Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nafta: Si arrin deri te ne?

Nafta: Si arrin deri te ne?

Nafta: Si arrin deri te ne?

“LE TË bëhet dritë.» Në shekullin e 19-të, në Shtetet e Bashkuara nevojitej një burim i ri drite artificiale për t’u dhënë fund problemeve të dritës që regëtinte kur përdornin dhjamëra, vaj balene dhe lëndë të tjera. Cila ishte zgjidhja? Nafta! Ku mund të gjendej ajo?

Më 1859, Edvin L. Drejku, një faturino treni në pension, duke përdorur një motor të vjetër me avull shpoi një pus 22 metra të thellë dhe kështu u zbulua vendburimi i parë i naftës afër Tajtësvillit në Pensilvani, SHBA. Kjo shënoi fillimin e epokës së naftës. Zbulimi i vendburimeve të naftës në shumë pjesë të tjera të botës pati një ndikim të madh në ekonomi dhe në politikë. Më në fund u gjet burimi cilësor i dritës artificiale që bota mezi po e priste.

Shpejt, blerja me ngut e tokave dhe shpimi i puseve u bë një ndër bizneset kryesore në të ashtuquajturat rajone nafte në Shtetet e Bashkuara. Në ato vite ishte e zakonshme të dëgjoje për njerëz që papritur bëheshin të pasur dhe për të tjerë që e humbnin pasurinë e fituar. Si për ironi, Edvin Drejku, njeriu që hapi pusin e parë të naftës në Pensilvani, ishte njëri nga ata që e humbën gjithë pasurinë e tyre.

Pavarësisht nga lulëzimi i jashtëzakonshëm i tregtisë së naftës, e ndoshta për shkak të këtij lulëzimi, industria e naftës në Pensilvani shpejt pësoi për herë të parë humbje. Çmimi i naftës ra nga 20 dollarë për fuçi në 10 cent për fuçi. Mbiprodhimi dhe spekulimi çuan në uljen e menjëhershme të çmimeve, e si pasojë disa puse shteruan shpejt. Një kujtim i veçantë i atyre kohërave është qyteti i Pitolit, në Pensilvani, i cili sot ka mbetur një qytet fantazmë. Ai u ndërtua, lulëzoi dhe pastaj u braktis. E gjithë kjo ndodhi në një hark kohor prej pak më shumë se një viti e gjysmë. Këto ulje-ngritje do të bëheshin pjesë e pandashme e historisë së naftës.

Më 1870, Xhon D. Rokfeleri dhe disa ortakë të tjerë themeluan Standard Oil Company. Kjo shoqëri e sundoi tregun e vajgurit derisa dolën konkurrues të tjerë, sidomos ata të industrisë ruse të naftës. Njëri nga konkurrentët ishte Markus Samueli, një nga themeluesit e shoqërisë që sot njihet me emrin Royal Dutch/Shell Group. Përveç kësaj, mendjemprehtësia e vëllezërve Nobel * bëri që në Rusi të krijohej një shoqëri e fuqishme nafte, e cila furnizohej me naftë nga vendburimet e Bakusë.

Këto ishin vetëm të parat e një vargu të gjatë sipërmarrjesh nafte. Që prej asaj kohe, për të shmangur paqëndrueshmërinë e çmimit dhe të prodhimit të kohëve të para janë krijuar grupe shoqërish dhe organizatash të ndryshme. Njëra prej tyre është Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEK), 11 anëtarë të së cilës së bashku zotërojnë shumicën e rezervave të tanishme të naftës në botë.—Shih kutinë në faqen 7.

Sa naftë ka dhe ku gjendet ajo?

Rreth fundit të shekullit të 19-të, përdorimi i madh i elektricitetit mund të kishte çuar në falimentimin e shoqërive të naftës. Megjithatë, një shpikje e jashtëzakonshme e përmbysi situatën—motori me djegie të brendshme, që përdorej sidomos te automjetet. Gazolina, nënprodukt i naftës, tani ishte e domosdoshme për mjetet vetëlëvizëse, të cilat i gjeje në tregje në shumicën e vendeve të industrializuara para se të afrohej fundi i viteve 20 të shekullit të 20-të. Tani nevojitej shumë më tepër naftë për ta mbajtur botën në lëvizje, por, ku do ta gjenin atë?

Me kalimin e viteve, epërsia e naftës në tregun botëror është përforcuar nga zbulimi i vazhdueshëm i vendburimeve të reja në pjesë të ndryshme të botës. Vetëm mendoni pak: janë zbuluar rreth 50.000 të tilla! Por nga pikëpamja e prodhimit, gjëja më e rëndësishme nuk është numri i vendburimeve të zbuluara, por madhësia e tyre. Çfarë madhësie kanë ato?

