Një dhuratë ngjyrartë nga Veriu i largët
Një dhuratë ngjyrartë nga Veriu i largët
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË SUEDI
‘Ç’gjë të marrim me vete si dhuratë tipike të vendit tonë?’—vritnim mendjen unë dhe gruaja përpara se të niseshim nga Suedia për të vizituar disa miq në Angli. Vendosëm t’u bënim dhuratë një reçel nordik mjedre të reve, të bërë vetë. Meqë donim që dhurata t’u mësonte diçka të re miqve tanë, hartuam një lloj etikete për të, të bazuar kryesisht në vëzhgimet tona dhe në disa burime vendëse. Ja se cili ishte rezultati që nxorëm.
Çfarë janë mjedrat e reve?
Mjedra e reve, që në latinisht quhet Rubus Chamaemorus, rritet në shkurre jo më shumë se 30 centimetra të larta. Çdo bimë nxjerr vetëm një lule të bardhë dhe prodhon vetëm një kokërr. Kur është i papjekur, fryti është i kuq dhe i fortë, por, kur piqet, shndërrohet në ngjyrë ari ose qelibari dhe bëhet i butë e me lëng. Emri i tij, mjedra e reve, ndoshta vjen ngaqë në veri të Anglisë mjedrat e reve rriten në atë lartësi në male ku formohen retë e ulëta. Gjithashtu do t’i gjeni në zonat me lagështirë, kryesisht në tundër dhe në moçalet që ndodhen anembanë Arktikut Jugor. Në Suedi ato piqen zakonisht në gusht kur afrohet vjeshta nordike.
Ari i moçaleve
Prej shekujsh popullsia vendëse lapone ka mbledhur mjedra të reve si ushqim për të ngrënë në dimër. Ato janë të pasura me vitaminë C dhe vitamina të tjera, e meqenëse përmbajnë një lëndë konservuese natyrore, reçeli i tyre mund të rrojë për vite të tëra, nëse mbahet në vend të freskët. Meqë banorët e hershëm në këto rajone veriore jetonin duke u ushqyer kryesisht me mish dhe peshk, mjedrat e reve u bënë një plotësues i rëndësishëm i vitaminave. S’është çudi që janë quajtur ari i moçaleve.
Në ditët e sotme mblidhen sasi të mëdha mjedrash të reve, të cilat dërgohen nëpër supermarkete dhe për t’u përpunuar në industri. Për shembull, në Suedi, gjatë një viti të zakonshëm, në treg mund të shiten më tepër se një mijë tonë mjedra të reve, të cilat janë vjelur të gjitha me dorë. Vjelësit e zellshëm të mjedrave të reve, që shpesh janë nxënësit e shkollave të cilët punojnë gjatë pushimeve, mund të fitojnë në këtë mënyrë ca para xhepi. Finlandezët e kanë nderuar mjedrën e reve duke e gdhendur relievin e saj në monedhën e tyre të re prej dy eurosh.
Një përvojë e shijshme
Mjedra e reve ka një shije freskuese, të ëmbël e paksa të athët. Mund të gjeni komposto ose reçel mjedre të reve, e madje likerë me shijen e mjedrës së reve, në dyqanet me ushqime të zgjedhura ose në dyqane të tjera në qytetet kryesore të Evropës dhe të Shteteve të Bashkuara. Një lloj parfeje me mjedrën e reve është servirur shpesh si ëmbëlsirë në darkat festive që organizohen çdo vit në Stokholm të Suedisë për fituesit e çmimit Nobel. Në restorantet luksoze mund t’ju shërbejnë akullore me vanilje dhe sipër saj reçel të nxehtë mjedre të reve. Përveç kësaj, reçeli shkon shumë me një lloj keku suedez me djathë ose me djathë Kamomber të skuqur, e është po ashtu një krem i shijshëm për të mbushur pastat. Në Finlandë prodhohet likeri ngjyrartë i mjedrës së reve dhe kohët e fundit në tregun suedez të verërave është futur vera e mjedrës së reve.
Në qoftë se do t’ju rastisë të shkoni atje ku rriten mjedrat e reve, merrini dhe shijojini të freskëta, e nëse është e mundur, të spërkatura me sheqer pluhur dhe me shumë krem ëmbëlsire në majë. Do të shihni se vlejnë po aq sa dhe ari, e ndoshta do të nxiteni ta falënderoni Krijuesin për këtë dhuratë të shijshme.