Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur mikrobet të mos dëmtojnë më askënd

Kur mikrobet të mos dëmtojnë më askënd

Kur mikrobet të mos dëmtojnë më askënd

MIKROBET, pra mikroorganizmat janë të domosdoshëm për jetën. Ata përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të dheut dhe të vetë trupit tonë. Siç thekson kutia «Lloje mikrobesh», në faqen 7, «në trupin tonë banojnë me triliona baktere». Shumica e tyre janë të dobishme, madje jetësore për shëndetin. Ndonëse vetëm një numër relativisht i vogël mikrobesh shkaktojnë sëmundje, mund të jemi të sigurt se përfundimisht asnjë mikrob nuk do të dëmtojë njerëzit.

Para se të shqyrtojmë mjetet, me anë të të cilave do të zhduken të gjitha pasojat e dëmshme të mikrobeve, le të shohim përpjekjet e tanishme për të luftuar mikrobet që shkaktojnë sëmundje. Përveç kutisë shoqëruese «Çfarë mund të bëni?», vëreni edhe përpjekjet e profesionistëve në fushën e shëndetësisë për të luftuar mikrobet rezistente.

Strategji botërore

Dr. Gro Harlem Bruntlandi, ish-drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), foli për përpjekjet që po bëhen. Në pjesën me titull «Të mposhtim rezistencën ndaj antimikrobikëve», në Report on Infectious Diseases 2000 (Raporti i sëmundjeve ngjitëse për vitin 2000), ajo theksoi nevojën për të zhvilluar «një strategji botërore për të frenuar rezistencën» e mikrobeve. Foli edhe për krijimin e «lidhjeve ku të përfshihen të gjithë punonjësit e shëndetësisë». Ajo theksoi: «Ne kemi rastin të nisim një përpjekje masive kundër sëmundjeve ngjitëse.»

Më 2001, OBSH-ja propozoi një «Strategji Botërore për Frenimin e Rezistencës ndaj Antimikrobikëve». Ky dokument paraqiste një plan të përgatitur për punonjësit e shëndetësisë dhe për njerëzit në përgjithësi në lidhje me atë se «çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë». Strategjia përfshinte edukimin e njerëzve, duke u mësuar se si të mbrohen nga sëmundjet dhe jepte udhëzime për përdorimin e antibiotikëve dhe antimikrobikëve të tjerë në rast infeksioni.

Përveç kësaj, punonjësit e shëndetësisë—mjekët dhe infermierët, si edhe të tjerë që punojnë në spitale dhe azile—u nxitën të merrnin masa më të efektshme për të parandaluar përhapjen e infeksioneve. Mjerisht, studimet kanë treguar se shumë profesionistë të shëndetësisë ende nuk i kushtojnë kujdes larjes së duarve ose ndërrimit të dorezave kur kalojnë nga njëri pacient te tjetri.

Gjithashtu, anketat kanë treguar se mjekët japin antibiotikë kur nuk duhet. Njëra nga arsyet është se njerëzit këmbëngulin që mjeku t’u japë antibiotikë për t’u shëruar shpejt. Kështu mjekët ua plotësojnë kërkesën thjesht që t’u bëjnë qejfin pacientëve. Shpesh mjekët as nuk lënë kohë për t’i mësuar pacientët e as nuk kanë në dizpozicion mjetet për të përcaktuar mikrobin që ka shkaktuar infeksionin. Përveç kësaj, ata mund të japin receta me antibiotikë më të rinj, por më të shtrenjtë e me një veprim të gjerë. Edhe ky është një faktor për problemin e rezistencës së mikrobeve ndaj ilaçeve.

Strategjia Botërore e OBSH-së u drejtohej edhe spitaleve, sistemeve kombëtare shëndetësore, prodhuesve të ushqimeve, shoqërive farmaceutike dhe ligjvënësve. Raporti nxit bashkëpunimin midis tyre, me qëllim që të luftojnë kërcënimin botëror të mikrobeve rezistente ndaj ilaçeve. Por a do të japë rezultat një program i tillë?

