Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Komunikimi në botën që na rrethon

Komunikimi në botën që na rrethon

Komunikimi në botën që na rrethon

«Pa komunikimin, çdo qenie do të ishte vetëm një ishull i veçuar nga të gjithë ishujt e tjerë si ai.»​—The Language of Animals.

NË MES të një pylli, në një savanë ose edhe në kopshtin tuaj mund të ketë kafshë që po komunikojnë me njëra-tjetrën. Libri The Language of Animals thotë: «Kafshët përdorin çdo shqisë, duke bërë gjeste me zgjatimet e trupit dhe me pozicionin trupor; duke dërguar e duke marrë sinjale me erëra të pakapshme (ose jo edhe aq të pakapshme në rastin e qelbësve të frikësuar); duke u çjerrë, duke klithur, duke kënduar e duke cicëruar; duke dërguar e duke marrë sinjale elektrike; duke sinjalizuar me drita; duke ndryshuar pigmentin e lëkurës; ‘duke vallëzuar’ e madje duke trokitur e duke krijuar dridhje mbi sipërfaqen në të cilën ecin.» Por, çfarë nënkuptojnë gjithë këto sinjale?

Shkencëtarët e zbulojnë domethënien e sinjaleve të kafshëve duke vëzhguar me kujdes. Për shembull, kanë vërejtur se kur bantami (një shpend i vogël shtëpiak) sheh një grabitqar tokësor, si për shembull një nuselalë, lëshon një kuk-kuk-kuk të lartë për të paralajmëruar bantamët e tjerë. Por nëse sheh një skifter, bantami lëshon një piskamë të vetme të gjatë. Secila thirrje shkakton një reagim të menjëhershëm që i përgjigjet atij kërcënimi specifik, dhe kjo tregon se zogjtë komunikojnë duke dhënë informacione domethënëse. Janë vërejtur edhe zogj të tjerë që bëjnë thirrje të tilla të dallueshme nga njëra-tjetra.

«Një mënyrë kryesore për të studiuar komunikimin te kafshët,—thotë libri Songs, Roars, and Rituals,—është ta regjistrosh sinjalin që po studion, dhe pastaj t’ua vësh ta shohin ose ta dëgjojnë kafshët e të shohësh nëse përgjigjen në një mënyrë të parashikuar.» Provat me bantamët dhanë të njëjtat rezultate siç u vërejt në gjendje të lirë. Kjo metodë funksionon edhe me merimangat. Për të përcaktuar çfarë i tërheq femrat e merimangës-ujk te meshkujt, të cilët përpiqen t’u bëjnë përshtypje femrave duke tundur këmbët e përparme me qime, kërkuesit eksperimentuan duke e regjistruar me video mashkullin e merimangës-ujk. Pastaj, me ndihmën e kompjuterit, në këtë skenë të regjistruar i hoqën merimangës qimet e këmbëve. Kur e vunë videon që ta shihte femra, ajo papritur e humbi interesin. Mësimi? Femrat e merimangës-ujk me sa duket i tërheqin vetëm meshkujt që kanë këmbë me qime.

Dërgojnë sinjale me erëra

Shumë kafshë i dërgojnë sinjale njëra-tjetrës duke sekretuar substanca të fuqishme kimike, që quhen feromonë, zakonisht nga disa gjëndra të veçanta ose duke përdorur urinën a feçet. Ashtu si një gardh e një pllakë me emrin ose numrin identifikojnë pronën e një njeriu, feromonët shënojnë dhe përcaktojnë territorin e disa kafshëve, përfshirë qentë dhe macet. Ndonëse është e padukshme, kjo formë shumë e efektshme shënimi u jep mundësi kafshëve të të njëjtit lloj të mbajnë largësinë e duhur nga njëra-tjetra.

Por feromonët nuk shërbejnë vetëm për të shënuar territorin. Ato janë si një tabelë kimike informacioni që kafshët e tjera e «lexojnë» me interes të madh. Shënimet me erëra, thotë libri How Animals Communicate, «ka shumë mundësi të përfshijnë të dhëna të mëtejshme për banorin, si për shembull moshën, gjininë, forcën fizike dhe aftësi të tjera, [si edhe] fazën aktuale të ciklit riprodhues të pronarit . . . Era me të cilën shënon kafsha shërben si pasaporta e tij për t’u identifikuar». Kuptohet, disa kafshë i marrin shumë seriozisht shënimet që bëjnë me erëra, dhe këtë e dinë mirë punonjësit e kopshteve zoologjike. Pasi kanë larë kafazet ose gardhet, këta punonjës kanë vënë re se shumë kafshë menjëherë e shënojnë përsëri zonën e tyre. Referimi i mësipërm thotë se pa dyshim «mungesa e erës së tyre karakteristike i shqetëson dhe mund të shkaktojë sjellje jonormale, e madje edhe sterilitetin».

