Themeli për një jetë domethënëse
Themeli për një jetë domethënëse
TREGUAR NGA ERNEST PANDAÇUKU
Linda në stepat e Saskaçevanit, Kanada. Kur isha 23 vjeç, shkova në Afrikë, ku për 35 vjet bëra një jetë të mrekullueshme si misionar. Si ndodhi që jeta ime rrodhi në këtë mënyrë? Nuk ishte një rastësi. Më lejoni t’jua shpjegoj.
SHTËPIA e parë ku kam banuar ishte bërë me trarë, argjilë dhe bar, jo shumë e përshtatshme për ta mbrojtur familjen tonë nga dimrat e ashpër të stepave. Në vitin 1928, para se të lindte shumica prej nesh (ishim nëntë fëmijë gjithsej), babai dhe mamaja pranuan literaturë biblike që ua dha një burrë kur erdhi për vizitë në shtëpinë tonë. Në dimrin e gjatë që pasoi, ata të dy e studiuan Biblën me ndihmën e këtyre botimeve. Kur erdhi pranvera, ishin të bindur se kishin gjetur të vërtetën. U folën për këtë familjarëve, miqve dhe fqinjëve, po sidomos fëmijëve të tyre.
Unë linda në vitin 1931 dhe jo shumë kohë më pas edhe pesë vëllezër e motra të tjerë. Leximi dhe studimi i Biblës ishte pjesë e jetës sonë familjare. I kujtoj me mall mëngjeset që kalonim së bashku. Babai drejtonte trajtimin e një shkrimi nga Bibla, madje edhe kur kishim mysafirë. Mamaja dhe babai, si edhe fëmijët më të rritur, lexonin me radhë nga botimet e bazuara në Bibël.
Përveçse na mësoi të lexonim e të shkruanim, babai na mësoi të bënim kërkime duke përdorur renditësit alfabetikë të Biblës. Shumë shpejt mësuam të përdornim Biblën për t’u shpjeguar të tjerëve bindjet tona. Këto biseda të këndshme më ndihmuan të arsyetoja rreth argumenteve biblike. Pas ca kohësh isha bërë i aftë për ta përdorur Biblën që të hidhja poshtë mësimet e rreme fetare. Mund të tregoja me prova se shpirti vdes, se nuk ka ferr të zjarrtë dhe se Perëndia e Jezui nuk janë të barabartë dhe as pjesë e një të ashtuquajturi Trinitet.—Predikuesi 9:5, 10; Ezekieli 18:4; Gjoni 14:28.
Babai dhe mamaja na mësonin edhe me shembullin e tyre dhe na nxitnin të qëndronim të palëkundur për të mbrojtur atë që ishte e drejtë, edhe sikur kjo të nënkuptonte që të tjerët të mos na pranonin. Për shembull, nuk pinin kurrë duhan dhe na paralajmëruan për pasojat ndotëse të tij, si edhe për presionet që do të hasnim në
shkollë për të pirë duhan. Më kujtohen fjalët e babait: «Ndoshta do të të quajnë çun mamaje, po të mos pranosh të pish duhan. Por, ti pyete atë që po të flet: ‘Kush është vërtet burrë? Ai që është skllav i asaj barishteje apo ai që e mban nën kontroll atë?’»Një sprovë tjetër nëse do t’i përmbahesha stërvitjes së bazuar në Bibël që kisha marrë si fëmijë erdhi kur isha 11 vjeç. Në atë kohë kishte filluar Lufta II Botërore dhe fëmijëve në shkollë u kërkohej të betoheshin para flamurit. Nga studimi i Biblës e kisha kuptuar se ky betim ishte një akt adhurimi, prandaj nuk pranova të merrja pjesë. Si pasojë e kësaj, më përjashtuan nga shkolla për gjashtë muaj.
Megjithatë, me kohë e mbarova shkollën dhe në mars të vitit 1947 e simbolizova kushtimin ndaj Perëndisë Jehova me pagëzimin në ujë. Gjashtë muaj më vonë u bëra pionier, lajmëtar i lajmit të mirë që predikon në kohë të plotë. Fillimisht shërbeva në jug të Saskaçevanit, duke u dhënë dëshmi bujqve dhe fermerëve në këtë territor të paanë. Në verë udhëtoja me kalë, kurse gjatë dimrit të ftohtë përdorja një sajë të mbuluar, të tërhequr nga kuaj, të cilën e quanim kabus. Ngrohej me anë të një sobe me qymyr, prandaj duhej të bëja kujdes që të mos e anoja sajën.
