Një takim magjepsës me balenat gri
Një takim magjepsës me balenat gri
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË
Kur dikush sheh nga afër një balenë që po fle, më shumë se gjithçka tjetër i lë mbresa trupi i saj vigan. Prania e saj të lë gojëhapur, të përpin të tërin. Herë pas here dëgjon frymëmarrjen e saj dhe ndoshta mund të spërkatesh nga currili i ujit që lëshon. Pikërisht në atë çast, njeriu kupton se gjendet përballë një gjallese që shkon përtej kuptueshmërisë njerëzore; kupton se përpara tij gjendet një mister i trupëzuar në një gjigant cilindrik të zi.—Zhak-Iv Kusto, eksplorues detesh.
FJALËT e mësipërme i përshkruajnë më së miri ndjenjat që provuam kur motobarka jonë e vogël iu afrua balenave gri në ujërat vezulluese të Gjirit të Magdalenës në Baja-Kalifornia, Meksikë. Kishim kohë që dëshironim t’i vëzhgonim këto krijesa madhështore, të cilat çdo vit shtegtojnë drejt lagunave të Bajës për t’u çiftuar dhe për të lindur të vegjlit.
Udhërrëfyesi ynë shuajti motorin dhe me qetësi voziti për t’u afruar më shumë. Me sa dukej balenat nuk na kishin vënë re. Pamë ritualin e tyre të çiftimit ndërkohë që ato rrotulloheshin, shfrynin një çurg ajri të kondensuar dhe zhyteshin papritmas, duke treguar me krenari pendën e bishtit. Disa prej tyre «përgjonin». I nxirrnin kokat nga uji dhe vrojtonin rreth e qark.
Udhërrëfyesi na tha se, ndonëse sipas rregullave nuk duhet t’u afrohesh më shumë se 30 metra, shpesh nga kureshtja, balenat nëna dhe të vegjlit e tyre u afrohen motoskafëve, e madje lejojnë që t’i prekësh.
Betejë për mbijetesë
Ky takim na nxiti të bënim ca kërkime. Mësuam se gjatë shekullit të 19-të, gjahtarë të etur për gjah shkatërruan një pjesë të madhe të popullatës së balenave në Paqësorin Lindor. Pas njëfarë kohe, kërkesa për vaj dhe kocka balene ra, dhe kështu popullata e balenave e mori veten. Gjuetia filloi sërish në fillim të viteve 1900, kur mjetet e lundrimit u kthyen në ‘fabrika pluskuese’, të cilat u bënin të mundur gjahtarëve ta përpunonin në bord mishin e balenës. Edhe një herë balena gri e Paqësorit Lindor për pak sa s’u zhduk.
Më 1947 Komisioni Ndërkombëtar për Gjuetinë e Balenave vuri një masë mbrojtjeje maksimale për balenat gri. Madje vitet e fundit, qeveria meksikane ka krijuar rezervate balenash, si edhe Rezervatin e Biosferës në Viskaino. * Sot, me një popullatë që arrin në gati 26.000, balena gri nuk është më një lloj që rrezikon të zhduket.
Shtegtimi i tyre i jashtëzakonshëm
Zonat ku ushqehet balena gri gjatë verës janë në veriun e largët, në detin Bering dhe në detin Çukotsk. Atje balenat denden me krustace të vogla për të vënë dhjamin që u duhet për udhëtimin prej 16.000 kilometrash në jug, deri në lagunat e Bajës e për t’u kthyer sërish. Duke udhëtuar me një shpejtësi pesë deri në dhjetë kilometra në orë, balenave u duhen dy deri në tre muaj për të shkuar në vendmbërritjen e tyre. Meqë balenat gri për të jetuar varen pothuajse plotësisht nga rezervat e dhjamit, ato humbasin një pjesë të madhe të peshës së trupit gjatë shtegtimit dhe muajve që kalojnë në Baja-Kalifornia.
