Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mozaikët—Piktura me gurë

Mozaikët—Piktura me gurë

Mozaikët—Piktura me gurë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ITALI

MOZAIKU është quajtur «një art i çuditshëm», një teknikë zbukurimi «mbresëlënëse» dhe një nga «format më jetëgjata të artit dekorativ që ka mbijetuar që nga antikiteti». Artisti italian i shekullit të pesëmbëdhjetë, Domeniko Girlandajoja, e quajti atë «piktura e vërtetë që jeton në përjetësi». Çfarëdo që të mendoni për mozaikët, ata kanë vërtet një histori tërheqëse.

Mozaiku mund të përkufizohet si arti i zbukurimit të një sipërfaqeje, siç mund të jetë dyshemeja, muri ose një kube, me figura që bëhen me copëza guri, xhami ose qeramike, të cilat ngjiten afër njëra-tjetrës. Mozaikët janë përdorur që në lashtësi për të zbukuruar dyshemetë dhe muret. Gjithashtu mozaikët kanë zbukuruar llixhat, pishinat dhe shatërvanët, vende ku lagështia do t’i kishte dëmtuar punimet artistike më të brishta.

Mozaikët mund të jenë nga më të ndryshmit, duke filluar që nga dyshemetë e thjeshta bardhë e zi e deri te figurat bardhë e zi, nga motivet e ndërlikuara shumëngjyrëshe me lule e deri te kompozimet e vështira dhe mbresëlënëse në formë pikture.

Shpikja dhe zhvillimi

Nuk dihet me siguri se kush i shpiku mozaikët. Egjiptianët e lashtë dhe sumerët i zbukuronin sipërfaqet e ndërtesave me motive shumëngjyrëshe. Megjithatë, me sa duket ky art është zhdukur pa u zhvilluar më tej. Mendohet se të gjitha këto vende si Azia e Vogël, Greqia, Kartagjena, Kreta, Sicilia, Siria dhe Spanja kanë qenë vendlindje të mozaikut. Kjo bëri që një shkrimtar të hidhte idenë se kjo teknikë ishte «shpikur, harruar dhe shpikur përsëri në periudha të ndryshme dhe në vende të ndryshme të pellgut të Mesdheut».

Mozaikët e hershëm, disa prej të cilëve datojnë që nga shekulli i nëntë p.e.s., punoheshin me gurë zalli që formonin figura të thjeshta. Larmia e ngjyrave të mozaikëve varej nga gurët që gjendeshin në vend. Zakonisht, diametri i gurëve shkonte nga dhjetë deri në njëzet milimetra, por për disa motive shumë të imëta përdoreshin guralecë me diametër gati pesë milimetra. Aty nga shekulli i katërt p.e.s., artizanët filluan t’i ndanin gurët e zallit në copëza më të vogla dhe kjo krijonte mundësi që cilësia të përmirësohej. Dalëngadalë gurët e zallit u zëvendësuan me gurët e prerë në formë kubike. Këta ofronin një larmi më të madhe nuancash dhe mund të vendoseshin e të përshtateshin më lehtë për të formuar figurën e dëshiruar. Me to krijoheshin sipërfaqe të sheshta që mund të lustroheshin e të lyheshin me dyllë në mënyrë që ngjyrat të shkëlqenin më shumë. Rreth shekullit të dytë të e.s. po përdoreshin mjaft edhe copat e xhamave me ngjyrë, të cilat e pasuruan shumë gamën e ngjyrave të mozaikëve.

Në periudhën helenistike (rreth vitit 300 p.e.s. deri aty nga viti 30 p.e.s.) u krijuan mozaikë mjaft të arrirë ngjashëm pikturave. «Duke e përdorur të gjithë gamën e mundshme të ngjyrave dhe duke e zvogëluar deri në një milimetër kub madhësinë e copëzave kubike të mozaikut . . . , punimet e grekëve nisën të konkurronin me pikturat në mur»,​—thotë libri Glossario tecnico-storico del mosaico (Fjalorthi tekniko-historik i mozaikut). Ngjyrat përdoreshin me mjeshtëri për të krijuar efekte të holla të dritës, hijes, thellësisë, vëllimit dhe të perspektivës.

Në punimet greke është tipike pjesa shumë e ndërlikuar që ndodhet në qendër, e cila rrethohej nga një bordurë zbukurimi. Shpesh ajo është një riprodhim virtuoz i një pikture të famshme. Disa nga këto figura krijohen me copëza kubike kaq të vogla e kaq të puthitura, saqë duket sikur janë pikturuar e jo sikur janë bërë me copëza guri.

