Zgjedhje që ndikojnë në shëndetin tuaj
Zgjedhje që ndikojnë në shëndetin tuaj
SHPESH nuk është e lehtë të hash gjëra me vlera ushqyese dhe të ruash shëndetin. Me streset që ka jeta sot, duket si më e lehtë të hash «ushqime që nuk të lodhin t’i gatuash», ushqime të gatshme, sesa të përgatitësh vakte me gjëra të freskëta. Gjithashtu duket më e rehatshme ta kalosh kohën e lirë para televizorit ose kompjuterit, sesa të merresh me aktivitete fizike. Por ndoshta këto zgjedhje po bëjnë që një numër gjithnjë e më i madh të rriturish dhe fëmijësh të rrezikojnë të kenë probleme të rënda shëndetësore.
Siç thotë revista Asiaweek, në Azi «ushqimet e yndyrshme ose me shumë sheqerna, si dhe jeta që sa vjen e bëhet më sedentare, po bëjnë që diabeti të marrë përmasat e një epidemie». Është alarmuese që sëmundja po prek anëtarë të shoqërisë gjithnjë e më të rinj në moshë. Edhe në Kanada, sipas The Globe and Mail, «studiuesit zbuluan se vetëm një në shtatë fëmijë, të cilët s’kanë hyrë ende në adoleshencë, hanë sasi të mjaftueshme frutash dhe perimesh [dhe] vetëm paksa më shumë se gjysma luajnë aq sa djersiten». Në artikull thuhet se kjo mënyrë jetese bën që këta të rinj «të rrezikojnë të sëmuren nga zemra para se të mbushin të 30-at».
Po kështu, specialistët në fushën e gjumit thonë se të rriturit mund të kenë nevojë për rreth tetë orë gjumë çdo natë, kurse të rinjtë edhe për më tepër. Në fakt, në një studim të Universitetit të Çikagos, djem të rinj të shëndetshëm, që për gjashtë netë rresht fjetën vetëm katër orë, filluan të shfaqnin shenja të problemeve shëndetësore që zakonisht i kanë të moshuarit. Ndonëse shumë njerëz i sakrifikojnë orët e çmuara të gjumit për hir të punës, të shkollës ose për t’u zbavitur, kjo gjë mund të ketë efektin e kundërt të asaj që synojnë të arrijnë. Xhejms Masi, studiues në fushën e gjumit, në Universitetin «Kornel», në Nju-Jork, thotë: «Një gjë është t’i bësh gjërat mekanikisht, por është një gjë krejt tjetër të jesh i vëmendshëm, krijues dhe të mos dremitësh pa dashje kur nget makinën në autostradë.»
Sigurisht, ka edhe faktorë të tjerë që ndikojnë në mirëqenien tonë fizike. Për shembull, pikëpamja optimiste mund të jetë e dobishme për shëndetin. Dhe një qëllim i vërtetë në jetë mund të na nxitë të bëjmë zgjedhje që do të na ndihmojnë të ruajmë shëndetin.