Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Orkidetë hirplota

Orkidetë hirplota

Orkidetë hirplota

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KOSTA-RIKË

«Në murin e veshur me pllaka, ato krekosen me bukurinë e tyre. Teksa flladi i lehtë i përkund midis hijes dhe dritës së diellit, ato shfaqen më hirplota se kurrë më parë.»

KËSHTU fillonte një artikull gazete që lajmëronte hapjen e Ekspozitës Vjetore Kombëtare të Orkideve në San-Hoze, Kosta-Rikë. Thjesht përmendja e fjalës orkide mund të sjellë në mendje pamje të disa prej luleve më të veçanta dhe më të bukura në botë. Një vizitore në ekspozitë e dëgjuan tek thoshte: «Si mund ta mohosh dorën e Perëndisë kur sheh diçka kaq të bukur dhe të ndërlikuar?» Vërtet, orkidetë me bukurinë e tyre i thurin lavdi Perëndisë Jehova, cilësitë e padukshme të të cilit mund të dallohen nga gjërat e krijuara.—Romakëve 1:20.

Njerëzit i kanë çmuar orkidetë për mijëvjeçarë të tërë. Dëshmitë tregojnë se kinezët kultivonin orkide më shumë se 4.000 vjet përpara. Në anën tjetër të botës, thuhet se Montezuma, i cili nga viti 1502 deri në vitin 1520 sundoi në territorin ku sot është Meksika, kultivonte disa lloje orkidesh. Megjithatë, vetëm në vitet 1800 kërkesa për këto bimë u rrit ndjeshëm.

Më 1818 Uilliam Katlit në Angli, i sollën me anije bimë tropikale nga Brazili. Brenda ambalazhit ai vuri re pjesë bimësh që dukeshin si rrënjë. Pasi i mbolli, u kënaq kur nga këto bimë doli një lule e bukur ngjyrë vjollcë. Ky lloj i veçantë orkidesh sot njihet si Cattleya.

Gjatë viteve 1800, ishte bërë si modë që të pasurit të koleksiononin lloje të rralla orkidesh. Sidomos ekzemplarët e rinj mund të kushtonin tepër shtrenjtë. Megjithatë, aty nga fillimi i shekullit tjetër pasioni për orkidetë ishte zbehur disi. Pastaj, dhjetëvjeçarë më vonë, u ndez sërish kur u zbuluan metoda për kultivimin artificial të orkideve, pa shpenzuar shumë. Më në fund, kushdo mund të kënaqej me këto lule të veçanta.

Shumëllojshmëri e pabesueshme

Me rreth 20.000 lloje anembanë botës, familja e orkideve mund të jetë familja më e madhe e bimëve me lule. * Ato gjenden praktikisht kudo, që nga Rrethi Polar i Veriut e deri në rajonet që janë gjysmëshkretëtira. Ndërkohë që disa orkide gjenden në majat e pemëve në lartësinë 3.000 metra në malet e Andeve, të tjera, siç janë ato që rriten në Australi, e kalojnë pjesën më të madhe të jetës nën tokë.

Orkidetë i gjen në të gjitha madhësitë, ngjyrat dhe aromat. Në Papua Guinenë e Re, disa orkide mund të arrijnë në shumë metra lartësi dhe të peshojnë deri në dy ton. Të tjera, që i kanë lulet sa koka e gjilpërës, mund t’i futësh me lehtësi në një gishtëz. Disa orkide i kanë rrënjët në tokë, kurse shumica (që quhen epifite) rriten mbi pemë ose mbi bimë të tjera. Ka orkide që e mbushin ajrin me aromën e lehtë të arrave të kokosit ose të mjedrës, por ka edhe nga ato që kundërmojnë erë mishi të prishur.

Disa mund të pyesin: ‘A ka mundësi që gjithë këto lule të ndryshme të jenë nga e njëjta familje?’ Pavarësisht nga kjo shumëllojshmëri e pabesueshme, orkidetë kanë dy veçori që i dallojnë nga bimët e tjera me lule. Së pari, orkidetë kanë një vendosje të veçantë të petaleve. Së dyti, ato kanë një shtyllëz që bashkon organet riprodhuese mashkullore dhe femërore, një veçori e pashoqe kjo.

Orkidetë që rriten në Kosta-Rikë

Pavarësisht nga territori i vogël, Kosta-Rika është vendi ku sasia e orkideve për njësi katrore është ndër më të mëdhatë në botë. Dhe vërtet, ky vend është habitati natyror i rreth 1.400 llojeve të ndryshme dhe padyshim ka edhe lloje të tjera që s’janë zbuluar ende. Nën ndikimin zbutës të detit të Karaibeve në lindje dhe të oqeanit Paqësor në perëndim, Kosta-Rika është një vend me nivele të ndryshme lagështie. Prandaj ky vend favorizon rritjen e një numri të madh orkidesh të ndryshme. Gjithashtu, atje ka shumë mjedise të lagështa e me lartësi mesatare (të quajtura pyjet e reve), ku lulëzojnë shumica e orkideve. Në një pyll resh u zbulua një pemë mbi të cilën rriteshin 47 lloje orkidesh.

