Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mikrobet rezistente: Si ndodh që shfaqen përsëri?

Mikrobet rezistente: Si ndodh që shfaqen përsëri?

Mikrobet rezistente: Si ndodh që shfaqen përsëri?

ËSHTË e qartë se viruset, bakteret, protozoarët, kërpudhat dhe mikroorganizma të tjerë kanë ekzistuar që kur nisi jeta në tokë. Këto mikrobe, më të thjeshtat nga të gjitha krijesat, kanë një aftësi mahnitëse për t’u përshtatur. Kjo u ka dhënë mundësi të mbijetojnë atje ku nuk mund të jetojë asnjë krijesë tjetër. Ato gjenden si në burimet me ujë përvëlues në fundin e oqeaneve, ashtu edhe në ujërat e akullta të Arktikut. Sot këto mikrobe po sprapsin sulmin më të egër që kanë përballuar ndonjëherë, pra sulmin e ilaçeve antimikrobike.

Njëqind vjet më parë njerëzit e dinin që disa mikrobe ose mikroorganizma shkaktonin sëmundje, por askush nuk kishte dëgjuar për ilaçet antimikrobike. Pra, nëse dikë e zinte një sëmundje e rëndë ngjitëse, në përgjithësi mjekët nuk kishin çfarë kure t’i jepnin, përveç mbështetjes morale. Sistemit imunitar i duhej ta luftonte vetë infeksionin. Në rast se sistemi imunitar nuk ishte aq i fortë sa duhej, shpesh pasojat ishin tragjike. Edhe gërvishtja më e vogël, e infektuar nga ndonjë mikrob, shumë shpesh çonte në vdekje.

Prandaj zbulimi i ilaçeve të para antimikrobike të parrezikshme për shëndetin, pra i antibiotikëve, solli një revolucion në mjekësi. * Përdorimi në mjekësi i sulfamideve në vitet 30 të shekullit të 20-të dhe i ilaçeve të tilla si penicilina dhe streptomicina në vitet 40 çoi në një vërshim zbulimesh në dhjetëvjeçarët që pasuan. Rreth viteve 90, arsenali i antibiotikëve përfshinte afro 150 përbërje që ndaheshin në 15 kategori të ndryshme.

Dështojnë parashikimet për fitore

Aty nga vitet 50 dhe 60, disa njerëz kishin filluar të festonin fitoren mbi sëmundjet ngjitëse. Disa mikrobiologë madje ishin të bindur se këto sëmundje shpejt do të mbeteshin vetëm një ëndërr e keqe e së kaluarës. Më 1969, autoriteti më i lartë për shëndetësinë në SHBA deklaroi para Kongresit amerikan se njerëzimi shpejt «mund të mbyllte kapitullin e sëmundjeve ngjitëse». Në 1972-shin Makfarlen Bërneti, fitues i çmimit Nobel, dhe Dejvid Uajti shkruan: «Sipas një parashikimi për të ardhmen e sëmundjeve ngjitëse, ka shumë të ngjarë që e ardhmja e tyre të mos paraqesë aspak interes.» Vërtet, disa menduan se sëmundje të tilla do të zhdukeshin fare.

Bindja se sëmundjet ngjitëse ishin mposhtur bëri që të përhapej një besim i tepruar. Një infermiere, që e njihte mirë kërcënimin e frikshëm nga mikrobet para se të dilnin antibiotikët, tha se disa infermiere të reja nuk po u kushtonin më rëndësi normave elementare të higjienës. Kur ajo u kujtonte të lanin duart, ato ia kthenin: «Mos ki frikë, tani kemi antibiotikët.»

Megjithatë, varësia nga antibiotikët dhe përdorimi i tyre pa kriter kanë sjellë pasoja shkatërrimtare. Sëmundjet ngjitëse kanë vazhduar. Por jo vetëm kaq, në mënyrë alarmuese ato janë bërë shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Në përhapjen e sëmundjeve ngjitëse kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë si: kaosi i luftës, përhapja e madhe e të ushqyerit të keq në vendet në zhvillim, mungesa e ujit të pastër, kushtet e papërshtatshme higjienike, mundësia për të udhëtuar shpejt nga njëri vend në tjetrin dhe ndryshimi botëror i klimës.

