Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sh. Pjetërburgu​—«Dritarja në Evropë» e Rusisë

Sh. Pjetërburgu​—«Dritarja në Evropë» e Rusisë

Sh. Pjetërburgu​—«Dritarja në Evropë» e Rusisë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË RUSI

«Krijesë e Pjetrit, unë të due,/Due pamjen tande t’harmonishme,/Nevën që rrjedh madhnisht, rrethue,/Gjithë në granit brigjet e hieshme.»​—ALEKSANDËR SERGEJEVIÇ PUSHKINI.

POEMA e famshme e Pushkinit për Shën Pjetërburgun, e cila citohet pjesërisht këtu, tërheq vëmendjen drejt themeluesit të qytetit dhe vendndodhjes së këtij qyteti në skajin më verior, ku lumi Neva derdhet në Detin Baltik. ‘Por, si u krijua ky qytet i rëndësishëm i botës në një moçalishte që ndodhej në veri?’—mund të pyesni ju.

Rreth fundit të shekullit të 17-të, zhvillimi i Rusisë u ndërpre ngaqë ajo nuk kishte dalje në det. Ëndrra e carit rus të ri në moshë, Pjetrit të Madh, ishte të krijonte për Rusinë një «dritare në Evropë», pra një dalje në det. Në jug, daljen për në Detin e Zi e kishte bllokuar Perandoria Osmane. Prandaj Pjetri e ktheu shikimin drejt veriut, ku Suedia zotëronte territorin që kufizohej me Detin Baltik.

Për të realizuar ëndrrën e tij, në gusht të vitit 1700 Pjetri i shpalli luftë Suedisë. Megjithëse përpjekjet ushtarake në fillim nuk patën sukses, ai nuk u dorëzua. Aty nga nëntori i vitit 1702, Pjetri i detyroi suedezët të tërhiqeshin nga liqeni i Ladogës. Ky liqen, më i madhi i Evropës, nëpërmjet lumit Nevë lidhet me Detin Baltik, i cili ndodhet rreth 60 kilometra larg. Suedezët u tërhoqën në fortesën e një ishulli të vogël, pranë vendit ku Neva rrjedh nga liqeni. Pjetri arriti t’ua rrëmbente suedezëve këtë fortesë dhe i vuri emrin Shliselburg.

Më vonë suedezët u bënë qëndresë rusëve në një fortesë të quajtur Ninshants, pranë vendit ku Neva derdhet në Baltik. Në maj të vitit 1703, garnizoni suedez u shpartallua plotësisht. Kjo fitore u dha mundësi rusëve të kishin nën zotërim të gjithë deltën. Menjëherë, Pjetri filloi ndërtimin e një fortese në ishullin Zajaki që ndodhej aty afër, për të mbrojtur grykën e Nevës. Pra, më 16 maj 1703, rreth 300 vjet më parë, Pjetri i Madh vuri gurin e parë në themelin e asaj që sot njihet si fortesa Pjetër-Pavël. Kjo është pranuar si data e themelimit të qytetit të Shën Pjetërburgut. Emri iu vu sipas shenjtorit mbrojtës të carit, apostullit Pjetër.

Formimi i kryeqytetit

Ndryshe nga shumë kryeqytete, Shën Pjetërburgu që në fillim u projektua dhe u ndërtua për të qenë një kryeqytet mbresëlënës. Ndonëse ndodhej në skajin më verior, në gjerësinë gjeografike ku ndodhet Ankorixhi i sotëm i Alaskës, Pjetri eci përpara me ndërtimin e këtij kryeqyteti. Druri vinte nga zona e liqenit të Ladogës dhe nga Novgorodi. Për të siguruar gurë për ndërtim, përveç të tjerash Pjetri vuri si kusht edhe një kuotë. Çdo rus që sillte mallra në Shën Pjetërburg duhej të sillte edhe një numër të caktuar gurësh. Përveç kësaj, Pjetri ndaloi ndërtimin e shtëpive me gurë, në fillim në Moskë dhe pastaj në gjithë perandorinë e tij. Si pasojë të gjithë muratorët e papunë erdhën të punonin në Shën Pjetërburg.

