Ja ç’mësuam nga pigmenjtë
Ja ç’mësuam nga pigmenjtë
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË REPUBLIKËN E AFRIKËS QENDRORE
«Hiqini këpucët. Do të ecim në ujë dhe pastaj do të kalojmë në shtegun e elefantëve. Ndiqni me kujdes çdo gjë që do t’ju them. Po na doli përpara ndonjë gorillë, mblidhuni kruspull dhe mos e shihni në sy. Po na doli ndonjë elefant, mos bëni asnjë lëvizje.»
NDËRSA çlodhemi në verandën e restorantit, mendojmë thellë për gjërat që sapo kemi parë. Përballë nesh rrjedh lumi Sanga dhe përtej tij mund të kundrojmë bukurinë e pyllit të dendur. Jemi në Bajanga, në cepin jugor të Republikës së Afrikës Qendrore, midis Kamerunit dhe Republikës së Kongos.—(Shih hartën në faqen 19.)
Kur mbërritëm në qendrën e informacionit të Parkut Kombëtar të Dzanga-Ndokit e harruam fare lodhjen e rrugës. Ky park ndodhet 480 kilometra larg Banguit, kryeqytetit të Republikës së Afrikës Qendrore dhe për të ardhur deri këtu kemi udhëtuar gati 11 orë me makinë nëpër një shteg të ngushtë. Në disa vende, grumbujt e bambuve rriten pikërisht anës rrugës. Në qytetin Ngoto duhet t’i hipim tragetit për të kaluar lumin. Kjo anije është shumë e çuditshme, pasi nuk ka motor; na çon në anën tjetër të lumit duke shfrytëzuar vetëm forcën e rrymës. Anijen e mban në kursin e saj një çikrik që rrëshqet nëpër një kabllo të stërmadhe dhe disa të rinjve thjesht u duhej ta drejtonin anijen në pozicionin e duhur.
Më tej, në lumin Bambio ndodhet një urë pluskuese shumë praktike, pasi mund të përshtatet me nivelin e ndryshueshëm të ujit gjatë stinës së thatë dhe asaj * që ende jetojnë në mënyrë tradicionale.
me shi. Vendi është i mrekullueshëm. Mund të shohim kafshët në habitatin e tyre natyror dhe të takojmë pigmenjtë akaA do t’ju pëlqente të vinit me ne në këtë udhëtim të mrekullueshëm, edhe pse do t’ju duhet të shëtitni vetëm me imagjinatën tuaj? Udhërrëfyesi ynë është pigme dhe quhet Bënua. Në fillim ai na çon në fshatin e tij për të takuar dy pigmenj të tjerë që do të na shoqërojnë, Zhermenin dhe Valerinë. Ata mbledhin bimë mjekësore. Rrugës mahnitemi gjithnjë e më shumë, ndërkohë që na tregojnë në pyll bimë të ndryshme, të cilat përdoren për mjekim.
Bimë që mjekojnë dhe shërojnë
Pasi udhëtojmë disa minuta me makinë përgjatë një shtegu në pyll, shokët tanë të rinj na thonë të zbresim nga makina dhe t’i ndjekim pas nëpër pyll. Ata e çajnë shtegun duke përdorur kamat e tyre, kurse ne bëjmë çmos të mos mbetemi pas. Dhe ja tek na pret surpriza e parë, mo nzambu nzambu e quajtur bima kacavjerrëse e ujit. Shpejt e shpejt udhërrëfyesit presin disa kërcej me gjatësi gati 50 centimetra dhe ne pijmë ujin që rrjedh nga bima. Ai është i pastër, i freskët dhe ta shuan etjen.
Pak më tutje na tregojnë një gjethe nga pema e guajavës. Pigmenjtë i ziejnë gjethet e saj dhe me to përgatitin çaj që të bën mirë për kollën. Një pemë tjetër, ofuruma, prodhon një lloj lëngu të bardhë si qumësht që është një kolir i shkëlqyer për të kuruar mahisjen e membranës së syrit. «A ka ndonjë ilaç po të kafshoi gjarpri?»—pyesim ne. «Patjetër që ka. Ne shtypim gjethet e bolos [emri në akaisht për një lloj liane, një bimë kacavjerrëse tropikale] dhe i vëmë mbi vendin e kafshuar»,—përgjigjen udhërrëfyesit. Në çdo hap që hedhim, zbulojmë bimë të tjera, për të cilat udhërrëfyesit na garantojnë se kanë veti kuruese. Ka ilaçe për të shëruar plagët e jashtme, si edhe ilaçe për parazitët e zorrëve, infeksionet e veshit, prishjen e dhëmbëve, e madje edhe për sterilitetin.