Rezistenca e baktereve

Përshtatshmëria e habitshme e mikrobeve të zakonshme është bërë një problem i madh, një problem që në përgjithësi nuk pritej. Megjithatë, duke hedhur vështrimin prapa, duhej të ishte parashikuar se mikrobet do të krijonin imunitet ndaj ilaçeve. Pse? Për shembull, vëreni diçka të ngjashme që ndodhi në mesin e viteve 40 kur nisi të përdorej insekticidi DDT. * Në atë kohë, ata që merreshin me bulmetin ishin shumë të kënaqur kur insektet pothuajse zhdukeshin fare nga spërkatja me DDT. Por disa insekte mbijetuan dhe pasardhësit e tyre trashëguan imunitet ndaj DDT-së. Shpejt, këto insekte, që DDT-ja nuk mund t’i luftonte më, u shumuan pa masë.

Edhe para se të përdorej DDT-ja dhe para se penicilina të vihej në dispozicion të pacientëve në vitin 1944, bakteret e dëmshme dhanë shenja se kishin një armatim mbrojtës të habitshëm. Dr. Aleksandër Flemingu, zbuluesi i penicilinës, u bë i vetëdijshëm për këtë. Në laboratorin e tij ai vëzhgoi se si te breznitë pasuese të Staphylococcus aureus (stafilokoku i spitaleve) u zhvilluan mure qelizore që ishin gjithnjë e më të padepërtueshme nga ilaçi që kishte zbuluar ai.

Kjo bëri që dr. Flemingu të paralajmëronte gati 60 vjet më parë se bakteret e dëmshme te një njeri i infektuar mund të zhvillonin rezistencë ndaj penicilinës. Pra, nëse dozat e penicilinës nuk do të vritnin një numër të mjaftueshëm bakteresh të dëmshme, pasardhësit e tyre rezistentë do të shumoheshin. Si pasojë sëmundja do të rishfaqej, por kësaj radhe penicilina nuk do ta luftonte dot.

Libri The Antibiotic Paradox (Paradoksi i antibiotikut) thotë: «Ndoshta Flemingut as që i kishte shkuar nëpër mend se realiteti do të ishte edhe më tragjik se parashikimet e tij.» Si ndodhi kjo? Po ja, u zbulua se në disa grupe bakteresh, gjenet—projektet e vockla në ADN-në e bakterit—prodhojnë enzima që e bëjnë penicilinën të paefektshme. Si pasojë, edhe kurat e gjata me penicilinë shpesh nuk japin rezultat. Sa tronditëse ishte kjo gjë!

Në përpjekje për të fituar betejën me sëmundjet ngjitëse, që nga vitet 40 e deri në vitet 70, si edhe gjatë viteve 80 dhe 90 në mjekësi dolën vazhdimisht antibiotikë të rinj. Këta mund të luftonin bakteret që ishin rezistente ndaj ilaçeve të mëparshme. Por brenda disa vjetësh, u shfaqën grupe bakteresh që u bënin rezistencë këtyre ilaçeve të reja.

Njerëzit kanë zbuluar se këto baktere rezistojnë me kaq mjeshtëri sa të habitin. Bakteriet janë të afta të ndryshojnë përbërjen e murit të tyre qelizor, në mënyrë që antibiotiku të mos depërtojë brenda, ose të ndryshojnë përbërjen e vet kimike, që antibiotiku të mos i vrasë. Nga ana tjetër, bakteri mund ta nxjerrë jashtë antibiotikun sapo ai të hyjë ose thjesht ta bëjë të paefektshëm duke e shpërbërë.

Meqë përdorimi i antibiotikëve është shtuar, format rezistente të baktereve janë shumuar dhe janë përhapur. A është një dështim i plotë përdorimi i antibiotikëve? Të paktën jo në shumicën e rasteve. Në qoftë se një antibiotik nuk bën efekt për një infeksion të veçantë, zakonisht bën efekt një antibiotik tjetër. Rezistenca e baktereve ka qenë një problem shqetësues, por deri në kohët e fundit zakonisht është gjetur një rrugëdalje.