Ndërtimi i qytetit vazhdoi, siç e quan The Great Soviet Encyclopedia, «me një ritëm të paparë për atë kohë». Menjëherë u shfaqën kanale drenazhimi, kolona themelesh, rrugë, ndërtesa, kisha, spitale dhe zyra qeveritare. Në vitin e themelimit të qytetit filloi të ndërtohej një kantier detar, i njohur si Admiraliati, i cili me kalimin e kohës u bë shtabi qendror i flotës ruse.

Aty nga viti 1710 filluan ndërtimet e Pallatit Veror, një shtëpi verore për carët. Në vitin 1712 zyrat e shumta qeveritare që ndodheshin në kryeqytetin e mëparshëm, në Moskë, u zhvendosën në Shën Pjetërburg dhe ky qytet u shpall kryeqyteti i Rusisë. Pallati i parë i ndërtuar me gurë që është ruajtur deri më sot, u përfundua në vitin 1714. Ai u ndërtua për guvernatorin e parë të qytetit, Aleksandër Menshikovin. Po atë vit, filluan edhe punimet e ndërtimit të katedrales Pjetër-Pavël brenda fortesës me të njëjtin emër. Kambanorja e saj e lartë është një pikë referimi për qytetin. Gjithashtu, në lumin Nevë u ndërtua Pallati i Dimrit, por në vitin 1721 ai u shemb dhe u zëvendësua me një ndërtesë prej guri. Më vonë u ndërtua Pallati i sotëm i Dimrit, i cili ka 1.100 dhoma. Ky pallat i madh tani është pika qendrore e qytetit dhe vendi ku ndodhet muzeu i shtetit, pra «Manastiri» i famshëm.

Dhjetëvjeçari i parë në Shën Pjetërburg u karakterizua nga një rritje mahnitëse për sa i përket ndërtimit. Mendohet se deri në vitin 1714 brenda qytetit kishte rreth 34.500 ndërtesa. Ndërtimi i pallateve dhe i ndërtesave mjaft të mëdha vazhdonte pa pushim. Në shumë prej ndërtesave të qytetit duket qartë ndikimi i fuqishëm i fesë në historinë e Rusisë.

Për shembull, atje ndodhet Katedralja Kazan, në formë gjysmërrethi dhe me kolonadën ballore. Pamja e saj mbresëlënëse në rrugën kryesore «Nevski Prospekt» ka luajtur rolin e saj që rruga të quhet si një nga bulevardet më madhështore të botës. Pas saj, filloi ndërtimi i Katedrales Shën Isak. Për të mbajtur ndërtesën në një bazament moçalor u ngritën gati 24.000 kolona dhe për të veshur kubenë e saj të madhe u përdorën 100 kilogramë ar.

Edhe ndërtimi në zonat periferike të Shën Pjetërburgut të linte gojëhapur. Puna për ndërtimin e Pallatit të Madh, një rezidencë për Pjetrin, filloi në vitin 1714 në Pjetërhof, Pjetrodvoretsin e sotëm. Ndërkohë, në qytetin Tsarski-Selo aty afër, i cili tani quhet Pushkin, për të shoqen e Pjetrit u ndërtua Pallati luksoz i Katerinës. Nga fundi i të njëjtit shekull u ngritën dy pallate të mëdhenj në dy rrethinat jugore të këtij qyteti, Pavlovski dhe Gaçina.

Qindra ura që ishin ndërtuar mbi degëzimet dhe kanalet e shumta të lumit ia shtonin tej mase bukurinë këtij qyteti të ri që po zhvillohej. Për këtë arsye Shën Pjetërburgu është quajtur shpesh «Venecia e Veriut». Arkitektë francezë, gjermanë dhe italianë punuan bashkë me kolegët e tyre të talentuar rusë për të krijuar atë që The Encyclopædia Britannica e quan «një nga qytetet më të madhërishme dhe më të harmonishme të Evropës».

Qëndron përballë vështirësive

Kundërshtarët e Pjetrit nuk e merrnin me mend se me çfarë trimërie do ta mbronin rusët këtë ‘dritare në Evropë’. Libri Peter the Great—His Life and World (Pjetri i Madh: Jeta dhe bota e tij) shpjegon: «Që ditën kur Pjetri i Madh shkeli në grykën e Nevës, toka dhe qyteti që u ngrit atje kanë mbetur gjithmonë rusë.»