Zonat më të mëdha naftëmbajtëse janë vendburime, nga të cilat mund të nxirren të paktën pesë miliardë fuçi naftë. Vendin e dytë në klasifikim e zënë vendburimet prej të cilave mund të nxirren nga pesëqind milionë në pesë miliardë fuçi. Ndonëse «Projekti Botëror i vitit 2000 për Naftën nga Instituti i Studimeve Gjeologjike në SHBA» radhit rreth 70 vende, duke i klasifikuar si vende me disa rezerva nafte, vetëm pak prej tyre kanë vendburime nafte kaq të mëdha. (Shih kutinë në faqen 7.) Shumica e fushave më të mëdha naftëmbajtëse janë të përqendruara në pellgun sedimentar arabo-iranian, i cili përmbledh zonën brenda dhe përreth Gjirit Persik.

Kërkimet për burime të reja nafte nuk kanë mbaruar. Përkundrazi, ato janë përforcuar nga teknologjia më e përparuar e kohës. Aktualisht, prodhuesit e naftës po tregojnë interes për rajonin e detit Kaspik, që formohet nga shtetet e Azerbajxhanit, Iranit, Kazakistanit, Rusisë, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit. Sipas Administratës së Informacionit për Energjinë në SHBA, ky rajon ka një potencial shumë të madh për shfrytëzimin e naftës dhe të gazit natyror. Po kërkohen rrugë të ndryshme për transportimin e naftës, si për shembull përmes Afganistanit. Gjithashtu vendburime të mundshme nafte janë gjetur edhe në Lindjen e Mesme, Grënlandë dhe në zona të Afrikës. Shndërrimi i hidrokarbureve të zbuluara në energji dhe në artikuj që përdoren në jetën e përditshme është histori më vete.

Si nxirret nafta?

Gjeologët dhe rilevuesit kërkojnë vende, nëntoka e të cilave ka formacione ku mund të jetë grumbulluar naftë. Pasi bëjnë disa matje të veçanta dhe marrin mostra, ata shpojnë me sondë për të vërtetuar nëse ka vërtet naftë. Dikur të arrije të shpoje me sukses në një vendburim nafte mund të nënkuptonte të bëje një dush në një shatërvan balte dhe nafte. Kjo dalje e vrullshme e naftës sillte humbjen e sasisë fillestare dhe rrezikun e shpërthimit. Megjithatë, me anë të mjeteve matëse dhe valvulave speciale, kullat e sotme të shpimit e parandalojnë këtë gjë. Gjithashtu, sot mund të realizohen shpime më të vogla e më të thella.

Si përfundim, presioni që e bën naftën dhe gazin të dalin, ulet dhe ky presion duhet ruajtur duke futur ujë, lëndë kimike, dyoksid karboni ose gaze të tjera siç është azoti. Në varësi të zonës, nafta mund të ketë dendësi të ndryshme. Natyrisht nafta e lehtë parapëlqehet shumë më tepër, pasi nxirret e përpunohet më lehtë.

Siç shpjegon Instituti Amerikan i Naftës, teknologjia moderne përfshin shpimin horizontal që bëhet pothuajse paralel me koren e tokës. Ai e zvogëlon numrin e puseve që duhen hapur. Nxjerrja e naftës në det, e cila nisi më 1947 në Gjirin e Meksikës, e rriti shumë prodhimin e naftës. Sigurisht, metoda e nxjerrjes ndikon drejtpërdrejtë në çmimin e prodhimit përfundimtar. *

Si transportohet nafta?

Më 1863 në Pensilvani, për transportimin e naftës u ndërtuan tubacione naftësjellëse druri me diametër të vogël, pasi ishin më të lirë dhe përdoreshin më me lehtësi sesa fuçitë 159-litërshe që ngarkoheshin në karroca me kuaj. * Sistemet e sotme naftësjellëse janë bërë më të sofistikuar dhe janë shtuar. Sipas Shoqërisë së Tubacioneve të Naftës, vetëm Shtetet e Bashkuara kanë një rrjet naftësjellësish 300.000 kilometra të gjatë.

