Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pinjata​—Një traditë e lashtë

Pinjata​—Një traditë e lashtë

Pinjata​—Një traditë e lashtë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

FËMIJËT e lagjes po bëjnë një festë. I dëgjojmë ndërsa të emocionuar thërrasin fort: «Dale! Dale! Dale!» (Bjeri! Bjeri! Bjeri!) Hedhim vështrimin në oborr dhe vërejmë një gomar prej letre me zbukurime plot ngjyra, i cili është varur midis dy pemëve. Një fëmijë me sy të lidhur po e godet gomarin me një shkop, duke u përpjekur ta çajë. Mysafirët po brohorasin për ta inkurajuar. Më në fund gomari çahet dhe prej tij dalin ëmbëlsira, fruta dhe lodra që përhapen gjithandej. Duke qeshur me të madhe, të gjithë turren në rrëmujë e sipër për të mbledhur dhuratat. Duket mjaft argëtuese. Na thonë se gomari quhet pinjata dhe këtu në Meksikë e në disa vende të tjera amerikano-latine është traditë çarja e pinjatave nëpër festa.

Pyesim veten përse është kaq e përhapur pinjata. Çfarë origjine ka ajo? A ka ndonjë domethënie të veçantë çarja e saj? Vendosëm ta zbulonim.

Origjina e pinjatës

Një mendim i përhapur është se kinezët mund të kenë qenë të parët që përdorën një gjë të ngjashme me pinjatën si pjesë e festës së tyre të Vitit të Ri, e cila shënonte edhe fillimin e pranverës. Ata bënin figura lopësh, buajsh dhe bizonësh, dhe i mbulonin me letër të ngjyrosur e i mbushnin me pesë lloje farash. Për t’i çarë këto përdoreshin shkopinj të ngjyrosur. Letra zbukuruese që mbulonte figurat digjej dhe pluhuri i saj mblidhej e mbahej për të sjellë fat të mirë gjatë vitit të ardhshëm.

Mendohet se në shekullin e 13-të, Marko Polo, udhëtari venecian, e solli «pinjatën» nga Kina në Itali. Atje ajo mori emrin e tanishëm nga fjala italiane pignatta ose poçe e brishtë, dhe në vend të farave mbushej me xhingla, bizhuteri ose ëmbëlsira. Pastaj kjo traditë u përhap në Spanjë. Thyerja e pinjatës u bë zakon në të dielën e parë të Kreshmëve të mëdha. * Me sa duket, në fillim të shekullit të 16-të, misionarët spanjollë e sollën pinjatën në Meksikë.

Megjithatë misionarët mund të jenë çuditur (ashtu si ne) kur panë se vendësit, meksikanët, tashmë e kishin një traditë të ngjashme. Actekët festonin ditëlindjen e Uitzilopoktlit, perëndisë së diellit e të luftës, duke vendosur një poçe prej argjile mbi një shtyllë në tempullin e tij në fund të vitit. Poçja zbukurohej me pendë shumëngjyrëshe dhe mbushej me gjëra të vogla të çmuara. Pastaj ajo thyhej me shkop dhe gjërat e çmuara që dilnin prej saj i ofroheshin shëmbëlltyrës së perëndisë. Edhe majat luanin me një lojë, në të cilën pjesëmarrësit me sy të lidhur goditnin një poçe prej argjile që varej me një litar.

Misionarët spanjollë e përdorën me zgjuarsi pinjatën si pjesë të planit për t’u predikuar ungjillin indianëve. Ata e përdorën për të simbolizuar, veç të tjerash, betejën që bën i krishteri për të mposhtur Djallin dhe mëkatin. Pinjata tradicionale ishte një poçe prej argjile, e mbuluar me letër me ngjyrë, së cilës i jepej formë ylli me shtatë cepa të zbukuruar me xhufka. Thuhej se këto cepa përfaqësonin shtatë mëkatet vdekjeprurëse: lakminë, grykësinë, plogështinë, krenarinë, smirën, zemërimin dhe epshin. Goditja e pinjatës me sytë e lidhur përfaqësonte besimin e verbër dhe vendosmërinë e madhe për të mposhtur tundimin ose të keqen. Dhuratat brenda pinjatës ishin shpërblimi.

Pinjata sot

Më vonë pinjata u bë pjesë e festimit të posadas * gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe vazhdon të jetë e tillë deri në ditët e sotme. (Një pinjatë në formë ylli përdoret për të simbolizuar yllin që i drejtoi astrologët për në Betlehem.) Gjithashtu, thyerja e pinjatës mendohet si diçka e domosdoshme në festat e ditëlindjeve. Në të vërtetë pinjatat njihen kaq shumë si një traditë meksikane, saqë Meksika madje i eksporton në vende të tjera.

Pamë se për shumë njerëz në Meksikë, pinjata e ka humbur domethënien fetare dhe shumica e shohin thjesht si një zbavitje e padëmshme. Në fakt, në Meksikë pinjatat përdoren jo vetëm në posadat ose ditëlindjet, por edhe në shumë raste të tjera festash. Gjithashtu, përveç formës tradicionale, si një yll, ato mund të blihen edhe me shumë forma të tjera. Disa herë ato bëhen në forma që ngjasojnë si kafshë, si lule dhe si klounë.

Kur të krishterët vendosin nëse do ta përdorin apo jo një pinjata në një grumbullim shoqëror, duhet të mbajnë parasysh ndërgjegjen e të tjerëve. (1 Korintasve 10:31-33) Më shumë rëndësi nuk ka domethënia që kishte ky zakon qindra vjet më parë, por si shihet tani në zonën tuaj. Kuptohet, opinionet mund të ndryshojnë nga një vend në tjetrin. Prandaj është e mençur të mos i bëjmë objekt debatesh çështje të tilla. Bibla thotë: «Secili le të vazhdojë të kërkojë jo përfitimin e vet, por atë të tjetrit.»—1 Korintasve 10:24.

[Shënimet]

^ par. 7 Në disa fe, si katolicizmi, Kreshmët e mëdha janë një periudhë prej 40 ditësh pendese, e cila arrin kulmin në festimet e Javës së Shenjtë në kohën e Pashkës.

^ par. 11 Në Meksikë posadas është një festë që zgjat nëntë ditë para Krishtlindjeve, ku vihet në skenë se si Jozefi dhe Maria kërkojnë një posadë ose vend për të ndenjur. Gjatë të nënta netëve, në kulmin e festimeve thyhet një pinjata.

[Figura në faqen 23]

Kur vendosni nëse do ta përdorni apo jo një pinjata në një grumbullim shoqëror, mbani parasysh ndërgjegjen e të tjerëve

[Figura në faqen 23]

Pinjatat bëhen në lloj-lloj formash dhe përmasash