Feromonët luajnë rol të rëndësishëm edhe në mbretërinë e insekteve. Feromonët që shërbejnë për të dhënë alarmin, për shembull, shkaktojnë largimin në masë dhe sjelljen agresive. Feromonët që shërbejnë për të mbledhur bashkë insektet i tërheqin ato te burimi i ushqimit ose te një vend i përshtatshëm për të bërë fole. Te këta feromonë përfshihen feromonët seksualë, ndaj të cilëve disa krijesa janë shumë të ndjeshme. Flutura mashkull e krimbit të mëndafshit ka dy antena të ndërlikuara që duken si gjethe fieri të vogla e delikate. Këto antena janë kaq të ndjeshme, saqë mund të diktojnë një molekulë të vetme të feromonit seksual femëror. Rreth 200 molekula të tilla e bëjnë fluturën mashkull të fillojë të kërkojë femrën. Mirëpo, komunikimi me substanca kimike nuk kufizohet vetëm te kafshët.

Bimë që «flasin»

A e dinit se bimët mund të komunikojnë me njëra-tjetrën, e madje edhe me disa kafshë? Revista Discover njofton se kërkuesit në Holandë vërejtën që bimët e fasules së Limës, kur sulmohen nga merimangat e kuqe, lëshojnë një thirrje alarmi me anë të substancave kimike. Kjo thirrje tërheq parazitë të tjerë që ushqehen me këto merimanga të kuqe. Në mënyrë të ngjashme bimët e misrit, të duhanit dhe të pambukut, kur pushtohen nga vemjet, lëshojnë në ajër substanca kimike që tërheqin grerëzat, armiket numër një të vemjeve. Një kërkuese tha: «Bimët nuk thonë vetëm: ‘Jam dëmtuar’, por thonë në mënyrë specifike kush po i dëmton. Është një sistem shumë i ndërlikuar e i mrekullueshëm.»

Edhe komunikimi bimë me bimë është po kaq mahnitës. Sipas revistës Discover, kërkuesit kanë «vërejtur pemë shelgu, plepi, verri dhe mështekne që dëgjonin pemë të tjera të llojit të tyre, si edhe filiza elbi që dëgjonin filizat e tjerë të elbit. Në secilin rast bimët e dëmtuara që po i hanin vemjet, që ishin infektuar nga kërpudhat ose nga bloza, a që ishin pushtuar nga merimangat e kuqe . . . dërgonin sinjale kimike që dukej se menjëherë vinin në punë mjetet mbrojtëse të bimëve të padëmtuara aty afër». Edhe bimë që nuk ishin të të njëjtit lloj u janë përgjigjur alarmeve kimike.

Kur i sulmojnë ose kur marrin paralajmërime për ndonjë sulm, bimët vënë në punë mjetet e tyre mbrojtëse. Këtu përfshihen helme që vrasin insektet ose përbërës që ia pengojnë ose edhe ia heqin pushtuesit aftësinë për të ngrënë bimën. Kërkimet e mëtejshme në këtë fushë mahnitëse mund të çojnë në zbulime edhe më mbresëlënëse, disa prej të cilave mund t’i sjellin dobi bujqësisë.

‘Kodi mors’ me anë të dritave

«Dritat e tyre të vogla në ajër, që ndizeshin e shuheshin para yjeve, e vishnin lagjen time të rëndomtë periferike me një magjepsje të mrekullueshme»,—shkroi ekologia Suzan Tuajt në një artikull për xixëllonjat. Këto insekte të familjes së brumbullit përdorin një fjalor të bazuar në ndriçimin që lëshojnë, fjalor që «shkon nga një dritë e thjeshtë paralajmëruese deri në një shkëmbim të ndërlikuar thirrje-përgjigje me drita midis partnerëve të mundshëm»,—thotë Tuajti. Ngjyra e dritës shkon nga e gjelbra në të verdhë e deri në portokalli. Duke qenë se femrat fluturojnë rrallë, kryesisht ndriçimi që shohim është ai që vjen nga meshkujt.—Shih kutinë «Drita e ftohtë e xixëllonjës».

