Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Kafshë të dehura

Sipas njoftimeve që vijnë nga e gjithë bota, njerëzit nuk janë të vetmit që provojnë efektin dehës të alkoolit. Kohët e fundit, pasi kishin provuar birrën në një fshat në Asam, Indi, një kope elefantësh të dehur filluan të vraponin si të çmendur, duke prishur ndërtesa. Në Bosnjë, një ari që filloi t’i pëlqente birra e mbetur nëpër kanaçe të hedhura, nisi të kërkonte më tepër. Të lodhur nga rrëmuja që bënte ai, fshatarët vendosën t’i jepnin birrë pa alkool, dhe kjo bëri punë. Ariut i pëlqen ende birra, por nuk është më agresiv. Në Kaliforninë e Veriut, zogj të dehur nga manaferrat e fermentuara që gjendeshin nëpër shkurret buzë rrugës filluan të sulmonin makinat. Për të zgjidhur këtë, u prenë shkurret. Nektari i fermentuar i bën bletët që të përplasen me pemë ose të bien në tokë, pa mundur të gjejnë rrugën për në zgjua. Bletët e dehura që ia dalin mbanë të shkojnë deri te zgjoi përballen me një sfidë tjetër: me zemërimin e bletëve rojë, të cilat janë të vendosura të mos lejojnë që të dehet e gjithë kolonia.

Bien peshq nga qielli

Gazeta greke Eleftherotypia njoftoi se në fshatin Korona u gjetën qindra peshq të vegjël, të ardhur ndoshta nga ujërat e liqenit Dojran ose të liqenit Koronia. «Gjithandej fshatarët gjetën peshq që kishin rënë nga qielli.» Sipas Kristos Balafutisit, drejtorit të stacionit meteorologjik në Selanik, incidente të tilla nuk janë të rralla. Re stuhish në sistemet e presionit të ulët atmosferik prodhojnë vorbulla ere që thithin nga sipërfaqet e liqeneve ujë, peshq e bretkosa. «Forca e ajrit në këto vorbulla ere mund t’i ngrejë mjaft lart ata dhe t’i çojë shumë larg»,—thotë artikulli. Më vonë, kur dobësohet forca e vorbullës së erës, peshqit bien në tokë.

Shqetësimet e vërteta të adoleshentëve

The Times e Londrës thotë se «prindërit janë kaq të shqetësuar se mos fëmijët e tyre adoleshentë përzihen me drogën, saqë nuk po diktojnë problemet e rënda emocionale dhe të shëndetit mendor, që prekin fëmijët». Një anketë e bërë me më shumë se 500 prindër dhe më shumë se 500 adoleshentë tregon se 42 për qind e prindërve besojnë që abuzimi me drogën është problemi më i madh që hasin fëmijët e tyre. Mirëpo, vetëm 19 për qind e adoleshentëve janë të këtij mendimi. Tridhjetë e një për qind e adoleshentëve shqetësohen më shumë për marrëdhëniet me miqtë dhe familjen, kurse 13 për qind për ngacmimet në shkollë. Xhastin Irvini, drejtor i linjës telefonike për ndihmë Get Connected, e cila ishte organizata që autorizoi studimin, shprehu shqetësim në veçanti për prirjen e prindërve që t’i anashkalojnë problemet psikologjike dhe emocionale të adoleshentëve. Ai i nxit prindërit: «Mjaft më me hamendje! Filloni të jini realistë!»

Pasoja të dëmshme të mungesës së gjumit

«Nëntë për qind e polakëve flenë më pak se pesë orë çdo natë»,—njofton e përjavshmja Wprost e Varshavës. «Te amerikanët dhe britanikët, 1 në 3 veta flenë jo më shumë se 6,5 orë çdo natë.» Sipas Mikau Skalskit, që punon në një klinikë për çrregullimet e gjumit në Poloni, «një njeri që fle pak është gjithnjë i stresuar». Kërkimet në Japoni tregojnë se «rreziku i infarktit të zemrës është 50 për qind më i lartë tek ata që flenë pesë orë në ditë ose më pak, në krahasim me ata që flenë tetë orë çdo natë»,—thotë Wprost. Veç kësaj, studimet amerikane tregojnë se mungesa e gjumit mund të lidhet me diabetin dhe me probleme të tjera shëndetësore. Mungesa e gjumit jo vetëm që «çon në ndryshime të metabolizmit të glukozës», por lidhet edhe me «rrezikun gjithnjë e më të madh të dhjamosjes»,—thuhet në artikull. «Kur je i lodhur, trupi përpiqet të kompensojë mungesën e energjisë,—shpjegon revista American Fitness.—Njerëzit që kanë mungesë gjumi kanë prirjen të hanë e të pinë më shumë për t’u ndier zgjuar. Prandaj, nëse keni rënë ca kilogramë dhe nuk doni t’i vini prapë, flini pak më shumë.»

