Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Komunikimi​—I domosdoshëm për zinxhirin e jetës në tokë

Komunikimi​—I domosdoshëm për zinxhirin e jetës në tokë

Komunikimi​—I domosdoshëm për zinxhirin e jetës në tokë

KUR Xhuli ishte foshnjë, prindërit e saj mezi pritnin çastin kur do të thoshte fjalët e para. «Të dëgjosh fjalët ‘ma’ dhe ‘ba’, të shqiptuara nga fëmija yt, është një emocion që asnjë prind s’mund ta përshkruajë tamam»,—tha mamaja e Xhulit.—Kur Xhuli më tha për herë të parë ‘mama’, ishte sikur po më përqafonte me krahët e vockla e po më thoshte: ‘Ti je mami im. Unë të kam xhan dhe dua të flas me ty.’ Do ta kujtoj gjithnjë atë çast të pashoq.» Vërtet, aftësia për të komunikuar është një dhuratë e çmuar.

Po sigurisht njerëzit nuk janë të vetmet krijesa që kanë aftësinë për të komunikuar. Ndonëse udhëhiqen më tepër nga instinkti, edhe kafshët kanë disa forma të veçanta komunikimi. Për shembull, në periudhën e çiftimit pinguinët perandorë të Antarktidës së akullt bëjnë ritualin vjetor para dimrit, duke i fërshëllyer njëri-tjetrit me tinguj si të kukuvajkës. Por kjo nuk bëhet për t’u zbavitur. Është në lojë jeta e zogut që do t’i lindë më vonë çiftit. Pse?

Pasi bën vezën, femra ia jep atë shokut të saj që ta ngrohë në xhepin me pupla të dendura që ndodhet në barkun e tij, kurse ajo shkon në det për t’u ushqyer. Rreth 65 ditë më vonë kthehet, pasi ka ecur duke u tundur dhe është zvarritur barkas në akull për afro 150 kilometra. Është një mrekulli po të arrijë të gjejë koloninë e vet, por si ia del mbanë të gjejë shokun e saj dhe të voglin që sapo ka dalë nga veza, mes dhjetëra mijë pinguinëve që fërshëllejnë? Gjatë periudhës së shoqërimit, çdo zog mëson përmendësh këngët e zogut tjetër, kaq mirë saqë, edhe pasi kanë qëndruar të ndarë për muaj të tërë, arrijnë të gjejnë njëri-tjetrin.

Përveç larmisë së jashtëzakonshme të tingujve, komunikimi te kafshët përfshin gjestet, ngjyrat që tërheqin vëmendjen, kodet me drita dhe erëra të ndërlikuara. E, ndonëse mund të duket e pabesueshme, edhe bimët mund të komunikojnë me njëra-tjetrën, si edhe me disa kafshë, siç do ta shohim. Vërtet, komunikimi është më se i domosdoshëm për ekosistemin shumë të ndërlikuar e të ndërthurur të jetës në tokë.

A dëshironi të mësoni më shumë për disa forma mahnitëse të komunikimit në botën që na rrethon? Gjithashtu, a dëshironi të rritni kuptueshmërinë dhe çmueshmërinë edhe për aftësitë tuaja të komunikimit, e madje t’i përmirësoni ato? Artikujt vijues mund t’ju ndihmojnë.

[Figura në faqen 3]

Si e gjen shokun e saj femra e pinguinit perandor?