Sisteme të tilla të naftësjellësve, të ndërtuara kryesisht prej metali, jo vetëm që transportojnë naftën e papërpunuar drejt rafinerive, por çojnë edhe produktet përfundimtare të saj drejt pikave të shpërndarjes. Teknologjia moderne e naftësjellësve bën të mundur të përdoren sisteme të automatizuara që kontrollojnë rrjedhjen dhe trysninë. Janë shpikur edhe pajisje të vogla kompjuterike që kontrollojnë qindra kilometra tubacione duke u futur brenda tyre. Gjithashtu përdoren pajisje magnetike që dallojnë nëse ka ndonjë vrimë në muret e tubacioneve, si dhe pajisje me ultratinguj që kontrollojnë për ndonjë plasë të brendshme ose të jashtme në tubacion. Megjithatë, gjithçka që ndoshta do të shohë konsumatori i prodhimeve përfundimtare është një shenjë që tregon se nën tokë shtrihet një tubacion nafte dhe një paralajmërim që në atë vend nuk duhen bërë gërmime.

Ndonëse janë të dobishme, përdorimi i naftësjellësve nuk është diçka praktike për transportimin e sasive të mëdha të naftës përtej detit. Mirëpo industrialistët e parë të naftës ia gjetën edhe kësaj një zgjidhje​—anijet-cisternë gjigante. Anije të tilla janë të projektuara posaçërisht për këtë dhe gjatësia tyre shkon deri në 400 metra. Anijet-cisternë janë anijet më të mëdha që lundrojnë në oqeane dhe mund të mbajnë deri në një milionë fuçi nafte ose më shumë. Mjerisht, sado të forta të duken, kanë një pikë të dobët që nuk i është gjetur ana, siç thuhet në kutinë «Diçka për derdhjet e naftës». Mjete të zakonshme për transportimin e sasirave të mëdha të naftës janë edhe maunat e vagonët. Por transporti është vetëm gjysma e udhëtimit që bën nafta derisa shkon te konsumatori.

Një flakë e vogël që del nga një tub i lartë vertikal, i cili shërben si një valvulë sigurie, është një shenjë e dukshme që tregon se para jush keni një rafineri nafte. Në përgjithësi, në këto impiante rafinerie shumë të mëdha, nafta e papërpunuar nxehet dhe dërgohet në një kullë të distilimit atmosferik ku ndahet në disa produkte. Këto produkte janë nga më të lehtat, pra gazet, siç është butani, e deri te më të rëndat. Këto të fundit përpunohen e ndër të tjera japin edhe vajrat lubrifikuese. (Shih faqet 8, 9.) Por ende mbetet pa përgjigje një pyetje: a është nafta njëherësh bekim dhe mallkim?

[Shënimet]

^ par. 6 Njëri nga ata, Alfred-Bernard Nobel, më vonë u bë themeluesi i çmimeve Nobel.

^ par. 16 «Është llogaritur se një kullë shpimi në ujë, e fiksuar me litarë tërheqës dhe e ndërtuar më shumë se 300 metra larg Gjirit të Meksikës prodhon naftë me kosto prodhimi rreth 65 herë më të madhe se ajo e Lindjes së Mesme.»​—The Encyclopædia Britannica.

^ par. 18 Në fillim nafta mbahej dhe transportohej në fuçi druri, njësoj si ato që përdoreshin për verë.​—Shih kutinë në faqen 5.

[Kutia dhe figura në faqen 5]

FUÇI APO TONË?

Shoqëritë e para të naftës në Pensilvani e transportonin naftën në fuçi vere 180-litërshe. Më vonë, në fuçi futeshin vetëm 159 litra naftë, duke mbajtur parasysh derdhjen e saj gjatë transportimit. Një fuçi (159 litra) përdoret ende sot si masë gjatë tregtimit të naftës.

Që në fillim, nafta për Evropën transportohej me rrugë detare dhe zakonisht masa e saj shprehej në ton, siç bëhet edhe sot.

[Burimi]

Burimi: Instituti Amerikan i Naftës

[Kutia në faqen 6]

SI U FORMUA NAFTA?

Që nga vitet 70 të shekullit të 19-të, midis shumicës së shkencëtarëve ka mbizotëruar teoria biogjenike ose organike. Sipas kësaj teorie, «mbeturinat biologjike të depozituara në fundin e deteve shpërbëhen, e pas një kohe të gjatë kthehen në naftë dhe në gaz natyror. Më pas nafta dhe gazi përqendrohen në poret e shkëmbinjve sedimentarë në shtresat më të sipërme të kores [së tokës]». Nga ky proces formohet nafta, përbërësit kryesorë të së cilës janë hidrokarburet​—përbërje të formuara nga hidrogjeni dhe karboni. Megjithatë, që nga vitet 70 të shekullit të 20-të, herë pas here, kjo teori është vënë në dyshim nga disa shkencëtarë.