Mund të mësojmë kaq shumë gjëra nga këta njerëz që ndonjëherë shihen si primitivë. Ndërsa ecim më tej, dy mbledhësit e bimëve mjekësore «bëjnë pazarin» e ushqimeve—kërpudha, sallatë e egër, rrënjë që përdoren në vend të hudhrave. Disa gjethe duhet të jenë shumë të shijshme, sepse udhërrëfyesit i kullufitin me një frymë. Sa e mrekullueshme do të jetë kur të mësojmë edhe më shumë në botën e re që ka premtuar Perëndia!—Isaia 65:17; 2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:1-4.
Mblidhen të gjithë në kripërishtë
Pasdite shkojmë të shohim në kripërishtë elefantët e pyllit. Pikërisht rrugës për atje udhërrëfyesi na dha udhëzimet që përmendëm në hyrje të artikullit. Por, ç’është kripërishta? Është një livadh i madh ku toka është plot me kripëra minerale që disa kafshë i pëlqejnë shumë. Prandaj ajo kthehet në një vendtakim të përditshëm për elefantët e pyllit, buajt afrikanë, antilopat, derrat e egër gjigantë dhe për kafshë të tjera të egra.
Në park, anës kripërishtës, kanë ndërtuar një platformë vrojtimi, meqë pylli është shumë i dendur e si pasojë është tepër e vështirë t’i shohësh kafshët që janë aty. Megjithatë për të shkuar deri te platforma duhet të kalojmë një moçal ku uji na arrin deri në mes të kofshës. Udhërrëfyesi dëgjon me kujdes zhurmat përreth dhe na shikon herë pas here për t’u siguruar që po qëndrojmë afër atij. Pse? Sepse ndonjëherë edhe elefantët bëjnë të njëjtën rrugë.
Kur arrijmë në platformën e vrojtimit, ndalemi për të soditur kafshët—më shumë se 80 elefantë, disa buaj afrikanë dhe ca antilopa. Te platforma gjejmë edhe një shkencëtare që ka 11 vjet që i studion elefantët. Ajo na tregon: «Çdonjëri prej tyre ka personalitetin e vet. Kam *
regjistruar 3.000 elefantë dhe 700 prej tyre i njoh me emër.» Mjerisht elefantët e pyllit gjuhen pasi fildishi i tyre është tepër i kërkuar për të bërë vula personale, të cilat në disa vende të Lindjes përdoren për të identifikuar autorin e dokumenteve dhe të pikturave.Gjuetia me rrjeta
Ditën tjetër, herët në mëngjes, shkojmë pas një grupi me dhjetë gjahtarë për të parë me sytë tanë se si është gjuetia me rrjetë. Burra e gra vijnë me rrjeta të bëra me liane. Çdo rrjetë i ka përmasat 20 metra me 120 centimetra. Ndërsa futemi thellë e më thellë në xhungël, grupi shpërndahet dhe i tërheq fort rrjetat, të cilat i kanë lidhur me njëra-tjetrën, që të mbulojnë një sipërfaqe me gjatësi rreth 200 metra. Pastaj gjahtarët formojnë një rreth të madh përqark kësaj pengese dhe, ndërkohë që i bien rrotull disa herë, ata shkundin degët e bërtasin me zë të lartë. E gjithë kjo bëhet për t’i çuar drejt rrjetës kafshët, në rast se ka ndonjë aty afër. Kësaj radhe nuk zunë asnjë kafshë. Gjahtarët i mbledhin rrjetat, futen më thellë në pyll dhe ia nisin nga e para. Një herë, dy herë, dhjetë herë.