Vërtet, siç thotë libri që u përmend më sipër, «gjatë shekujve asnjë nga pushtuesit që më pas hynë në Rusi me ushtri të mëdha, si Karli XII, Napoleoni dhe Hitleri, nuk arritën të merrnin portin e Baltikut, të ndërtuar nga Pjetri, pavarësisht se në Luftën II Botërore ushtritë naziste e mbajtën të rrethuar qytetin për 900 ditë». Në kohën e atij rrethimi të gjatë, në qytet vdiqën rreth një milion njerëz. Gjatë dimrit të vitit 1941-1942 vdiqën shumë veta nga të ftohtët e uria, kur temperaturat ranë 40 gradë nën zero. Kjo temperaturë shënon pikën kur shkallët Celsius dhe Farenhait regjistrojnë të njëjtën temperaturë.

Në vitin 1914, kur filloi Lufta I Botërore, emri i qytetit u ndryshua në Pjetrograd. Kur vdiq udhëheqësi i parë i Bashkimit Sovjetik në vitin 1924, Vladimir Lenini, emri i qytetit u ndryshua në Leningrad. Së fundi, me rënien e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, qytetit iu rivendos emri i hershëm, Shën Pjetërburg.

Kontributi që i dha botës

Në vitin 1724, një vit përpara vdekjes së Pjetrit në moshën 52 vjeçare, me dekretin e tij u krijua në qytet Akademia Ruse e Shkencave dhe në vitin 1757 u themelua Akademia e Arteve. Atje studiuan piktorët rusë të shekullit të 19-të, Karl Brylof e Ilia Repin, të cilët pastaj u bënë me famë në mbarë botën.

Në vitin 1819 në Shën Pjetërburg u themelua Universiteti shtetëror dhe me kalimin e kohës, u formuan edhe institucione të tjera të arsimit të lartë. Në fund të shekullit të 19-të, fituesi i çmimit Nobel, psikologu rus Ivan Pavllov, i cili ishte një banor i Shën Pjetërburgut, zhvilloi konceptin e refleksit të kushtëzuar. Po në këtë qytet, kimisti rus Dimitri Mendelejev hartoi tabelën e sistemit periodik të elementeve ose siç njihet në Rusi, tabelën e Mendelejevit.

Edhe jeta kulturore e qytetit tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare. Në vitin 1738 u krijua një akademi baleti, e cila pas njëfarë kohe u bë e mirënjohur në mbarë botën si Baleti Marinski. Shpejt qyteti u zbukurua nga shumë salla koncertesh e baleti dhe nga teatro. Në Shën Pjetërburg banuan kompozitorë të famshëm, përfshirë edhe Pjetër Iliç Çajkovskin. Ai njihet për muzikën e pavdekshme, si: muzikën e baletit klasik Bukuroshja e fjetur, Liqeni i mjellmave, Arrëthyesi, si dhe për kompozimin e tij të famshëm Uverturë 1812.

Shën Pjetërburgu strehoi edhe një mori poetësh dhe shkrimtarësh të dëgjuar rusë, të cilët jetuan aty. I riu Aleksandër Sergejeviç Pushkin u njoh si «poeti më i madh dhe themeluesi i letërsisë moderne ruse». Pushkini mund të quhet edhe Shekspiri i Rusisë, pasi veprat e tij janë përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore. Një nga këto vepra është odeja për qytetin që ai e bëri si shtëpinë e tij, e cila u citua në fillim të këtij artikulli. Përveç tij, ishte edhe Dostojevski, i cili sipas Encyclopædia Britannica «shpesh vlerësohet si një nga romancierët më të shquar që kanë jetuar ndonjëherë».

Prandaj, mund të thuhet se çdo gjë që Shën Pjetërburgu i mori Evropës në fillimet e tij modeste, ia ktheu me bujari shumëfish. Sigurisht që me kalimin e viteve banorët e tij e kanë pasuruar kulturën botërore.