Pengesa për suksesin

Strategjia Botërore e OBSH-së përmendi një pengesë kryesore për zgjidhjen e problemeve të shëndetit. Kjo pengesë është paraja—dëshira për të përfituar. Bibla thotë se dashuria për para është përgjegjëse për «çdo lloj gjëje të dëmshme». (1 Timoteut 6:9, 10) OBSH-ja thekson: «Duhen peshuar mirë edhe marrëdhëniet me industrinë farmaceutike. Kjo përfshin kufizimin e takimeve mes atyre që i tregtojnë ilaçet dhe personelit të klinikës, si edhe kontrollin e programeve edukative për punonjësit e shëndetësisë, të sponsorizuara nga industria farmaceutike.»

Shoqëritë e prodhimit të ilaçeve ua rekomandojnë me ngulm mjekëve produktet e tyre. Sot, nëpërmjet reklamave në televizion, ato e bëjnë këtë drejtpërdrejt me publikun. Është e qartë që edhe kjo gjë ka çuar në përdorimin e tepërt të ilaçeve dhe ky ka qenë një ndër faktorët kryesorë në shtimin e mikrobeve rezistente ndaj ilaçeve.

Në kapitullin për përdorimin e antimikrobikëve te kafshët që mbahen për ushqim, Strategjia Botërore e OBSH-së thotë: «Veterinerët në disa vende fitojnë gati 40% të të ardhurave ose më shumë nga shitja e ilaçeve, prandaj ka një mungesë gatishmërie për të kufizuar përdorimin e antimikrobikëve.» Siç është dokumentuar qartë, mikrobet rezistente janë shfaqur e janë shumuar për shkak të përdorimit të tepërt të antibiotikëve.

Ç’është e vërteta, sasia e antibiotikëve që prodhohen është marramendëse. Vetëm në Shtetet e Bashkuara çdo vit prodhohen afro 20 milionë kilogramë antibiotikë. Nga gjithë prodhimi në shkallë botërore gati gjysma përdoret për njerëzit. Pjesa tjetër ose përdoret për të mbjellat, ose në ushqimin e kafshëve. Përdoren edhe te kafshët që mbahen për ushqim, duke i përzier me ushqimin, për t’u përshpejtuar rritjen.

Roli i qeverive

Janë domethënëse fjalët që thuhen në Përmbledhjen për Zbatimin e Strategjisë Botërore të OBSH-së: «Një pjesë e madhe e përgjegjësisë për zbatimin e strategjisë do t’u bjerë vetë shteteve. Qeveritë duhet të luajnë një rol vendimtar.»

Duhet pranuar se disa qeveri kanë krijuar programe për të frenuar rezistencën ndaj antimikrobikëve, duke vënë theksin te bashkëpunimi brenda dhe jashtë kufijve të tyre shtetërorë. Këto programe përfshijnë: një regjistrim më të mirë të përdorimit të antimikrobikëve dhe të mikrobeve rezistente, përmirësimin e kontrollimit të infeksioneve, përdorimin e duhur të antimikrobikëve në shëndetësi dhe në bujqësi, kërkime për të kuptuar rezistencën ndaj ilaçeve dhe prodhimin e ilaçeve të reja. Prapëseprapë Raporti i sëmundjeve ngjitëse për vitin 2000 i OBSH-së nuk ishte optimist. Pse?

Raporti theksoi «mungesën e vullnetit politik nga ana e qeverive, shqetësimi kryesor i të cilave mund të mos jetë shëndeti publik». Ai shtonte: «Sëmundjet, e po kështu rezistenca e mikrobeve ndaj ilaçeve, lulëzojnë edhe në kushtet e trazirave civile, të varfërisë, migrimit masiv dhe të shkatërrimit të mjedisit, kushte ku një numër i madh njerëzish ekspozohen ndaj sëmundjeve ngjitëse.» Mjerisht, të gjitha këto probleme janë ndër ato që qeveritë njerëzore nuk kanë mundur kurrë t’i zgjidhin.

Megjithatë, Bibla flet për një qeveri, e cila jo vetëm që do të zgjidhë problemet që shkaktojnë sëmundje, por gjithashtu do t’i zhdukë fare sëmundjet. Ndoshta mendoni se disa mikrobe do të shkaktojnë gjithmonë dëme. Megjithatë ka arsye të vlefshme për të besuar se e ardhmja do të jetë shumë më e mirë.

