Shkenca ishte feja ime
Shkenca ishte feja ime
TREGUAR NGA KENET TANAKA
«E VËRTETA do t’ju bëjë të lirë.» Këto fjalë që gjendeshin në një nga vulat e Fakultetit të Teknologjisë në Kaliforni (Kaltek) më frymëzuan që të shkëlqeja në njohuritë shkencore. Regjistrimi në këtë fakultet në vitin 1974 përgatiti rrugën që të bëhesha studiues në fushën shkencore. Pasi mora diplomën universitare dhe gradën shkencore «kandidat i shkencave gjeologjike», i vazhdova më tej studimet në Universitetin e Kalifornisë, në Santa-Barbara.
Ndërsa ecja përpara si shkencëtar, bëra edhe ndryshime rrënjësore në pikëpamjet dhe vlerat e mia fetare. Ndonëse më parë i kisha hequr vizë besimit te Perëndia për shkak të teorisë së evolucionit, me të cilën isha brumosur, më vonë u detyrova t’i rishikoja edhe një herë pikëpamjet e mia. Si ndodhi që unë, një studiues gjeolog, u bëra edhe adhurues i përkushtuar i Perëndisë? Më lejoni t’jua shpjegoj.
Një djalë i vogël, i mahnitur nga kozmosi
Pasioni im për shkencën filloi që kur isha i vogël. Kur isha fëmijë, në Siatëll, Uashington, SHBA, prindërit më nxitnin vazhdimisht që të shkëlqeja në mësime. Më pëlqente të lexoja për universin, për elementet bazë nga të cilat përbëhet materia dhe jeta, për forcat themelore, për hapësirën, për kohën, për relativitetin. Kur isha rreth tetë vjeç, ky pasion për shkencën ra në sy, kështu që shkolla më caktoi të bëja çdo javë orë mësimi me një mësues privat për lëndë shkencore.
Ndiqja edhe shkollën e së dielës në një kishë baptiste, por më shumë e ndiqja që të shkoja në piknikët dhe në ekskursionet që bënin. Familja ime nuk tregonte interes për fenë ose për Perëndinë. Ndërsa mësoja historinë dhe mizoritë që kishte kryer feja, ndërgjegjja më shtyu të tërhiqesha
nga aktivitetet e kishës. Fillova të vija në dyshim edhe ekzistencën e Perëndisë, pasi dukej se shkenca ishte në gjendje të shpjegonte pothuajse gjithçka.Ndryshoj drejtimin, por gjëra të tjera më presin
Bëra kërkesën për të vazhduar shkollën e lartë me synimin që të studioja për fizikë, por në vitin e fundit të shkollës së mesme ndoqa edhe disa orë mësimi gjeologjie. Këto orë mësimi përfshinin edhe udhëtime eksplorimi nëpër zhveshje shkëmbore të famshme në shtetin e Uashingtonit. Mendova me vete: ‘Sa bukur do të ishte sikur të arrija të kombinoja dëshirën për të qenë në natyrë me dashurinë për shkencën!’
Prandaj, kur shkova në shkollën e lartë, e ndryshova menjëherë degën në gjeologji. Disa nga lëndët ku u regjistrova përfshinin studimet e kohës gjeologjike dhe të historisë së tokës, bazuar në gjetjet fosile. Për sa u përket fosileve, na mësuan se llojet kanë evoluar. Deri atëherë, me sa kisha kuptuar unë, evolucioni ishte një teori që ende duhej provuar. Megjithatë, mendova se si teori, evolucioni dukej një shpjegim i arsyeshëm për dëshmitë gjeologjike që kishim në dorë, sidomos po ta krahasoje me teorinë e krijimit në ditë 24-orëshe. Kur dëgjova se së shpejti do të bëhej një debat në godinat e shkollës midis përkrahësve të kësaj teorie dhe evolucionistëve, vendosa të mos shkoja. Ishte e qartë që toka nuk ishte bërë brenda më pak se një jave, siç pohojnë disa që përkrahin këto shpjegime.
