Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Rreziqet kur bëni shumë punë njëkohësisht

Nëse përpiqeni të bëni shumë punë njëkohësisht, «në të vërtetë mund të jeni më pak të efektshëm, madje edhe të bëni veprime pa mend,​—shkruan The Wall Street Journal.​—Kur përpiqeni të bëni dy a tri gjëra njëkohësisht ose shpejt e shpejt njëra pas tjetrës, kjo mund t’ju hajë më shumë kohë në tërësi sesa po t’i bëni me radhë. Gjithashtu, kur bëni disa punë njëkohësisht, mund të keni më pak energji mendore për të kryer secilën punë». Disa shenja paralajmëruese janë: humbja e kujtesës afatshkurtër (si për shembull të harrosh atë që sapo bëre ose the), probleme me vëmendjen, humbje e aftësisë për t’u përqendruar, shfaqje të simptomave të stresit (si për shembull frymëmarrje e shpejtë) dhe vështirësi për të komunikuar me të tjerët. Jeni edhe më pak të efektshëm kur ju duhet të përdorni të njëjtat pjesë të trurit për të kryer detyra të ndryshme, si për shembull të flitni në telefon dhe në të njëjtën kohë të dëgjoni fëmijën që ju thërret nga dhoma tjetër. Është veçanërisht e rrezikshme të ngasësh makinën ndërkohë që bën edhe punë të tjera. Veprime të tilla, si: të hash ose të pish, të zgjatesh për të kapur ndonjë gjë, të jepesh shumë pas muhabetit me një pasagjer ose me ndonjë në telefon, të bësh tualet, ose madje thjesht të merresh pak me radion ose me ndonjë aparat tjetër, mund të të shpërqendrojnë për një çast, dhe si pasojë mund të bësh ndonjë aksident.

Kurrë mos e tundni fort një bebe!

Kur e tundim fort një bebe, lëvizja e menjëhershme «mund të shkaktojë hemorragji në kokë dhe rritje të tensionit në tru, duke shkaktuar kështu të çara në të»,​—thuhet në gazetën Toronto Star. Meqenëse muskujt e bebes janë ende të pazhvilluara plotësisht dhe indet e trurit janë veçanërisht delikate, «nëse një bebe tundet fort, qoftë edhe për disa sekonda, kjo mund t’i sjellë një dëmtim që do ta vuajë për gjithë jetën. Dëmtimet mund të përfshijnë: ënjtje, dëmtim dhe paralizë të trurit, zhvillim të vonuar mendor, ngadalësi në zhvillim, verbëri, humbje të dëgjimit, paralizë dhe vdekje.» Dr. Xheims Kingu, pediatër në Spitalin e Fëmijëve në Ontarion Lindor, ka bërë kërkime në lidhje me pasojat që vijnë kur bebet tunden fort. Ai thotë se është e nevojshme që publiku i gjerë të informohet rreth kësaj, pasi në shumë raste dëmtimet nuk vihen re qartë dhe bebja mund të diagnostikohet sikur ka grip ose ndonjë sëmundje virale. «Ky fakt, pra që një bebe asnjëherë nuk duhet tundur fort, duhet të bëhet i njohur e të thuhet mjaft qartë,​—thotë dr. Kingu.​—Prindërit e rinj duhet ta dinë këtë.»

Nuk u intereson feja

«Japonezët, siç duket, nuk po i drejtohen fesë për zgjidhjen e problemeve të tyre ndërsa përpiqen shumë për të përballuar kushtet e sotme të mjerueshme»,​—thotë gazeta IHT Asahi Shimbun. Në përgjigje të pyetjes «A besoni ose a ju intereson ndopak feja a ndonjë lloj besimi?», vetëm 13 për qind e burrave dhe e grave thanë po. Nëntë për qind e burrave dhe 10 për qind e grave thanë se ishin «disi» të interesuar. «Veçanërisht për t’u përmendur është interesimi i paktë midis vajzave në të njëzetat; të interesuarat janë vetëm 6 për qind»,​—shton gazeta. Një anketë e përvitshme zbuloi që në Japoni 77 për qind e burrave dhe 76 për qind e grave thonë se nuk u intereson fare feja ose ndonjë lloj besimi. Në krahasim me një anketë të ngjashme me këtë, të bërë në vitin 1978, interesi për fenë në Japoni ka rënë gati 50 për qind. Në përgjithësi ishin të moshuarit që thanë se kishin njëfarë interesi, veçanërisht ata mbi 60 vjeç.

Depresioni lidhet me sëmundje të tjera

«Organizata Botërore e Shëndetësisë parashikon se në shkallë botërore brenda vitit 2020 depresioni do të ketë zënë vendin e dytë pas sëmundjes së zemrës, si shkaku kryesor i paaftësive fizike»,​—thotë U.S.News & World Report. Gjithnjë e më shumë, ky problem serioz për shëndetin publik, nuk po shihet si një sëmundje «vetëm psikologjike». Sipas Filip Goldit, shef i neuroendokrinologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetit Mendor, «depresioni, i cili kap organizmin në tërësi, është në të vërtetë e vetmja sëmundje që lë pasoja, si dhe sjell ndërlikime pothuajse në të gjitha sëmundjet e tjera». Depresioni mund të nxitë edhe çrregullime të tilla si sëmundjet e zemrës dhe diabetin. Për shembull, kërkimet tregojnë se njerëzit me depresion «kanë një zemër më pak elastike, më pak të aftë për t’iu përgjigjur kërkesave të ndryshme të trupit për oksigjen dhe gjak»,​—thekson artikulli. Përveç kësaj, «truri i një njeriu me depresion dërgon sinjale që ka nevojë për më shumë energji, kërkesë që mund të nxitë prodhimin e kortizolit, duke ngritur kështu nivelin e sheqerit në gjak». Është zbuluar që depresioni lidhet dhe me osteoporozën e me kancerin. Po bëhen studime për të parë a mund të ndikojë për mirë te këto sëmundje kurimi i depresionit.