Secili nga 1.900 llojet e xixëllonjave, të quajtura edhe kandrra ndriçuese, ka një model të veçantë ndriçimi. Mund të përbëhet nga tri drita, me interval prej një sekonde midis tyre, ose nga një seri pulsimesh me gjatësi e me intervale të ndryshme. Kur kërkojnë partneren, meshkujt fluturojnë duke formuar me drita kodin e tyre të çiftimit. «Femra e dallon kohëzgjatjen e dritave,—thotë revista Audubon,—dhe përgjigjet me një dritë që nënkupton ‘Jam këtu’, në një interval të përshtatshëm me llojin e saj.» Mashkulli e kupton ftesën e saj të heshtur dhe fluturon tek ajo.

Mjeshtra këngëtarë me pupla

«Për sa i përket kohëzgjatjes, larmisë dhe ndërthurjes së tingujve, asnjë vokalizim i prodhuar nga kafshët nuk barazohet me këngën e një zogu»,—thotë Dejvid Atenburou në librin e tij The Life of Birds. Këngët e zogjve nuk nisin në grykë, por në një organ zanor që quhet syrinx, në thellësi të kraharorit të zogut, pranë vendit ku skërfyelli ndahet, para se të hyjë në mushkëri.

Këngët e zogjve pjesërisht trashëgohen dhe pjesërisht mësohen nga prindërit. Prandaj zogjtë mund të zhvillojnë edhe dialekte sipas krahinave. Në librin The Life of Birds thuhet: «Mëllenjat me origjinë nga ato që gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë u çuan në Australi për t’u kënaqur veshin kolonizatorëve evropianë me tingujt e vendlindjes, tani kanë një theks shumë të veçantë australian.» Këngët e meshkujve të zogut-lirë, për të cilat thuhet se janë këngët më të ndërlikuara e më melodioze nga gjithë këngët e zogjve, mësohen pothuajse plotësisht nga zogjtë e tjerë. Në fakt, zogu-lirë është imitues kaq i talentuar, saqë mund të imitojë pothuajse çdo tingull që dëgjon, si për shembull vegla muzikore, qen që lehin, alarme kundër vjedhësve, goditjet e sëpatës e madje edhe zhurmën e disa aparateve fotografike. Sigurisht, të gjitha këto imitime bëhen kryesisht me synimin për t’i tërhequr vëmendjen partnerit të mundshëm.

Qukapikët, të cilët normalisht e përdorin sqepin për të nxjerrë ushqimin nga drurët, janë bateristët e botës së shpendëve, pasi u bëjnë sinjale zogjve të tjerë, duke goditur me sqep në një trung a degë të zgavërt që kumbon. Disa madje mund «të provojnë vegla të reja entuziazmuese . . . , një çati llamarine ose tubin metalik të sobës»,—thotë Atenburou. Zogjtë komunikojnë edhe me kontakt pamor, me ose pa shoqërim muzikor. Për shembull, mund ta sinjalizojnë njëri-tjetrin duke hapur pendët e tyre me ngjyra të bukura.

Kur bën të njohur territorin e tij, mashkulli kokatu australian i palmës, një lloj papagalli, i bën që të gjitha këto: baterinë, këngën, lëvizjet ritmike dhe shfaqjen me pendë. Ai këput një degë të përshtatshme, e merr me këmbë dhe i bie me të trungut të tharë të një peme. Në të njëjtën kohë hap krahët, shpalos kreshtën, e lëviz kokën andej-këtej dhe lëshon piskama të larta. Një shfaqje vërtet mbresëlënëse!

Disa thirrje shpendësh i dallojnë edhe kafshët. Të shqyrtojmë për shembull udhërrëfyesin e mjaltit, një zog të vogël që i ngjan mullibardhës dhe që gjendet kryesisht në Afrikë. Siç ka edhe emrin, ky zog, me një thirrje të veçantë e drejton te pema ku është kosherja e bletës baldosën e mjaltit, që bën pjesë në familjen e nuselalës. Kur zogu ulet në atë pemë ose afër saj, lëshon një thirrje tjetër, që e përkthyer do të thotë: «Mjalti është këtu afër!» Ajo baldosë pastaj e gjen pemën, e hap trungun me kthetra dhe kënaq dëshirën e saj për mjaltë.

