Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Stilet alternative të jetesës: A i miraton Perëndia?

Stilet alternative të jetesës: A i miraton Perëndia?

Pikëpamja e Biblës

Stilet alternative të jetesës: A i miraton Perëndia?

«KUR do ta kuptoj prirjen time seksuale?» Një vajzë 13-vjeçare i drejtoi këtë pyetje një botimi me këshilla për adoleshentët. Pyetja e saj pasqyron qëndrimin e shumë vetave që mendojnë se njerëzit janë të lirë të ndjekin çfarëdo stili që dëshirojnë në jetën seksuale.

Ndoshta disa njerëz luftojnë sinqerisht me pështjellimin që ndiejnë për ndjenjat e tyre seksuale. Të tjerë përqafojnë hapur stilet alternative të jetesës, siç është homoseksualizmi. Disa të tjerë nuk e kanë për turp të sillen e të vishen si personat e seksit tjetër. Madje disa u nënshtrohen operacioneve për ndryshimin e seksit. Por ka edhe nga ata që thonë se të rriturit duhen lejuar të kenë marrëdhënie seksuale me fëmijët.

A janë vërtet sjellja seksuale dhe gjinia çështje që i përkasin zgjedhjes personale? Çfarë thotë Fjala e Perëndisë për këto çështje?

«Ai krijoi mashkullin e femrën»

Sipas librit biblik të Zanafillës, vetë Perëndia i krijoi ndryshimet midis meshkujve dhe femrave. Shkrimi thotë: «Perëndia krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet . . . Ai krijoi mashkullin e femrën. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: ‘Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë’.»​—Zanafilla 1:27, 28.

Perëndia i krijoi njerëzit me vullnet të lirë dhe u dha mundësi ta gëzonin lirinë e tyre. (Psalmi 115:16) Njeriut iu besua përgjegjësia për t’u kujdesur për të gjitha qeniet e gjalla mbi tokë. Ai madje ishte i lirë t’u vinte atyre emra të përshtatshëm. (Zanafilla 2:19) Kurse për çështjet seksuale, Perëndia dha udhëzime të posaçme.​—Zanafilla 2:24.

Për shkak të mosbindjes së Adamit, të gjithë ne kemi trashëguar papërsosmërinë. Prandaj duhet të luftojmë me dobësitë e mishit dhe me dëshirat e forta që nuk janë në përputhje me qëllimin fillestar të Perëndisë. Për këtë arsye, në ligjet që dha nëpërmjet Moisiut, Perëndia tregoi në mënyrë specifike se cilat marrëdhënie seksuale ishin të neveritshme për të, pra, kurorëshkelja, incesti, homoseksualizmi dhe marrëdhëniet seksuale me kafshët. (Levitiku 18:6-23) Gjithashtu, Perëndia ndaloi shprehimisht që dikush, për qëllime imorale, të dukej si një person i seksit tjetër. (Ligji i përtërirë 22:5) Bibla vazhdimisht mëson se marrëdhëniet e vetme seksuale që miratohen nga Perëndia janë ato me një njeri të seksit tjetër dhe brenda martesës. (Zanafilla 20:1-5, 14; 39:7-9; Fjalët e urta 5:15-19; Hebrenjve 13:4) A janë të arsyeshme norma të tilla?

Kush vendos?

Bibla e krahason pozitën e njeriut para Krijuesit të tij me atë të argjilës në duart e poçarit. Në të thuhet: «Kush je në të vërtetë ti, o njeri, që t’i kthesh fjalë Perëndisë? A do t’i thotë gjëja e modeluar atij që e modeloi: ‘Përse më bëre kështu?’» (Romakëve 9:20) Nga mënyra se si Perëndia i bëri burrat dhe gratë, duket qartë se është e natyrshme që ata të ndihen të tërhequr seksualisht ndaj njëri-tjetrit. Prandaj, tërheqja seksuale ndaj një individi të të njëjtit seks, ndaj një kafshe ose një fëmije është kundër natyrës.​—Romakëve 1:26, 27, 32.

