Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’ia bëj që të mos jetoj më nën hijen e prindërve?

Si t’ia bëj që të mos jetoj më nën hijen e prindërve?

Të rinjtë pyesin . . .

Si t’ia bëj që të mos jetoj më nën hijen e prindërve?

«Babai im është plak i njohur në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Unë e respektoj, por nganjëherë më acaron fakti që ngado shkoj, më njohin vetëm si djali i Billit.»—Lari. *

«Meqë babai im është një plak me emër, e ndieja se të gjithë pritnin shumë nga unë dhe e kisha goxha të vështirë të isha vetvetja.»—Aleksandri.

NDËRSA rritesh, është më se normale të dëshirosh njëfarë pavarësie, të jesh në gjendje të krijosh emrin ose reputacionin tënd. Kur linde, prindërit zgjodhën për ty një emër që u pëlqente atyre. Tani, ndërsa zhvillohesh si adoleshent, ti dëshiron të kesh mundësi të zgjedhësh vetë «emrin» ose reputacionin që do t’i bësh vetes.

Mbreti Solomon shkroi: «Më mirë është të zgjedhësh një emër [të mirë], se pasuri të bollshme; hiri është më i mirë se argjendi dhe ari.» (Fjalët e urta 22:1, BR) Edhe pse je i ri, me siguri që dëshiron të fillosh ta përcaktosh identitetin tënd.

Kur jeton nën hijen e tyre

Ashtu si Lari dhe Aleksandri, disa të rinj ndihen sikur jetojnë nën hijen e emrit ose të arritjeve të prindërve. Mbase prindërit e tyre janë me emër në vendin ku jetojnë për shkak të punës ose të arsimimit. Ose ndoshta janë shumë të njohur në kongregacionin e krishterë. Nëse ndonjëra nga këto është e vërtetë për prindërit e tu, nganjëherë ti mund të ndihesh sikur je në qendër të vëmendjes së të tjerëve dhe se çdo gjë që bën hetohet vazhdimisht. Ndoshta të acaron presioni që ndien për t’u sjellë në njëfarë mënyre thjesht ngaqë të gjithë i njohin cilët janë prindërit e tu.

Për shembull, babai i Ivanit shërben si plak në një kongregacion të Dëshmitarëve të Jehovait. Ivani thotë: «Meqë babai im ishte shumë i njohur e i respektuar, kisha gjithnjë ndjesinë se duhej të isha shembull në shkollë e në shtëpi. Ndihesha sikur prindërit e tjerë po më përdornin si model që t’u tregonin fëmijëve të tyre se si donin që të silleshin ata. Edhe pse nga një anë më bëhej qejfi, nga ana tjetër, kjo më vuri nën presion të madh për të qenë shembullor para të tjerëve. Për pasojë, nganjëherë më mungonte modestia dhe nuk arrija të dalloja të metat e personalitetit tim.» Aleksandri thotë: «Ndihesha sikur po më vëzhgonin gjatë gjithë kohës dhe sikur po të bëja një gabim, të gjithë ishin gati të drejtonin gishtin nga unë.»

Lari, i cituar në hyrje të artikullit, përpiqej të mos ishte në qendër të vëmendjes, duke mos treguar mbiemrin. Ai thotë: «Nëpër grumbullime shoqërore, kur takoja njerëz që s’i njihja, u thosha: ‘Ç’kemi, mua më quajnë Lari’ dhe ndaloja aty, nuk e përmendja mbiemrin. Sa herë që ishte e mundur, firmosja duke përdorur vetëm emrin tim. Kisha frikë se njerëzit do të më trajtonin ndryshe po ta dinin kush ishte babai im. Doja që moshatarët e mi të më trajtonin si gjithë të tjerët.»

Sigurisht, është më se e arsyeshme që të tjerët të presin shumë nga ty nëse babai yt shërben si plak i krishterë ose shërbëtor ndihmës. Fundja, burrat që janë në këto caktime duhet ‘t’i drejtojnë fëmijët dhe shtëpitë e tyre në mënyrë të shkëlqyer’. (1 Timoteut 3:5, 12) Për këtë arsye, kuptohet që njerëzit presin nga ti të jesh shembullor! Por, a është kjo krejtësisht e keqe? Nuk është kështu, nëse mbajmë parasysh se i riu i krishterë Timote, ndonëse në atë kohë ishte ndoshta adoleshent, u zgjodh nga Pavli që të udhëtonte me të dhe të merrte pjesë në një vepër të rëndësishme shërbimi. (1 Selanikasve 3:1-3) Prandaj duhet të përpiqesh të jesh shembull, është apo jo babai yt plak në kongregacion.

Rebelimi s’është zgjedhje e mirë

Mirëpo, disa të rinj përpiqen të dalin nga hija e prindërve duke u rebeluar. Ivani thotë: «Kishte raste kur acarohesha ngaqë duhej të isha shembull. Rebelohesha duke provuar sa mund t’i zgjatja flokët pa më thënë gjë njeri.»

Absalomi, një nga djemtë e mbretit David, vendosi të rebelohej. Babai i tij ishte shumë i njohur për përkushtimin ndaj Jehovait dhe shumë veta në kombin e Izraelit e donin. Meqë ishte biri i Davidit, nga Absalomi pritej shumë. Por në vend që të jetonte në harmoni me atë që pritej në mënyrë të arsyeshme prej tij, Absalomi vendosi t’i bënte një emër vetes, duke u rebeluar kundër babait të tij. Meqë Davidi ishte përfaqësuesi i mirosur i Jehovait, në të vërtetë Absalomi po rebelohej kundër Jehovait. Veprimet që bëri i sollën turp familjes së tij dhe katastrofë vetë atij.—2 Samuelit 15:1-15; 16:20-22; 18:9-15.

