Prepotenca: Problem botëror
Prepotenca: Problem botëror
«Po erdhe nesër në shkollë, do të të vrasim.»—Me këto fjalë një vajzë anonime kërcënoi në telefon një nxënëse kanadeze me emrin Kristina. *
«Nuk jam tip i prekshëm, por arrita deri aty sa nuk doja të shkoja më në shkollë. Më dhembte stomaku dhe çdo mëngjes villja atë që haja.»—Hiromi, një nxënëse adoleshente në Japoni, kujton se ç’ka kaluar për faj të ngacmimeve të njerëzve prepotentë.
A KENI pasur të bëni me një njeri prepotent, i cili keqtrajton ata që janë më të dobët? Shumicës prej nesh mund t’i ketë rastisur. Ndoshta ka ndodhur në shkollë, në punë, madje edhe në shtëpi, vende ku në këto kohë ky keqpërdorim i forcës po shfaqet me ritme alarmuese. Për shembull, një artikull në Britani tregon se gati 53 për qind e të rriturve keqtrajtohen me fjalë nga bashkëshorti prepotent ose nga partneri me të cilin bashkëjetojnë. Prepotentët dhe viktimat e tyre mund të jenë nga të dyja gjinitë, nga çdo shtresë shoqërore dhe nga çdo pjesë e botës. *
Por, çfarë është saktësisht prepotenca? Nuk është e njëjtë me rastin kur të bien në qafë ose të sulmojnë. Zakonisht ajo përfshin shumë incidente të vogla, që grumbullohen me kalimin e kohës, dhe jo një ose pak raste të tilla. Psikologu Dan Olveus, pionier në fushën e studimit sistematik të sjelljes prepotente, përcakton veçoritë më tipike të saj, siç janë agresiviteti i qëllimshëm dhe një pabarazi e dukshme midis forcës së prepotentit e të viktimës.
Ndoshta nuk ka një përkufizim të vetëm që t’i përmbledhë të gjitha veçoritë e prepotencës, por ajo është quajtur «dëshirë e vetëdijshme për të dëmtuar me dashje dikë tjetër dhe për ta stresuar». Stresi nuk krijohet vetëm nga çka ndodh konkretisht, por edhe nga frika se ç’mund të ndodhë. Taktikat mund të përfshijnë: tallje therëse, kritika të pafund, fyerje, thashetheme dhe kërkesa të paarsyeshme.—Shih kutinë në faqen 4.
Shumicën e viteve të shkollës, Kristina, adoleshentja e përmendur në fillim, u bë shënjestër e fëmijëve që bëjnë si ‘të fortë’ me të tjerët. Kur ishte në fillore, i ngjitnin çamçakëz te flokët, talleshin me pamjen e saj dhe e kërcënonin se do ta rrihnin. Në shkollën e mesme, gjërat u keqësuan sa arritën që në telefon ta kërcënonin me vdekje. Tani që është 18 vjeçe, thotë me keqardhje: «Shkolla është një vend ku njeriu shkon për të mësuar, e jo që ta kërcënojnë me vdekje ose ta marrin nëpër këmbë.»
Një profesioniste në fushën e shëndetit mendor komenton: «Është një veçori e trishtueshme, por tipike e marrëdhënieve njerëzore. Disa njerëz ndihen më mirë kur ulin dikë tjetër.» Kur kjo sjellje bëhet më e rëndë, mund të çojë në hakmarrje të dhunshme, e madje në tragjedi. Për shembull, një punonjës transporti, që kishte një të metë në të folur, e kishin vënë në lojë dhe e kishin ngacmuar kaq shumë, saqë si përfundim vrau katër shokë pune, e pastaj edhe veten.
Prepotenca është shqetësim botëror
Prepotenca te fëmijët e moshës shkollore është një problem mbarëbotëror. Nga një anketë e botuar në revistën Pediatrics in Review, u pa se 14 për qind e fëmijëve në Norvegji ose janë prepotentë, ose janë viktima të saj. Në Japoni, 15 për qind e nxënësve të fillores thonë se kanë vuajtur nga keqtrajtimet e fëmijëve të tjerë, kurse në Australi dhe në Spanjë këtë problem e kanë 17 për qind e nxënësve. Në Britani, një specialist llogarit se 1,3 milionë fëmijë janë prepotentë ose viktima të saj.
