Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të lirë nga prepotenca

Të lirë nga prepotenca

Të lirë nga prepotenca

‘Prepotenca është një ves që mësohet, dhe me çdo gjë me të cilën je mësuar mund edhe të çmësohesh.’​—Dr. C. Selli Mërfi.

SI INDIVIDI prepotent, po ashtu edhe viktima kanë nevojë për ndihmë. Prepotenti ka nevojë të mësojë të sillet me të tjerët pa abuzuar me forcën. Kurse viktima që ka vuajtur si pasojë e prepotencës ka nevojë për ndihmë praktike për ta përballuar me sukses problemin.

Shpesh, prepotenti nuk di të sillet mirë me të tjerët dhe nuk arrin të kuptojë ndjenjat e atyre që frikëson. Ai ka nevojë të vëzhgohet nga afër dhe t’i mësohet që të komunikojë siç duhet. Libri Merrni masa kundër prepotencës thotë: «Po të mos mësojnë dhe po të mos përvetësojnë shprehi të reja, gjatë gjithë jetës prepotentët do të vazhdojnë t’i shqetësojnë të tjerët. Ata sillen me prepotencë me bashkëshortin, me fëmijët dhe ka mundësi edhe me vartësit në vendin e punës.»

Ndihmojini të mos jenë prepotentë

Nëse që kur janë të vegjël fëmijët stërviten për të ndier empati për të tjerët, kjo gjë mund t’i ndihmojë të mos bëhen prepotentë. Në disa vende ka arsimtarë që po ndjekin një formë të re edukimi, të quajtur stërvitje për empati. Qëllimi është t’u mësohet nxënësve që në moshën 5-vjeçare që të kuptojnë ndjenjat e të tjerëve dhe t’i trajtojnë me dashamirësi njerëzit. Ndonëse të dhënat statistikore që tregojnë për një ndikim afatgjatë janë ende të pakta, nga rezultatet e para shihet se ata fëmijë, të cilët kanë marrë pjesë në këtë stërvitje, janë më pak agresivë se të tjerët.

S’është me vend që si prindër, t’ia lini plotësisht këtë stërvitje ndonjë programi shkollor. Në qoftë se nuk doni që fëmija juaj të bëhet prepotent, është e nevojshme që me fjalët dhe me shembullin tuaj t’i mësoni atij si t’i trajtojë të tjerët me respekt e me dinjitet. Çfarë mund t’ju ndihmojë për këtë? Ka shumë mundësi që për t’i stërvitur fëmijët në këtë drejtim të keni në dizpozicion një mjet të shkëlqyer, por që nuk vlerësohet sa duhet, Fjalën e Perëndisë, Biblën. Si mund t’ju ndihmojë ajo?

Së pari, ajo tregon qartë se çfarë ndien Perëndia për prepotencën. Ai e urren atë! Bibla thotë për Perëndinë: «Shpirti i tij urren atë që do dhunën.» (Psalmi 11:5) Për më tepër, Perëndia nuk është i verbër ndaj asaj që po ndodh. Bibla flet për keqardhjen ose dhembjen që ndiente ai për izraelitët kur vuanin «nga ata që i shtypnin dhe i mundonin». (Gjyqtarët 2:18) Në shumë raste Perëndia i ndëshkoi ata që abuzonin me forcën dhe frikësonin të dobëtin e të pambrojturin.—Eksodi 22:22-24.

Përveç kësaj, Bibla përmban atë që mund të quhet udhëzimi më i famshëm që është dhënë ndonjëherë për të na mësuar si të tregojmë empati. Jezui tha: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» (Mateu 7:12) T’u mësosh fëmijëve ta përqafojnë këtë Rregullë të Artë, pra ta duan dhe të jetojnë në përputhje me të, nuk është e lehtë. Kjo kërkon që të lini një shembull të mirë, kërkon këmbëngulje dhe shumë punë, sidomos sepse fëmijët nga natyra kanë prirjen të mendojnë vetëm për vete. Por të gjitha këto përpjekje ia vlejnë. Në qoftë se fëmijët mësojnë të jenë të sjellshëm dhe të tregojnë empati, vetëm mendimi për të kërcënuar ose keqtrajtuar të tjerët do t’u duket i neveritshëm.

