Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të çlirohem nga mania për përsosmëri?

Si të çlirohem nga mania për përsosmëri?

Të rinjtë pyesin . . .

Si të çlirohem nga mania për përsosmëri?

«Mania për përsosmëri më ka pushtuar jetën.»​—Karla.

MANIA për përsosmëri, pra bindja se dikush duhet të jetë krejt i përsosur në çdo gjë që bën, ndikon për keq në mënyrën e të menduarit te shumë të rinj.

Libri Perfectionism​—What’s Bad About Being Too Good? (Mania për përsosmëri: Ç’të keqe ka të jesh tepër i mirë?) thotë: «Ka një ndryshim të madh midis synimit të arsyeshëm për të qenë shumë i zoti dhe përpjekjeve të paarsyeshme për të arritur një model të përsosur që s’mund të arrihet. Njerëzit që përpiqen të jenë shumë të aftë mund të kenë mjaft nevojë për rregull, organizim dhe mund të kërkojnë shumë nga vetja. Megjithatë, ata pranojnë edhe gabimet e tyre dhe gjejnë mënyra të dobishme për t’u përmirësuar. . . . Kurse ata që kërkojnë përsosmëri kanë një ankth të vazhdueshëm se mos gabojnë. Ata kanë kërkesa tepër të larta.»

A të duket sikur po flet tamam për ty? Nëse ke kërkesa tepër të larta që është e pamundur t’i arrish është e lehtë të bllokohesh dhe të mos i futesh fare një pune. Ndoshta sheh se ke frikë të provosh të bësh diçka të re. Ose ndoshta e ke zakon t’i shtysh për më vonë gjërat e rëndësishme, sepse ke frikë se mos nuk ia del me sukses. Madje mund të kesh prirjen t’i kthesh krahët çdokujt që sipas kërkesave të tua nuk është në nivelin e duhur, dhe kështu mund të përfundosh i vetëm, pa shokë.

Në qoftë se ato që thamë më sipër janë pak a shumë të vërteta për rastin tënd, shiko se ç’thotë Bibla te Predikuesi 7:16: «Mos ji tepër i drejtë as i urtë jashtë mase. Pse kërkon të shkatërrohesh [t’i shkaktosh shkretim vetes, BR] ?» Po, ai që kërkon përsosmëri mund ‘t’i shkaktojë shkretim vetes’. Ç’është e vërteta, maninë për përsosmëri disa e kanë lidhur edhe me çrregullime në të ngrënë, shumë të rrezikshme për jetën, siç janë anoreksia nervore dhe bulimia. *

Prandaj ti mund të pyesësh: ‘Si të çlirohem nga mania për përsosmëri?’ Vërtet, mund të jetë e vështirë të ndryshohet mënyra e të menduarit e atij që ka këtë problem. Por me ndihmën e Perëndisë, kjo mund të arrihet. Kështu, le të shohim se çfarë mendon Perëndia për maninë për përsosmëri.

Përsosmëria: Një synim i arritshëm?

Para së gjithash, a është e mundur që të jesh i përsosur në kuptimin absolut? Sipas Biblës, jo. Aty thuhet: «S’ka asnjë njeri të drejtë, as edhe një . . . Të gjithë kanë dalë nga udha, të gjithë së bashku janë bërë të padobishëm.» (Romakëve 3:10-12) Fjalë që të futin në mendime, apo jo? Ato tregojnë se çdokush që përpiqet të jetë i përsosur në kuptimin absolut e ka të kotë.

Le të marrim rastin e apostullit Pavël, i cili pa dyshim që ishte shembull i shkëlqyer i një njeriu frymor. Megjithatë, edhe Pavli nuk mundi t’i shërbente Perëndisë pa bërë gabime. Ai pranoi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe është e pranishme tek unë. Në të vërtetë kënaqem në ligjin e Perëndisë sipas njeriut që jam përbrenda, porse në gjymtyrët e mia shoh një tjetër ligj, që lufton kundër ligjit të mendjes sime e më bën rob të ligjit të mëkatit, që është në gjymtyrët e mia.» (Romakëve 7:21-23) Vetëm me anë të ndihmës së Perëndisë, Pavli arriti të ishte një i krishterë besnik.