Me gjithë pikëpamjet e mia të forta antifetare, udhëtimet që bëra për të studiuar përbërjen gjeologjike të jugperëndimit të Shteteve të Bashkuara më detyruan të rishikoja idetë që kisha për ekzistencën e Perëndisë. Atje, natën, ndërsa shihja panoramën madhështore të qiellit të kthjellët të shkretëtirës, nuk mund të bëja gjë tjetër veçse të nxirrja përfundimin se universin duhet ta ketë krijuar Perëndia. Astronomët e kishin vërtetuar që universi ka pasur një fillim, por e kisha të qartë se nuk do të kishte kurrë një shpjegim njëqind për qind shkencor përse kishte ndodhur kjo gjë. Dukej e arsyeshme të besoja se një Krijues inteligjent dhe i fuqishëm e kishte projektuar dhe bërë kozmosin që na rrethon.
Përpiloj harta për Marsin, por kam ende shumë pyetje
Në vitin 1983, kur mora gradën shkencore «doktor i shkencave gjeologjike», në moshën 27 vjeç, po përpiloja në hartë të dhënat gjeologjike të planetit Mars për Institutin e Studimeve Gjeologjike, SHBA. Që atëherë kam botuar me dhjetëra artikuj dhe harta për sa i përket gjeologjisë planetare, për lexuesit shkencorë dhe të zakonshëm. Si pjesëtar i komiteteve këshilluese për Entin Kombëtar Aeronautik dhe Hapësinor kam punuar për të mbështetur misionet e anijeve kozmike në Mars. Për shkak të punës kërkimore dhe të përgjegjësive të mia profesionale, kam takuar shkencëtarë planetarë të respektuar, nga shumë vende, universitete dhe institute kërkimore.
E gjithë kjo stërvitje dhe përvojë në punën kërkimore ma ndryshoi gradualisht pikëpamjen idealiste që kisha për shkencën kur isha fëmijë. Kuptova se shkenca nuk i ka dhe nuk do t’i japë kurrë të gjitha përgjigjet. Në veçanti, kuptova se shkenca nuk i jep qëllim ose domethënie të qëndrueshme jetës. Pikëpamjet shkencore aktuale parashikojnë se universi ose do të shembet, ose do të shpërndahet derisa të bëhet një masë pa strukturë. Nëse fati ynë në fund të fundit do të ishte mosekzistenca, si mund të kishte ndonjë qëllim ekzistenca jonë?
Planifikoj një drejtim të ri
Në shtator të vitit 1981, kur jetoja në Flagstaf, Arizonë, takova Dëshmitarët e Jehovait. Pranova të bëja një studim biblik me ta, me synimin që t’u jepja prova se ata vetë dhe Bibla e kishin gabim. Gjithashtu, kjo do të më ndihmonte të zbuloja më në fund se çfarë përmban faktikisht Bibla.
Fillova të kaloja disa orë në javë duke i shqyrtuar me kujdes mësimet e Biblës. Për habinë time, në faqet e Biblës gjeta një njohuri me baza dhe një gjykim të thellë. U mahnita kur bëra kërkime për saktësinë shkencore të Biblës dhe 2 Timoteut 3:1.
përmbushjen e qindra profecive të hollësishme që ishin bërë për ngjarje që kishin ndodhur gjatë mijëra vjetëve të historisë njerëzore. Më preku sidomos mënyra se si ndërthurja e profecive të përbëra biblike, në librin e Danielit dhe të Zbulesës, jep një bazë të fortë për të përcaktuar se po jetojmë në «ditët e fundit».—Duke studiuar Biblën, kisha ndjekur pa e ditur gjurmët e një njeriu të shquar. Më vonë mësova se Sër Isak Njutoni, i cili mbahet si një nga gjenitë më të mëdhenj shkencorë të të gjitha kohëve, e admironte dhe e studionte me zell Biblën. Ashtu si Njutoni, u përqendrova te profecitë në librin e Danielit e të Zbulesës, të cilat parathoshin ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme historike që tashmë kanë ndodhur. * Megjithatë, unë kisha përparësinë e madhe të jetoja gjatë dhe pas plotësimit të profecive të shumta që janë përmbushur pas kohës së Njutonit. Zbulova se këto profeci flasin për një larmi ngjarjesh e epokash, përfshijnë shumë gjëra dhe janë të pagabueshme e të pamohueshme. M’u hapën sytë kur kuptova se e gjithë Bibla, e shkruar nga më shumë se 40 burra për një periudhë prej 1.600 vjetësh, përmban një mesazh logjik, koherent dhe të fuqishëm, për sa u përket çështjeve kryesore që kanë të bëjnë me njerëzimin dhe të ardhmen e tij.
