Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Cilat janë shkaqet e krizës në bujqësi?

Cilat janë shkaqet e krizës në bujqësi?

Cilat janë shkaqet e krizës në bujqësi?

«Stafi i Linjës Telefonike për Streset e Fermerëve është i stërvitur për të të ndihmuar të përballosh stresin që lidhet me punën në bujqësi. Ne jemi fermerë dhe ish-fermerë si ty, prandaj i kuptojmë vështirësitë që po hasin familjet në zonat rurale. Ne kemi mundësi të të lidhim me njerëz që mund të të ndihmojnë. . . . Të gjitha telefonatat janë konfidenciale.»​—Nga një site në Internet i qeverisë kanadeze.

SOT shumë profesionistë në fushën e shëndetësisë pranojnë që stresi është një rrezik profesional i punës në bujqësi. Për t’i ndihmuar fermerët që të përballojnë stresin, ka psikologë që diagnostikojnë dhe kurojnë problemet psikologjike e të sjelljes. Ata janë të specializuar për problemet që lidhen me stresin e punës në bujqësi dhe për t’i mbështetur bashkësitë e fermerëve u ofrojnë atyre shërbime të tilla, siç janë terapia në grup dhe linjat telefonike.

Xhejni, gruaja e një fermeri, çdo të enjte në mbrëmje frekuenton një grup ku merren këshilla nga një profesionist. «Jam këtu, sepse im shoq vrau veten,​—thotë Xhejni.​—Gjithmonë e kishte pasur ëndërr të punonte në fermën e familjes dhe kam përshtypjen se po të mos e bënte dot këtë punë, nuk do të donte të merrej me asgjë tjetër.»

Shumë veta kanë vërejtur një rritje të paparë në numrin e fermerëve që kërkojnë të çlirohen nga stresi. Por cilat janë shkaqet e krizës që po kalojnë shumë fermerë?

Katastrofat natyrore dhe sëmundjet

Ai site qeveritar në Internet, të cilin e përmendëm në fillim, thotë: «Puna në bujqësi për vetë natyrën e saj nënkupton që të kesh jashtë kontrollit një pjesë të madhe të gjërave të jetës së përditshme, siç janë moti, çmimet, përqindjet e interesave, prishja e pajisjeve. Madje edhe të zgjedhësh ndërmjet dy gjërave​—ta zëmë se çfarë të mbjellësh ose ta shesësh tokën apo t’ia kalosh pronësinë një kreditori​—mund të të krijojë stres, pasi përfundimi mund të jetë pozitiv ose negativ.» Kur këtyre faktorëve iu shtohet edhe rreziku i një thatësire të madhe, rreziku i sëmundjes ose i humbje së fermës, stresi mund të bëhet mbytës.

Thatësira, për shembull, mund të jetë një thikë me dy presa. Fermeri Hauard Polsen shpjegoi se thatësira e vitit 2001, një nga më të këqijat në historinë e Kanadasë, solli dëme te të mbjellat e tij dhe te gjëja e gjallë. Mungesa e kullotave dhe prishja e të mbjellave i detyroi fermerët që ta blinin ushqimin për kafshët. «Deri tani kam harxhuar 10.000 dollarë për ushqim për kafshët dhe tani po shfrytëzoj si ushqim rezervat që duheshin përdorur për dimër,​—tha ai.​—Po t’ia nisësh kështu, nuk ke leverdi nga rritja e gjësë së gjallë.» Në zona të tjera, përmbytjet kanë shkatërruar shumë ferma, duke rrënuar të mbjella të tëra.

Përhapja e sëmundjes së shapit në Britani, në vitin 2001, ishte vetëm ngjarja më e fundit e një vargu problemesh që kishin kaluar fermerët anglezë, përfshirë sëmundjen e lopës së çmendur dhe murtajën e derrave. Dëmi që shkaktojnë këto sëmundje dhe paniku që përhapin te njerëzit nuk është thjesht dëm ekonomik. Agjencia France-Presse tha: «Fshatarë të fortë, jo nga ai lloj njerëzish që përloten për pak gjë, i kanë parë të qajnë me ngashërim, teksa shihnin veterinerët e dërguar nga qeveria të hidhnin në turrën e druve kafshët që iu deshën një jetë e tërë për t’i rritur.» Madje, pasi ra sëmundja e shapit, policia filloi t’u konfiskonte armët atyre fermerëve që mund të kryenin vetëvrasje. Në shërbimet këshilluese vërshuan telefonata nga fermerë që ishin në ankth.