Rezistencë ndaj shumë ilaçeve

Shkencëtarët në fushën e mjekësisë u tmerruan kur më vonë zbuluan se bakteret i shkëmbejnë gjenet midis tyre. Në fillim, mendohej se vetëm bakteret e të njëjtit lloj mund t’i shkëmbenin gjenet. Por më vonë, të njëjtat gjene rezistente u zbuluan në baktere të llojeve krejt të ndryshme. Me anë të këtyre shkëmbimeve, mjaft lloje bakteresh kanë zhvilluar rezistencë ndaj shumë ilaçeve që përdoren gjerësisht.

Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, studimet në vitet 90 treguan se disa baktere mund të bëhen vetvetiu rezistente ndaj ilaçeve. Madje edhe në praninë e një antibiotiku të vetëm, disa lloje bakteresh zhvillojnë rezistencë ndaj shumë antibiotikëve, si ndaj atyre natyrorë, ashtu edhe ndaj atyre sintetikë.

Një e ardhme e zymtë

Ndonëse sot shumica e antibiotikëve ende u bëjnë efekt shumicës së njerëzve, sa të efektshme do të jenë këto ilaçe në të ardhmen? Në librin The Antibiotic Paradox thuhet: «Nuk mund të presim më që çdo infeksion të kurohet me antibiotikun e parë që merret.» Libri shton: «Në disa pjesë të botës, për shkak të sasisë së kufizuar të antibiotikëve, nuk gjen dot asnjë antibiotik që të të bëjë efekt. . . . Pacientët po vuajnë e po vdesin nga sëmundje, për të cilat 50 vjet më parë disa parashikuan se do të zhdukeshin nga faqja e dheut.»

Bakteret nuk janë të vetmet mikrobe që janë bërë rezistente ndaj ilaçeve të përdorura në mjekësi. Viruset, e po kështu edhe kërpudhat dhe parazitë të tjerë shumë të vegjël kanë treguar një përshtatshmëri të habitshme. Kështu njerëzimi gjendet përballë disa grupeve të reja mikrobesh, të cilat mund t’i çojnë kot të gjitha përpjekjet për zbulimin dhe prodhimin e ilaçeve që i luftojnë ato.

Atëherë, ç’mund të bëhet? A mund të eliminohet ose të paktën të kontrollohet rezistenca ndaj ilaçeve? Si mund të ruhen fitoret e arritura nga antibiotikët dhe antimikrobikët e tjerë në një botë, të cilën gjithnjë e më tepër po e mësyjnë sëmundjet ngjitëse?

[Shënimet]

^ par. 4 «Antibiotiku», sipas përdorimit të zakonshëm të kësaj fjale, është një ilaç që lufton bakteret. «Antimikrobik» është një term më i përgjithshëm dhe përfshin çdo ilaç që lufton mikrobet që shkaktojnë sëmundje, qofshin këto viruse, baktere a kërpudha, qofshin parazitë fare të vegjël.

^ par. 10 Insekticidet janë helme, e po kështu edhe ilaçet. Është provuar se të dyja grupet janë si të dobishme, ashtu edhe të dëmshme. Ndërkohë që antibiotikët mund të vrasin mikrobet e dëmshme, ata vrasin edhe bakteret e dobishme.

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Çfarë janë antimikrobikët?

Antibiotikët që ju jep mjeku përfshihen në kategorinë e ilaçeve që quhen antimikrobikë. Këta të fundit klasifikohen me emrin e përgjithshëm «kimioterapi». Ky term i referohet kurimit të sëmundjeve me anë të lëndëve kimike. Ndonëse shpesh termi «kimioterapi» është përdorur për kurimin e kancerit, fillimisht ai përdorej, dhe përdoret ende sot, për kurimin e sëmundjeve ngjitëse. Në raste të tilla kjo quhet kimioterapi antimikrobike.

Mikrobet ose mikroorganizmat janë organizma fare të vegjël që shihen vetëm me mikroskop. Antimikrobikët janë lëndë kimike, të cilat luftojnë mikrobet që shkaktojnë sëmundje. Mjerisht, antimikrobikët mund të veprojnë edhe kundër mikrobeve të dobishme.

Më 1941, Selman Vaksmani, bashkëzbulues i streptomicinës, e përdori termin «antibiotik» për lëndët antibakterore që përftohen nga disa mikroorganizma. Antibiotikët si edhe antimikrobikët e tjerë që përdoren për kurim janë të dobishëm për shkak të asaj që quhet aftësi helmuese përzgjedhëse. Kjo do të thotë që ata mund t’i helmojnë mikrobet pa ju shkaktuar juve vetë ndonjë helmim serioz.