Po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të shpëtuar shumë lloje orkidesh për të cilat mendohet që rrezikojnë të zhduken. Megjithatë, lumturisht, në pyjet e Kosta-Rikës lulëzojnë ende lloje të tjera. Sot, njerëz nga të gjitha shtresat shoqërore e kanë pasion kultivimin e orkideve. Kultivimi i tyre nuk është i vështirë, por ka një problem. Kultivimi i orkideve mund të kthehet në mani. Një shkrimtar u shpreh kështu: «Të kënaqesh vetëm me një orkide është njësoj si të ngopesh vetëm me një kokërr kikirik.»

[Shënimi]

^ par. 9 Janë regjistruar edhe rreth 100.000 lloje orkidesh hibride.

[Kutia dhe figura në faqen 23]

Ekspozita Vjetore Kombëtare e Orkideve

Shoqata e Orkideve në Kosta-Rikë organizoi ekspozitën e parë kombëtare në vitin 1971 për t’i bërë më të vetëdijshëm njerëzit që të ruajnë habitatin natyror të orkideve. Ekspozita e nisi rrugën me një fillim modest, vetëm me 147 bimë që ishin vendosur në disa tavolina. Megjithatë, në një nga vitet e fundit, në ekspozitë u paraqitën më shumë se 1.600 bimë. Sapo hyjnë në ekspozitë, vizitorët i përshëndet një shpërthim ngjyrash, ndërkohë që u kënaqet syri me orkide të të gjitha madhësive dhe formave që mund të përfytyrohen.

[Burimi]

Jardín Botánico Lankester

[Kutia dhe figurat në faqen 24]

Kopshtet e Lankesterit

E krijuar në vitin 1917 nga natyralisti britanik Çarls Lankester Uellsi, kjo parajsë e qetë mbahet si një nga kopshtet botanike më me vlerë në Amerikën e Jugut e të Veriut. Kopshtet e Lankesterit krenohen me 800 lloje orkidesh vendëse dhe të ardhura, që rriten në një sipërfaqe prej afro 11 hektarësh, e cila përfshin zonën pyjore dhe kopshtet. Gjithashtu ato shërbejnë si një rezervat kombëtar. Orkidetë e egra, sidomos llojet e rralla, ndonjëherë shiten në rrugë të jashtëligjshme. Kur konfiskohen nga autoritetet, këto orkide i sjellin në Kopshtet e Lankesterit, me shpresën që t’i shpëtojnë.

[Burimi]

Fotografitë sipër: Jardín Botánico Lankester de la Universidad de Costa Rica

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

Kultivimi i orkideve në kushtet e shtëpisë

▪ Shumica e orkideve mund të rriten në vazo ose kova me guralecë a me lëvore drurësh.

▪ Ndonëse shumica e orkideve nuk kanë nevojë për dhé, kanë nevojë të plehërohen rregullisht, sidomos kur lulëzojnë.

▪ Nevoja për dritë varet nga lloji i orkidesë. Drita e fortë në një dritare që sheh nga jugu është e përshtatshme për orkidetë e gjinisë Vanda, kurse drita e fortë që bie në një vend përballë perëndimit, ose edhe një vend me hije që sheh nga jugu krijon kushte të shkëlqyera për gjininë Cattleya. Orkidetë e gjinisë Phalaenopsis lulëzojnë në një vend që sheh nga perëndimi ose në hije, në një dritare që sheh nga jugu.

▪ Orkidetë duhen ujitur derisa uji i tepërt të kullojë nga vrimat që janë në fund të vazos. Para se të ujiten përsëri, duhet pritur që dheu i bimës të jetë paksa i thatë.

▪ Orkidetë lulëzojnë në lagështi. Pra, nëse jetoni në një mjedis të thatë, vëreni vazon në një pjatë me guralecë dhe hidhni ujë derisa guralecët të mbeten vetëm pak të zbuluar.

[Figurat]

«Phalaenopsis»

«Vanda»

«Cattleya»

[Burimi]

Jardinería Juan Bourguignon

[Figura në faqet 24, 25]

Orkideja tigër mund të bëhet më shumë se gjashtë metra e lartë dhe të peshojë deri në dy tonë

[Burimi]

Noemi Figueroa/Brooklyn Botanical Garden

[Figura në faqen 25]

Orkidetë më të vogla në botë e kanë diametrin vetëm një milimetër