Flasin nën ujë

Që me shpikjen e hidrofonëve, që janë mjete për të dëgjuar nën ujë, kërkuesit janë mahnitur duke dëgjuar tingujt e shumtë që vijnë nga thellësitë. Kaq me bollëk janë këta tinguj—gumëzhitje të ulëta, klithma e madje edhe piskama,—saqë nëndetëset i kanë përdorur për të maskuar zhurmat e tyre kur janë në lundrim. Por tingujt që lëshojnë peshqit ndjekin edhe modele të përcaktuara. Në librin e tij Secret Languages of the Sea, biologu detar, Robert Burgesi, thotë: «Një peshk për shembull mund ‘të hungërojë, të kuaçitë e të nxjerrë një britmë si lehje’, e pastaj ta përsëritë këtë me përpikëri, kurse një tjetër mund ‘të kërcasë gjuhën e të përplasë nofullat’, e pastaj herën tjetër ‘të bëjë një zhurmë çjerrëse e të cingërijë’.»

Si i bëjnë peshqit këta tinguj, kur nuk kanë korda zëri? Burgesi thotë se disa peshq përdorin muskujt «e ngjitur te muret e fshikëzave të notimit, të ngjashme me tullumbacet, për t’i bërë këto mure që të dridhen derisa fshikëzat» të kumbojnë si daulle. Peshq të tjerë kërcasin dhëmbët ose hapin e mbyllin fletëzat velëzore me një përplasje ose zhurmë të veçantë. A është e gjithë kjo një «potere» pa kuptim? Me sa duket jo. Ashtu si kafshët tokësore, peshqit i nxjerrin këta tinguj për «të tërhequr seksin e kundërt, për t’u orientuar, për t’u mbrojtur nga armiqtë dhe për të komunikuar në përgjithësi e për të frikësuar të tjerët»,—thotë Burgesi.

Peshqit kanë edhe dëgjim të mirë. Faktikisht, shumë lloje kanë veshë të brendshëm, si edhe një rresht qelizash të ndjeshme ndaj trysnisë, të cilat gjenden në vijën e mesit prej kokës deri në pendën e bishtit, nga të dyja anët e trupit. Ky rresht qelizash, i quajtur vija anësore, mund të perceptojë lëkundjet e krijuara nga zëri ndërsa udhëton përmes ujit.

Komunikuesit më të shquar të tokës

«Kur studiojmë gjuhën e njerëzve,—shkroi Noam Çomski, profesor gjuhësie,—po shqyrtojmë atë që disa mund ta quajnë ‘esenca njerëzore’, pra cilësitë e veçanta mendore që, me aq sa dimë deri tani, janë unike vetëm te njeriu.» Barbara Lasti, profesoreshë e gjuhësisë dhe e zhvillimit njerëzor, tha: «Edhe fëmijë të vegjël 3-vjeçarë tashmë kanë një njohuri të jashtëzakonshme të strukturës dhe të sintaksës së gjuhës. Kjo njohuri është kaq e ndërlikuar dhe e saktë, saqë vë në diskutim çfarëdo teorie të njohur mësimore që përpiqet të shpjegojë si e morën fëmijët atë.»

Gjithsesi, Bibla ka një shpjegim të arsyeshëm për mrekullinë e të folurit te njeriu. Ajo ia jep meritën për këtë dhuratë Krijuesit, Perëndisë Jehova, i cili e bëri njeriun sipas «shëmbëlltyrës» së vet. (Zanafilla 1:27) Por, si pasqyrohen cilësitë hyjnore në aftësitë tona gjuhësore?

Le të marrim për shembull aftësinë për të vënë emra. Frenk Densi, profesor i komunikimit me anë të të folurit, shkroi se njerëzit «janë të vetmet krijesa që mund të vënë emra». Në Shkrime bëhet e qartë se kjo është një cilësi që e ka Perëndia. Që në fillim fare të tregimit për krijimin, Bibla na thotë se Perëndia e quajti «dritën ‘ditë’ dhe errësirën ‘natë’». (Zanafilla 1:5) Sipas Isaisë 40:26, nga sa duket, Perëndia i vuri çdo ylli një emër, dhe kjo është diçka marramendëse vetëm ta mendosh!