Njerëzit në ato zona të thella ishin miqësorë dhe mikpritës. Kur shkoja atje pasdite vonë, shpesh më ftonin ta kaloja natën në shtëpinë e tyre. Sa më pëlqenin bisedat e gjalla për Biblën që bëheshin në ato çaste! Familja Pitërsen ishte një nga ato familje që u përgjigjën pozitivisht pas një diskutimi që bëmë gjithë natën. Ërli dhe mamaja e tij u bënë Dëshmitarë të zellshëm të Jehovait.
Shërbej në Kuebek
Në vitin 1949 iu përgjigja thirrjes për pionierë që të jepnin një ndihmë në veprën e predikimit në provincën e Kuebekut. Ishin rreth 200 pionierë nga Kanadaja Perëndimore që iu përgjigjën kësaj thirrjeje. Ata mbërritën në qytetin Monreal në shtator, gati për të pranuar caktime në çdo cep të Kuebekut. Kjo ndodhi gjatë kohës kur në postin e kryeministrit ishte një katolik, Moris Dyplesia, i cili u betua se do t’i zhdukte Dëshmitarët nga provinca.
Ato ishin kohë plot punë e gjallëri, por edhe plot sfida. Ndër këto sfida ishte të mësonim frëngjishten, si edhe të përballeshim me arrestimin, me sulmet e turmave dhe me prishjen e asambleve tona të krishtere nga fanatikët. Megjithatë, kjo mungesë tolerance nuk më frikësoi e nuk më bëri të lëkundesha në karrierën që kisha zgjedhur si shërbëtor i Perëndisë. Prindërit kishin ngulitur tek unë dashurinë për atë që është e drejtë dhe bindjen se vepra mbarëbotërore e predikimit që kishte parathënë Jezui do të kryhej pavarësisht nga kundërshtimi.—Mateu 24:9, 14.
Gjatë kohës që qëndrova në Kuebek takova Emili Horishin, një pioniere besnike nga Saskaçevani. Që kur u martuam më 27 janar 1951, Emilia ka qenë një bashkëpunëtore besnike dhe një shoqe inkurajuese. Meqë kishim të dy synimin të merrnim pjesë sa më plotësisht në shërbim,
bëmë kërkesën dhe u pranuam si studentë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit, e cila siguron një kurs prej disa muajsh për të përgatitur shërbëtorë për shërbimin misionar. U diplomuam në klasën e 20-të të Galaadit, në shkurt të vitit 1953.Ndërkohë që prisnim për dokumentet që do të na lejonin të hynim në Afrikë, na ftuan të ndihmonim kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Alberta dhe në Ontario, Kanada. Ato ditë përdornim transportin publik për të udhëtuar nga njëri kongregacion në tjetrin. Prandaj, mësuam ta thjeshtonim jetën dhe t’i mbanim vetëm në një valixhe të gjitha gjërat që kishim. Disa muaj më vonë, kur dokumentet e udhëtimit dhe të hyrjes në Afrikë ishin në rregull, u nisëm për në Rodezinë Jugore, që tani quhet Zimbabve.
Përshtatemi me jetën në Afrikë
Pesë muaj pasi mbërritëm atje u caktuam të vizitonim grupet e Dëshmitarëve të Jehovait në Zimbabve, si edhe në Botsvanë e në pjesët jugore të Rodezisë Veriore (tani Zambie). Në Shkollën e Galaadit na kishin inkurajuar që të mos e krahasonim caktimin që kishim në vend të huaj me caktimin në vendlindje dhe të mbanim mend se në çfarëdo rrethane të gjendeshim, mund të mësonim diçka nga përvojat tona. Këto fjalë të mençura na ndihmuan të përshtatnim mënyrën e të menduarit. Edhe sot e kësaj dite unë dhe Emilia jemi të një mendimi me këtë shprehje: «Përdore sa më mirë çdo situatë, pasi mund të mos përsëritet kurrë më.»
