Shkopi që pastron dhëmbët
Shkopi që pastron dhëmbët
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ZAMBIE
AFRIKA—kontinenti ku njerëzit kanë dhëmbë të bukur, por ku prodhohen pak furça. Si ka mundësi? Për shumë njerëz, sekreti i një buzëqeshjeje të shndritshme është një copë e thjeshtë druri: shkopi që përtypet!
Dikur shkopinjtë që përtypen përdoreshin nga babilonasit dhe më vonë nga egjiptianët, grekët e romakët. Këto «furça dhëmbësh» të vogla prej druri ishin të përhapura edhe në Arabi para lindjes së islamizmit. Në Evropë popullariteti i shkopit që përtypet ra rreth 300 vjet më parë, megjithatë ai ende përdoret shumë në disa zona të Afrikës, Azisë dhe të Lindjes së Mesme.
Në Lindjen e Mesme, burimi më i zakonshëm i shkopit që përtypet është shkurrja e kripës ose siç quhet ndryshe pema e furçës së dhëmbëve. Në Afrikën Perëndimore përdoren drurët e limonit të athët dhe të portokallit, kurse në nënkontinentin indian një burim kryesor për shkopin që përtypet është neemi. Në Afrikën Lindore përdoren gati 300 lloje të ndryshme drurësh dhe shkurresh për të bërë shkopinj që përtypen. Si i pastron dhëmbët ky lloj shkopi?
Kur shkopi përtypet, fibrat në fund të tij lirohen, duke formuar një «furçë» të ashpër. Vazhdimi i përtypjes heq mbeturinat midis dhëmbëve dhe nxit qarkullimin e gjakut në mishrat e dhëmbëve. Gjithashtu, përtypja shton prodhimin e pështymës, e cila vepron si një lëng shpëlarës natyral për gojën. Ajo e shpëlan gojën nga bakteret dhe krijon një terren jomikpritës për shumimin e tyre. *
Por shkopi që përtypet ia kalon një furçe të thjeshtë. Filizat dhe rrënjët te disa lloje bimësh përmbajnë përbërje kimike që ngadalësojnë formimin e pllakave bakteriale. Është parë se esencat e disa drurëve kanë aftësi të luftojnë bakteret dhe kërpudhat. Madje filizat e pemës së furçës së dhëmbëve, që përmendëm më sipër, mund të ndihmojnë edhe për parandalimin e ulcerave. Në Namibi, shkopinjtë që merren nga një bimë që njihet si muthala, pengojnë rritjen e patogjenëve që shkaktojnë prishjen e dhëmbëve, sëmundjen e mishit të dhëmbëve dhe dhembjen e grykës. Ky mjet dentar natyror mund të parandalojë kavitetet e të forcojë rrënjët dhe mishrat e dhëmbëve. Sot, disa firma prodhojnë pasta dhëmbësh që përmbajnë fibra dhe rrëshirë, të cilat merren nga bimë të tilla.
Natyrisht, disa parapëlqejnë të përdorin një furçë dhëmbësh të zakonshme. Çfarëdo që të vendosni të përdorni, një furçë ose një shkop, siç bënin të vjetrit, një gjë është e sigurt: higjiena e gojës zë një vend të rëndësishëm në kujdesin vetjak për shëndetin.
[Shënimi]
^ par. 6 Sigurisht, është i rëndësishëm edhe ushqimi. Shpesh, popullsia fshatare në Afrikë ha më shumë drithëra dhe zarzavate sesa popullsia e qyteteve në këtë vend. Gjithashtu zakonisht ata përdorin më pak sheqer, ushqime të përpunuara dhe pije joalkoolike të gazuara, të cilat njihen si shkaktare të prishjes së dhëmbëve.
[Figura në faqen 11]
Druri i neemit është një nga drurët që përdoren si shkopinj që përtypen
[Burimi]
William M. Ciesla, Forest Health Management International, www.forestryimages.org