Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A na bekon Perëndia me pasuri?

A na bekon Perëndia me pasuri?

Pikëpamja e Biblës

A na bekon Perëndia me pasuri?

«Bekimi i Zotit pasuron dhe ai nuk shton asnjë vuajtje.»—FJALËT E URTA 10:22.

A DO të thotë shkrimi i mësipërm, i cituar nga Bibla, se Perëndia i bekon shërbëtorët e tij me pasuri materiale? Disa njerëz mendojnë kështu. Vëreni se çfarë tha një shkrimtar dhe predikues pentekostal australian: «Në librin [tim] do t’ju tregoj se përse keni nevojë për më shumë para dhe së dyti si të fitoni më shumë para . . . Nëse ndryshoni mënyrën e të menduarit dhe zhvilloni një qëndrim të shëndoshë ndaj parave, jam i bindur se do të ecni në rrugën e bekimeve dhe të pasurisë që vijnë nga Perëndia dhe nuk do të keni më kurrë probleme me paratë.»

Por një pohim i tillë nënkupton se të varfrit nuk e kanë përkrahjen e Perëndisë. A është me të vërtetë pasuria materiale një shenjë e bekimit të Perëndisë?

Të bekuar për një qëllim

Në Bibël ka shembuj që tregojnë se Perëndia i bekoi me pasuri shërbëtorët besnikë. Për shembull, Jakobi u largua nga shtëpia vetëm me shkopin e tij, por 20 vjet më vonë u kthye me aq shumë dhen, gjedhë dhe gomarë, sa mund të formoheshin dy grupe. Sipas Biblës, pasuria e Jakobit ishte dhuratë nga Perëndia. (Zanafilla 32:10) Një shembull tjetër: Jobi i humbi të gjitha zotërimet e tij, megjithatë më vonë Jehovai e bekoi me «katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë deve, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarë». (Jobi 42:12) Jehovai i dha mbretit Solomon një pasuri kaq të madhe saqë fama e saj ka arritur deri në kohët tona.—1 Mbretërve 3:13.

Nga ana tjetër, Bibla përmban shumë tregime që flasin për adhurues besnikë e të bindur të Perëndisë, të cilët ishin të varfër. Sigurisht, Perëndia nuk po i ndëshkonte disa njerëz me varfëri, kurse disa të tjerë po i bekonte me pasuri. Po atëherë, cili ishte qëllimi i Perëndisë kur në disa raste u jepte njerëzve pasuri?

Përgjigjja ndryshon sipas rastit. Pasuria e Jakobit, e cila erdhi nga bekimi i Perëndisë, krijoi bazën që të formohej një komb, duke u përgatitur kështu për ardhjen e Farës së premtuar. (Zanafilla 22:17, 18) Begatia e Jobit largoi çdo dyshim se kush ia kishte sjellë fatkeqësinë, dhe kështu emri i Jehovait u shenjtërua. (Jakovi 5:11) Kurse Solomoni përdori një pjesë të madhe të pasurisë së tij, që ia kishte dhënë Perëndia, për të ndërtuar një tempull të mrekullueshëm. (1 Mbretërve 7:47-51) Është interesante që Solomoni u përdor nga Jehovai edhe për të shkruar për vlerën e kufizuar të pasurive, nisur nga përvoja e vet.—Predikuesi 2:3-11; 5:10; 7:12.

Si na bekon Perëndia

Jezui i mësoi dishepujt e tij të kishin një qëndrim të shëndoshë për paratë kur u tha atyre që ‘të mos ishin më në ankth’ për gjërat që zotëronin. Ai arsyetoi me ta duke thënë se as Solomoni, në gjithë lavdinë e tij, nuk ishte veshur aq mirë sa zambakët e fushës. Gjithashtu, Jezui tha: «Tani, nëse Perëndia vesh kështu bimësinë e fushave, . . . a nuk do t’ju veshë shumë më tepër ju, o besëpakë?» Jezui i siguroi të krishterët që në qoftë se dishepujt e tij do të kërkonin më parë Mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, atëherë ushqimi, veshja dhe streha do t’u shtoheshin. (Mateu 6:25, 28-33) Si është plotësuar ky premtim?

Po të ndiqen, këshillat e Biblës sjellin sidomos bekime frymore. (Fjalët e urta 10:22) Megjithatë, ato sjellin edhe bekime të tjera. Për shembull, Fjala e Perëndisë i mëson të krishterët: «Vjedhësi le të mos vjedhë më, por më mirë të punojë pa u lodhur.» (Efesianëve 4:28) Gjithashtu, ajo thotë: «Kush punon me dorë të ngathët do të jetë i vobektë, kurse dora e atij që ngulmon do ta bëjë të pasur.» (Fjalët e urta 10:4, BR) Të krishterët e ndershëm e të palodhur që ndjekin këtë këshillë shpesh i parapëlqejnë t’i kenë punonjës. Ky mund të jetë një bekim.

Po kështu, Bibla i mëson të krishterët të shmangin lojën e bixhozit, e cila nxit lakminë, të shmangin vesin ndotës të duhanit dhe vesin shkatërrimtar të dehjes. (1 Korintasve 6:9, 10; 2 Korintasve 7:1; Efesianëve 5:5) Ata që ndjekin këto këshilla harxhojnë më pak dhe kanë një shëndet më të mirë.

Më të çmuara se argjendi ose ari

Megjithatë pasuria materiale nuk mund të merret si treguesi i vetëm i miratimit dhe bekimit të Perëndisë. Për shembull, Jezui e demaskoi gjendjen e mjerë frymore të disa të krishterëve në Laodice kur u tha atyre: «Thua: ‘Jam i pasur dhe kam fituar pasuri e s’kam nevojë për asgjë.’ Por nuk e di që je i mjerë dhe i ngratë, i varfër, i verbër e lakuriq.» (Zbulesa 3:17) Përkundrazi të krishterëve në Smirnë, që ishin të varfër nga ana materiale, por të pasur frymësisht, Jezui u tha: «E di shtrëngimin dhe varfërinë tënde, por ti je i pasur.» (Zbulesa 2:9) Ka të ngjarë që për hir të besnikërisë këta të krishterë të kenë vuajtur nga ana financiare në duart e përndjekësve të tyre. Megjithatë, ata zotëronin pasuri që ishin shumë më të çmuara se argjendi dhe ari.—Fjalët e urta 22:1; Hebrenjve 10:34.

Perëndia Jehova i bekon përpjekjet e atyre që përpiqen fort të bëjnë vullnetin e tij. (Psalmi 1:2, 3) Ai u jep forcën dhe mjetet për të përballuar sprovat, për të siguruar gjërat e nevojshme për familjet e tyre dhe për të kërkuar më parë Mbretërinë e tij. (Psalmi 37:25; Mateu 6:31-33; Filipianëve 4:12, 13) Pra, në vend që t’i shohin gjërat materiale si bekimin kryesor të Perëndisë, të krishterët e vërtetë përpiqen me të gjitha forcat të jenë «të pasur në vepra të shkëlqyera». Duke zhvilluar një marrëdhënie të ngushtë me Krijuesin, të krishterët janë «duke mbledhur për vete si thesar të sigurt një themel të shkëlqyer për të ardhmen».—1 Timoteut 6:17-19; Marku 12:42-44.