Femrat shtatzëna janë të parat që mbërrijnë në laguna, dhe aty në ujërat e qeta sjellin në jetë të vegjlit. Gjatë lindjes, të vegjëlve në fillim u del bishti, dhe nënat sa më shpejt të jetë e mundur duhet t’i çojnë në sipërfaqe të ujit për të marrë frymë. Në lindje ndihmojnë dy balena femra, të cilat quhen teze dhe luajnë rolin e mamive. Periudha e shtatzënisë shkon nga 12 deri në 13 muaj, pra lind vetëm një këlysh në çdo dy ose tre vjet. Përfytyroni të lindësh një bebe që peshon 680 kilogramë dhe është gati 5 metra e gjatë!
Për gati tetë muaj, të vegjlit ushqehen me qumësht gjiri, i cili përmban 53 për qind yndyrë, pra është dhjetë herë më i yndyrshëm se qumështi i lopës. Balenat qëndrojnë në lagunë për dy ose tre muaj, nga janari deri në mes të marsit. Kjo bën të mundur që të vegjlit të vënë një shtresë të trashë dhjami, i cili do t’u nevojitet si ushqim gjatë udhëtimit drejt veriut dhe do t’i mbajë ngrohtë në ujërat më të ftohta të Oqeanit të Ngrirë të Veriut.
Përveç përvojës së paharrueshme që patëm kur i pamë balenat gri në habitatin e tyre, na u dukën mahnitëse edhe gjërat që mësuam për to. Këto krijesa na bënë të meditojmë për fjalët e Psalmit 148:7: «Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane.»
[Shënimi]
^ par. 9 Komisioni Ndërkombëtar për Gjuetinë e Balenave e lejon gjuetinë e tyre vetëm kur bëhet për të siguruar jetesën nga banorët vendës të Alaskës dhe të Siberisë. Këto masa kanë ndikuar për mirë te balena gri, e cila sot konsiderohet miqësore nga banorët vendës, për shkak të sjelljes së saj me njerëzit, për të cilën na tregoi më parë udhërrëfyesi ynë.
[Kutia dhe figura në faqen 17]
SI USHQEHEN?
Në vend të dhëmbëve, balena gri ka fletëza të brirta në ngjyrë kremi (siç tregohet në fotografi). Këto fletëza kanë një gjatësi që shkon nga pesë deri në njëzetepesë centimetra dhe ndodhen në të dyja anët e nofullës së sipërme. Ato përbëhen nga keratina, i njëjti material nga i cili përbëhen thonjtë e gishtërinjve tanë. Balena gri ushqehet në fund të detit, kjo do të thotë që ajo gërryen fundin e detit, duke thithur llumë dhe krustace. Pastaj e filtron dhe e nxjerr jashtë ujin nëpërmjet hapësirave të fletëzave të brirta.
[Burimi]
Courtesy Gray whales with Winston
[Kutia dhe figura në faqen 18]
TË DHËNA PËR BALENËN GRI
▪ Balena gri ka njolla të bardha në lëkurë, nga molusqet që ngjiten aty dhe nga parazitët.
▪ Meshkujt arrijnë deri në 14 metra gjatësi, më të gjatë se një autobus, kurse femrat janë pak më të gjata.
▪ Balena gri ka dy deri në pesë pala në fyt, i cili ndodhet në pjesën barkore. Kjo e lejon fytin të zgjerohet kur balena ushqehet.
▪ Pesha mesatare e balenës gri është 16 tonë, por disa arrijnë deri në 30 ose 40 tonë.
▪ Balena gri çdo tre ose pesë minuta del në sipërfaqe për të marrë frymë, por mund të qëndrojë nën ujë deri në 15 minuta.
[Burimi]
© Howard Hall/Seapics.com
[Figura në faqet 16, 17]
«Përgjojnë»
[Burimi]
© Michael S. Nolan/Seapics.com
[Burimi i figurës në faqen 18]
© Richard Herrmann/Seapics.com