Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mullinjtë me erë—Kujtim nga një epokë e shkuar

Mullinjtë me erë—Kujtim nga një epokë e shkuar

Mullinjtë me erë—Kujtim nga një epokë e shkuar

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË HOLANDË

S’ËSHTË çudi që mullinjtë me erë shihen shpesh në peizazhet e pikturave dhe të gravurave të Jakob van Roisdalit, Majndert Hobemës, Rembrant van Rijnit dhe mjeshtrave të tjerë holandezë të shekullit të 17-të. Në atë kohë në peizazhin e vendit mund të shihje afro 10.000 mullinj, të shpërndarë anekënd. Megjithatë, këto ndërtesa tërheqëse nuk shërbenin vetëm për të frymëzuar artistët. Që në fillim të shekullit të 15-të e deri në fund të shekullit të 19-të, ato bënin të njëjtën punë që bëjnë sot motorët dizel dhe motorët elektrikë. Siguronin energjinë e nevojshme për të pompuar ujë, për të bluar drithë, për të sharruar trungje dhe për të kryer shumë punë të tjera industriale. Por, ndryshe nga motorët e sotëm, mullinjtë me erë prodhonin energji pa shkaktuar ndotje.

Hapen velat

Kur e vizitoni sot Holandën, mund t’i admironi ende mullinjtë shekullorë, ndonëse numri i tyre ka rënë në rreth 1.000. A keni dëshirë të mësoni pak më shumë për ta? Ejani me ne ndërsa vizitojmë një mulli me erë 350-vjeçar, i cili qëndron buzë lumit piktoresk Fehte, në Holandën Qendrore.

Është një mëngjes i bukur pranveror. Jan van Berhajku, një mullis, na mikpret me nga një filxhan me kafe të nxehtë valë dhe na thotë se moti është i përsosur për të vënë në punë mullirin. Megjithatë, më parë duhet të kthehet çatia e mullirit përballë erës. Jani na shpjegon si bëhet kjo teksa shtyn me këmbë rrezet e një rrote druri, e cila është dy herë më e lartë se ai. Kjo rrotë është e lidhur me kësulën e mullirit, pra me çatinë e tij. Kur Jani rrotullon rrotën, çatia vërtitet deri sa të arrijë në pozicionin ku era e rreh më shumë secilën prej fletëve 13 metra të gjata. Pastaj rrota fiksohet me zinxhir në tokë, që të mos lëvizë. Më pas, Jani shpalos një velë prej pëlhure të fortë dhe e kap pas rrjetës së secilës fletë. Pasi vendos një zinxhir sigurie, lëshon frenin, velat shtyhen nga era dhe katër fletët dalëngadalë fillojnë të rrotullohen. Për njëfarë kohe ne vështrojmë të mahnitur fletët ndërsa vërtiten me zhurmë. Pastaj, Jani na fton të shohim mekanizmat brenda mullirit.

Një vështrim më nga afër

Ngjitemi në një shkallë të pjerrët dhe arrijmë te çatia e mullirit, ku shohim një aks horizontal ose të sipërm prej druri, i cili është lidhur me fletët. Me ndihmën e rrotave prej druri me dhëmbëza dhe kunja, ky aks vë në lëvizje boshtin vertikal kryesor. Aty pranë vërejmë të varur një copë sallo të bardhë. Jani na shpjegon se përdoret për të lyer kushinetat prej guri në të cilat rrotullohet aksi i drunjtë. Por, për të lyer dhëmbëzat prej dru lisi, ai përdor dyll blete. Këtu shikojmë edhe se si mund të ngadalësohet shpejtësia e fletëve rrotulluese. Përreth njërës nga rrotat ndodhet një varg me blloqe druri. Kur shtrëngohen, blloqet shërbejnë si frena; kur lirohen, ato largohen dhe i lënë fletët të rrotullohen.

Ndërsa zbresim me shumë kujdes nga shkalla e pjerrët, e shikojmë më nga afër boshtin kryesor, i cili kalon pikërisht mes për mes mullirit, nga maja deri në fund. Nuhasim aromën e drurit të vjetër dhe dëgjojmë gërvimën e ingranazheve që lëvizin. Në fund të boshtit kryesor ndodhet një tjetër strukturë me rrota druri, të cilat kanë dhëmbëza dhe kunja. Ky sistem rrotash vë në lëvizje një rrotë që transporton ujin. Ndalemi të shohim rrotën që rrotullohet dhe dëgjojmë zhurmën e ujit dhe të velave që vërtiten. Duket sikur jemi kthyer prapa në kohë. Jemi të mahnitur dhe e shijojmë këtë çast.