Ndihmë për viktimat

Viktimat që kanë vuajtur nga prepotenca, sidomos të vegjlit ose të rinjtë, vihen përballë një prove të vështirë: ruajtjes së gjakftohtësisë në situata stresuese. Ka shumë të ngjarë që kur një prepotent të bie në qafë, ai mezi pret ta humbësh gjakftohtësinë. Do që të shpërthesh me zemërim ose të dukesh i tmerruar. Nëse nxehesh ose ia plas të qarit, pra e shfaq hapur se je i lënduar ose i frikësuar, prepotenti ia ka arritur qëllimit. Kështu ai mund të përpiqet vazhdimisht të të provokojë, sepse dëshiron të shohë të njëjtin reagim.

Ç’mund të bësh? Shqyrto sugjerimet e mëposhtme. Ato janë shkruar duke pasur parasysh kryesisht të vegjlit dhe të rinjtë, por parimet mund të zbatohen edhe për të rriturit që përballen me prepotentët.

Ruaj qetësinë. Mos shpërthe me zemërim. Bibla këshillon me mençuri: «Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen [tërbimin, BR].» (Psalmi 37:8) Po nuk e kontrollove dot veten, i jep mundësi atij që të ngacmon të të ketë nën kontroll dhe ka shumë mundësi të bësh gjëra për të cilat do të pendohesh.—Fjalët e urta 25:28.

Përpiqu të mos mendosh për hakmarrje. Hakmarrja shpesh sjell të kundërtën e asaj që kërkon të arrish. Sido që të jetë, hakmarrja nuk të sjell kënaqësi të vërtetë. Një vajzë, të cilën kur ishte 16 vjeçe e rrahën pesë vajza të tjera, kujton: «E vendosur, thashë me vete: ‘Do të ma paguajnë!’ Prandaj me ndihmën e disa shoqeve ua lava hakun dyve prej atyre që më sulmuan.» Cila ishte pasoja? «Ndieja një si zbrazëti»,—thotë ajo. Pas kësaj që ndodhi edhe sjellja e saj ndryshoi për keq. Mbaj në mendje fjalët e mençura të Biblës: «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe.»—Romakëve 12:17.

Kur duket se gjërat po acarohen, largohu pa humbur kohë. Bibla thotë: «Largohu përpara se të shpërthejë sherri.» (Fjalët e urta 17:14) Në përgjithësi, përpiqu t’u rrish larg atyre që e kanë zakon t’u bien në qafë të tjerëve. Te Fjalët e urta 22:3 thuhet: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.»

Nëse ngacmimi vazhdon, ndoshta ti vetë duhet të flasësh për të mbrojtur veten. Gjej kohën e duhur kur je i qetë, shikoje në sy atë që të shqetëson dhe fol me zë të qetë e të vendosur. Thuaji se nuk të pëlqen çka po bën ai, se nuk është për të qeshur dhe se të lëndon. Mos përdor fjalë fyese ose sfiduese.—Fjalët e urta 15:1.

Fol për problemin me një të rritur përgjegjës dhe mirëkuptues. Tregoji pikë për pikë se si është puna dhe kërkoji ndihmë për të zgjidhur problemin. Po kështu bëj edhe kur i lutesh Perëndisë. Kjo gjë mund të jetë një burim i mrekullueshëm ndihme dhe mbështetjeje.—1 Selanikasve 5:17.

Mos harro se ke vlerë si njeri. Ai që të keqtrajton ndoshta dëshiron të mendosh se nuk ke vlerë, se e meriton të trajtohesh keq. Por ai nuk është gjykatësi yt. Perëndia po, dhe Ai kërkon të gjejë te secili nga ne cilësitë e mira. Është prepotenti ai që e ul veten me sjelljen e tij.

Prindër: mbroni fëmijët tuaj

Edhe prindërit mund të fillojnë t’i përgatitin fëmijët që kur janë të vegjël që të tregohen të mençur kur dikush i ngacmon. Për shembull, ata mund të bëjnë lojëra me role me fëmijët për t’u treguar atyre si të shfaqin një ndjenjë sigurie.

