Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pas shpërthimeve

Pas shpërthimeve

Pas shpërthimeve

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË EKUADOR

DITA e 20 nëntorit 2002 në qytetin Riobamba të Ekuadorit ishte një ditë e bukur. Qielli ishte i kaltër dhe aty-këtu kishte re të bardha si pambuk. Vullkanet përreth, me majat e mbuluara nga bora, formonin një panoramë shumë të bukur, si për kartolinë. Të 124.000 njerëzit që jetonin në atë qytet, rreth 2.700 metra lart në Ande, po bënin punët e zakonshme si çdo ditë. As që u shkonte mendja se pas pak kjo pamje e qetë do të prishej me aq furi. Papritur, në qetësinë e pasdites, u dëgjua një shpërthim shurdhues. Dritaret dhe dyshemetë e shtëpive filluan të dridheshin. Nga shtëllungat nisi të formohej një re kanosëse në trajtë kërpudhe, e cila zmadhohej me të shpejtë.

Pas dhjetë minutash ndodhi një shpërthim i dytë, këtë herë i shoqëruar nga një valë goditëse e fuqishme, e cila i shpartalloi dritaret dhe i shkuli dyert nga menteshat, duke i fluturuar tutje. Pastaj u formua një vorbull reje prej zjarri dhe tymi, para së cilës reja e parë dukej shumë e vogël. Të tjera shpërthime e flakërima pasuan.

Një çift në të 60-at, Hozeja dhe gruaja e tij Ana, që të dy Dëshmitarë të Jehovait, jetonin rreth 400 metra larg vendit të shpërthimit. Forca e shpërthimit i përplasi përtokë. Ana gjendej afër derës kryesore, kur shpërthimi e shkëputi derën nga menteshat dhe e vërviti pas një muri brenda shtëpisë. Të tmerruar, ata të dy u turrën për të dalë prapa shtëpisë, ndërkohë që tavani nisi t’u binte përsipër. Bënë si bënë dhe arritën të dilnin në oborrin e vogël prapa shtëpisë, ku u mblodhën pranë njëri-tjetrit dhe nisën të luteshin. U gëzuan kur 15 minuta më vonë erdhi i biri me makinë që t’i çonte në një vend të sigurt.

Por jo të gjithë shpëtuan kështu. Pas shpërthimeve plasi paniku. Turma njerëzish filluan të vraponin për të ikur. Mes të bërtiturave dhe ulërimave, disa rrëshqitën dhe ranë mbi xhamat e thyer që ishin shpërndarë mbi trotuare. Makina, autobusë dhe kamionë ecnin me shpejtësi shumë të madhe për të dalë nga qyteti, disa madje duke shkuar në drejtimin e kundërt në rrugët njëkalimëshe. Shumë veta të cilët dolën me vrap nga shkollat ose nga puna, për gati 24 orë nuk e morën vesh si ishin ose ku ndodheshin familjarët e tyre.

Cili ishte shkaku i gjithë kësaj rrëmuje? Në një depo të nëndheshme municioni të një baze ushtarake aty afër, kishte rënë një zjarr që kishte shkaktuar një reaksion zinxhir masiv. Si pasojë kishin shpërthyer raketa ndriçuese, granata dore, si edhe predha tankesh e mortajash. Ndërkohë që shpërthimet vazhdonin, automjetet e policisë nisën të lajmëronin me altoparlantë që të gjithë të largoheshin nga qyteti në një largësi të paktën pesëmbëdhjetë kilometra.

S’kaloi shumë dhe Riobamba u braktis. Mijëra qytetarë mbushën autostradën jashtë qytetit, të mbledhur së bashku në ajrin e ftohtë të natës. Shumë prej tyre ishin pa pallto ose xhaketa. Pas disa orësh, më në fund shpërthimet filluan të rralloheshin. Të detyruar nga temperaturat e ulëta, që ishin pothuajse në pikën e ngrirjes, banorët filluan të ktheheshin me kujdes në qytet. Mëngjesin vijues, me agimin e ditës, shumë veta zbuluan se dritaret, dyert, çatitë, tavanet dhe muret e shtëpive të tyre ishin dëmtuar rëndë. Një familje gjeti copa xhami në formë kame, të ngulura në dyshekun e një krevati. Të tjerë gjetën cifla shrapneli brenda dhe përreth shtëpive të tyre.

Sipas njoftimeve të para, kishte të paktën 7 të vdekur, 538 të plagosur dhe 18.000 shtëpi të dëmtuara. Asnjë nga 950 Dëshmitarët e Jehovait që ndodheshin në atë zonë nuk humbi jetën, vetëm dy u mjekuan për shkak të çarjeve të rënda.

Ndihmë për të dëmtuarit

Mëngjesin pas shpërthimeve, pleqtë e kongregacioneve vendëse të Dëshmitarëve të Jehovait filluan të shkonin te vëllezërit e krishterë për të parë në ç’gjendje ishin. Më pas, po atë ditë, një shërbëtor udhëtues i Dëshmitarëve të Jehovait u takua me pleqtë e 13 kongregacioneve vendëse dhe të zonës përreth për të përcaktuar dëmet materiale dhe fizike. Ai i inkurajoi pleqtë të kujdeseshin për nevojat emocionale dhe frymore të atyre që kishin shpëtuar nga shpërthimet. Edhe në këto rrethana të vështira ishte shumë e rëndësishme që të ndiqeshin mbledhjet e krishtere. (Hebrenjve 10:24, 25) Prandaj, mbrëmjen pas katastrofës kongregacionet i mbajtën mbledhjet siç kishin qenë programuar.

