Nafta: A është njëherësh bekim dhe mallkim?
Nafta: A është njëherësh bekim dhe mallkim?
DERI në ç’masë varen vendet e industrializuara nga nafta dhe nga produktet e saj? Nafta dhe gazi natyror janë të domosdoshme për këto vende dhe kjo ka krijuar «një shoqëri hidrokarburesh», siç e quan Daniel Jergini në librin e tij The Prize. Vetëm mendoni për naftën që përdoret në sistemin e ngrohjes, për vajrat lubrifikuese, parafinat, asfaltet dhe për gjërat që bëhen nga lëndë kimike, të cilat përftohen nga nafta ose nga gazi natyror, siç janë avionët, automobilat, anijet, ngjitësit, ngjyruesit, rrobat prej poliestre, atletet, lodrat, bojërat, aspirina, deodorantët, artikujt kozmetikë, disqet, kompjuterët, televizorët, telefonat. Çdo ditë shumë njerëz përdorin disa nga më shumë se 4.000 produkte ose artikuj të tjerë që përftohen nga nafta, të cilat përdoren gjerësisht në jetën e përditshme. Por, ç’mund të themi për dëmin që i ka shkaktuar zinxhirit të jetës, dëm që e ka karakterizuar historinë e naftës që në fillimet e saj?
Një mbret që «nuk sundon me mirëdashje»
Nga fundi i vitit 1940, kur lufta midis Rumanisë dhe Hungarisë dukej e pashmangshme, diktatori nazist Adolf Hitleri u tregua i shpejtë për të vepruar si arbitër. A ishte kjo një shprehje dashamirësie? Ajo që donte në të vërtetë Hitleri ishte që puset rumune të naftës të mos kalonin nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Nafta ishte një ndër faktorët më të rëndësishëm të pushtimit të Kuvajtit nga Iraku në vitin 1990 dhe të kundërsulmit nga shtetet e tjera. Por patjetër që këto nuk janë aspak rastet e vetme. Vendosmëria për të pasur nën kontroll rezervat e naftës ka qenë shumë herë shkaku për konflikte dhe vuajtje.
Nafta jo vetëm që është e domosdoshme në jetën moderne, por gjithashtu është në rrënjë të politikës dhe të interesave të veçanta të disa njerëzve me pushtet. Siç u shpreh kohët e fundit Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEK), nafta nuk është një produkt i zakonshëm, por «një mjet strategjik». Nëpërmjet embargove dhe sanksioneve, nafta është përdorur nga qeveritë si mjet për të pasur pushtet politik. Gjithashtu, puset e naftës, rafineritë dhe anijet-cisternë kanë qenë shënjestër e sulmeve terroriste, shpesh me pasoja të tmerrshme për mjedisin.
Industria e naftës është akuzuar se e ka shtuar dëmin që i është shkaktuar mjedisit, duke lëshuar në atmosferë dyoksid karboni, i cili mund të ndikojë në ndryshimin e klimës botërore. Sipas një raporti të PEMEX-it (Nafta Meksikane), një nga shoqëritë më të mëdha të naftës në botë, gjatë fazave të ndryshme të përpunimit të naftës çlirohen helme. Ndonëse gazolina tani—gati gjashtë vjet pas Protokollit të Kiotos, kur 161 vende u mblodhën për të ndërmarrë hapa për zvogëlimin e rrezikut të ngrohjes së klimës globale—është më e pastër, shumë njerëz mendojnë se gjendja ka ndryshuar pak. Nga ana tjetër, OPEK-u thotë se «nafta është krijuesja e pasurisë dhe e begatisë që gëzojnë sot» shumë vende. Por, a është gjithnjë kështu?
Disa do të përmendnin dëmin që ka sjellë shpimi i puseve të naftës dhe ndërtimi i naftësjellësve. Të tjerë mund të flasin për shtimin e të papunëve në Arabinë Saudite, vendi më i pasur me naftë. Ali-Rodrigez Arakeu, presidenti i OPEK-ut, thotë: «Qeveritë e vendeve të industrializuara po përfitojnë jashtëzakonisht nga sakrificat që u kërkohen me çdo kusht prodhuesve, përpunuesve dhe konsumatorëve.»
CorpWatch, një organizatë që ka si qëllim t’i ndërgjegjësojë korporatat për përgjegjësinë e tyre përpara ligjit për ruajtjen e mjedisit thotë: «Nafta mbetet mbret. Por nuk sundon me mirëdashje.»
Cila do të jetë e ardhmja e naftës?