Një kohë për të medituar

Gjatë javës që filloi më 24 maj dhe mbaroi më 1 qershor, qindra mijë vizitorë të Shën Pjetërburgut morën pjesë në kremtimin e 300-vjetorit të tij. Teksa gëzonin rezultatet e punëve madhështore përgatitore, shumë veta meditonin për bukurinë dhe historinë e spikatshme të qytetit.

Rastësisht, vetëm një javë më parë, shumë njerëz kishin vizituar Shën Pjetërburgun me rastin e kushtimit të ndërtesave të zgjeruara të degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi, të cilat ndodhen në periferi të qytetit. Ditën pasuese 9.817 veta u mblodhën në stadiumin Kirov në Shën Pjetërburg për të dëgjuar rishikimin e programit të kushtimit dhe raporte inkurajuese në lidhje me Dëshmitarët e Jehovait në shumë vende.

Më shumë nga sa arrin të shohësh

Vizitorët e Shën Pjetërburgut shpesh e ndiejnë se ka kaq shumë gjëra për të parë, sa nuk dinë nga t’ia fillojnë. Këtë mëdyshje e kanë kur shkojnë në Manastir. Thuhet që në rast se një njeri do të kalonte vetëm një minutë për të parë çdo objekt që ndodhet në qindra dhomat ku paraqiten ato, do të duheshin vite për të përfunduar vizitën.

Të tjerë mendojnë se një nga gjërat që të sjell më shumë kënaqësi në Shën Pjetërburg është baleti. Për shembull, në teatrin e famshëm «Marinski», mund të ulesh nën llambadarët e kristaltë plot zbukurime, i rrethuar nga muret e fasadat e brendshme farfuritëse, të cilat janë veshur me gati 400 kilogramë ar. Në këtë mjedis mund të shihet një nga baletet më të mira në botë.

Gjatë një shëtitjeje të thjeshtë në këtë qytet me gati pesë milionë banorë do të përjetoni një përvojë të kënaqshme, duke parë ndërtesat elegante përgjatë Nevës. Edhe gjatë udhëtimit me metronë e mrekullueshme të nëndheshme të qytetit, një nga më të thellat në botë, mund të gëzosh një përvojë të kënaqshme në lidhje me kulturën. Më shumë se dy milionë njerëz në ditë marrin metronë, e cila përshkon një rrugë prej 98 kilometrash të gjatë me më se 50 stacione. Disa stacione janë nga më të bukurat në botë. Në vitin 1955, kur u përurua metroja, The New York Times i quajti stacionet «një varg pallatesh të nëndheshme të shekullit të njëzetë».

Vërtet, nuk ka sesi të mos të të lërë përshtypje Shën Pjetërburgu me mënyrën e tij të mahnitshme të ndërtimit dhe të zhvillimit, si dhe me trashëgiminë e përhershme të së bukurës, artit, kulturës, arsimimit dhe muzikës. Pavarësisht nga shijet që mund të kenë, vizitorët mund t’i pranojnë me të drejtë fjalët e një vepre referimi, e cila e quan Shën Pjetërburgun «një nga qytetet më të bukura të Evropës».

[Figura në faqen 23]

Pjetri i Madh, themeluesi i qytetit

[Figura në faqen 24]

Fortesa Pjetër-Pavël me katedralen e saj, ku u hodhën themelet e Shën Pjetërburgut

[Figurat në faqet 24, 25]

Pallati i Dimrit në lumin Nevë, vendi ku tani ndodhet muzeu «Manastiri» (pamja brenda, në cepin djathtas)

[Burimi]

Muzeu shtetëror «Manastiri», në Shën Pjetërburg

[Figura në faqet 24, 25]

Pallati i Madh

[Figura në faqen 25]

Shën Pjetërburgu është quajtur Venecia e Veriut

[Figurat në faqen 26]

Teatri «Marinski», i mirënjohur në mbarë botën

[Burimet]

Steve Raymer/National Geographic Image Collection

Fotografi nga Natasha Razina

[Figurat në faqen 26]

Stacionet e nëndheshme të Shën Pjetërburgut janë përshkruar si «pallate të nëndheshme»

[Burimet e figurave në faqen 23]

Fotografia në krye: Edward Slater/Index Stock Photography; piktura dhe emblemat: Muzeu shtetëror «Manastiri», në Shën Pjetërburg