Martesa dhe zemra

«Kërkimet kanë zbuluar që cilësia e martesës së një pacienti mund të ndihmojë të parashikohet se sa do ta marrë veten ky pacient nga një operacion zemre»,​—thotë The Daily Telegraph e Londrës. Dr. Xheims Koini, nga Universiteti i Pensilvanisë, SHBA, thotë se kur pacienti ka një martesë të lumtur, kjo mund ta nxitë që të përpiqet me gjithë fuqinë për t’u shëruar, ndërsa «një martesë jo e lumtur mund të ndikojë shumë më keq te pacienti sesa po të mos jetë i martuar». Dr. Koini dhe ekipi i tij, xhiruan debatet që bënin çiftet në shtëpi. Ata zbuluan se pacientët që vuanin nga zemra e që nuk shkonin mirë me bashkëshortët e tyre kishin një mundësi gati dy herë më të madhe të vdisnin brenda katër vjetëve, në krahasim me ata që shkonin më mirë. Dr. Linda Ueiti, pedagoge sociologjie në Universitetin e Çikagos, nxjerr përfundimin që një martesë e mirë mund të vendoset «pikërisht në të njëjtën kategori me një mënyrë të ushqyeri të shëndetshme, bërjen e ushtrimeve fizike dhe mospirjen e duhanit».

Rrezikohet të zhduket «druri i violinës»

«Për të bërë harqe violine të një cilësie të lartë, nevojitet një lloj i veçantë druri, por ky lloj druri po pakësohet»,​—vëren revista shkencore gjermane natur & kosmos. Pema, druri i së cilës përdoret në këtë rast, është Caesalpinia echinata ose ashkëkuqja, që e quajnë edhe druri i Pernambukos ose pau brasil. Habitati i saj natyror është pylli bregdetar i Brazilit, por ky pyll sa vjen e bëhet më i vogël, pasi toka po përdoret për qëllime bujqësore e pemët po priten. Tani pemët mbulojnë vetëm 4 për qind të sipërfaqes fillestare dhe janë në listën e llojeve të rrezikuara për zhdukje. Përveç kësaj, vetëm pemët 20-vjeçare e më shumë kanë palcë të verdhë ose të kuqe në kafe, e cila është e përshtatshme për të bërë harqe violine. Sipas mjeshtrit të punimit të harqeve, Tomas Gerbetit, nuk ka asnjë zëvendësues të denjë, sepse «materiali sintetik nuk ka arritur ende këtë nivel cilësie kaq të lartë»,​—thuhet në artikull. Tani si bërësit e harqeve, ashtu dhe muzikantët po nxitin ruajtjen e «drurit të violinës».

Një e keqe e lashtë që s’është zhdukur ende

«Sipas shifrave të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, gjatë vitit 2002 janë hasur më shumë se 700.000 raste të tjera me lebër në mbarë botën»,​—raporton gazeta spanjolle El País. Që nga kohët biblike lebra ka qenë një sëmundje që të fuste frikën. Lloji i lebrës që shfaqet në kohët tona mund të kurohet. Në të vërtetë, afro 12 milionë veta janë shëruar nga lebra gjatë 20 viteve të fundit. Sidoqoftë, «nuk mund të themi ende që lebra është vetëm një gjë e së kaluarës»,​—pohon studiuesja Xhenet Ferëlli. Autoritetet në fushën e shëndetësisë nuk ia kanë dalë mbanë ta eliminojnë sëmundjen dhe vazhdimisht shfaqen raste të reja me lebër. Vendet kryesore ende të prekura nga lebra janë: Brazili, India, Madagaskari, Mjanmari, Mozambiku dhe Nepali. Me arritjet e fundit në deshifrimin e gjenomit të njeriut, shkencëtarët shpresojnë të gjejnë vaksinën e duhur.

«Çekuilibër alarmues i gjinive» në Kinë

«Sipas regjistrimit të pestë kombëtar të popullsisë në Kinë, raporti i lindjeve [mashkull/ femër] tani është 116,9 me 100 në favor të foshnjave meshkuj, në krahasim me raportin 113,8 me 100 në vitin 1990,​—thotë revista China Today.​—Në të dyja këto raste shifrat janë shumë të larta, në krahasim me normën ndërkombëtare 105 me 100 dhe tregojnë një keqësim edhe më të madh të çekuilibrit tashmë alarmues të gjinive në Kinë.» Parashikohet se në të ardhmen rreth 50 milionë burra kinezë nuk do të mund të gjejnë bashkëshorte kur të arrijnë moshën që mund të martohen. Artikulli shton: «Zheng Zizheni, drejtor në Institutin e Sociologjisë dhe Demografisë të provincës së Guangdongut, thuhet se është shprehur që kjo situatë jonormale kaq e zgjatur në raportin e gjinive të foshnjave që lindin do të ketë ndikim negativ te përbërja e popullsisë, shoqëria dhe normat morale në Kinë.»