Për këtë arsye, njerëzit që ndjekin prirje seksuale të tilla të panatyrshme janë në armiqësi me Perëndinë. Bibla jep këtë paralajmërim: «Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: ‘Ç’po bën?’»(Isaia 45:9) Sigurisht që është e arsyeshme që Bërësi i njerëzve t’u japë atyre drejtim për çështjet seksuale. A nuk është po ashtu e arsyeshme që njerëzit ta ndjekin këtë drejtim?

Ta zotërojë enën e vet

Shkrimtari i Biblës, Pavli, përdori një ilustrim të ngjashëm kur u dha udhëzime të krishterëve për sjelljen seksuale. Ai tha: «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore.» (1 Selanikasve 4:4, 5) Pavli e krahason trupin e njeriut me një enë. Ta zotërosh këtë enë do të thotë që t’i vësh mendimet dhe dëshirat në përputhje me ligjet morale të Perëndisë.

Pa dyshim, kjo mund të mos jetë e lehtë. Kuptohet që mund të jetë e vështirë për atë që ka pësuar abuzime seksuale në fëmijëri. Gjithashtu mund të jetë e vështirë për dikë, prindërit ose kujdestarët e të cilit i kanë dhënë një shembull të shtrembëruar të të qenët mashkull ose femër, ose për dikë që ka parë materiale pornografike në moshë të njomë. Në krijimin e prirjeve seksuale të shtrembëruara mund të luajnë rol edhe faktorët gjenetikë, hormonalë dhe psikologjikë. Megjithatë është ngushëlluese të mësojmë se Krijuesi ynë mund t’u japë ndihmë dhe mbështetje atyre që kanë nevojë.​—Psalmi 33:20; Hebrenjve 4:16.

Lini Poçarin e madh t’ju modelojë

Një copë argjile duhet të vendoset në qendrën e çarkut të poçarit para se ai të fillojë ta modelojë dhe t’i japë formë. Pastaj, kur çarku rrotullohet, me mjeshtëri poçari ushtron një forcë të lehtë me gishtërinj për ta punuar argjilën e për t’i dhënë asaj një formë të dëshirueshme. Para se të mund të modelohemi për t’u bërë persona të dëshirueshëm në sytë e Perëndisë, kemi nevojë ta përqendrojmë jetën tonë te parimet dhe ligjet e pandryshueshme të Perëndisë. Kur ne fillojmë të përpiqemi, Perëndia me dashuri ushtron mbi ne një forcë të lehtë me anë të Biblës, frymës së tij të shenjtë dhe vëllazërisë së krishterë. Atëherë një njeri fillon të ndiejë dhe të provojë në jetën e tij kujdesin e vetë Perëndisë.

Sigurisht, duhet të zhvillojmë besim në mençurinë e Perëndisë duke besuar se ai e di çfarë është më e mira për ne. Ky besim zhvillohet me anë të lutjes dhe të studimit të zellshëm të Biblës. Një njeri që e sheh me këtë sy çështjen e ndjenjave seksuale të papërshtatshme bëhet i modelueshëm në duart e Krijuesit. Në letrën e parë të Pjetrit 1 Pj 5:6, 7 thuhet: «Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur; ndërsa hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të, sepse ai interesohet për ju.»

Leximi i rregullt i Biblës na njeh me një radhë të gjatë shërbëtorësh besnikë të Perëndisë, të cilët luftuan me dëshirat e mishit, por kurrë nuk u dorëzuan. Sa inkurajues janë këta shembuj! Mund të kuptojmë se sa i zemëruar ishte me veten apostulli Pavël kur thirri: «Ç’njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga trupi që i nënshtrohet kësaj vdekjeje?» Megjithatë, ai gjithashtu na drejtoi drejt burimit kryesor për ndihmë kur iu përgjigj po vetë pyetjes që bëri: «Faleminderit Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotërisë tonë!»​—Romakëve 7:24, 25.

