjendja vetëm sa do të keqësohet. Për pasojë, shumë të rinj i kalojnë vitet e shkollës me njëfarë ankthi dhe pasigurie të vazhdueshme. Cilat janë pasojat e kësaj gjendjeje?
Pasoja fizike dhe emocionale
Një raport i Shoqatës Kombëtare të Psikologëve të Shkollave në Shtetet e Bashkuara thotë që më shumë se 160.000 fëmijë mungojnë çdo ditë në shkollë, pasi kanë frikë se mos i kërcënojnë a i keqtrajtojnë. Ata që janë shënjestra e individëve prepotentë mund të mos flasin më për shkollën ose për një kurs a për një veprimtari të caktuar në shkollë. Ndoshta përpiqen të shkojnë çdo ditë vonë në shkollë, të mungojnë disa orë, madje të gjejnë justifikime për të mos shkuar fare në shkollë.
Nga se dallohen fëmijët që po vuajnë për shkak të ngacmimeve? Po ja, ata mund të bëhen të ngrysur, të acaruar, të dëshpëruar ose të jenë të plogësht dhe të mbyllur në vetvete. Mund të bëhen agresivë me njerëzit e shtëpisë ose me moshatarët dhe shokët. Edhe ata që rastësisht i shohin individët prepotentë të kërcënojnë të tjerët, kanë pasoja. Skena që shohin u ngjall një frikë jo të paktë, çka i shpërqendron nga mësimet.
Megjithatë, revista Pediatrics in Review thotë: «Pasoja më e rëndë që lë prepotenca te viktimat dhe te shoqëria është dhuna, përfshirë këtu vetëvrasjen dhe vrasjen. Fëmijët që janë viktima ndihen të pafuqishëm. Kjo ndjenjë mund të jetë kaq e thellë, saqë disa reagojnë me veprime vetëshkatërruese ose me hakmarrje që shkon deri në vrasje.»
Dr. Ed Adlafi, shkencëtar që merret me kërkime dhe profesor në fushën e shëndetit publik në Universitetin e Torontos, shpreh shqetësimin se «ata që janë prepotentë ose viktima të prepotencës ka shumë më tepër të ngjarë të vuajnë nga probleme emocionale tani dhe në të ardhmen». Gjatë vitit shkollor 2001, u anketuan më shumë se 225.000 nxënës në Ontario. Nga anketa doli se një e katërta deri në një e treta e tyre e kishin provuar prepotencën ose duke u sjellë vetë me prepotencë, ose si viktima të saj. Në po të njëjtin grup, 1 në 10 veta kishte menduar seriozisht të vriste veten.
Prepotenca e vazhdueshme mund t’i gërryejë viktimës besimin te vetja, të shkaktojë probleme të rënda shëndetësore, e madje mund t’i shkatërrojë edhe karrierën. Viktimat mund të kenë dhembje koke, pagjumësi, ankth dhe depresion. Disa fillojnë të vuajnë nga çrregullimi i stresit pas-traumatik. Ndërkohë që shumë njerëz mund ta mbështetin me dhembshuri viktimën e një sulmi fizik, sulmet emocionale ndoshta nuk ngjallin të njëjtin reagim. Dëmi është shumë më pak i dukshëm. Prandaj, në vend që të ndiejnë dhembshuri, familja dhe miqtë mund të lodhen nga ankimet e viktimës.
Prepotenca sjell pasoja të këqija edhe për vetë prepotentët. Po të mos u hiqet ky ves që kur janë fëmijë, ka mundësi që kur të rriten ata të sillen me prepotencë në vendin e punës. Dhe ç’është e vërteta, disa studime zbulojnë se ata që kishin qenë prepotentë që fëmijë, merrnin disa zakone në sjellje, të cilat i kishin edhe kur rriteshin. Gjithashtu
ata ishin më të prirur se të tjerët për të kryer krime.Pasoja në familje
Prepotenca në vendin e punës ndikon në stabilitetin dhe qetësinë e jetës familjare. Ajo mund të krijojë te viktima një nxitje të fortë e të pashpjegueshme për të lënduar njerëzit e dashur në familje. Veç kësaj, prepotenca mund të bëjë që bashkëshorti ose ndonjë familjar tjetër t’i dalë krah viktimës në një mënyrë të gabuar, duke kundërvepruar ndaj individit që e shqetëson. Nga ana tjetër mund të ndodhë që bashkëshorti t’ia ngjitë fajin viktimës për problemin e krijuar. Në këto raste, kur gjendja e rëndë e krijuar nga prepotenca vazhdon gjatë, ka ndodhur që iu është sosur durimi edhe atyre bashkëshortëve, të cilët e mbështetnin partnerin e tyre. Me kalimin e viteve ka të ngjarë të shtohen mundësitë që familja të prishet.
Në disa raste prepotenca sjell si pasojë humbjen e karrierës e të punës, ndarje dhe divorc, madje edhe vetëvrasje. Në Australi, gjysma deri në dy të tretat e viktimave të prepotencës në vendin e punës thanë se ajo kishte pasoja të dëmshme te marrëdhëniet e ngushta, siç është marrëdhënia midis partnerëve që bashkëjetojnë, midis bashkëshortëve ose midis familjarëve.
Prepotenca kushton shtrenjtë
Prepotenca në vendin e punës u kushton shtrenjtë edhe punëdhënësve. Individi prepotent në vendin e punës mund të jetë një shef me një të folur therës ose një shok pune intrigant, qoftë ky burrë ose grua. Njerëz të tillë të mbytin me kontrollin e tyre, e drejtojnë punën duke u kapur pas hollësirave më të imëta dhe ia ulin vlerat atij që kanë në shënjestër. Këtë e bëjnë me anë të vërejtjeve negative dhe kritikave të vazhdueshme, shpesh duke e poshtëruar në sy të të tjerëve. Ndodh rrallë që njerëzit prepotentë të pranojnë se nuk janë sjellë mirë ose të kërkojnë falje për sjelljen e tyre. Shpesh ata u bien më qafë punonjësve që janë të zotë, të besueshëm dhe që gëzojnë respektin e punëtorëve të tjerë.
Punonjësit që vuajnë si pasojë e prepotencës zakonisht nuk arrijnë të jenë edhe aq të frytshëm në punë. Por bie gjithashtu edhe rendimenti i punonjësve të tjerë që e shohin këtë gjë. Prepotenca mund të bëjë që punëtorët të bëhen më pak besnikë ndaj punëdhënësit dhe më pak të përkushtuar ndaj punës. Një raport thotë se prepotenca i kushton industrisë së Mbretërisë së Bashkuar afro tre miliardë dollarë çdo vit. Dhe thuhet se një sjellje e tillë është shkaku i më shumë se 30 për qind të sëmundjeve që lidhen me stresin.
Duket qartë që prepotenca ka një ndikim në shoqëri në mbarë botën. Çështja është: a mund të bëhet diçka për t’i vënë fre këtij problemi dhe për t’i dhënë fund atij?
[Shënimi]
^ par. 6 Femrat prepotente zakonisht përdorin taktika të tilla si përjashtimin e viktimës nga shoqëria dhe përhapjen e thashethemeve për të. Megjithatë, me sa duket, gjithnjë e më shumë femra po përdorin edhe dhunën fizike.
[Figura në faqen 7]
Prepotenca në vendin e punës është tepër e përhapur
[Figura në faqen 7]
Viktimat që vuajnë vazhdimisht nga sjellja prepotente mund të brengosen dhe të veçohen