Jeta në mulli

Në disa mullinj, si për shembull në mullinjtë e drithit, nuk kishte vend për të banuar. Të gjithë hapësirën e zinin pjesët mekanike të mullirit. Zakonisht mullisi dhe familja e tij banonin pranë mullirit. Mirëpo, një mulli si ky që po vizitojmë mund të shërbente edhe si shtëpi.

Sot të jetosh në një mulli mund të duket e rehatshme, por në të kaluarën nuk ishte aspak kështu. Kati përdhes shërbente si dhomë ndenjeje dhe dhomë gjumi. Atje kishte një krevat druri dopio, një kthinë për të gatuar dhe një depo të vogël. Deri në mesin e shekullit të 20-të, jashtë mullirit kishte një banjë të vogël, e cila ndodhej mbi një kanal. Jani shpjegon se mullisët që kishin një familje të madhe, disa me më shumë se dhjetë fëmijë, duhet të sajonin ngado vende për të fjetur. Ndonjëherë fëmija më i vogël flinte poshtë krevatit të prindërve, kurse fëmijët e tjerë flinin ose në dhomën e ndenjes të katit të dytë, ose në katin e tretë, pikërisht nën rrotat e dhëmbëzuara që bënin zhurmë pa pushim.

Disa mullinj shërbenin si pompa për të tharë pellgjet me ujë të ndenjur, pra pjesë toke që dikur mund të kishin qenë shtrati i një liqeni ose i një deti. Mulliri duhej të punonte ditë e natë. Meqë ishte në fushë të hapur, atë e rrihte era shumë, dhe si pasojë brenda bënte korrent dhe ftohtë. Po t’i shtosh kësaj edhe rreziqet e tufaneve e të shtrëngatave me vetëtima, kuptohet se ata që banonin në mulli bënin një jetë të vështirë. Sot në Holandë ka rreth 150 mullinj me erë ku ende banojnë njerëz, zakonisht mullisë të kualifikuar.

Mullinj me shumë përdorime

Ndërsa mulliri me erë mbledh ujin, ne dalim jashtë dhe ulemi në një stol. Jani na tregon për përdorimet e ndryshme të mullinjve me erë: mullinjtë e drithit përdoreshin për të bluar drithë, mullinjtë e parcelave për të pompuar ujin në një lumë ose rezervuar, mullinjtë e vajit për të nxjerrë vaj nga farërat, mullinjtë e letrës për të prodhuar letër, mullinjtë për sharrim për të prerë trungjet, e kështu me radhë. Gjithashtu, ai na tregon se mulliri i parë me erë për bonifikimin e tokave u ndërtua në fillim të shekullit të 15-të. Më vonë këta mullinj u përdorën për të tharë disa liqene, si liqenin e Skermerit, Bemsterit dhe Vormerit, të cilat ndodhen pranë Amsterdamit.

Sot qindra mijë holandezë jetojnë dhe punojnë në një tokë që më parë ishte shtrati i këtyre liqeneve dhe i liqeneve të tjera. Në fakt aeroporti kryesor i Holandës, i cili ndodhet afër Amsterdamit, është ndërtuar në vendin ku më parë ishte një liqen. Udhëtarët që lëvizin nëpër aeroport ecin 4 metra nën nivelin e detit. Por, s’ka pse të merakoseni se mos udhëtimi me avion kthehet në një lundrim në det. Stacionet e pompimit, të cilët punojnë me motorë dizel ose elektrikë (pasuesit e mullinjve me erë), punojnë orë e çast që ju të ecni në tokë të thatë.

Mullinj që flasin?!