Të enjten dhe të premten u përpilua një raport i hollësishëm për dëmet në shtëpitë e Dëshmitarëve dhe iu dërgua zyrës së degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Guajakuil. Në raport thuhej se kishte një nevojë urgjente për të izoluar qindra dritare me xhama të thyer, me qëllim që banorët të mbroheshin nga të ftohtët. Brenda disa orësh, zyra e degës kishte blerë rrotulla të mëdha plastmase të tejdukshme, rrota shiriti ngjitës dhe gozhdë për t’u ngulur në beton, për të bërë riparime të përkohshme.

Të shtunën në orën 9.00 erdhi një kamion me pajisje nga zyra e degës. Tashmë skuadra me gra e burra Dëshmitarë po punonin në ndihmë të Dëshmitarëve të tjerë që të pastronin shtëpitë dhe të hiqnin xhamat e thyer me qëllim që më pas të vendosnin plastmasën. Si qendër për organizimin e punës u përdor një Sallë Mbretërie e atjeshme. Për të matur sa më shpejt plastmasën, u bënë shenja në dysheme. Duke përdorur matjet që kishin bërë pjesëtarët e skuadrave të ndihmës, plastmasa u pre në pjesë me përmasat e duhura dhe pastaj iu dërgua skuadrave që pritnin t’i vendosnin.

Hozeja, që u përmend më sipër, tregon: «Kur u kthyem në shtëpi pasditen pas shpërthimit, vëllezërit tashmë po hiqnin mbeturinat. Të shtunën erdhi aty fqinji ynë, i cili komentoi rreth punës së shkëlqyer që ishte bërë për të vendosur plastmasën në dritaret e shtëpisë sime dhe më pyeti: ‘Sa të kushtoi e gjithë kjo?’» Sa u çudit kur mori vesh se e gjithë puna ishte bërë falas!

Të shtunën në mbrëmje, afërsisht 200 vullnetarë të kongregacioneve vendëse kishin izoluar dritaret e 91 shtëpive të Dëshmitarëve. U ndihmuan edhe shumë njerëz që nuk ishin Dëshmitarë. Një gazetë vendëse botoi fotografinë e një shtëpie ku po punonin Dëshmitarët dhe komentoi se nga tetë banorët, vetëm një ishte Dëshmitare e Jehovait.

Jepet ndihmë emocionale

Është e natyrshme që shpërthimet shkaktuan edhe shumë shqetësim emocional. Për t’i ngushëlluar Dëshmitarët vendës, të hënën më 25 nëntor, në orën 17.00 u organizua një mbledhje speciale. Për ta drejtuar mbledhjen, u dërguan përfaqësues nga zyra e degës në Ekuador. Mbledhja nuk mund të mbahej më vonë, sepse nuk kishte dritë elektrike. Meqë orari nuk dukej dhe aq i përshtatshëm, pritej që të mos vinin më shumë se 600 veta. Mirëpo, Salla e Asamblesë së Riobambës u mbush nga një shumicë prej 1.421 vetash, midis të cilëve kishte edhe disa fqinjë që nuk ishin Dëshmitarë. Një shkrim kyç që u trajtua gjatë programit ishte Psalmi 4:8: «Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.» Të gjithë të pranishmit shprehën mirënjohjen e tyre të madhe për programin frymor ngushëllues.

Në përfundim të programit prindërit morën qindra kopje të artikullit të revistës Zgjohuni! që titullohej «Katastrofat natyrore: Ndihmojeni fëmijën që t’i përballojë ato». (tetor-dhjetor 1996). Një paragraf i atij artikulli thotë:

«Agjencia Federale Amerikane për Emergjencat (FEMA) komenton se menjëherë pas një shkatërrimi, fëmijët normalisht kanë frikë se (1) do të mbeten vetëm, (2) do të ndahen nga familja, (3) ngjarja do të ndodhë përsëri dhe (4) ndokush do të mbetet i plagosur apo i vrarë.» Në bazë të këtij artikulli, prindërit u nxitën:

1. Përpiquni ta mbani familjen së bashku.

2. Gjeni kohë për të shpjeguar situatën me qetësi.

3. Inkurajojeni fëmijën të flasë.

4. Përfshijini edhe fëmijët në punët për pastrim.

Kopjet e artikullit të Zgjohuni! që tepruan iu dhanë më vonë fqinjëve dhe studentëve biblikë.

Tri javë pas shpërthimeve u blenë materiale që të bëheshin riparime më të qëndrueshme, duke përfshirë vendosjen e dritareve, tavaneve dhe çative të reja. Këto projekte u përfunduan brenda tri javësh, bashkë me riparimin e dy Sallave të Mbretërisë. Kishte shumë shprehje mirënjohjeje për këtë ndihmë të dashur.

Në këto ‘ditë të fundit’ katastrofat e ndryshme janë të zakonshme. (2 Timoteut 3:1-5) Megjithatë, mbështetja që i japin Dëshmitarët e Jehovait njëri-tjetrit dhe fqinjëve të tyre jep dëshmi për fuqinë e krishterimit të vërtetë. Hozeja kishte të drejtë kur tha: «Organizata e Jehovait nuk vonon të na vijë në ndihmë kur jemi në nevojë.»

[Figurat në faqen 15]

Rreth 200 Dëshmitarë dolën vullnetarë për të pastruar. U bënë matjet për dritaret e reja, më pas u prenë materialet dhe u montuan. U zëvendësuan edhe çatitë