Nafta: A do të shterojë ndonjëherë?
Nafta: A do të shterojë ndonjëherë?
«Pa [energji] rrotat e industrisë nuk do të rrotulloheshin . . . Nuk mund të ndërtohej asnjë makinë, kamion, tren, anije ose avion . . . Pa energji, shtëpitë do të mbeteshin të ftohta dhe pa dritë, ushqimi nuk do të gatuhej. . . . Pa burime energjie praktikisht do të ktheheshim në epokën e gurit.»—Sipas «Projektit Botëror të vitit 2000 për Naftën nga Instituti i Studimeve Gjeologjike në SHBA.»
SPECIALISTËT në fushën e energjisë teorizojnë se herët a vonë burimet e naftës mund të shterojnë. Disa llogaritin se rezervat botërore të naftës do të zgjatin edhe për 63 deri në 95 vjet të tjera. Ndërkohë po shfrytëzohen burime të tjera energjie, disa prej të cilave janë përdorur për dekada. Ndërmjet burimeve të ripërtëritshme ose që mund të rimbushen shpejt janë: energjia diellore, energjia e erës, e dallgëve, e ujit dhe energjia e rrymave të ngrohta të ajrit që ngrihen nga oqeanet. Por sot për sot mbeten të pazgjidhura probleme kryesore që lidhen me prodhimin dhe me shpërndarjen e këtyre energjive.
Sigurisht është për të ardhur keq që në fillim të shfrytëzohen burimet e paripërtëritshme të energjisë derisa ato të shterojnë dhe vetëm pastaj u kthehemi burimeve të ripërtëritshme. Shoqëritë e naftës janë gati të përfitojnë sa më shumë nga koha e kufizuar që sipas tyre është llogaritur për naftën. Mjerisht ekzistojnë të gjitha arsyet që të presim se problemet shoqërore dhe ato të mjedisit që lidhen me naftën të vazhdojnë për aq kohë sa të ketë naftë. Vetëkuptohet që rrënja e këtyre problemeve nuk është nafta në vetvete. Është pikërisht lakmia e njeriut dhe etja për pushtet që i kanë hapur naftës një nam të keq.
Lumturisht, e ardhmja e naftës dhe e të gjitha burimeve të energjisë nuk është në duart e shteteve. Përfundimisht ajo është në duart e Krijuesit dhe Kujdestarit të tokës, Perëndisë Jehova, i cili ka premtuar se së shpejti do të zhduket çdo problem i mjedisit e çdo problem shoqëror që lidhet me përdorimin dhe abuzimin e burimeve të tokës. (Zbulesa 4:11) Siç thotë Bibla, është afër koha kur Perëndia do të ‘shkatërrojë ata që shkatërrojnë tokën’. Sundimi i drejtë i Perëndisë do të sjellë «një qiell të ri dhe një tokë të re», një botë ku nuk do të ketë shfrytëzim për arsye egoiste ose padrejtësi e ku burimet e tokës do të përdoren me altruizëm në dobi të të gjithë njerëzimit të bindur.—Zbulesa 11:18; 21:1-4.
[Figurat në faqen 12]
Në burimet energjitike që mund të zëvendësojnë naftën përfshihen panelet diellore dhe turbinat me erë