Në numrin e 20 gushtit 2002 të revistës Proceedings of the National Academy of Sciences, u botua artikulli «Zanafilla e hidrokarbureve dhe origjina e naftës». Autorët argumentojnë se origjina e naftës duhet të gjendet në thellësi që arrijnë «deri në mantelin e Tokës» dhe jo në thellësi shumë më të vogla, siç pranohet në përgjithësi.

Fizikani Tomas Gold ka parashtruar disa teori që e kundërshtojnë teorinë biogjenike dhe i shpjegon hollësisht arsyet e tij në librin The Deep Hot Biosphere​—The Myth of Fossil Fuels. Ai shkruan: «Teoria e origjinës biologjike të hidrokarbureve përkrahej kaq shumë në Shtetet e Bashkuara dhe në një pjesë të madhe të Evropës, saqë arriti të ndërpriste kërkimet rreth pikëpamjes së kundërt. Por s’mund të thuhet e njëjta gjë për vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.» Atje nuk ndodhi kështu «ndoshta sepse kimisti i nderuar rus Mendelejevi kishte përkrahur pikëpamjen abiogjenike [inorganike]. Argumentet që parashtroi ai janë edhe më të forta sot, duke marrë parasysh informacionin shumë më të gjerë që kemi në ditët tona». Çfarë thotë teoria abiogjenike?

Goldi thotë: «Sipas teorisë abiogjenike hidrokarburet ishin pjesë përbërëse e materialit që formoi tokën nëpërmjet grumbullimit gradual të lëndëve të ngurta, rreth 4,5 miliardë vjet më parë.» Sipas kësaj teorie, përbërësit e naftës kanë qenë thellë në tokë që nga formimi i tokës. *

[Shënimi]

^ par. 37 Kur flet për teori të ndryshme Zgjohuni! nuk mban anën e ndonjërës prej tyre, thjesht i paraqet ato.

[Kutia dhe figura në faqet 10, 11]

DIÇKA PËR DERDHJET E NAFTËS

▪ Sasia e përgjithshme e naftës së derdhur nga anijet-cisternë nga viti 1970 deri më 2000 është 5.322.000 tonë

▪ Derdhja më e madhe e naftës ndodhi në vitin 1979 kur Atlantic Empress u përplas me Aegean Captain në Karaibe dhe, si pasojë, u derdhën 287.000 tonë naftë

▪ Derdhja e naftës nga anija-cisternë Exxon Valdez renditet e 34-ta në listën e sasive më të mëdha të derdhura

▪ Ndonëse shumica e derdhjeve nga anijet-cisternë ndodhin gjatë ngarkimit, shkarkimit dhe mbushjes së cisternës me naftë, derdhjet më të mëdha vijnë nga përplasjet dhe kur anija ngec në cekëtinë

▪ Disa nga derdhjet më të mëdha të naftës vijnë nga shkaqe që s’kanë lidhje me anijet-cisternë:

● Shpërthimi i një pusi zbulimi Ixtoc I më 1979 në Gjirin e Meksikës. Sasia e derdhur: 500.000.000 litra

● Shpërthimi i një platforme në një pus në Gjirin Persik më 1983. Sasia e derdhur: 300.000.000 litra

● Derdhje e qëllimshme në vitin 1991, në Gjirin Persik. Sasia e derdhur: 900.000.000 litra

[Figura]

Anija-cisternë «Erika» fundoset afër Penmarsh-Puasë, Francë 13 dhjetor 1999

[Burimet]

Burimet: International Tanker Owners Pollution Federation Limited, «Oil Spill Intelligence Report», «The Encarta Encyclopedia»

© La Marine Nationale, France

[Diagrami dhe figurat në faqet 8, 9]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

PRODHIMI I NAFTËS​—SKEMË E THJESHTUAR

1​—EKSPLORIMI

SATELITI

Sistemi i Përcaktimit të Vendndodhjes në Glob jep sinjale të sakta që përdoren për rilevim

GJEOFONË

KAMION ME VIBRATOR

HIDROFONË

ANIJE SIZMIKE

Rilevimi sizmik, një metodë e përdorur, regjistron pasqyrimin në nëntokë të valëve zanore të lëshuara artificialisht

2​—NXJERRJA

PUSE NË TOKË

PLATFORMË NË UJË AFËR BREGUT

PUS NËNUJOR

Metodat e nxjerrjes përfshijnë përdorimin e puseve në tokë, pranë bregut dhe nën ujë. Për të ruajtur presionin mund të futen brenda gaze ose ujë

[Figura]

PUS NËNUJOR NAFTE

Nëndetëse të drejtuara nga larg përdoren për të ndërtuar në fund të detit impiante për nxjerrjen e naftës

[Figura]