Udhëtonim nga njëri vend në tjetrin me tren, me autobus, me kamion ose me biçikletë, pra me çfarëdo mjeti që gjendej. Ndonëse kjo ishte disi e vështirë, kishte rrethana të tjera që na e vunë në sprovë vendosmërinë për ta ‘përdorur sa më mirë çdo situatë’. Dy vitet e para, Emilinë nuk e lejuan të udhëtonte me mua nëpër territoret ku banonin fise të ndryshme, për shkak të kufizimeve ligjore. Prandaj, edhe pse kishim pak vjet që ishim martuar, ime shoqe duhej të qëndronte e vetme në qytete që gjendeshin pranë stacionit të fundit të hekurudhës, qytete ku shpesh nuk kishte Dëshmitarë të tjerë. Besimi, guximi dhe vendosmëria e Emilisë jo vetëm që më mbushnin me admirim e dashuri për të, por sollën edhe fryte të Mbretërisë në këto qytete.
Menjëherë pasi gjente një vend ku të rrinte te ndonjë nga banorët vendës, Emilia predikonte aty afër derisa të kthehesha unë nga zona ku banonte ndonjë fis. Nganjëherë predikonte e vetme për një muaj të tërë. Gjeti forcë dhe mbrojtje duke u mbështetur në dorën e fuqishme të Jehovait, dhe shërbimi i saj solli fryt. Në një rast, Rita Hankoku e pranoi të vërtetën biblike dhe më vonë edhe i shoqi u bashkua me të. Ai u bë një vëlla besnik dhe shërbeu si plak i krishterë derisa vdiq. Sot ka kongregacione të begata në disa qytete ku Emilia mbolli farërat e së vërtetës biblike.
Mikpritja dhe zgjuarsia afrikane
Ndërkohë, në territoret ku banonin fise të ndryshme, çmueshmëria e thellë e Dëshmitarëve afrikanë për organizatën e Jehovait dhe për përfaqësuesit e saj udhëtues ishte një përvojë prekëse për mua. Këta vëllezër të dashur të krishterë u kujdesën shumë për mua. Çdo të hënë udhëtoja nga njëri vend asamblesh në tjetrin. Shtëpia ku do të banoja zakonisht ishte një kasolle e sapondërtuar prej bari, e cila më sillte ndër mend kujtime të shtëpisë ku banoja me familjen në Saskaçevan. Si krevat kisha një shtresë bari rreth 30 centimetra të trashë, të përhapur në një anë të dyshemesë, me një copë pëlhure përsipër.
Asambletë në zonat ku banonin fiset në përgjithësi mbaheshin në mjedise të hapura, nëpër pyje. Të pranishmit e pastronin vendin nga bimët, duke lënë vetëm pemë me shumë gjethe për hije. Si vend për t’u ulur shërbenin grumbuj bari të lidhur fort e të rregulluar në rreshta të njëtrajtshëm. Së fundi, për të rrethuar pjesën e pastruar, bëhej një gardh me bimë barishtore. Në këtë mjedis natyror, më prekej gjithnjë zemra kur dëgjoja zërat melodiozë të vëllezërve afrikanë dhe motrave afrikane, të cilët i këndonin lavdi Jehovait me një harmoni mbresëlënëse.
Një përvojë e paharrueshme
Gjatë shërbimit takova Gideon Zendën, një kryeinspektor shkollash për misionet e financuara nga kisha anglikane. Gjithë arsimin e tij, duke përfshirë edhe universitetin, Gideoni e kishte bërë me ndërmjetësimin e kishës. Megjithatë, nuk kishte
marrë përgjigje të kënaqshme për pyetjet e shumta që kishte për Biblën. Prandaj më kërkoi të takohesha me të dhe me disa kolegë të tij për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Në këtë takim ishin të pranishëm rreth 50 veta, përfshirë inspektorë shkollash, drejtorë dhe mësues. Takimin e drejtoi Gideoni. Duke ndjekur një rregull të caktuar, kalonim nga një temë te tjetra. Flitja 15 minuta për çdo temë dhe pastaj u përgjigjesha pyetjeve. Takimi zgjati disa orë.Rezultati i kësaj mbledhjeje të pazakontë ishte që Gideoni, familja e tij dhe shumë kolegë u bënë që të gjithë shërbëtorë të kushtuar e të pagëzuar të Jehovait. Peshkopi vendës i pushoi nga puna që kishin në sistemin arsimor anglikan. Megjithatë, që të gjithë ishin të vendosur dhe qëndruan të palëkundur në shërbim të Jehovait e madje disa ndërmorën shërbimin si pionierë.
