Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kriza që përballojnë fermerët

Kriza që përballojnë fermerët

Kriza që përballojnë fermerët

RIÇARDI punon po ato ara që mbillte edhe stërgjyshi i tij gati 100 vjet përpara. Por, më 2001, ky fermer kanadez ishte i pari nga katër breza të familjes së tij që nuk mori prodhim nga të mbjellat. Ato i shkatërroi thatësira. Çmimet e ulëta të prodhimeve bujqësore në vitet e mëparshme dhe kostoja në rritje ia kanë vështirësuar më shumë gjendjen. Riçardi thotë me keqardhje: «Sa vjen e bëhet zi e më zi dhe nuk ka asnjë rrugëdalje.»

Në Zonën e Misrit, në Shtetet e Bashkuara, Lari ishte pronar i një ferme, e cila që prej 115 vjetësh kishte qenë pronë e familjes së tij. «Ndieja se kisha përgjegjësinë të kujdesesha për fermën, të nxirrja fitim prej saj . . . , por nuk ia dola dot»,​—thotë ai. Lari dhe e shoqja e humbën fermën e tyre.

Lari dhe Riçardi nuk janë të vetmit. Në Britani, shpërthimi i sëmundjes së shapit, që zuri kafshët e fermave, u kushtoi shumë shtrenjtë fermerëve si nga ana financiare, ashtu edhe nga ana emocionale. Në një raport në lajme thuhej: «Jeta e përditshme në një fermë në Britani, madje edhe në ndonjë fermë që nuk është prekur nga sëmundja, karakterizohet nga ankthi, vetmia dhe nga përpjekjet e dëshpëruara për të shtyrë sa më shumë afatin e shlyerjes së borxheve që u kanë kreditorëve.» Në disa vende në zhvillim, lufta, thatësira, rritja e shpejtë e popullsisë dhe një sërë faktorësh të tjerë i kanë bërë të pasuksesshme përpjekjet e fermerëve. Qeveritë janë të detyruara të importojnë ushqime që shumë familje nuk janë në gjendje t’i blejnë.

Siç shihet, problemi i fermerëve ka një ndikim mjaft të gjerë. Megjithatë, janë të paktë ata njerëz të qyteteve që e vrasin mendjen për problemet e bujqësisë. Gati 50 vjet më parë, presidenti i SHBA-së, Duajt D. Ajzenhaueri, me të drejtë tha këto fjalë: «Të merresh me bujqësi të duket një gjë fare e thjeshtë kur si parmendë ke një laps dhe kur je mijëra kilometra larg nga ara me të mbjella.» Edhe sot, fermerët mendojnë se një pjesë e madhe e njerëzve në botë as që e kanë idenë se ç’ndodh në bujqësi dhe as e kuptojnë rolin e rëndësishëm të fermerëve. «Njerëzit nuk bëhen fare merak se nga u vjen ushqimi,​—thotë me keqardhje një fermer kanadez.​—Para se të ambalazhohet dhe para se të përfundojë në raftin e dyqanit, kanë punuar shumë duar për të.»

Meqenëse të gjithë ne varemi nga bujqësia, problemi i fermerëve nuk mund të anashkalohet. Sociologët Dan A. Dilmën dhe Darël J. Habz paralajmërojnë: «Në shoqërinë tonë ku gjërat janë mjaft të varura nga njëra-tjetra, problemet e fshatit bëhen shpejt probleme të qytetit dhe anasjelltas. Në shoqërinë tonë, asnjë qytet ose fshat nuk mund të lulëzojë për një kohë të gjatë, ndërkohë që tjetri vuan.» Për më tepër, në botën e sotme, e cila ngjan me një fshat global, rënia ekonomike që pëson një vend mund të ndikojë thellë në shitjen e prodhimeve bujqësore dhe në koston e prodhimit në vende të tjera.

S’është për t’u habitur atëherë që Qendra Mjekësore dhe Shëndetësore për Bujqësinë në Nju-Jork tha: «Puna në bujqësi është një nga 10 punët më stresuese në Shtetet e Bashkuara.» Cilët janë disa prej faktorëve të kësaj krize në bujqësi? Si mund ta përballojnë fermerët këtë gjendje? A ka ndonjë arsye që të besojmë se do të gjendet një zgjidhje për këtë krizë?

[Diçitura në faqen 4]

«Të merresh me bujqësi të duket një gjë fare e thjeshtë kur si parmendë ke një laps dhe kur je mijëra kilometra larg nga ara me të mbjella.»