Fytyra e ndryshueshme e modës
Fytyra e ndryshueshme e modës
JEMI të vetëdijshëm apo jo, kur marrim vendime çdo ditë për atë që do të veshim, ndikohemi të paktën në njëfarë mase nga moda. Në fund të fundit, ajo që do të dalë në shitje përcaktohet kryesisht nga ndikimi i fuqishëm i modës.
Edhe ato veshje që për ne sot janë të zakonshme, dikur ishin rrobat më moderne të kohës. Për shembull, këmisha dhe kravata për burra u bënë të modës më shumë se një shekull më parë. Kurse pulovri për gra hyri shumë në modë në vitet 20 të shekullit të 20-të.
Industrinë e modës e vënë në lëvizje dy dëshira kryesore—dëshira për të renë dhe dëshira për t’u përshtatur. Pothuajse çdokujt i pëlqen të veshë diçka të re. Ja përse ndonjëherë rrobat e reja i blejmë jo sepse një rrobë më e vjetër na është konsumuar, por thjesht se na pëlqen të ndryshojmë. Përveç kësaj, nuk duam të dukemi demode, prandaj blejmë rroba që përshtaten deri në njëfarë mase me stilin e rrobave që veshin njerëzit që na rrethojnë. Gjatë shekujve, industria e veshjes i ka plotësuar, e ndonjëherë edhe i ka shfrytëzuar, këto dëshira për të renë dhe për t’u përshtatur.
Pak histori
Për të krijuar një stil veshjeje, stilistët bazohen në pesë elemente kryesore: ngjyra, forma, derdhja, thurja dhe kombinimi i detajeve të modelit (ose disenjoja e copës dhe elementet që krijojnë modelin). Mundësitë në dispozicion të stilistëve dhe të rrobaqepësve për të pesta këto elemente janë shtuar gjatë viteve. Për shembull, në Egjiptin e lashtë pëlhura e tejdukshme e lirit, e cila prodhohej në vend, ishte copa më e kërkuar dhe ishte e shkëlqyer për klimën e ngrohtë. Por meqë liri nuk ngjyrosej lehtë, pëlhura kishte zakonisht vetëm një ngjyrë, të bardhë borë. Megjithatë, stilistët egjiptianë e bënin me pala pëlhurën në mënyrë që rrobat e tyre të kishin një derdhje dhe formë të këndshme. Kështu lindi në botë një nga stilet që i ka rezistuar më gjatë kohës.
Aty nga shekulli i parë i e.s. kishin dalë pëlhura dhe ngjyra të tjera. Romakët e pasur importonin mëndafsh nga Kina ose nga India, ndonëse çmimi i transportit bënte që mëndafshi i endur të kushtonte po aq shtrenjtë sa edhe ari. Materiale të tjera në modë ishin copërat e leshta të ngjyera që vinin nga Tiri. Gati gjysmë kilogrami cope e tillë kushtonte 1.000 denarë, sa paga e tre vjetëve për një punëtor të zakonshëm. Bojërat dhe materialet e reja u jepnin mundësi grave të pasura romake të vishnin një stola, e cila ishte një veshje e sipërme, e gjatë dhe e bollshme. Ajo mund të ishte prej pambuku të ngjyer me blu, i cili vinte nga India, ose prej mëndafshi në ngjyrë të verdhë që vinte nga Kina.
Ndonëse rregullisht dilnin stile të reja, në të kaluarën kishte të ngjarë që një rrobë e kushtueshme të ishte në modë gjatë gjithë jetës së një njeriu. Ndryshimet ndodhnin ngadalë dhe zakonisht ndikonin vetëm te fisnikëria. Megjithatë, me fillimin e revolucionit industrial moda filloi të ndikonte shumë më tepër edhe te njerëzit e thjeshtë.
Gjatë shekullit të 19-të, u ngritën industri të tëra për të prodhuar veshje si për të pasurit edhe për të varfërit. Fabrikat e mekanizuara të përpunimit të pambukut dhe të leshit u shtuan me shumicë dhe çmimi i copave u ul. Duke përdorur makinat qepëse, rrobat mund të prodhoheshin me kosto më të ulët dhe falë bojërave të reja sintetike kishe mundësi të zgjidhje midis një larmie shumë më të madhe ngjyrash.