Edhe mënyra si e mban trupin, si për shembull qëndrimi drejt, mund të përcjellë njëfarë mesazhi që ua kthen mendjen disa prepotentëve. Edhe ta shohësh tjetrin drejt në sy, t’i mbash duart dhe krahët lirshëm dhe të flasësh me ton të qetë e të vendosur janë gjëra që mund të ndihmojnë. Prindërit nxiten t’u mësojnë fëmijëve që të ikin, t’u rrinë larg njerëzve prepotentë dhe t’i kërkojnë ndihmë një të rrituri të besueshëm, si për shembull mësuesit.

Heqja e vesit të prepotencës fillon me edukatën në familje. Prindërit që u rrinë afër fëmijëve, duke i dëgjuar me durim dhe duke kuptuar se si ndihen ata teksa shprehin shqetësimet e tyre, rrënjosin te fëmijët ndjenjën se prindërit janë të lumtur që i kanë, dëshirojnë t’i ndihmojnë dhe i duan. Shumë profesionistë në fushën e kujdesit prindëror dhe të problemeve me bashkëmoshatarët i nxitin prindërit që t’u ushqejnë fëmijëve një pikëpamje pozitive për veten. Një pikëpamje e tillë e shëndetshme i pakëson mundësitë që ata t’u duken shënjestra të përshtatshme prepotentëve.

Por vetëm fjalët nuk mjaftojnë. Çdo pjesëtar i familjes duhet të mësojë t’i trajtojë të tjerët me respekt e me dinjitet dhe të kultivojë empati. Pra mos toleroni asnjë sjellje prepotente në familjen tuaj. Bëjeni shtëpinë një strehë të sigurt, ku të mbizotërojnë respekti dhe dashuria.

Fundi i prepotencës

«Një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.» (Predikuesi 8:9) Kështu e përmbledh Bibla historinë e njerëzimit. Vërtet, prepotenca e ka munduar njerëzimin për mijëra vjet. Një shkrimtar i Biblës tha: «U ktheva dhe mendova për gjithë shtypjen që ndodh nën diell; dhe ja, lotët e të shtypurve, të cilët nuk kanë njeri që t’i ngushëllojë; nga ana e shtypësve të tyre ishte forca.»—Predikuesi 4:1.

Megjithatë, pa dyshim që Perëndia i sheh të gjitha rastet e prepotencës në botë dhe ndien dhembshuri për të shtypurit. Por a do të marrë ndonjëherë masa ai për këtë gjendje? Po, patjetër! Vëreni se çfarë premton ai te Mikea 4:4: «Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli.»

Përfytyroni si do të jetë bota kur ky premtim të plotësohet. Nuk do të ketë më asnjë që t’i bëjë të tjerët të dridhen nga frika—asnjë prepotent. A nuk ju duket e dëshirueshme kjo? Por Perëndia nuk është mjaftuar vetëm duke premtuar një të ardhme të tillë. Pikërisht sot në mbarë botën po zhvillohet një program shumë i efektshëm arsimimi biblik. Ai po jep rezultate të dobishme. Atyre që marrin pjesë në të u mësohet të ndryshojnë tiparet më të ashpra të personalitetit të tyre, të ruajnë paqen me njëri-tjetrin dhe t’i trajtojnë të tjerët me respekt e me dinjitet. (Efesianëve 4:22-24) Shumë shpejt dobitë e këtij arsimimi të pashoq do të përhapen në tokë dhe problemi i prepotencës nuk do të jetë më. Premtimet e Perëndisë, të shkruara në Bibël, do të bëhen realitet. Çdokush që do të jetojë atëherë, do të gëzojë në një botë ku nuk do të ketë më njerëz prepotentë!

[Figura në faqen 8]

Nuk është turp të ikësh nga një prepotent

[Figura në faqen 9]

Në një atmosferë të shëndetshme familjare, fëmijëve u mësohet t’i bëjnë ballë çdo forme të prepotencës

[Figurat në faqen 10]

Mësojini fëmijët të flasin me vendosmëri, por edhe me takt për të mbrojtur veten