Mozaikët romakë

Shpesh mozaiku është quajtur art romak, për shkak të mozaikëve të shumtë që janë gjetur në Itali dhe në provincat e Perandorisë Romake. «Janë gjetur dysheme të panumërta me mozaikë në ndërtesat e periudhës romake, duke filluar që nga Britania e Veriut e deri në Libi dhe që nga bregu i Atlantikut e deri në shkretëtirën e Sirisë,​—thuhet në një botim.​—Ndonjëherë mozaikët shihen si një nga shenjat që tregon se dikur në një zonë të caktuar ka pasur romakë. Po, kaq ngushtë lidhet kjo teknikë e veçantë me përhapjen e kulturës romake!»

Megjithatë, mozaikët shumëngjyrësh si piktura nuk i plotësonin nevojat e perandorisë së hershme. Rritja e madhe e qyteteve gjatë shekullit të parë të e.s. çoi në rritjen e kërkesës për mozaikë që bëheshin më shpejt dhe më me pak shpenzime. Kështu lindën mozaikët ku përdoreshin vetëm copëza kubike bardhë e zi. Prodhimi u rrit ndjeshëm dhe sipas Enciclopedia dell’arte antica (Enciklopedia e artit të lashtë), «nuk gjeje asnjë shtëpi të pasur në ndonjë qytet të perandorisë që të mos kishte mozaik».

Kopje të sakta të disa punimeve gjenden në vende që janë larg njëri-tjetrit. Ky fakt sugjeron se grupe artizanësh ose ndoshta librat me motive mozaikësh kanë udhëtuar nga një vend në tjetrin. Sipas dëshirës, pjesa qendrore, e cila punohej në punishte, mund të porositej që më përpara, të prodhohej, të transportohej në vendin e caktuar mbi një mbajtëse prej mermeri ose prej balte të pjekur dhe pastaj të montohej. Çdo punim tjetër për mozaikun bëhej në vend.

Duhej menduar mirë që figurat dhe bordurat të përshtateshin siç duhej me vendin ku do të ngjiteshin. Gjithashtu i kushtohej kujdes bazamentit dhe sipërfaqes së tij në mënyrë që ajo të ishte e lëmuar dhe e niveluar. Pastaj një shtresë e hollë me llaç të cilësisë së lartë (që quhej shtrati) shtrohej mbi një sipërfaqe të vogël, ndoshta më pak se një metër katror. Sipërfaqja ishte aq e vogël sa mund të punohej para se llaçi të thahej. Mbi sipërfaqe mund të vizatohej një skicë si orientim. Copëzat kubike priteshin në madhësinë e duhur dhe artizani fillonte t’i vendoste.

Copëzat kubike ngjiteshin një nga një mbi llaç, i cili ngjishej midis tyre. Pasi mbulohej një pjesë, shtrohej një shtrat tjetër në sipërfaqen ngjitur, pastaj një tjetër e kështu me radhë. Mjeshtrat e zotë punonin në pjesët më të ndërlikuara, ndërsa ndihmësit e tyre ngjitnin copëzat në pjesët më të thjeshta.

Mozaikët e të ashtuquajturit krishterim

Në shekullin e katërt të e.s., mozaikët filluan të përdoreshin edhe në kishat e të ashtuquajturit krishterim. Këta mozaikë, që shpesh paraqitnin tregime të Biblës, përdoreshin për të mësuar besimtarët. Flaka regëtuese e qirinjve reflektonte mbi copëzat kubike prej xhami me ngjyrë ari ose me ngjyra të tjera dhe krijonte një atmosferë mistike. Botimi Storia dell’arte italiana thotë: «Arti i mozaikut ishte në harmoni të plotë me ideologjinë e kohës, e cila ishte ndikuar shumë nga . . . neoplatonizmi. Në artin e mozaikut kryhej një proces nëpërmjet të cilit materiali transformohej nga një gjë e pajetë në diçka që përçonte karakterin shpirtëror, dritën dhe hapësirën.» * Çfarë ndryshimi rrënjësor nga forma e thjeshtë e adhurimit që mësoi themeluesi i krishterimit, Jezu Krishti!​—Gjoni 4:21-24.