Përgjigjja ndaj një filmi mbresëlënës
Në vitin 1954 Dëshmitarët e Jehovait nxorën filmin Shoqëria Bota e Re në veprim. Vitin që pasoi u hoqën kufizimet ligjore që më parë ndalonin gratë të shoqëronin burrat e tyre në zonat ku banonin fiset. Kjo i dha mundësi Emilisë të udhëtonte bashkë me mua në territoret e fiseve. Në atë kohë na u dha një automjet, një gjenerator dhe një projektor për ta shfaqur filmin në të gjitha këto territore. Shumë prej tyre s’kishin parë kurrë film, prandaj filmi që shfaqëm ngjalli shumë interes. Ai tregonte hap pas hapi prodhimin e Biblave dhe të literaturës biblike në shtypshkronjën tonë të madhe në Bruklin, Nju-Jork.
Filmi përfshinte edhe skena të vëllazërisë ndërkombëtare të Dëshmitarëve të Jehovait ndërsa merrnin pjesë në adhurim në stadiumin «Jenki», Nju-Jork, në vitin 1953. Këta afrikanë s’kishin parë kurrë më parë një shfaqje të tillë uniteti dhe dashurie midis racave. Ky film nxiti shumë familje të Zimbabves që të studionin Biblën dhe të shoqëroheshin me Dëshmitarët. Kërkesat për të shfaqur këtë film vërshuan nga drejtorë shkollash në gjithë vendin, të cilët e kuptuan vlerën edukative që kishte kjo ndihmë pamore për nxënësit e tyre.
Një mbrëmje vonë erdhën e më zgjuan disa Dëshmitarë që kërkonin të shfaqja filmin. U mahnita kur pashë që rreth 500 veta kishin udhëtuar disa orë në këmbë për ta parë atë. Kishin marrë vesh se unë isha në atë zonë dhe po shfaqja filmin. Në kohën kur u largua ajo turmë, kishin ardhur rreth 300 të tjerë. Prandaj e shfaqa prapë filmin. Të fundit që kishin ardhur u larguan prej aty vetëm në orën tre të mëngjesit. Gjatë një periudhe 17-vjeçare, vetëm në Zambie e kanë parë këtë film nxitës më shumë se një milion njerëz.
Caktime të reja në Afrikë
Pasi shërbyem më shumë se pesë vjet e gjysmë në Zimbabve, u transferuam në Afrikën e Jugut. Kjo donte të thoshte se duhej të mësonim gjuhën afrikane. Më vonë mësuam edhe gjuhën sesote e zulu. Fakti që mund t’u mësonim të tjerëve Fjalën e Perëndisë në më shumë gjuhë na e rriti efektshmërinë në shërbim dhe na dha një ndjenjë kënaqësie për gjërat që bënim.
Në fillim të vitit 1960 na caktuan në veprën udhëtuese në jug të Afrikës. Për 27 vjetët që pasuan, udhëtuam gjerë e gjatë në Lezoto, në Namibi, në Afrikën e Jugut dhe në Suazilend, si edhe në ishujt Ashension e Shën-Elenë, në pjesën jugore të oqeanit Atlantik. Në tërësi udhëtuam qindra mijë kilometra duke u shërbyer motrave dhe vëllezërve të krishterë. Veprat e tyre të besimit e të besnikërisë në rrethana të pafavorshme na kanë dhënë zemër që të mos dorëzohemi kurrë.