Pasi krijoi Adamin, një nga punët e para që Perëndia i dha ishte t’u vinte emra kafshëve. Ky caktim vërtet që duhet t’i ketë vënë në punë aftësitë e Adamit: aftësinë për të vëzhguar dhe aftësinë krijuese. Më vonë, Adami i vuri gruas së tij emrin Eva. Ajo pastaj e quajti djalin e saj të parë Kain. (Zanafilla 2:19, 20; 3:20; 4:1) Që atëherë, njerëzit kanë bërë çdo përpjekje për t’i vënë emër çdo gjëje që mund të merret me mend—e gjithë kjo për të lehtësuar komunikimin. Vërtet, mendoni sa i vështirë do të ishte komunikimi i ashtuquajtur inteligjent po të mos kishte emra.

Përveç aftësisë dhe dëshirës për t’u vënë emra gjërave, njerëzit kanë edhe shumë aftësi të tjera komunikimi, e jo të gjitha janë gojore. Po, s’ka pothuajse asnjë kufi lidhur me atë që mund t’i komunikojmë njëri-tjetrit, që nga konceptet e ndërlikuara e deri te ndjenjat më të buta. Gjithsesi, ka një formë të veçantë komunikimi që qëndron mbi të gjitha këto, siç do ta shohim më tej.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

DRITA E FTOHTË E XIXËLLONJËS

Një llambë inkandeshente humbet më shumë se 90 për qind të energjisë së saj në formë nxehtësie. Drita e xixëllonjës, e cila formohet si pasojë e reaksioneve të ndërlikuara kimike, ka një rendiment prej 90 deri në 98 për qind, pa humbur pothuajse asgjë në formë nxehtësie. Prandaj, me të drejtë drita e saj quhet dritë e ftohtë. Reaksionet kimike, si pasojë e të cilave formohet drita, ndodhin në disa qeliza të veçanta, të quajtura fotocite. Fijet nervore i ndezin dhe i shuajnë fotocitet.

[Burimi]

John M. Burnley/Bruce Coleman Inc.

[Kutia dhe figura në faqet 8, 9]

KËSHILLA PRAKTIKE PËR TË PËRMIRËSUAR AFTËSITË E KOMUNIKIMIT

1. Dëgjo me interes kur flasin të tjerët dhe mos mbizotëro në biseda. Normalisht njerëzit nuk i kushtojnë shumë vëmendje një fjale të shqiptuar keq ose një gabimi gramatikor, por nuk do t’u afrohen atyre që duan të flasin e jo të dëgjojnë. Bibla thotë: ‘Ji i shpejtë për të dëgjuar, i ngadalshëm për të folur.’—Jakovit 1:19.

2. Interesohu për jetën dhe për gjërat që të rrethojnë. Lexo për shumë tema, por ji përzgjedhës. Kur flet me të tjerët për atë që ke mësuar, ekuilibroje bisedën duke përdorur modesti dhe përulësi.—Psalmi 5:5; Fjalët e urta 11:2.

3. Pasuroje fjalorin, por me fjalë praktike, jo me terma të stërholluar që e tërheqin vëmendjen tek ai që po flet. Njerëzit thanë për Jezuin: «Asnjeri tjetër nuk ka folur kurrë kështu.» (Gjoni 7:46) E megjithatë, edhe njerëz «të pashkolluar e të thjeshtë» s’e kishin të vështirë t’ia kuptonin fjalët Jezuit.—Veprat 4:13.

4. Fol qartë dhe shqiptoji saktë fjalët. Megjithatë, bëj përpjekje të mos dukesh shumë i përpiktë ose jo i natyrshëm. Kur i shqiptojmë saktë fjalët dhe nuk i hamë mbaresat, tregojmë se e vlerësojmë dhuratën e të folurit dhe se kemi konsideratë për ata që po na dëgjojnë.—1 Korintasve 14:7-9.

5. Prano se aftësitë e komunikimit janë dhuratë nga Perëndia. Kjo do të të nxitë të tregosh vlerësimin e duhur për këto aftësi.​—Jakovit 1:17.

[Figura në faqen 5]

Flutura e krimbit të mëndafshit ka antena tepër të ndjeshme

[Burimi]

Me mirësjellje nga Phil Pellitteri

[Figura në faqet 6, 7]

Qukapiku

[Figura në faqen 7]

Zogu i parajsës

[Burimi]

© Michael S. Yamashita/CORBIS

[Figura në faqen 7]

Kokatuja australian i palmës

[Burimi]

Roland Seitre