SHPIMI HORIZONTAL

Motorët që kontrollohen nga larg nga një inxhinier rrotullojnë majën shpuese të sondës, kurse pajisjet zbuluese dallojnë veçoritë e shkëmbinjve

3​—TRANSPORTI

TUBACIONE

ANIJE-CISTERNË

Tubacionet naftësjellëse mbi tokë, nën tokë dhe nën det transportojnë naftën. Mënyra të tjera transporti përfshijnë anijet-cisternë, maunat dhe vagonët

4​—PËRPUNIMI

RAFINERI

Nafta e papërpunuar nxehet, distilohet dhe ndahet në përbërës që mund të përdoren për përftimin e produkteve të jetës së përditshme

KULLA E DISTILIMIT

Kur nafta veshtullore e papërpunuar nxehet në furrnaltë, hidrokarburet kthehen në gaze. Në temperatura të ndryshme, gazet kondensohen dhe kthehen në lëngje. Në këtë mënyrë nafta ndahet në pjesë përbërëse ose produkte

20°C

GAZET E RAFINERISË

Këtu futen metani, etani, propani dhe butani

20°-70°C

GAZOLINA

Përdoret si karburant për automobilat dhe si lëndë e parë për lëndët plastike

70°-160°C

BENZINA E RËNDË

Mund të përdoret për përftimin e lëndëve plastike, si karburant automobilash dhe për përftimin e lëndëve të tjera kimike

160°-250°C

VAJGURI

Përdoret si karburant për avionët reaktivë dhe si lëndë djegëse për sobat

250°-350°C

GAZOILI

Përdoret si karburant për motorët dizel dhe si lëndë djegëse në furrnaltë

FURRNALTË

221°C

MBETJET

Nga përpunimi i mëtejshëm japin lëndë djegëse rafinerie, naftë të rëndë për motorë, parafinë për qirinj, vajra lubrifikuese dhe asfalt

KREKINGU KATALITIK

Hidrokarburet nxehen me avull dhe përzihen me katalizatorin alumo-silikaxhel, i cili është në formë pluhuri. Ky proces zbërthen ose i ndan hidrokarburet në molekula më të vogla e më të dobishme

Në avull katalizatori në formë pluhuri përzihet me hidrokarburet

ETANOLI

Ky tretës përdoret për prodhimin e ngjyrosësve, artikujve kozmetikë, parfumeve, sapunëve dhe bojërave

LËNDËT PLASTIKE

Polistireni, për shembull, përftohet nga polimerizimi i stirenit

LËNDËT SHTESË

Përforcuesi me oktan pengon ndezjen tepër të shpejtë të gazeve në motor dhe, si pasojë, përmirëson cilësinë e punës

[Burimi]

Fotografi me mirësjellje nga Phillips Petroleum Company

[Grafiku në faqen 7]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

VENDBURIMET KRYESORE TË NAFTËS

Sasitë e përgjithshme janë shprehur në miliarda fuçi. Nuk janë përfshirë burimet e pazbuluara

▪ Anëtar i OPEK-ut

▪ Vende që kanë një ose disa nga vendburimet më të mëdha të naftës

Prodhimi i deritanishëm

◆ Rezerva

▪ • ◆ 332,7 ARABIA SAUDITE

• ◆ 216,5 SHTETET E BASHKUARA

• ◆ 192,6 RUSIA

▪ • ◆ 135,9 IRANI

▪ • ◆ 130,6 VENEZUELA

▪ • ◆ 125,1 KUVAJTI

▪ • ◆ 122,8 IRAKU

▪ • ◆ 113,3 EMIRATET E BASHKUARA ARABE

• ◆ 70,9 MEKSIKA

• ◆ 42,9 KINA

▪ • ◆ 41,9 LIBIA

▪ ◆ 33,4 NIGERIA

◆ 21,2 KANADAJA

▪ ◆ 21,0 INDONEZIA

◆ 20,5 KAZAKISTANI

▪ • ◆ 18,3 ALGJERIA

◆ 17,6 NORVEGJIA

◆ 16,9 BRITANIA E MADHE

[Figurat në faqen 4]

Pusi i parë i naftës, Tajtësvill, Pensilvani, 1859

Shpërthim nafte nga një pus në Teksas

[Burimi]

Brown Brothers

[Figura në faqen 5]

Një nga fushat e para naftëmbajtëse, Bomant, Teksas

[Figura në faqen 5]

Karrocë duke transportuar fuçi me naftë

[Figura në faqen 10]

Zjarr në një pus nafte në Kuvajt

[Burimi i figurës në faqen 5]

Të gjitha fotografitë: Brown Brothers