Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nafta: Si ndikon në jetën tonë?

Nafta: Si ndikon në jetën tonë?

Nafta: Si ndikon në jetën tonë?

A KENI menduar ndonjëherë si do të ishte jeta për shumë njerëz po të mos ishte nafta dhe produktet e saj? * Vaji që nxirret nga nafta përdoret për të lubrifikuar automjetet, biçikletat, karrocat për fëmijë dhe mjete të tjera me pjesë të lëvizshme. Vaji zvogëlon fërkimin dhe në këtë mënyrë ngadalëson prishjen e pjesëve të një makine. Por përdorimet e naftës nuk mbarojnë me kaq.

Nafta përdoret për të përftuar lëndë djegëse për aeroplanët, automobilat dhe për sistemet e ngrohjes. Një shumëllojshmëri artikujsh kozmetikë, ngjyrues, bojëra shtypi, ilaçe, plehra për tokën, materiale plastike, si edhe një mori artikujsh të tjerë përmbajnë produkte të naftës. Po të mos ishte nafta, për shumë njerëz jeta do të ishte krejt ndryshe. Pra, nuk është për t’u habitur që sipas një burimi, nafta dhe nënproduktet e saj kanë «më shumë përdorime se çdo lëndë tjetër në botë». Si arrin deri te ne? Nga del ajo? Prej sa kohësh e ka përdorur njerëzimi naftën?

Bibla na tregon se më shumë se dy mijëvjeçarë para Krishtit, Noeja, duke ndjekur udhëzimet hyjnore, ndërtoi një anije gjigante dhe përdori katran​—ka të ngjarë një lëndë që përmban naftë​—për ta bërë atë të papërshkueshme nga uji. (Zanafilla 6:14) Lëndët që përmbajnë naftë përdoreshin nga babilonasit për të bërë tullat që piqeshin në furrë, nga egjiptianët për balsamosjen e mumjeve, si dhe për mjekim nga popuj të tjerë të lashtësisë.

Kujt i shkonte ndër mend se kjo lëndë do të bëhej kaq e rëndësishme në botën e sotme? Askush nuk mund ta mohojë se qytetërimi i industrializuar modern varet nga nafta.

Përdorimi për ndriçim artificial i vajit që nxirret nga nafta ka qenë trampolina e naftës drejt famës. Që në shekullin e 15-të, në Baku, kryeqyteti i sotëm i Azerbajxhanit, nafta e puseve të cekëta përdorej për llambat. Më 1650, në Rumani u hapën disa rezervuarë të cekët nafte. Vajguri që merrej nga kjo naftë përdorej për ndriçim. Nga mesi i shekullit të 19-të, në atë vend dhe në vende të tjera të Evropës Lindore industria e naftës tashmë kishte lulëzuar.

Në vitet 1800, në Shtetet e Bashkuara kërkesa për një ndriçim cilësor ishte shkaku kryesor që nxiti një grup burrash të përqendroheshin në nxjerrjen e naftës. Me të drejtë ata arritën në përfundimin se për të prodhuar sasinë e mjaftueshme të vajgurit për të furnizuar tregun duhej të bënin shpime për të nxjerrë naftë. Kështu më 1859 u hap me sukses një pus nafte në Pensilvani. Ethet e naftës kishin nisur. Çfarë ndodhi më pas?

[Shënimi]

^ par. 2 Përveç naftës që është në gjendje të lëngët ekziston një përbërje e lidhur ngushtë me të, gazi natyror, që ndryshe njihet si metani. Ndonjëherë që të dyja këto lëndë dalin në sipërfaqe përmes plasave të tokës. Për sa i përket naftës, ajo mund të jetë në gjendje të lëngët ose në formën e asfaltit, ziftit, bitumit ose katranit.

[Kutia në faqen 3]

NAFTA: ÇFARË ËSHTË AJO?

Nafta përkufizohet si një përzierje veshtullore, e djegshme, me ngjyra që variojnë nga e verdha në të zezë, e përbërë nga hidrokarbure të gazta, të lëngëta e të ngurta që gjendet në kushte natyrore nën sipërfaqen e tokës. Ajo mund të ndahet në përbërës ku përfshihet gazi natyror, gazolina, benzina e rëndë, vajguri, vajrat lubrifikuese e ato që përdoren si karburant, parafina e ngurtë dhe asfalti, dhe shërben si lëndë e parë për një shumëllojshmëri nënproduktesh.