Kur asnjë mikrob të mos shkaktojë dëm

Shumë kohë më parë profeti i Biblës, Isaia, foli për një qeveri mbinjerëzore dhe identifikoi sundimtarin e saj. Vëreni profecinë siç tregohet në përkthimin King James të Biblës: «Sepse na ka lindur një fëmijë, një bir na është dhënë: dhe mbi supet e tij do të jetë qeveria: dhe do të quhet, i Mrekullueshëm, Këshilltar, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i Paqes.»—Isaia 9:6, kursivi është yni.

Kush është ky fëmijë, ky princ, që do të merrte sundimin? Vëreni si u identifikua ai që para lindjes. Engjëlli Gabriel i tha virgjëreshës Mari: «Ja, ti do të ngjizesh në barkun tënd e do të lindësh një bir dhe ke për t’ia vënë emrin Jezu. Ky do të jetë i madh . . . , dhe mbretëria e tij s’do të ketë fund.»—Luka 1:31-33.

Kur Jezui u rrit, ai dha prova se ishte vërtet Sundimtari i premtuar i qeverisë ose i Mbretërisë së Perëndisë. Jezui jo vetëm që përshkoi vendin e tij për të shpallur «lajmin e mirë të mbretërisë», por edhe tregoi fuqinë e tij për të zhdukur të gjitha sëmundjet dhe lëngatat. Bibla tregon se atij «iu afruan turma të mëdha, që kishin me vete njerëz të çalë, të gjymtuar, të verbër, të pagojë dhe shumë të tjerë, të cilët pothuajse ia hodhën ndër këmbë dhe ai i shëroi; kështu që turma u mahnit tek shihte të pagojët të flitnin, të çalët të ecnin e të verbrit të shihnin».—Mateu 9:35; 15:30, 31.

Po, çfarëdolloj sëmundjeje ose lëngate që kishte dikush, Jezui e shëroi. Ai madje ktheu në jetë disa njerëz që kishin vdekur. (Luka 7:11-17; 8:49-56; Gjoni 11:38-44) Vërtet, ata që u shëruan, e madje edhe ata që u ringjallën, me kalimin e kohës vdiqën përsëri. Megjithatë, mrekullitë e Jezuit treguan se çfarë do të bëjë ai në të ardhmen për njerëzit që do të jetojnë në tokë nën sundimin e Mbretërisë. Bibla premton se në atë kohë «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam i sëmurë.’»—Isaia 33:24, BR; Zbulesa 21:3, 4.

Sot, siç e dimë shumë mirë të gjithë, çdokush sëmuret dhe vdes. Mikrobet dëmtojnë miliona njerëz, shpesh me pasoja tragjike. Por trupi i njeriut është projektuar në mënyrë kaq të mrekullueshme, saqë disa pyesin veten përse njerëzit sëmuren. Mjeku Ljuis Tomas shkroi për rolin jetësor të baktereve dhe pohoi se sëmundjet ndodhin «aksidentalisht». Ai tha: «Ndoshta mekanizmat mbrojtës të pacientëve të sëmurë kanë pësuar ndonjë defekt të veçantë.»

Vërtet, ata që e kanë të fortë sistemin imunitar rrallë vuajnë nga infeksionet bakteriale ose ndoshta nuk vuajnë kurrë. Pavarësisht nga kjo, përfundimisht njerëzit i nënshtrohen plakjes dhe vdekjes. Bibla thotë se mëkati i trashëguar nga njeriu i parë Adami, që fillimisht ishte i përsosur, është defekti që çon në sëmundje dhe në vdekje. Bibla shpjegon: «Nëpërmjet një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, po ashtu vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»—Romakëve 5:12.

Megjithatë, Perëndia e dërgoi Birin e vet në tokë për të dhënë jetën e tij të përsosur si një shpërblesë që t’i çlironte njerëzit nga pasojat e mëkatit. (Mateu 20:28) Bibla shpjegon: «Paga që paguan mëkati është vdekja, por dhurata që jep Perëndia është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23; 1 Gjonit 5:11) Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, do të ndihen plotësisht ndikimet shëruese të flijimit shpërblyes të Krishtit. Atëherë të gjitha mikrobet, edhe ato që sot shkaktojnë sëmundje, nuk do të dëmtojnë më askënd.

