«Viti i Biblës»
«Viti i Biblës»
Në Austri, Francë, Gjermani dhe në Zvicër viti 2003 është zgjedhur si «Viti i Biblës». E përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung thotë: «Ashtu si në vitin 1992, hera e parë dhe e fundit kur u mbajt një vit i tillë, [kishat] po synojnë t’i bëjnë njerëzit më të vetëdijshëm për këtë ‘libër të jetës’ dhe të theksojnë vlerën kulturore të Shkrimeve të Shenjta.»
Sipas Bibelreport të qershorit 2002, Bibla ose të paktën një pjesë e saj është përkthyer në 2.287 gjuhë. Po ashtu, është përllogaritur se deri tani janë shpërndarë rreth pesë miliardë Bibla. Përpjekje të tilla kolosale tregojnë qartë se njerëzit e vlerësojnë shumë këtë libër.
Sot shumica e njerëzve ndoshta nuk janë të bindur se Bibla është praktike. Në të vërtetë, shumë mendojnë se normat e Biblës janë të vjetëruara dhe s’kanë të bëjnë me realitetin. Gjithsesi, gjatë këtij Viti të Biblës kishat në Gjermani shpresojnë të arrijnë dy gjëra: t’i nxitin njerëzit që ta zbatojnë më shumë Biblën në jetën e tyre dhe t’u ngjallin interesin për Biblën atyre që janë larguar nga kisha.
Ta lexosh Biblën nga fillimi në fund s’është gjë e vogël, por pa dyshim që është një mënyrë e mirë për të kuptuar pikat kryesore të Shkrimeve. Megjithatë, një njeri që dëshiron të nxjerrë sa më shumë dobi nga Bibla duhet të mbajë në mendje pohimin e bërë te 2 Timoteut 3:16, 17: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»
Poeti gjerman Johan Volfgang fon Gëte (1749-1832) u shpreh kështu: «Jam i bindur që sa më shumë ta kuptojë një njeri Biblën, aq më e bukur bëhet ajo për të.» Vërtet, vetëm në Fjalën e Perëndisë gjejmë një shpjegim logjik se nga vijmë, pse jemi këtu dhe çfarë do të sjellë e ardhmja.—Isaia 46:9, 10.
[Burimi i figurës në faqen 31]
Nga libri Bildersaal deutscher Geschichte