Gjithsesi, ç’është e vërteta, të gjithë antibiotikët janë sadopak helmues edhe për ne. Kufiri i sigurisë ndërmjet dozës që lufton mikrobet dhe dozës që na dëmton ne quhet tregues terapeutik. Sa më i lartë të jetë treguesi, aq më i sigurt është ilaçi; sa më i ulët të jetë ai, aq më i rrezikshëm është ilaçi. Në fakt, janë zbuluar mijëra substanca antibiotike, por shumica nuk përdoren në mjekësi, sepse janë tepër helmuese për njerëzit dhe kafshët.

Antibiotiku i parë natyror që mund të përdorej brenda trupit të njeriut ishte penicilina, e cila erdhi nga një lloj myku që quhet Penicillium notatum. Në vitin 1941, penicilina u fut për herë të parë në trupin e njeriut në rrugë brendavenoze. S’kaloi shumë dhe më 1943 nga Streptomyces griseus, një bakter që gjendet në dhe, u përftua streptomicina. Me kalimin e kohës, u përftuan shumë antibiotikë të tjerë, si ata që vijnë nga gjallesat, ashtu edhe ata që prodhohen artificialisht. Megjithatë, bakteret kanë gjetur mënyra për t’u rezistuar shumë prej këtyre antibiotikëve, duke shkaktuar kështu një problem mjekësor botëror.

[Figura]

Kolonia e mykut të penicilinës, që shihet në fund të pjatës, pengon rritjen e baktereve

[Diçitura]

Christine L. Case/Skyline College

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Lloje mikrobesh

Viruset janë mikrobet më të vogla. Ato janë shkaktaret e sëmundjeve të zakonshme, të tilla si të ftohtët, gripi dhe mahisja e grykës. Por viruset shkaktojnë edhe sëmundje të tmerrshme siç janë poliomieliti, ethet hemorragjike të Ebolës dhe SIDA.

Bakteret janë organizma njëqelizorë kaq të thjeshtë, saqë nuk kanë bërthamë dhe në përgjithësi kanë vetëm një kromozom. Në trupin tonë banojnë me triliona baktere, shumica në aparatin tretës. Ato na ndihmojnë të tretim ushqimin dhe janë burimi kryesor i vitaminës K që është e nevojshme për mpiksjen e gjakut.

Vetëm rreth 300 nga afro 4.600 lloje të njohura bakteresh njihen si patogjene (sëmundjeshkaktuese). Megjithatë, bakteret janë shkaktare të shumë sëmundjeve te bimët, kafshët dhe njerëzit. Te njerëzit në këto sëmundje përfshihen: tuberkulozi, kolera, difteria, antraksi, prishja e dhëmbëve, disa lloje pneumonish dhe disa sëmundje të transmetuara në rrugë seksuale.

Protozoarët, ashtu si bakteret, janë organizma njëqelizorë, por mund të kenë më shumë se një bërthamë. Këtu përfshihen amebat dhe tripanozomat, si edhe parazitin që shkakton malarien. Gati një e treta e qenieve të gjalla janë parazitë—rreth 10.000 lloje të ndryshme—por vetëm pak nga këta parazitë u shkaktojnë sëmundje njerëzve.

Kërpudhat gjithashtu mund të shkaktojnë sëmundje. Këta organizma kanë një bërthamë dhe fijëzat e tyre ndërthuren me njëra-tjetrën. Infeksionet më të përhapura janë qerja, si qerja e këmbëve dhe kandidoza (Candida). Infeksionet e rënda me natyrë kërpudhore zakonisht prekin vetëm ata njerëz, sistemi mbrojtës i të cilëve është dobësuar nga kequshqyerja, kanceri, ilaçet ose infeksionet virale që e ndrydhin sistemin imunitar.

[Figurat]

Virusi i Ebolës

Bakteri «Staphylococcus aureus»

Protozoari “Giardia lamblia”

Kërpudha e qeres

[Burimet]

CDC/C. Goldsmith

CDC/Janice Carr

Me mirësjelljen e dr. Arturo Gonzales Robles, CINVESTAV, I.P.N. México

© Bristol Biomedical Image Archive, University of Bristol

[Figura në faqen 4]

Aleksandër Flemingu që zbuloi penicilinën