Paqëndrueshmëria ekonomike

Ndryshime dramatike ka pasur edhe në fushën ekonomike. «Në periudhën nga viti 1940 deri në mesin e viteve 80,​—thuhet në anën a pasme të kapakut të librit Broken Heartland,​—shpenzimet e prodhimit në fermat në zemër të Amerikës u trefishuan, blerjet e kapitalit u katërfishuan, përqindjet e interesave u rritën dhjetëfish, fitimi ra 10 për qind, numri i fermerëve u zvogëlua me dy të tretat. Gjithashtu, pothuajse në çdo zonë me ferma pati rënie në numrin e popullsisë, mbyllje biznesesh dhe tronditje të stabilitetit ekonomik.»

Por përse fitimi nuk ka ecur në një hap me shpenzimet që sa vijnë e rriten? Në bashkësinë e sotme globale, fermerët u nënshtrohen forcave të tregjeve ndërkombëtare. Kështu fermerët gjenden në konkurrencë me prodhues ushqimesh, që janë mijëra kilometra larg. Vërtet, tregtia ndërkombëtare ka hapur edhe tregje të reja për prodhimet bujqësore, por tregu botëror mund të ketë një paqëndrueshmëri të rrezikshme. Për shembull, më 1998, disa njerëz që merreshin me kultivimin e drithërave dhe me rritjen e derrave në Kanada falimentuan kur konsumatorët e tyre në Azi pësuan rënie ekonomike.

Shpërbërja e bashkësisë

Profesori Majk Xhejkëbsën në Universitetin e Ajouas, i cili është i specializuar në çështjet që lidhen me zonat rurale, vëren se kriza e bujqësisë është edhe një krizë e bashkësisë fshatare. Ai thotë: «Këto vende janë qendra me shumë fëmijë, janë të pastra, janë vende ku dëshiron të martohesh e të rritësh fëmijët. Shkollat janë mjaft dinjitoze, të sigurta. Kjo është ajo që përfytyrojmë, apo jo? E pra, gjendja ekonomike e këtyre provincave varet shumë nga një numër familjesh të vogla fermerësh në zonat përreth.» Si pasojë, kriza në bujqësi bëhet e dukshme edhe nga spitalet, shkollat, restorantet, dyqanet dhe kishat e mbyllura në zonat fshatare. Një nga gjërat më të bukura të jetës së fermerëve, lidhja e ngushtë midis njerëzve të bashkësisë, po zhduket.

Pra nuk është për t’u habitur që sipas revistës Newsweek, gati 16 për qind e amerikanëve në zonat fshatare kanë të ardhura që janë nën nivelin e varfërisë. Në raportin e tij «The Rural Crisis Downunder» («Kriza rurale në Australi»), Xhefri Lorens shkruan se në Australi «papunësia, punësimi i përkohshëm dhe përqindja e varfërisë janë shumë më të larta në zonat rurale sesa në zonat urbane». Paqëndrueshmëria ekonomike ka detyruar shumë familje, sidomos ato më të rejat, që të transferohen në qytet. Shila, e cila punon në një fermë me familjen e saj, pyet: «Edhe sa do të zgjasë kjo gjendje para se të mos ketë më asnjeri që dëshiron të punojë tokën?»

Për shkak të shpërnguljes së brezave të rinj drejt qyteteve, popullsia në mjaft zona rurale është plakur ndjeshëm. Këto bashkësi kanë humbur jo vetëm forcën fizike të rinisë, por ato nuk mund të japin më as mbështetje për të moshuarit, shpesh në ato raste kur kjo mbështetje është më e nevojshme se kurrë. Kuptohet që shumë banorë të moshuar janë të pështjelluar dhe të frikësuar nga këto ndryshime të shpejta.

Siç shihet, kriza në bujqësi është shkatërrimtare, dhe pasojat e saj ndihen në shumë drejtime. Ajo ndikon te të gjithë ne. Megjithatë, siç do të tregohet në artikullin vijues kemi arsye për të besuar se kjo krizë në bujqësi do të përfundojë.

[Diçitura në faqen 6]

Në bashkësinë e sotme globale, fermerët u nënshtrohen forcave të tregjeve ndërkombëtare

[Diçitura në faqen 6]

«Edhe sa do të zgjasë kjo gjendje para se të mos ketë më asnjeri që dëshiron të punojë tokën?»

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

PRODHIME BUJQËSORE PA PLEHRA KIMIKE

Prodhimet bujqësore që rriten pa përdorur plehra kimike po kërkohen gjithnjë e më tepër. Shitja me pakicë e prodhimeve të tilla në Kanada po shtohet me gati 15 për qind çdo vit.