Ndërsa fletët vërtiten pranë nesh, Jani na pyet nëse kemi dëgjuar për mullinjtë që flasin. «Mullinj që flasin?! Jo!»,​—ia kthejmë ne. Ai na shpjegon se në peizazhin e rrafshët holandez, shpesh mullinjtë mund të shiheshin kilometra të tëra larg. Kjo bënte të mundur që mullisi t’u jepte ndonjë mesazh fqinjëve të largët, duke i vendosur fletët në mënyra të caktuara. Për shembull, kur mullisi bënte një pushim të shkurtër, fletët vendoseshin horizontalisht dhe vertikalisht (A). Fletët në pozicion diagonal sinjalizonin se nuk po punonte (B). Ky pozicion zgjidhej edhe gjatë motit të keq me qëllim që fletët të rrinin sa më poshtë që ishte e mundur, duke e pakësuar kështu rrezikun e goditjes nga rrufetë. Kur e ndalte fletën që po ngrihej përpara se të arrinte në pikën më të lartë, mullisi shprehte kënaqësi dhe shpresë (C ). Hidhërimi dhe brenga shpreheshin duke e ndaluar fletën që zbriste sapo ajo të kishte kaluar pikën më të lartë (Ç).

Gjithashtu, kishte edhe shumë zakone vendëse. Në veri të Amsterdamit ndonjëherë mullinjtë zbukuroheshin në raste gëzimesh, si për shembull për dasma. Atëherë fletët vendoseshin në mënyrë diagonale, njësoj si në rastin kur nuk punohej, dhe midis tyre vareshin zbukurime dhe stoli. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vendi u pushtua nga ushtria gjermane, njerëzit i përdornin pozicionet e fletëve për t’i paralajmëruar ata që ishin fshehur se së shpejti ushtria do të bënte një bastisje. Gjithë këto gjëra dhe faktet e tjera tërheqëse që dëgjuam rreth mullinjve e bënë vizitën tonë me mullisin Jan një përvojë të paharrueshme.

Disa vjet më parë përpjekjet për të ruajtur mullinjtë me erë u bënë të njohura kur Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën i futi në Listën e Trashëgimisë Botërore një grup prej 19 mullinjsh. Ata ndodhen në Kinderdajk, pranë qytetit-port të Roterdamit. Për pasojë, ata që dikur ishin thjesht punishte të zakonshme, tani janë kthyer në monumente kulture. Për më tepër, një numër i madh vullnetarësh të përkushtuar i mirëmbajnë dhe i mbrojnë mullinjtë anembanë vendit. Falë përpjekjeve të tyre, sot turistë nga e gjithë bota mund të kundrojnë ende disa nga po ata mullinj me erë, të cilët frymëzuan piktorë të famshëm të së kaluarës.

[Kutia dhe figurat në faqen 23]

Ndalimi i eksportimit të mullinjve

Rreth 300 vjet më parë, kishte mjaft kërkesa për teknologjinë e mullinjve me erë. Holanda eksportonte me shumicë pjesë mullinjsh. Përveç kësaj, të huajt kërkonin me kujdes në të gjithë vendin ndërtues mullinjsh, duke i joshur që të punonin jashtë vendit. Shumë shpejt teknologjia holandeze e mullinjve me erë përdorej në vendet balltike, në Angli, Francë, Gjermani, Irlandë, Portugali dhe Spanjë. Në të vërtetë, aty nga mesi i shekullit të 18-të shfrytëzimi i teknologjisë së mullinjve ishte në gjendje aq kritike, saqë qeveria holandeze vendosi të ndërhynte. Në shkurt të vitit 1752 autoritetet ndaluan eksportimin e mullinjve me erë. Që atëherë, sipas historianit holandez Karel Davids, asnjeri nuk lejohej të ndihmonte një të huaj për të blerë, për të ndërtuar ose për të transportuar «çfarëdo pjese të një mulliri holandez» ose «të eksportonte çfarëdo vegle që mund të përdorej për t’i ndërtuar». Kush tha se pengesat tregtare dhe spiunazhi industrial janë dukuri të ditëve tona?!

[Figurat]

Poshtë: Jani e kthen çatinë e mullirit përballë erës; kunja druri dhe rrota me dhëmbëza; dhoma e ndenjes

[Burimi]

Të gjitha fotografitë: Stichting De Utrechtse Molens

[Diagrami dhe figurat në faqen 22]

(Shiko botimin)

A

B

C

Ç

[Burimi i figurës në faqen 21]

De Saen, tablo nga Peter Sterkenburg, 1850: Kooijman Souvenirs & Gifts (Zaanse Schans Holland)