A nuk ia vlen të mësojmë për qeverinë mbretërore të premtuar në Bibël, e cila do të zgjidhë problemet e njerëzimit? Dëshmitarët e Jehovait do të jenë të kënaqur t’ju ndihmojnë që të mësoni më shumë për të.

[Kutia në faqen 9]

Ç’mund të bëni?

Ç’mund të bëni për të pakësuar sa më shumë rrezikun e mikrobeve rezistente? Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë disa udhëzime. Së pari, ajo përcaktoi në vija të përgjithshme disa masa që mund të marrim për të parandaluar sëmundjet dhe përhapjen e infeksioneve. Së dyti, tregoi se si njerëzit mund t’i përdorin më mirë antimikrobikët.

  Logjikisht, rruga më e mirë për të parandaluar sëmundjen dhe përhapjen e saj është të bëjmë gjithçka që nevojitet për të ruajtur shëndetin. Ç’mund të bëni që të mos sëmureni?

Masa për parandalimin e sëmundjeve

1. Bëni gjithçka që mundeni për të siguruar tri gjërat që vijojnë: ushqimin e duhur, ushtrime të mjaftueshme dhe pushimin e nevojshëm.

2. Mbani higjienë vetjake. Specialistët e shëndetësisë theksojnë se larja e duarve është kushti numër një për të parandaluar sëmundjet dhe për të parandaluar kalimin e infeksioneve te të tjerët.

3. Kujdesuni që ju dhe familja juaj të hani ushqime të sigurta. Sidomos kini kujdes që duart dhe vendi ku përgatitet ushqimi të jenë të pastra. Gjithashtu, sigurohuni që uji, me të cilin lani duart dhe ushqimet të jetë i pastër. Meqë mikrobet shumohen në ushqime, gatuajeni mirë mishin. Ftohini dhe ruajini siç duhet ushqimet.

4. Në vendet ku sëmundjet e rënda transmetohen nga insektet fluturuese, pakësojini aktivitetet në natyrë gjatë natës ose herët në mëngjes, pasi kjo është koha kur këto insekte janë më aktive. Gjithashtu, përdorni rregullisht rrjeta mbrojtëse.

5. Vaksinat mund t’ju ndihmojnë për të stërvitur sistemin imunitar që të luftojë disa mikrobe të zakonshme në vendin ku jetoni.

Përdorimi i antimikrobikëve

1. Këshillohuni me një profesionist në fushën e shëndetësisë para se të blini a të merrni ndonjë antibiotik ose antimikrobik. Nga ofertat për të nxitur shitjet, që i bëhen drejtpërdrejt konsumatorit shpesh përfitojnë më shumë shitësit se blerësit.

2. Mos ngulni këmbë që mjeku t’ju japë se s’bën antibiotikë. Nëse bëni kështu, ndoshta ai do t’jua plotësojë kërkesën vetëm ngaqë ka frikë se mos ju humbasë si pacient. Për shembull, të ftohtët e zakonshëm, shkaktohet nga viruset dhe nuk kurohet me antibiotikë. Po të merrni antibiotik kur keni një virus, ai mund të frenojë veprimin e baktereve të dobishme, e ndoshta t’u krijojë mundësi baktereve rezistente të shumohen.

3. Mos këmbëngulni që të keni ilaçin më të fundit. Ai mund të mos jetë më i miri në rastin tuaj dhe mund t’ju kushtojë shumë më tepër nga sa nevojitet.

4. Merrni informacion nga një burim i sigurt rreth çdo ilaçi se për çfarë shërben. Cilat janë efektet anësore të mundshme? Si bashkëvepron me ilaçet e tjera dhe cilët faktorë të tjerë mund ta bënin të rrezikshme marrjen e tij?

5. Nëse kurimi me antibiotik është vërtet i përshtatshëm, zakonisht këshilloheni ta çoni deri në fund kurën e recetës, edhe po të ndiheni më mirë para se ta mbaroni atë. Pjesa e fundit e kurës ndihmon për t’u siguruar se infeksioni është zhdukur plotësisht.

[Figura në faqen 10]

Nën sundimin e qeverisë së drejtë të Perëndisë, njerëzit do ta gëzojnë jetën pa mikrobe që dëmtojnë