Çfarë janë prodhimet bujqësore që rriten pa kimikate? Një raport i Seksionit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Zhvillimit të Zonave Rurale në Alberta i përkufizon ato si «prodhime të rritura në një sistem prodhimi që përveçse shmang përdorimin e kimikateve sintetike, gjithashtu nxit gjendjen e mirë të dheut, shumëllojshmërinë biologjike, e bën më pak të mundimshme rritjen e kafshëve dhe nxit përdorimin e metodave të shëndetshme për mjedisin.»

Fermerët që kultivojnë këto lloj prodhimesh thonë se në këtë drejtim ato ndryshojnë nga prodhimet që kultivohen për qëllime tregtimi ku synohet sasia. Në revistën Canadian Geographic Katerina Vansitarti shkruan: «Në fermat shumë të mëdha shihet një prirje që sa vjen e theksohet për të rritur një lloj të vetëm të mbjellash. Në këto raste, prodhimtaria e lartë arrihet nëpërmjet mekanizimit intensiv e duke e tepruar me pesticidet dhe plehrat e prodhuara nga njeriu.​—Përveç mbetjeve që lënë tek ushqimi kimikate të tilla, vlerat ushqimore bien kur fryti vilet para se të piqet, një kusht i domosdoshëm nëse prodhimi duhet transportuar në largësi të mëdha për të arritur në treg. Për t’u siguruar që prodhimet bujqësore të arrijnë të padëmtuara në vendmbërritje, ato gjithashtu mund të trajtohen kimikisht me gaz, me parafinë ose me rreze.»

Kush i blen prodhimet bujqësore, për të cilat nuk janë përdorur kimikate? Raporti nga Alberta thotë se blerësit «fillojnë që nga adoleshentët, të cilët kujdesen për shëndetin e deri te nënat që merakosen për ushqimin, . . . Nuk janë më vetëm stereotipi i atyre njerëzve të viteve 60, të quajtur bijtë e luleve».

Megjithatë, jo të gjithë njerëzit janë të bindur se ky lloj ushqimi është më i mirë. Revista Canadian Geographic thotë: «Çmimet më të larta që shoqërojnë zakonisht prodhimet e trajtuara vetëm me pleh organik bëjnë që skeptikët të jenë në mëdyshje nëse ia vlen ky ushqim pa pasur më parë prova shkencore për dobinë e tij. Të tjerë shqetësohen se mos krijohet një sistem i shpërndarjes së ushqimit me dy standarde të ndryshme, që i përjashton të varfërit.» Ata që këshillojnë këtë lloj ushqimi argumentojnë se ndryshimet në mënyrën e të ushqyerit, në tregtim dhe në shpërndarjen e prodhimeve mund të bëjnë që çdokush të jetë në gjendje ta blejë atë pavarësisht nga gjendja ekonomike. Duke pasur parasysh shumëllojshmërinë e madhe të opinioneve e të të dhënave shkencore, ka të ngjarë që fundi i debatit për prodhimet pa trajtime me kimikate të jetë ende larg.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

PESTICIDET​—DILEMA E FERMERËVE

Në disa vende të botës, sëmundjet e shkaktuar nga parazitët dhe sëmundjet e tjera të bimëve kanë shkatërruar gati 75 për qind të prodhimit që pritej nga të mbjellat. Është e qartë se një zgjidhje mund të jetë që thjesht të shtohet sasia e të mbjellave. Gazeta Globe and Mail thotë: «Fermerët e Kanadasë janë përpjekur t’i bëjnë ballë konkurrencës duke përdorur metoda prodhuese që kanë si qëllim rritjen e prodhimit, dhe kështu kanë më shumë për të shitur.» Megjithatë, Terens Mekrei në agjencinë e mjedisit në Kanada paralajmëron: «Shumë nga këto ndryshime kanë shtuar rreziqet e mundshme që bujqësia shkakton për mjedisin.»

Ç’mund të thuhet për përdorimin e pesticideve? Edhe kjo përbën një dilemë për fermerët, meqë vazhdon debati rreth rrezikut që paraqesin ato për shëndetin. Një raport nga Organizata Botërore e Shëndetësisë pranoi se aftësia helmuese dhe rreziqet e shumicës së pesticideve ende nuk njihen plotësisht. Ka mundësi që rreziqet të barten ndërkohë që pesticidet kalojnë në zinxhirin ushqimor. Kafshët hanë bimë që janë spërkatur me pesticide. Nga ana tjetër, njerëzit ushqehen me mishin e kafshëve.

[Burimi]

USDA Fotografi nga Doug Wilson