Profesor Amos Rolideri, që punon në kolegjin «Emek Israel», anketoi 2.972 nxënës në 21 shkolla. Sipas gazetës The Jerusalem Post, profesori zbuloi që «65% u ankuan se nxënës të tjerë i kishin qëlluar me pëllëmbë, me shkelm, i kishin shtyrë ose i kishin ngacmuar».
Një formë e re e prepotencës, që dëmton si pa kuptuar, është me anë të mjeteve dixhitale, pra dërgimi i mesazheve kërcënuese me celular ose me kompjuter. Gjithashtu, të rinjtë krijojnë faqe në Internet, ku shprehen plot urrejtje për dikë, duke përfshirë edhe të dhëna personale. Sipas dr. Uendi Kreig, e cila punon në Universitetin Queen në Kanada, kjo formë e prepotencës është «tepër e dëmshme për fëmijën që ka rënë viktimë».
Në vendin e punës
Ka shumë ankesa për përdorimin e dhunës në vendin e punës. Por ankesat që lidhen me prepotencën janë ndër ato që po shtohen më shumë. Madje disa vende raportojnë se ajo është më e përhapur se diskriminimi racial dhe se ngacmimet seksuale. Çdo vit gati 1 në 5 veta në fuqinë punëtore të SHBA-së përballen me prepotencën.
Një raport i botuar në vitin 2000 nga Fakulteti i Shkencave dhe i Teknologjisë në Universitetin e Mançesterit thoshte se në Britani, nga 5.300 punonjës në 70 organizma, 47 për qind raportuan se gjatë pesë viteve të fundit kishin qenë dëshmitarë të incidenteve të prepotencës. Në vitin 1996, në një anketë të bërë nga Bashkimi Evropian u intervistuan 15.800 veta në 15 shtetet e tij anëtare. Anketa tregoi se 8 për qind, pra rreth 12 milionë punonjës, ishin kërcënuar nga individë prepotentë ose ishin përballuar me ta.
Qoftë kur shfaqet në shkollë, qoftë në vendin e punës, të gjitha format e prepotencës duket se kanë diçka të përbashkët: përdorimin e forcës për të dëmtuar ose për të poshtëruar tjetrin. Por, përse disa njerëz sillen me prepotencë? Cilat janë pasojat? Dhe ç’mund të bëhet?
[Shënimet]
^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.
^ par. 4 Ndonëse në këtë seri artikujsh individi prepotent shpesh përcaktohet si «ai», parimet zbatohen në përgjithësi edhe për femrat prepotente.
[Kutia në faqen 4]
Format e prepotencës
▪ Sulmet fizike: Ata që sillen kështu dallohen më lehtë se janë prepotentë. Ata e shfryjnë zemërimin duke gjuajtur, duke shtyrë ose duke shkelmuar viktimën që kanë zgjedhur, ose duke i dëmtuar gjërat që zotëron.
▪ Ngacmimet me fjalë: Këta prepotentë e lëndojnë dhe e poshtërojnë viktimën me fjalë, qofshin këto sharje, fyerje ose tallje të vazhdueshme dhe të rënda.
▪ Prepotenca në sjellje: Ata që veprojnë kështu përhapin thashetheme të ulëta për individin që kanë në shënjestër. Kjo sjellje haset kryesisht te femrat prepotente.
▪ Viktima që kundërpërgjigjen: Ndonjëherë viktimat e prepotencës bëhen edhe vetë prepotentë. Sigurisht, fakti që kanë qenë viktima nuk e justifikon sjelljen e tyre, por vetëm na tregon pse mund të jenë bërë të tillë.
[Burimi]
Burimi: Take Action Against Bullying (Merrni masa kundër prepotencës) nga Gisel Laxhua, Alison Meklelan dhe Sindi Sedon