Megjithatë, s’ishte e lehtë për mua të hiqja dorë nga besimi në evolucionin. E respektoja peshën mjaft të madhe të autoritetit shkencor që mbështeste këtë teori. Gjithsesi, zbulova se të gjitha pohimet e Biblës për botën fizike janë në përputhje të plotë me faktet e njohura dhe nuk mund të rrëzohen me prova.
Arrita të kuptoja që, për të pasur një kuptueshmëri të plotë e koherente të përmbajtjes së gjerë e të gërshetuar të Biblës, nuk mund të lësh mënjanë as edhe një mësim të vetëm, përfshirë tregimin e krijimit në librin e Zanafillës. Prandaj kuptova se i vetmi përfundim i arsyeshëm ishte të pranoja të gjithë Biblën si të vërtetë.
Kërkim i vazhdueshëm për të vërtetën
Ndërkohë, ndërsa merrja pjesë në kërkimet shkencore si pjesë e punës, munda të shoh sa shpesh teoritë ishin pranuar gjerësisht për njëfarë kohe, por më pas ishte provuar se nuk ishin të sakta. Një pjesë e vështirësisë për shkencëtarët është se çështjet që studiojmë janë të ndërlikuara, kurse mjetet për kërkime e për të marrë të dhëna janë të kufizuara. Kështu, kam mësuar të jem i matur kur bëhet fjalë për të pranuar si fakt teori të pavërtetuara, pavarësisht se sa me kujdes mund të jenë përpiluar.
Është realiste të themi se shumë aspekte themelore të botës fizike nuk mund të shpjegohen nga shkenca. Për shembull, pse elementet bazë të jetës dhe ligjet fizike që i udhëheqin ato janë të harmonizuara në mënyrë të përsosur për të mbështetur procese të jetës dhe ekosisteme të ndërlikuara? Shkenca nuk është e pajisur për të zbuluar Perëndinë, kurse Fjala e tij e frymëzuar jep dëshmi konkrete për ekzistencën dhe veprimtaritë e tij si Krijues. (2 Timoteut 3:16) Me këtë njohuri frymore, mund të arrijmë të njohim Atë që është përgjegjës për fuqinë, mençurinë dhe bukurinë e dukshme në botën tonë fizike.
Një mbështetje të mëtejshme se Bibla është e besueshme nga ana shkencore e gjeta duke shqyrtuar me kujdes disa botime të Dëshmitarëve të Jehovait, si librat Jeta: Si erdhi ajo këtu? Me evolucion apo me krijim? dhe A ka një Krijues që interesohet për ju? Këto botime analizojnë argumente
të thella shkencore dhe sigurojnë kuptueshmëri të thellë për kërkimet aktuale dhe për përfundimet që kanë nxjerrë specialistë me emër. Veç kësaj, trajtojnë harmoninë ndërmjet fakteve të njohura shkencore dhe kuptueshmërisë së saktë të Biblës.Për shembull, tregohet se dokumentimi fosil është në përputhje me radhën e përgjithshme të shfaqjes së formave të jetës, ashtu si përshkruhet në librin e Zanafillës. Më tej, një ditë krijuese siç e kuptonin njerëzit në lashtësi mund të nënkuptojë një periudhë që zgjat njëfarë kohe, pak a shumë ashtu siç i përdor shkenca termat «periudhë» dhe «epokë» për të përshkruar historinë gjeologjike të tokës. Kështu, Bibla nuk është në kundërshtim me zbulimet shkencore. Ajo tregon se ditët krijuese zgjatën shumë kohë. Nuk e mbështet përfundimin që nxjerrin disa që përkrahin teorinë se ditët e krijimit ishin ditë 24-orëshe.
