Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si rreze hëne të kristalta

Si rreze hëne të kristalta

Si rreze hëne të kristalta

Në prill 2000, në kërkim të metaleve të çmuara, minatorët afër Çiuauas, në Meksikë, i vunë eksplozivin një tuneli që ndodhej rreth 300 metra nën sipërfaqen e tokës. Teksa 40-vjeçari Eloi Delgado po mundohej të hynte përmes një të çare të vogël, zbuloi një shpellë plot me kristale mjaft të mëdha të tejdukshme. «Ishte diçka e bukur,—tha ai,—si drita që pasqyron një pasqyrë e thyer.» Një tjetër tha se dukej sikur «rrezet e hënës krejt papritur kishin marrë formë e ishin bërë të prekshme».

Mendohet se këto kristale janë më të mëdhatë në botë. Disa kanë madhësinë e një pishe të madhe, me gjatësi deri në 15 metra dhe peshojnë më shumë se 10 tonë. «Kur shikon kristale kaq të mëdha dhe të përsosura, mbetesh pa mend»,—tha Xhefri Post, përgjegjësi i mineraleve në Institutin Smithsonian, Uashington D.C. Ai vërejti se shumica e kristaleve që gjenden në tokë janë aq të vogla sa mund t’i mbash në pëllëmbë të dorës.

Revista Smithsonian e prillit 2002 e përshkruante formimin e këtyre kristaleve, me këto fjalë: «Ujërat e nëndheshme të këtyre shpellave të pasura me squfur, që vinte nga shtresat metalore aty afër, filluan të tretnin muret e shpellës prej guri gëlqeror, duke çliruar kështu sasi të mëdha kalciumi. Ky kalcium pastaj bashkohej me squfurin duke formuar kristale me madhësi të paparë ndonjëherë nga njerëzit.»

Megjithëse temperatura dhe lagështia brenda shpellave mund të jenë ideale për kristalet, për njeriun janë të padurueshme. Temperatura qëndron vazhdimisht gati 65 gradë Celsius dhe lagështia 100 për qind. Eksploruesi Riçard Fishër, i pari amerikano-verior që vizitoi shpellat, thotë: «Kur futesh në shpellën e madhe, është sikur hyn në një furrnaltë.» Ai shton se në kushte të tilla njeriu mund të mbijetojë vetëm për afro gjashtë deri në dhjetë minuta. Më pas, është thuajse e pamundur të durosh nxehtësinë dhe lagështinë.

Zbulimi i këtyre kristaleve gjigante është një tjetër përkujtues i mrekullive magjepsëse e të pafundme të tokës, shumë nga të cilat syri ynë ndoshta nuk i ka parë ende. A nuk jeni në një mendje me psalmistin, i cili shpalli: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.»—Psalmi 104:24.

[Burimi i figurave në faqen 31]

Të gjitha fotografitë: © Richard D. Fisher