Për shembull, u njoha personalisht me Dëshmitarët në Suazilend, të cilët nuk kishin bërë kompromis me besimin e tyre kur kishte vdekur mbreti Sobuza II. Meqë nuk kishin pranuar të merrnin pjesë në rite jobiblike që u bënë në vdekjen e këtij mbreti, i hoqën nga puna dhe iu mohuan të drejtat civile. Me gjithë ato vite kur iu hoqën të drejtat dhe patën vështirësi, ata nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre. Gjithnjë e falënderoj Jehovain për privilegjin që kam njohur këta vëllezër e motra,
të krishterë të mrekullueshëm, dhe që kam folur me ta personalisht.Një tjetër është Filemon Mafareka, një pionier nga Mokotlongu, Lezoto, një fshat që gjendet lart në male, në një lartësi mbi 3.000 metra. Meqë nuk kishte asnjë mjet transporti, ai dhe gruaja e tij e dashur, së bashku me dy fëmijët e tyre dhe katër kandidatë të tjerë për pagëzim udhëtuan në këmbë më shumë se 100 kilometra për të shkuar në asamblenë që do të mbahej në një vend që ishte në lartësi prej 1.200 metrash. Pjesa më e madhe e rrugës ishte terren i pjerrët. U kacavarën këmbë e duar nëpër hone dhe kapërcyen shumë përrenj e lumenj.
Rrugës së kthimit në shtëpi pas asamblesë, morën me vete njëqind kopje të librit E vërteta që çon në jetën e përjetshme. Donin t’ua shpërndanin njerëzve në fshatin e tyre, në Mokotlong. Mirëpo, ngaqë rrugës hasën shumë interes për literaturën biblike, i mbaruan librat që kishin marrë me vete para se të arrinin në shtëpi. Për mua dhe Emilinë ka qenë një privilegj të shihnim me sytë tanë zellin dhe përkushtimin e vëllezërve të krishterë dhe motrave të krishtere, siç ishin Filemoni dhe gruaja e tij, privilegj që e çmojmë ende sot.
Nganjëherë hasnim rreziqe nga gjarpërinjtë helmues, si kobrat, si edhe nga përmbytjet e papritura dhe vështirësi të tjera. Këto përvoja, edhe pse kur ndodhnin ishin të frikshme, bëhen të vogla fare kur krahasohen me shpërblimet dhe gëzimet e një karriere në shërbim të Jehovait. Mësuam se ai nuk i braktis kurrë shërbëtorët e tij besnikë.
Në një rast kur Emilia pati probleme të rënda shëndetësore, Jehovai na dha mençurinë e duhur për ta trajtuar situatën me ekuilibër. Ndryshimi i ushqimit dhe masat për të pasur kushte më të mira higjienike ndihmuan për të shpejtuar shërimin e saj. Ndërtuam në një kamion të vogël një shtëpi-rimorkio për Emilinë, që të kishte një mjedis më të sigurt ndërsa udhëtonim dhe, me kalimin e kohës, u bë prapë mirë me shëndet.
Kthehemi në Kanada
Në vitin 1988, pasi kishim kaluar 35 vjet shërbim misionar në kontinentin magjepsës të Afrikës, na caktuan përsëri në Kanada. Pastaj, në vitin 1991, fillova të shërbeja përsëri si mbikëqyrës udhëtues. Tetë vjet më vonë pata një goditje apopleksie. Ndonëse që nga ajo kohë kam qenë shumë i kufizuar në gjërat që mund të bëj, gjej ende kënaqësi duke shërbyer si plak në një kongregacion në Landën, Ontario.
Sot e mendoj me kënaqësi kohën kur fillova të shërbeja si pionier, hipur mbi kalë, në jug të Saskaçevanit rreth 56 vjet më parë. Sa mirënjohës jam që babai ngulmoi për të na mësuar të mendojmë si njerëz frymorë, pa pasur kurrë frikë të mbrojmë të vërtetën dhe drejtësinë! Ai më mësoi Fjalën e Perëndisë, falë së cilës pata një jetë domethënëse. Kjo trashëgimi më ka sjellë dobi gjithë jetën. Nuk do ta këmbeja kurrë jetën në shërbim të Jehovait me asgjë që mund të ofrojë kjo botë e vjetër.
[Figura në faqen 19]
Familja jonë me nëntë fëmijë në vitin 1949, mamaja po mban më të voglin. Unë jam pas saj
[Figura në faqen 20]
Ndërtova këtë «kabus» që ta përdorja në shërbim
[Figura në faqen 20]
Gra në Kuebek që i arrestuan sepse predikonin
[Figura në faqet 22, 23]
Mora pjesë në mësimin që iu dha këtyre mbikëqyrësve udhëtues në Zimbabve
[Figura në faqen 23]
E ndërtuam këtë shtëpi-rimorkio që Emilia të merrte veten
[Figura në faqen 23]
Fotografi e kohëve të fundit me Emilinë