Një forcë për të ndryshuar

Ne mund të përfitojmë edhe nga fryma e shenjtë e Perëndisë. Kjo është një forcë e fuqishme për të ndryshuar. Fryma e shenjtë na ndihmon ‘të flakim personalitetin e vjetër’ dhe ‘të veshim personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’. (Efesianëve 4:22-24) Ati ynë i dashur qiellor nuk na lë kurrë pa përgjigje kur i lutemi sinqerisht që të na japë frymën e shenjtë për të na ndihmuar të bëjmë këtë ndryshim. Jezui na siguron se Ati «do t’u japë frymë të shenjtë atyre që ia kërkojnë». (Luka 11:13) Megjithatë është e nevojshme këmbëngulja në lutje, siç tregohet në fjalët e tij: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.» (Mateu 7:7) Kjo është e nevojshme sidomos kur përpiqemi t’i mbajmë nën kontroll dëshirat e forta seksuale.

Perëndia na ndihmon edhe nëpërmjet vëllazërisë së të krishterëve të vërtetë. Ajo përbëhet nga njerëz që vijnë nga të gjitha shtresat shoqërore dhe kanë bërë jetë të ndryshme në të kaluarën. Disa të krishterë të shekullit të parë në kongregacionin e Korintit, dikur kishin qenë nga ata ‘burra që mbaheshin për qëllime të panatyrshme’ dhe nga ata ‘burra që shkonin me burra’. Megjithatë, ata ndryshuan. Gjaku i Krishtit i pastroi dhe ata u bënë të pranueshëm në sytë e Perëndisë. (1 Korintasve 6:9-11) Sot disa njerëz kanë nevojë të bëjnë ndryshime të ngjashme. Dhe këta mund të gjejnë mbështetje te kongregacioni i krishterë në betejën kundër dëshirave të gabuara.

A do të thotë kjo se mjafton që dikush të bëhet i krishterë dhe automatikisht nuk do të provojë më asnjë dëshirë kundër natyrës ose nuk do të ndiejë pështjellim lidhur me gjininë? Jo medoemos. Zbatimi i vazhdueshëm i parimeve të Biblës u ka dhënë mundësi disa njerëzve që të bëjnë një jetë normale. Megjithatë, shpesh këtyre të krishterëve iu është dashur të luftojnë çdo ditë kundër dëshirave të gabuara. Duke bërë kështu, këta njerëz i shërbejnë Perëndisë, ndonëse në kuptimin e figurshëm kanë një «gjemb në mish». (2 Korintasve 2:7) Për sa kohë që ata të vazhdojnë betejën me prirjet e gabuara dhe të mbajnë një sjellje të drejtë, Perëndia i sheh si shërbëtorë besnikë dhe janë të pastër në sytë e tij. Ata mund të presin me padurim kohën kur i gjithë njerëzimi «do të lirohet nga skllavëria e prishjes dhe do të ketë lirinë e lavdishme të fëmijëve të Perëndisë».​—Romakëve 8:21.

Ndërkohë, të gjithë ata që dëshirojnë t’i pëlqejnë Perëndisë duhet të ndjekin normat e tij të drejta. Të krishterët e vërtetë vendosin që t’i shërbejnë Perëndisë, dhe jo të ndjekin prirjet e tyre egoiste. Ata që i nënshtrohen me përulësi vullnetit të Perëndisë në të gjitha fushat e jetës do të marrin si shpërblim gëzim dhe lumturi të përhershme.​—Psalmi 128:1; Gjoni 17:3.

[Diçitura në faqen 13]

Për çështjet seksuale, Perëndia dha udhëzime të posaçme

[Diçitura në faqen 14]

Disa të krishterë të shekullit të parë në kongregacionin e Korintit, dikur kishin qenë nga ata ‘burra që mbaheshin për qëllime të panatyrshme’ dhe nga ata ‘burra që shkonin me burra’. Megjithatë, ata ndryshuan

[Figura në faqen 15]

Studimi i Biblës të ndihmon të kultivosh norma të larta morale