Kur të afërmit nuk kanë të njëjtën fe si ju
Pikëpamja e Biblës
Kur të afërmit nuk kanë të njëjtën fe si ju
SIPAS një llogaritjeje të përafërt, në botë ka më shumë se 10.000 fe dhe sekte. Në një vend, gati 16 për qind e të rriturve e kanë ndryshuar fenë që kishin. Prandaj nuk është çudi që disa të afërm dhe miq kanë ide të ndryshme për bindjet fetare. Ndonjëherë kjo sjell si pasojë marrëdhënie të acaruara. Pra lind pyetja: si duhet t’i trajtojnë të krishterët të afërmit e tyre që nuk kanë të njëjtën fe si ata?
Një marrëdhënie e veçantë
Shqyrtoni, për shembull, se çfarë thotë Bibla për marrëdhënien e veçantë që ekziston midis prindërve dhe fëmijëve. Urdhri që jepet tek Eksodi 20:12, «të nderosh atin dhe nënën tënde», nuk vlen vetëm për njëfarë kohe. Madje, kur Jezui foli për këtë urdhër, siç është dokumentuar te Mateu 15:4-6, ishte e dukshme se po fliste për nderimin që fëmijët e rritur do t’u jepnin prindërve të tyre.
Në librin biblik të Fjalëve të urta jepen paralajmërime për ata që nuk tregojnë respekt për prindërit. Fjalët e urta 23:22 këshillon që të ‘mos e përçmosh nënën tënde kur të jetë plakë’. Te Fjalët e urta 19:26 theksohet me një forcë shprehëse se kush «përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënën e tij, është një faqenxirë dhe me turp».
Nga Shkrimet kuptohet qartë se nuk duhet t’i lëmë pas dore prindërit tanë. Fakti që prindërit nuk e pranojnë fenë tonë nuk e zgjidh lidhjen që kemi me ta. Këto parime biblike zbatohen po njëlloj për lidhjet e tjera të gjakut, si edhe për bashkëshortët. Është e qartë se të krishterët vazhdojnë të jenë nën detyrimin moral dhe nën detyrimin biblik për të dashur të afërmit e tyre.
Arsyetueshmëria është e domosdoshme
Sigurisht, Bibla paralajmëron që të ruhemi nga shoqëritë e këqija, e ndoshta një ndikim i tillë mund të vijë edhe nga të afërmit. (1 Korintasve 15:33) Shumë shërbëtorë besnikë të Perëndisë në të kaluarën përkrahën atë që ishte e drejtë, edhe pse prindërit nuk ishin në një mendje me ta. Kjo pa dyshim ishte e vërtetë në rastin e bijve të Koreut. (Numrat 16:32, 33; 26:10, 11) Të krishterët e vërtetë nuk duhet të bëjnë kompromis me besimin e tyre për të kënaqur të tjerët, qofshin këta edhe të afërmit e tyre.—Veprat 5:29.
Në disa rrethana, prindërit ose të afërmit e tjerë i kundërshtojnë me forcë bindjet e një të krishteri. Disa madje mund të bëhen armiq të krishterimit të vërtetë. Në raste të tilla, të krishterët marrin masa të arsyeshme për të mbrojtur gjendjen e tyre frymore. Me të drejtë, Jezui tha: «Armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet. Ai që ka më për zemër babanë ose nënën sesa mua, nuk është i denjë për mua; dhe ai që ka më për zemër birin ose bijën sesa mua, nuk është i denjë për mua.»—Mateu 10:36, 37.
Megjithatë, në shumicën e rasteve, të krishterët nuk hasin kundërshtim të ashpër nga të afërmit. Të afërmit e tyre thjesht nuk i kuptojnë mësimet e Biblës ashtu si i kuptojnë ata. Shkrimet e Shenjta i nxitin dishepujt e Krishtit të sillen «me butësi» dhe «respekt të thellë» me jobesimtarët. (2 Timoteut 2:25; 1 Pjetrit 3:15) Me të drejtë Bibla këshillon: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë.» (2 Timoteut 2:24) Edhe apostulli Pavël i këshilloi të krishterët që «të mos flasin keq për askënd, të mos kenë një qëndrim luftarak, të jenë të arsyeshëm, duke treguar tërë butësinë kundrejt të gjithë njerëzve».—Titit 3:2.
Mbajini lidhjet dhe shprehuni dashuri
Te 1 Pjetrit 2:12, të krishterëve u jepet kjo nxitje: «Mbajeni të shkëlqyer sjelljen tuaj mes kombeve [jobesimtarëve], me qëllim që . . . ata t’i japin lavdi Perëndisë . . . si rrjedhojë e veprave tuaja të shkëlqyera, për të cilat janë dëshmitarë okularë.» Shpesh të afërmit që nuk kanë të njëjtat bindje si tonat shohin ndryshimet që ka sjellë Bibla në jetën tonë. Kujtoni që shumë nga ata që ishin indiferentë ose edhe që e kanë kundërshtuar të vërtetën e Biblës kanë ndryshuar mendje. Disa individë kanë filluar të shqyrtojnë përse sillet kaq mirë bashkëshorti a fëmija i tyre vetëm pasi e kanë vëzhguar nga afër këtë sjellje për shumë vjet. Nëse njerëzit nuk i pranojnë të vërtetat biblike, kjo nuk duhet të ndodhë sepse një i afërm i krishterë i ka lënë pas dore.
Duhet thënë se rrethanat ndryshojnë dhe disa të krishterë Dëshmitarë jetojnë larg prindërve. Ndoshta nuk është e mundur t’i vizitojnë sa herë që do të dëshironin. Por letrat, telefonatat ose mbajtja e lidhjeve të rregullta në mënyra të tjera do t’i sigurojnë të afërmit tanë për dashurinë tonë. Shumë nga ata që nuk janë të krishterë të vërtetë i duan prindërit dhe të afërmit e tjerë dhe komunikojnë rregullisht me ta, pavarësisht nga feja që kanë. A duhet të bëjnë më pak të krishterët që janë Dëshmitarë?
[Figura në faqen 26]
Mbajtja e lidhjeve me të afërmit do t’i sigurojë ata për dashurinë tuaj