Rebelimi mund të ketë edhe për ty pasoja shkatërrimtare. Shqyrto çfarë na thotë Bibla për Neheminë. Disa armiq të tij u përpoqën ta futnin në kurth, që të sillej në mënyrë të paperëndishme. Përse? «Kështu të më dilte një nam i keq dhe të mbulohesha me turp»,—tha Nehemia. (Nehemia 6:13) Rebelimi mund të të krijojë një nam të keq, të cilin njerëzit s’do ta harrojnë lehtë.

Po kaq i rëndësishëm është edhe efekti që mund të ketë te të tjerët sjellja rebele. Më e pakta do t’u shkaktosh prindërve hidhërim të panevojshëm. (Fjalët e urta 10:1) Veprimet e tua mund të ndikojnë për keq edhe te të rinj të tjerë. Ivani pranon: «Sjellja ime ndikoi për keq te vëllai im. Për ca kohë ai u largua fare nga kongregacioni i krishterë, duke bërë gjithfarë gjërash që e dinte se nuk ishin në përputhje me parimet biblike. Lumturisht erdhi në vete, e tani po i shërben përsëri Jehovait dhe është i lumtur.»

Një rrugë më e mirë

Solomoni, vëlla i Absalomit nga babai, zgjodhi një rrugë tjetër. Ai ishte i gatshëm të mësonte me përulësi nga i ati, Davidi. (1 Mbretërve 2:1-4) Në vend që të kërkonte të fitonte famë, Solomoni u përpoq të bënte një emër të mirë para Perëndisë. Për sa kohë veproi kështu, i solli nder familjes së tij dhe bëri emër si një nga mbretërit më të mëdhenj të Izraelit.—1 Mbretërve 3:4-14.

Shembulli i mirë i Solomonit thekson dy faktorë të rëndësishëm. Së pari, identitetin tënd mund ta përcaktosh jo duke u veçuar nga familja, por duke mësuar nga gjërat e mira të saj. Revista Adolescence thotë: «Adoleshenca s’ka pse të jetë fare një periudhë shkëputjeje dhe ftohjeje me prindërit, sikur vetëm në këtë mënyrë të rinjtë arrijnë të ndiejnë se kanë identitetin e tyre.» Kjo revistë vazhdon të thotë se «mbështetja e prindërve nuk të pengon» të përcaktosh identitetin tënd, «por, përkundrazi, të ndihmon».

Është interesante që vetë Solomoni bëri thirrje: «Dëgjo atin tënd që të lindi dhe mos e përbuz nënën tënde vetëm ngaqë është plakur.» (Fjalët e urta 23:22, BR) Nga sa duket Solomoni nuk po u shkruante fëmijëve të vegjël, sepse kur prindërit ‘janë plakur’ me siguri fëmijët janë të rritur. Cila është pika? Edhe kur je i madh dhe ke krijuar familjen tënde, mund të nxjerrësh ende dobi nga mençuria e prindërve të tu. Ivani arriti ta kuptonte vetë këtë. Ai thotë: «Ndërsa rritem, përpiqem të imitoj gjërat e mira të prindërve të mi, duke u munduar të shmang gabimet e tyre.»

Një pikë e dytë që duhet mbajtur parasysh është se për Solomonin nuk ishte më e rëndësishme të përcaktonte «identitetin» e vet, por t’i pëlqente Jehovait. Është e vërtetë se nga ai pritej shumë, pasi ishte bir i Davidit. Por fakti që Solomoni mbështetej te Jehovai i dha mundësi të mbante përgjegjësitë e tij. Edhe Aleksandri ka përvetësuar një pikëpamje të ngjashme. Ai thotë: «Tani e pranoj se në përgjithësi nga fëmijët e pleqve të kongregacionit pritet më shumë. Vendosa ta përdor këtë në mënyrë pozitive, dhe kjo ka qenë një mbrojtje për mua. Kam arritur të kuptoj se gjëja më e rëndësishme është si më sheh Jehovai. Ai më njeh për atë që jam dhe jo vetëm cilës familje i përkas.»

Edhe Darini, babai i të cilit është i diplomuar i Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit *, një shkollë që stërvit misionarë, ka mësuar ta përballojë mirë faktin që prindërit e tij njihen nga të gjithë. Ai thotë: «Kur u pagëzova, iu kushtova Jehovait dhe askujt tjetër. Duke jetuar në përputhje me kushtimin tim sa më mirë që të mundem, kam një paqe të brendshme. Kjo vjen ngaqë di se Jehovai kënaqet me mua, edhe nëse nuk arrij të bëj të gjitha gjërat që kanë arritur prindërit e mi.»

Mbreti Solomon bëri këtë koment: «Një djalë njihet edhe prej veprimeve të tij, nëse veprat e tij janë të kulluara dhe të drejta.» (Fjalët e urta 20:11, BR) Në fund të fundit, njerëzit do të të mbajnë mend për atë që thua dhe që bën. Ji shembull «në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim dhe në dëlirësi». Nëse je i tillë, njerëzit do të të duan dhe do të të respektojnë për atë që je.—1 Timoteut 4:12.

Mirëpo, ka të rinj të tjerë që s’duan të jetojnë më nën hijen e vëllezërve ose motrave të tyre, të cilët kanë sukses në jetë. Në të ardhmen, një artikull tjetër do të trajtojë si të përballohet kjo sfidë.

[Shënimet]

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 22 Shkolla e Galaadit organizohet dhe drejtohet nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 26]

Rebelimi vetëm sa do t’i hidhërojë prindërit e tu dhe do të të prishë reputacionin

[Figura në faqen 26]

Shembulli yt i mirë mund t’u sjellë dobi të tjerëve