Besimi me baza kundër besimit të verbër
Si shkencëtar nuk më pëlqen fare besimi i verbër. Por kam respekt të thellë për besimin që ka baza të forta. Ky besim me baza përkufizohet te Hebrenjve 11:1, ku thuhet: «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve, edhe pse nuk shihen.» Besimi te premtimet e Perëndisë bazohet në prova të pakundërshtueshme se Bibla është e frymëzuar nga Perëndia. E kuptova se duhej të shmangia doktrinat fetare të përhapura, por të pabazuara, që janë në kundërshtim me Shkrimet. Këtu përfshihen mësimet për shpirtin e pavdekshëm, zjarrin e ferrit, Trinitetin dhe mësime të tjera. Shumë doktrina të tilla të gabuara lindën nga filozofia dhe mitologjia e lashtë ose nga mosnjohja e mirë e Biblës. Përkushtimi pas mësimeve të rreme ka çuar në ‘besimin e verbër’ që praktikojnë shumica e fetarëve sot, besim që i ka bërë shumë shkencëtarë të mos kenë vlerësim për fenë.
Një nga përgjegjësitë e mia kryesore si shkencëtar ka qenë të shpjegoj, të mbroj dhe të përhap zbulimet që kam bërë gjatë kërkimeve. Po kështu, e ndjeva për detyrë t’u mësoj të tjerëve të vërtetën e Biblës, pasi asnjë njohuri tjetër nuk mund të jetë më e rëndësishme se ajo. E fillova këtë vepër shpërblyese dhe u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait rreth 20 vjet më parë. Pastaj, në shtator të vitit 2000, pata mundësi ta shtoja kohën që kaloj në predikim, duke predikuar mesatarisht 70 orë në muaj. Që atëherë kam pasur privilegjin të drejtoj çdo muaj studime biblike me rreth dhjetë individë të interesuar dhe të shoh disa nga këta studentë të bëhen vetë mësues të zellshëm të Biblës.
Ende kënaqem duke hulumtuar Marsin dhe pjesë të tjera të universit nëpërmjet «syve» të anijeve kozmike moderne që dërgohen për të eksploruar trupat qiellorë fqinjë në univers. Mbeten ende shumë mistere që shkencëtarët duhet t’i hetojnë. Me padurim pres të ardhmen kur kërkimi i njeriut si për njohuri frymore, ashtu edhe shkencore, do të na shuajë kureshtjen dhe do t’u japë përgjigje pyetjeve tona më të thella. Kam arritur të kuptoj se domethënia e vërtetë në jetë vjen duke pasur njohuri të saktë për Perëndinë dhe për qëllimin e tij për njerëzimin. Ky është kuptimi i vërtetë i fjalëve të Jezuit që janë skalitur në një nga vulat e Kaltekut: «E vërteta do t’ju bëjë të lirë.»—Gjoni 8:32, King James Version.
[Shënimi]
^ par. 18 Në librin e tij Observations Upon the Prophecies of Daniel, and the Apocalypse of St. John, i cili u botua në vitin 1733, Sër Isak Njutoni analizonte profecitë e librave biblikë të Danielit dhe të Zbulesës.
[Diçitura në faqen 19]
«Dukej se shkenca ishte në gjendje të shpjegonte pothuaj gjithçka»
[Diçitura në faqen 20]
«Shkenca nuk i ka dhe nuk do t’i japë kurrë të gjitha përgjigjet»
[Diçitura në faqen 21]
«Në faqet e Biblës gjeta një njohuri me baza dhe një gjykim të thellë»
[Hartat në faqen 18]
Hartë e Marsit
[Figurat në faqen 20]
Ashtu si Njutonit, më bënë përshtypje librat biblikë të Danielit dhe të Zbulesës
[Burimi]
Universiteti i Floridës
[Figura në faqen 21]
Flas me të tjerët për atë që kam mësuar nga Bibla
[Burimet e figurave në faqen 18]
Sipër majtas: Me mirësjelljen e USGS Astrogeology Research Program, http://astrogeology.usgs.gov; hartë e Marsit: National Geographic Society, MOLA Science Team, MSS, JPL, NASA; sipërfaqe e Marsit: NASA/JPL/Caltech
[Burimi i figurës në faqen 21]
Fotografi nga hapësira: J. Hester dhe P. Scowen (AZ State Univ.), NASA