Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Pikëpamja pozitive të zgjat jetën

Një artikull i botuar te Journal of Personality and Social Psychology thotë se në një studim që u bë kohët e fundit u zbulua se të moshuarit me një pikëpamje më pozitive për jetën dhe plakjen «jetonin 7,5 vjet më shumë se ata që kishin mendime më pak pozitive për plakjen». Studimi, i cili u bë brenda një periudhe 23-vjeçare me 660 individë të moshës 50 vjeç e lart, vërtetoi dy gjëra: një pikëpamje negative për plakjen «mund ta shkurtojë jetëgjatësinë»; kurse një pikëpamje pozitive «mund ta zgjatë jetëgjatësinë». Në të vërtetë, raporti përmend se mendimet pozitive mund të ndihmojnë më shumë për zgjatjen e jetës sesa gjëra të tilla, si niveli i ulët i kolesterinës në gjak dhe tensioni ideal i gjakut. Studimi përfundon duke e nxitur shoqërinë në përgjithësi që të ketë një pikëpamje më pozitive për të moshuarit, t’i përfshijë në aktivitete dhe «t’u kushtojë më pak vëmendje koncepteve negative për plakjen», koncepte që njerëzit, edhe pse pa vetëdije, priren t’i pranojnë, duke dëmtuar kështu veten.

Qese vdekjeprurëse

Në mbarë botën është llogaritur që më shumë se 100.000 gjitarë, zogj dhe peshq ngordhin çdo vit, ngaqë hanë ose u zihet fryma nga qeset plastike të hedhura. Vetëm në Australi, blerësit përdorin 6,9 miliardë qese plastike në vit, mesatarisht 360 qese çdo blerës. Nga këto, mendohet se 25 milionë qese plastike përfundojnë si mbeturina. Sunday Telegraph e Sidneit raporton se nga fundi i vitit 2002, për të pakësuar masakrimin e kafshëve, supermarketet e Australisë do t’i zëvendësonin qeset e zakonshme plastike me ato të biodegradueshme. Ndonëse qeset e reja duken plastike kur i sheh e kur i prek, ato prodhohen nga amidoni i tapiokës dhe dekompozohen brenda tre muajve. «Ato janë të parat që kemi gjetur këtu në Australi që janë të biodegradueshme dhe me çmim të njëjtë me qeset normale»,—thotë Pol Shenstoni, kryetar i grupit aktivist ambientalist Planet Ark. Një sondazh i kohëve të fundit zbuloi se «81 për qind e blerësve ‘këmbëngulin’ që të përdoren qeset e biodegradueshme».

Aspirina dhe të operuarit me baipas

«Dhënia e aspirinës në 48 orët e para, pas operacionit baipas në zemër mund ta pakësojë shumë rrezikun e vdekjes dhe të ndërlikimeve serioze të pacientëve, të cilat përfshijnë zemrën, trurin, veshkat dhe aparatin tretës.» Kështu thotë një studim që raportohet te The New York Times. Ata që morën aspirinë kishin një vdekshmëri 67 për qind më të ulët se ata që nuk morën. Rastet e apopleksisë dhe të infarkteve u ulën në 50 për qind, rastet e dëmtimit të veshkave ishin 74 për qind më të ulëta dhe rastet e ndërlikimeve të rënda në zorrë u ulën me 62 për qind. Studimi, megjithëse nuk ishte një kontroll i rastësishëm, shqyrtoi 5.065 pacientë, të cilët ishin kuruar në 70 spitale të 17 vendeve. Në të kaluarën, kirurgët zakonisht nuk i lejonin pacientët të merrnin aspirina disa ditë përpara operacionit ose menjëherë pas tij, me frikën se mos shtonte hemorragjinë. Megjithatë, studimi tregoi se në të vërtetë kishte më pak raste hemorragjie te pacientët që merrnin aspirinë pak pas operacionit dhe se dozat e vogla—si për shembull aspirina e vogël—ishin të mjaftueshme. Mendohet se vënia në praktikë e këtyre zbulimeve mund të shpëtojë çdo vit rreth 27.000 jetë në mbarë botën.

Gjumi, i domosdoshëm për të mësuar aftësi të reja lëvizore të vullnetshme

Shkencëtarët thonë se një gjumë i mirë gjatë natës, menjëherë pas mësimit të aftësive të reja lëvizore të vullnetshme, është thelbësor për t’i ruajtur ato. Megjithëse dihej prej shumë kohësh rëndësia e gjumit të mjaftueshëm për të mbajtur mend faktet dhe të dhëna të tjera, kishte ende dyshime se si ndikonte gjumi tek aftësitë lëvizore të vullnetshme, të cilat përfshijnë një pjesë tjetër të trurit. Studime të reja në Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se gjumi është i rëndësishëm për depozitimin e këtyre aftësive të sapomësuara. Por, sipas revistës Proceedings of the National Academy of Sciences, ky gjumë duhet të bëhet «brenda një harku kohor vendimtar». Njerëzit që kishin mësuar një aftësi në mbrëmje dhe u provuan përsëri pasi kishin fjetur gjumë gjithë natën e bënin atë më mirë se ata që u stërvitën në mëngjes dhe u provuan 12 orë më vonë, përpara se të flinin.