Aty nga fundi i mëngjesit ndihemi të rraskapitur. Pigmenjtë kanë parë tri antilopa të vogla ngjyrë blu, por ato arrijnë t’i shmangin rrjetat dhe ia mbathin. Ne nuk na intereson të shohim një kafshë të kapur në rrjetë. Më tepër duam të mësojmë se si këta njerëz me mjeshtëri ia dalin mbanë të mbijetojnë, edhe kur duket se kanë kaq pak vegla për të punuar dhe nuk kanë asnjë nga mjetet e botës së industrializuar. Pra nuk jemi aspak të mërzitur, pasi gjithçka që sapo pamë ishte e jashtëzakonshme.
Lundrojmë me kaike në lumin Sanga
E kujt nuk do t’i pëlqente të rrëshqiste qetësisht në ujë? Kjo bëhet edhe më interesante po të jesh në kaike, pasi në të vërtetë je në të njëjtin nivel me ujin. Gjatë lundrimit të pasdites shohim çafkat e përhime dhe një mori zogjsh shumëngjyrësh, njëri më i bukur se tjetri. Disa zogj fluturojnë nga dega në degë përgjatë bregut të lumit e na duket sikur po na ndjekin teksa shkasim mbi ujë.
Në disa vende shohim shimpazetë që kërcejnë nga një lianë te tjetra vetëm për t’u dëfryer—apo ndoshta duan të na dëfrejnë ne?! Alan Patriku, rremtari, po mundohet të na çojë diku më tutje, nja njëqind metra, sepse në atë vend dje pa disa hipopotamë. A do t’i shohim dot sot? Sa keq, paskan ikur! Megjithatë tani që kemi ardhur më larg mund të shohim disa fshatra përgjatë bregut të lumit dhe të soditim shumë fëmijë që i manovrojnë kaiket e tyre të vogla me një zotësi që na lë gojëhapur. Vërtet, kurrë nuk do të na shlyhet nga kujtesa udhëtimi me kaike në lumin Sanga.
Mbresa teksa kthehemi për në shtëpi
Në makinë teksa kthehemi për në Bangui, na vijnë në mendje qindra pamje dhe kujtime. Na kanë lënë mbresa të thella shumë gjëra e shumë të tjera na kanë habitur. Në veçanti, për ne do të mbetet e paharrueshme harmonia që ekziston ndërmjet pigmenjve dhe pyllit, si edhe mençuria që i bën të aftë këta njerëz të përfitojnë nga gjithçka që gjendet në vendbanimin e tyre në natyrë.
Për më tepër edhe nëse nuk patëm mjaft kohë për të parë gjithçka, kemi pasur privilegjin për të vizituar një vend të pashoq në botë, një vend ku gjen elefantët e pyllit, gorillat, shimpazetë, hipopotamët, antilopat, panterat dhe zogjtë e fluturat shumëngjyrëshe. Na thanë se në pyjet e dendura të Rezervatit të Dzanga-Sangës dhe në Parkun Kombëtar të Dzanga-Ndokit gjenden afro 7.000 lloje bimësh dhe 55 lloje gjitarësh.
E gjithë kjo shumëllojshmëri e pakrahasueshme na kujton një varg të Biblës: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.» (Psalmi 104:24) Kjo përvojë e paharrueshme, nga e cila mësuam shumë, na bën edhe më të vendosur për të ndjekur fjalët e mëposhtme që gjenden në të njëjtin psalm: «Unë do t’i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t’i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem. Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.»—Psalmi 104:33, 34.
[Shënimet]
^ par. 6 Pigmenjtë e zonës ekuatoriale të Afrikës njihen për shtatin e shkurtër. Gjatësia mesatare e trupit arrin më pak se 1,27 metra.
^ par. 15 Këto vula, të quajtura çop, bëhen edhe me materiale të tjera. Për më shumë informacion, shih Zgjohuni! e 22 majit 1994, faqe 22-24, anglisht.
[Hartat në faqen 19]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
KAMERUN
REP. E KONGOS
REPUBLIKA E AFRIKËS QENDRORE
Bangui
Bajanga
Parku Kombëtar i Dzanga-Ndokit
[Burimi i figurës në faqen 18]
© Jerry Callow/Panos Pictures