Ndryshimet shoqërore dhe teknologjike luajtën një rol edhe më të madh në qepjen e rrobave për njerëzit në përgjithësi. Në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën Veriore, njerëzit kishin më shumë para. Në vitet 1850 dolën revistat për gratë dhe shpejt pas kësaj dyqanet filluan të shitnin rroba të gatshme me masa standarde. Gjithashtu në shekullin e 19-të, Çarls Frederik Uorthi i prezantoi publikut paradat e modës. Për të ngjallur interesin e klientëve të mundshëm, në këto parada përdoreshin njerëzit si modele.
Në shekullin e 20-të, fibrat e reja sintetike, si mëndafshi artificial, najloni dhe poliestra, u ofruan prodhuesve një larmi më të madhe pëlhurash. Modelet e vizatuara në kompjuter e lehtësuan punën e krijimit të stileve të reja dhe si pasojë e globalizimit, tendenca të reja mode mund të shfaqeshin pothuajse njëkohësisht në rrugët e Tokios, Nju-Jorkut, Parisit dhe San-Paulos. Ndërkohë stilistët dhe prodhuesit kanë gjetur mënyra të reja për të reklamuar artikujt e tyre.
Sot të rinjtë kanë zënë vendin e të pasurve, duke u bërë përkrahësit më të zjarrtë të modës. Çdo muaj miliona prej tyre blejnë rroba të reja dhe industria e modës prodhon veshje, vlera e të cilave arrin deri në qindra miliardë dollarë çdo vit. * Por a ka gracka të fshehura e gjithë kjo?
[Shënimi]
^ par. 12 Në një nga vitet e fundit, vlera e veshjeve të prodhuara ishte afërsisht 335 miliardë dollarë.
[Kutia dhe figurat në faqet 4, 5]
Ata që krijojnë modën
Për shekuj me radhë, standardet e veshjes i vendosnin mbretërit dhe fisnikët. Në shekullin e 17-të, mbreti Luigji XIII i Francës vendosi të vinte një parukë meqë i kishin rënë flokët. S’kaloi shumë dhe fisnikët në Evropë filluan të rruanin kokën e të vinin paruka, një modë që vazhdoi për më shumë se një shekull.
Në shekullin e 19-të, revistat për gratë sollën para publikut tendenca të reja mode, madje ato ofronin skica me çmime të ulta në mënyrë që gratë t’i qepnin edhe vetë rrobat. Në shekullin e 20-të, kur kinemaja dhe televizori fituan shumë popullaritet, yjet e ekranit u bënë idhuj ndërkombëtarë dhe nxorën tendenca të reja mode. Edhe muzikantët e famshëm donin t’u bënin përshtypje njerëzve duke veshur rroba me stile ekstravagante, të cilat shpejt u imituan nga shumë të rinj. Sot gjërat nuk kanë ndryshuar shumë, meqë reklamuesit i përdorin me mjeshtëri paradat e modës, revistat me figura me lustër, stendat, vitrinat dhe reklamat në televizor për të nxitur kërkesën për rroba të reja.
[Figura]
Mbreti Luigji XIII
[Burimi]
Nga libri The Historian’s History of the World
[Figura në faqen 4]
Kjo veshje e lashtë egjiptiane prej liri ishte një nga modat e përhapura në botë që i kanë rezistuar më gjatë kohës
[Burimi]
Fotografi e bërë me mirësjelljen e Muzeut Britanik
[Figura në faqen 4]
Në Romën e lashtë gratë vishnin një stola
[Burimi]
Nga libri Historia del Traje, 1917
[Figura në faqet 4, 5]
Kimonoja ka arritur të mbijetojë që rreth vitit 650 të e.s.
[Burimi]
Nga gazeta La Ilustración Artística, Vëllimi X, 1891
[Figura në faqen 5]
Në të kaluarën kishte të ngjarë që një rrobë e kushtueshme të ishte në modë gjatë gjithë jetës së një njeriu
[Burimi]
EclectiCollections
[Figura në faqen 5]
Revolucioni industrial bëri të mundur që njerëzit e zakonshëm të ndikoheshin më shumë nga moda
[Burimi]
EclectiCollections