Sa mirë që Perëndia as nuk na kërkon dhe as nuk pret që ndonjëri nga ne të jetë i përsosur në kuptimin absolut. «Ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.» (Psalmi 103:14) Vetëm në botën e re të Perëndisë njerëzit më në fund do të bëhen të përsosur.

Shqyrto standardet e tua

Pra ndërkohë nuk është realiste të mendosh se mund të jesh plotësisht i përsosur. Duhet të presësh që herë pas here edhe do të gabosh. (Romakëve 3:23) Madje, ndonjëherë as nuk e kuptojmë që kemi gabuar. Psalmi 19:12 thotë: «Askush nuk mund t’i shohë gabimet e veta.» (Today’s English Version) Një i krishterë që quhet Methju thotë për këtë: «Nuk je i përsosur, s’ka të përsosur në botë. Po prite përsosmëri nga vetja, s’ke për të qenë kurrë i lumtur. . . . Nuk është realiste, nuk është e mundur.»

Duke mbajtur parasysh këtë, pse të mos përpiqesh të shqyrtosh disa nga standardet e tua? Për shembull, a po e sfilit veten, duke u përpjekur të jesh më i shkëlqyeri në ndonjë drejtim? Bibla tregon se këto përpjekje sfilitëse, si përfundim, dalin «kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën». (Predikuesi 4:4) E vërteta është që pak veta arrijnë të jenë më të mirët. Madje edhe kur dikush ia del të jetë më i miri, zakonisht është vetëm çështje kohe, sepse do të dalë një tjetër që do t’ia kalojë.

Apostulli Pavël këshilloi: «I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë sesa duhet të mendojë; por të mendojë në atë mënyrë që të ketë një mendje të shëndoshë.» (Romakëve 12:3) Ji realist! Shqyrto standardet e tua, duke mbajtur parasysh si aftësitë, ashtu edhe kufizimet e tua. Përpiqu të jesh i zoti, por mos kërko të jesh i përsosur. Vëri vetes një synim të caktuar, por edhe të arritshëm.

Për shembull, Pavli e inkurajoi Timoteun të bëhej ‘një punëtor që s’kishte pse t’i vinte turp për asgjë, që e përdorte drejt fjalën e së vërtetës’. (2 Timoteut 2:15) Po, Pavli inkurajoi të jemi të aftë, por jo të përsosur. Po kështu, edhe ti vër synime të arsyeshme për veten. Dhe nëse nuk je i sigurt se çfarë do të ishte «e arsyeshme», bisedo me prindërit ose me ndonjë të rritur, tek i cili ke besim.

Madje disa këshillojnë që qëllimisht të provosh të bësh gjëra për të cilat nuk të jepet, për shembull të merresh me ndonjë sport të ri ose t’i biesh një vegle muzikore. Vërtet, ndërkohë që mëson diçka të re do të bësh shumë gabime. Por kjo gjë ka edhe të mirën e saj. Ndoshta do të të ndihmojë të kuptosh se gabimet janë pjesë e procesit të të mësuarit.

Çfarëdo gjëje të përpiqesh të bësh, qoftë të shkruash për një temë në shkollë, qoftë të luash mirë një sonatë për piano, mbaj parasysh një këshillë tjetër të apostullit Pavël: «Mos jini të përtuar në punët tuaja.» (Romakëve 12:11) Po, mos i zvarrit gjërat ose mos i shty për më vonë, thjesht nga frika se mos nuk ia del dot.