«Nuk dëshiron më të jetë pjesëtar i kishës katolike»

Gazeta Il Sole-24 Ore thotë se në Itali, një të pagëzuari si katolik që «nuk dëshiron më të quhet pjesëtar i kishës katolike» tani do t’i plotësohet dëshira. Më përpara, kërkesat për ta hequr emrin nga regjistri i pagëzimeve mohoheshin me arsyen se «kjo do të çonte në shkatërrimin e ‘gjurmëve’ të historisë së kishës». Megjithatë, pas kërkesave që bënë mjaft njerëz, të cilët kërkuan të çregjistroheshin nga listat e kishës, garantuesi për Mbrojtjen e Informacionit Personal dha autorizimin që në regjistrin e famullisë për pagëzimet të bëheshin korrigjimet me shënimin: «Nuk dëshiron më të jetë pjesëtar i kishës katolike». Tashmë garantuesi në të paktën tri raste u ka kërkuar priftërinjve të famullisë të marrin parasysh kërkesat e ish-anëtarëve të kishës.

Copëzimi i familjeve rrit numrin e shtëpive

Nga një studim ndërkombëtar, i drejtuar nga dr. Xhanguo Liu i Universitetit Shtetëror të Miçiganit, SHBA, u zbulua se edhe në vendet ku numri i popullsisë po ulet, numri i shtëpive po rritet, pasi familjet copëzohen dhe fëmijët shkojnë të jetojnë më vete. Teksa ndërtohen shtëpi të reja për të strehuar të njëjtin numër njerëzish, rritet zgjerimi urban i paplanifikuar dhe shkatërrimi i mjedisit. «Për shembull, për të ndërtuar një shtëpi me tri dhoma, edhe nëse strehohen dy ose katër njerëz, përdoret e njëjta sipërfaqe toke, e njëjta sasi materialesh dhe e njëjta sasi lënde djegëse për ngrohje»,—raporton New Scientist. Studiuesit parashikojnë se po të vazhdojë kjo prirje, afër vitit 2015 do të ketë edhe 233 milionë shtëpi të tjera.

Nëna adoleshente

Revista Cambio e qytetit të Meksikës pohon se në Meksikë, përqindja e femrave midis moshës 10 dhe 19-vjeçare, të cilat mbeten shtatzëna, «është rritur 50 për qind në tre dhjetëvjeçarët e fundit». Kjo rritje ka ndodhur me gjithë programet e planifikimit familjar dhe kurseve të edukatës seksuale në shkollat shtetërore. Studimet e autoriteteve të shëndetësisë tregojnë se «adoleshentet që pijnë duhan, pije alkoolike ose përdorin droga të paligjshme janë katër herë më të prirura të kenë marrëdhënie seksuale në moshë të vogël». Përveç kësaj, 30 për qind e nënave adoleshente kanë një fëmijë të dytë të paplanifikuar brenda një viti pas lindjes së fëmijës së parë dhe 50 për qind e lindin fëmijën e dytë brenda dy vjetësh. Si për t’i shtuar problemet që lidhen me shtatzënitë tek adoleshentet dhe tek ato që ende s’kanë hyrë në moshën e adoleshencës, 60 për qind e këtyre nënave të reja duhet t’i rritin fëmijët pa mbështetjen e babait të fëmijës.

Sulmi i acidit

Gazeta Le Monde raporton se rrezikohen të shkatërrohen afërsisht 65 për qind e librave dhe dokumenteve të botuar midis viteve 1875 dhe 1960, që mbahen në Bibliotekën Kombëtare të Parisit. Kjo trashëgimi e shkruar po shpërbëhet dalëngadalë për shkak të pranisë së acidit sulfurik, i cili i bën të brishta e i thërrmon faqet. Falë shërbimeve të Bibliotekës Kombëtare, çdo vit u hiqet acidi rreth 20.000 librave, me një kosto 7 deri në 8 euro për libër. Që nga vitet 1980, për shtypjen e shumicës së librave është përdorur letër pa acid.

Pagëzohen, por nuk e praktikojnë fenë

«Spanja është ende një komb ku ka të pagëzuar [katolikë], por çdo vit bëhet më pak katolike»,—raporton gazeta spanjolle El País. Gazeta thotë se gjatë diktaturës së gjeneral Frankos «besimi katolik ishte feja zyrtare dhe të gjitha besimet e tjera ndaloheshin e përndiqeshin. Në zonat fshatare ishte e detyrueshme të shkoje në meshë çdo të diel, dhe ata që guxonin të thyenin këtë rregull kishtar rrezikonin të gjobiteshin ose të ndëshkoheshin». Në ditët e sotme, situata ka ndryshuar krejtësisht. Sipas një ankete të bërë nga Qendra për Studimet Sociologjike (në spanjisht CIS), vetëm 18,5 për qind e spanjollëve e ndjekin rregullisht meshën. «Kisha Katolike doli e gjallë nga bashkëpunimi egoist me luftën [civile] dhe me diktaturën e Frankos, por anketa e CIS-it tregon se tani është shumë e vështirë të prapësohet rënia e saj graduale»,—vëren gazeta El País.