Një ditë në zyrë

Në një anketë të bërë nga London Magazine, u pyetën 511 veta se si e kalonin zakonisht një ditë. Në gazetën The Daily Telegraph të Londrës thuhet se gjatë orëve të punës, rreth gjysma e tyre kishin pirë alkool, 48 për qind kishin vjedhur dhe pothuajse një e treta kishte përdorur drogë. Veç kësaj, 42 për qind prej tyre «u kishte shkuar në mendje të vritnin shefin», pothuajse një e treta «kishin parë pornografi në Internet», «62 për qind kishin marrë propozime nga një koleg i tyre dhe pothuajse një e pesta kishin pasur marrëdhënie seksuale në zyrë». Tridhjetë e gjashtë për qind e këtyre punonjësve kishin gënjyer në biografinë që kishin paraqitur për punë, 13 për qind thanë se ishin gati të flinin me shefin e tyre për t’u ngritur në detyrë dhe 45 për qind thanë se ishin gati t’ia punonin pas shpine ndonjë kolegu për të bërë karrierë. Sipas Filip Hadsonit që është psikoterapist, një pjesë e mirë e kësaj sjelljeje vjen si pasojë e inatit për ata që kanë pozitë. Ai tha: «Jemi gati të bëjmë çfarëdo gjëje për t’u ngjitur në majë. Titujt, pozita dhe posti janë shumë të rëndësishëm për ne.»

Vdekje e papritur në sporte

Kur tre burra në të 50-at vdiqën nga infarkti i zemrës të njëjtën ditë pasi kishin vrapuar në gara të gjata në pjesë të ndryshme të Japonisë, mjekët sportivë filluan të jepnin paralajmërime. Dr. Masatoshi Kaku, drejtor i Akademisë Sportive në Kobe dhe mjek, shkruan në gazetën Asahi Shimbun: «Rreth 80 për qind e vdekjeve të papritura kanë lidhje me zemrën. . . . Më shumë se 90 për qind e atyre që kanë vdekur papritur janë njerëz që kishin kartelë shëndetësore të pastër.» Dr. Kaku rekomandon që elektrokardiograma të bëhet ndërkohë që njerëzit bëjnë ushtrime, jo kur janë në gjendje pushimi. Më tej, ai këshillon që njerëzit të mos e mbingarkojnë veten me ushtrime dhe rekomandon ndalimin e ushtrimeve nëse ata provojnë qoftë edhe ndjesinë më të vogël të etheve, të të vjellave ose nëse kanë marrje mendsh. «Nuk është turp ta lësh në mes një garë ose një lojë»,—thotë dr. Kaku. Ai shton: «Atletët kanë prirjen t’i japin rëndësi të tepruar çuarjes deri në fund të një gare, por duhet të mësojnë ta peshojnë edhe një herë rëndësinë e kësaj gjëje, kur është e nevojshme.»

Familja duhet të bisedojë

«Bisedat në familje janë degjeneruar deri në ‘një rutinë të përditshme fjalësh të thëna nëpër dhëmbë’, dhe kjo i pengon fëmijët e vegjël që të flasin mirë»,—njofton The Times e Londrës. Alan Uellsi, drejtor i një enti qeveritar, Basic Skills Agency, ent përgjegjës për mbajtjen e normave arsimore në Britani, ia vë fajin për këtë rënie faktit që fëmijët «rrinë ulur para televizorit dhe kompjuterit, si edhe faktit që familjet nuk kalojnë më kohë së bashku duke ngrënë». Uellsi ia vë fajin edhe faktit që gjithnjë e më shumë në familjet me një prind mungojnë gjyshërit, si edhe që tani janë të paktë ata prindër që u lexojnë fëmijëve. Ai beson se këta faktorë mund të shpjegojnë pse në krahasim me fëmijët në të kaluarën, fëmijët që fillojnë shkollën në moshën katër ose pesë vjeç «i shqiptojnë më keq fjalët dhe janë më pak të aftë të shprehen». Uellsi rekomandon programe për t’u mësuar prindërve se si të komunikojnë me fëmijët.

Një jetë më e ekuilibruar

Në një anketë të bërë nga Instituti i Australisë, një organizatë e pavarur kërkimore, u zbulua se «në 10 vitet e fundit, 23 për qind e australianëve të moshës 30 deri në 59 vjeç kanë sakrifikuar një pjesë të të ardhurave për të pasur një jetesë më të ekuilibruar»,—njofton The Sydney Morning Herald. Këtë prirje, të cilën kërkuesit e quajnë ulje të marshit, po e përvetësojnë shumë veta që shpresojnë të shtojnë lumturinë e tyre në jetë dhe të kenë më shumë kohë për ta kaluar me fëmijët. Këta punonjës «po kalojnë në një punë më pak kërkuese e me pagë më të ulët, duke pakësuar orët e punës ose duke dalë fare nga puna»,—thotë Herald. Dr. Kliv Hamiltoni, drejtor ekzekutiv i Institutit të Australisë, tha: «Kjo do të thotë që të ketë më shumë përparësi jeta sesa të ardhurat. Këta janë njerëz që nuk e shohin aspak veten si dështakë; janë njerëz të zakonshëm e të thjeshtë, të cilët nuk duan më të blejnë e të përdorin gjëra me tepri dhe me dashje po i pakësojnë të ardhurat, në kërkim të një jetese më të ekuilibruar.»