Një e re e kishte zakon ta shtynte për më vonë përgatitjen e temave që jepeshin në shkollë me justifikimin se «po organizonte punën». Ndonëse organizimi është diçka e mirë, ki kujdes se mos e përdor si justifikim për t’i zvarritur gjërat. Në fund kjo vajzë kuptoi se «nëse duhet të zgjedhësh ta dorëzosh apo të mos e dorëzosh fare një detyrë shkollore që nuk ta mbush mendjen, gjithmonë zgjedhja më e mirë është ta dorëzosh».

Hiqi mendimet vetëshkatërruese!

Ndoshta nuk është e lehtë të pranosh të bësh një punë që mund të mos dalë e përsosur. Mendimet kritikuese dhe negative mund të të vërshojnë ende në mendje. Çfarë të bësh? E vërteta është që po të rrish e të zhytesh në mendime negative është e dëmshme dhe vetëshkatërruese. Pra bëj një përpjekje të ndërgjegjshme për t’i hequr nga mendja mendimet e paarsyeshme për veten. Merri me të qeshur gabimet që bën. Në fund të fundit, ka «një kohë për të qeshur». (Predikuesi 3:4) Gjithashtu, mos harro se Jehovai nuk e miraton të folurin sharës, madje edhe kur ia drejtojmë vetes.—Efesianëve 4:31.

Në vend që ta shash vazhdimisht veten, zbato atë që thuhet te Fjalët e urta 11:17: «Njeriu i mëshirshëm i bën të mirë vetes, kurse njeriu mizor mundon mishin e tij.» Pra mendo për këtë pyetje ‘Meqë ke kërkesa tepër të larta, a e ke të lehtë të mbash shoqëri?’ Ka shumë mundësi që jo. Madje ka mundësi që t’u kesh kthyer krahët disave ngaqë nuk ishin të përsosur. Atëherë çfarë mund të bësh?

Ndiq urdhrin e Biblës: «Vazhdoni të duroni njëri-tjetrin dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin, nëse ndokush ka shkak për t’u ankuar kundër një tjetri.» (Kolosianëve 3:13) Po, duke qenë më i arsyeshëm në atë që pret nga të tjerët, do ta kesh më të lehtë të kesh shoqëri.

Por mund të pyesësh: ‘Pse do të më largoheshin njerëzit vetëm ngaqë synoj të arrij përsosmëri?’ Po ja, shiko se si mund të ndikosh te të tjerët kur thua se kërkon shumë nga vetja. Libri When Perfect Isn’t Good Enough shpjegon: «Po ta teprosh duke u ankuar sa herë që nuk merr dhjetë në ndonjë provim, mund t’i fyesh shokët që përpiqen shumë për të marrë nëntë ose tetë.» Pra përpiqu të mos jesh kaq pesimist dhe të mos mendosh vetëm për vete. Njerëzve do t’ju duket shumë më e këndshme shoqëria me ty.

Karla e përmbledh kështu këtë çështje: «Duhet t’i them manisë për përsosmëri: ‘Ik e më lër rehat’.» Si ta bësh këtë? Medito për mënyrën si i sheh Perëndia gjërat. Nëse ende e ke të vështirë t’i kontrollosh mendimet e tua, fol me prindërit ose me një të krishterë të pjekur në kongregacion. Drejtoju Perëndisë në lutje dhe kërkoji ndihmë që të ndryshosh mënyrën e të menduarit. Lutja mund të jetë një mjet i fuqishëm në luftën kundër manisë për përsosmëri.—Psalmi 55:22; Filipianëve 4:6, 7.

Gjithmonë mbaj mend se Jehovai nuk kërkon përsosmëri; ai thjesht pret që t’i qëndrojmë besnikë atij. (1 Korintasve 4:2) Nëse po përpiqesh shumë të qëndrosh besnik, mund të jesh vërtet i kënaqur me veten, edhe pse nuk je i përsosur.

[Shënimi]

[Figura në faqen 17]

Frika se mos nuk ia del mbanë mund të të bëjë të mos i hysh fare një pune

[Figura në faqen 18]

Përpjekja për të mësuar gjëra të reja të ndihmon të mësohesh me gabimet