Kishat bizantine kanë disa mozaikë mbresëlënës. Në disa vende adhurimi, mozaikët mbulojnë thuajse çdo pëllëmbë në muret e brendshme dhe në kube. Ato që janë përshkruar si «kryevepra të mozaikëve të krishterimit» mund t’i shohësh në Ravena të Italisë. Në këto punime mbizotëron sfondi i praruar, i cili paraqet dritën hyjnore dhe një misticizëm të padepërtueshëm.

Mozaikët vazhduan të përdoreshin kryesisht në kishat e Evropës Perëndimore gjatë gjithë mesjetës dhe u përdorën me mjeshtëri edhe në botën islame. Në Italinë e periudhës së Rilindjes punishtet që ishin të lidhura me katedralet e mëdha, si për shembull me atë të Shën Markut në Venecie dhe të Shën Pjetrit në Romë, u bënë qendra të prodhimit të mozaikëve. Rreth vitit 1775, artizanët e Romës mësuan t’i pritnin shiritat e qelqit të shkrirë, që kishin çdo lloj ngjyre të mundshme, e të krijonin copëza kubike shumë të vogla. Kjo mundësoi ndërtimin e mozaikëve që ishin një riprodhim në miniaturë i pikturave.

Metodat dhe përdorimi në kohët moderne

Ata që punojnë mozaikë në kohën tonë përdorin të ashtuquajturën metodë të tërthortë. Kur ndiqet kjo metodë në punishte, copëzat e mozaikut ngjiten përmbys në një letër ku ai është vizatuar në përmasat reale, duke lënë anën e kundërt të ekspozuar. Mozaiku çohet pjesë-pjesë në vendin ku do të ngjitet. Aty, ana e prapme e copëzave kubike ngjitet në shtrat. Kur llaçi thahet, letra dhe ngjitësja hiqen duke i larë dhe kështu zbulohet ana e sipërme e mozaikut. Kjo metodë kursen kohë dhe punë, por sipërfaqes së zbehtë i mungon shkëlqimi i punimeve të mesjetës.

Gjithsesi, bashki, teatro operash, kisha dhe shumë ndërtesa të tjera të ngjashme të shekullit të 19-të zbukuroheshin me anë të kësaj metode. Kjo metodë është përdorur shpesh edhe në muzeume, stacione metrosh, qendra tregtare, parqe e kopshte lojërash, që nga Meksiko e deri në Moskë dhe që nga Izraeli e deri në Japoni. Të sheshta e megjithatë me copëza shumëfaqëshe që puthiten, sipërfaqet me mozaikë janë konsideruar të shkëlqyera edhe për të zbukuruar fasadat e mëdha të ndërtesave moderne.

Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, artisti dhe historiani i artit, italiani Xhorxho Vazari shkruante: «Mozaiku është piktura më rezistente që ekziston. Pikturat e tjera veniten me kalimin e kohës, por mozaiku shkëlqen vazhdimisht ndër vite.» Po, mjeshtëria që pasqyrohet në shumë mozaikë na bën për vete. Mozaikët janë me të vërtetë piktura magjepsëse me gurë!

[Shënimi]

^ par. 18 Ndërmjet të tjerash, filozofitë neoplatonike, të cilat nuk bazoheshin te Bibla, mësonin pavdekësinë e shpirtit.

[Figura në faqen 16]

Hartë e Jerusalemit (shekulli i gjashtë i e.s.)

[Burimi]

Garo Nalbandian

[Figura në faqen 16]

Aleksandri i Madh (shekulli i dytë p.e.s.)

[Burimi]

Erich Lessing/Art Resource, NY

[Figurat në faqet 16, 17]

Kubeja e Shkëmbit, Jerusalem (ndërtuar në vitet 685-691 të e.s.)

[Figura në faqen 17]

«Dionisi», Antioki (rreth vitit 325 të e.s.)

[Burimi]

Muzeu i Arteve, Shkolla e Vizatimit në Roud Ajlend, marrë me shkëmbim nga Muzeu i Artit në Uorçester, fotografi nga Del Bogart

[Figura në faqen 18]

Copëzat kubike, xhamat me ngjyra dhe gurët e zallit përdoren ende në mozaikët e kohëve tona

[Figura në faqen 18]

Mozaik në Parkun Shtetëror Lynn Heritage Masaçusets

[Burimi]

Kindra Clineff/Index Stock Photography

[Figurat në faqen 18]

Mozaikë nga Antoni Gaudi në Barcelonë (1852-1926)

[Burimi]

Foto: Por cortesía de la Fundació Caixa Catalunya