Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Një makinë që përdor plehra si karburant
Në Finlandë, pronari i një ferme tani ka një makinë, e cila përdor si karburant gazin që nxjerrin plehrat në dekompozim e sipër. Revista finlandeze Suomen luonto raporton: «Makina punon me biogaz, i cili prodhohet nga plehrat që seleksionohen dhe ngjeshen në një reaktor biogazi, që gjendet në fermën e pronarit të makinës.» Duke qenë se digjet pa krijuar fare ndotje, biogazi është karburanti më i mirë që përdoret për makina sot, dhe meqë prodhohet gjatë riciklimit të plehrave nuk është i dëmshëm për mjedisin. Në fakt, një nga nënproduktet e biogazit është plehu bujqësor, mjaft i dobishëm. Makinat që tashmë janë projektuar për të përdorur gaz natyror, të cilat janë rreth dy milionë në mbarë botën, mund të punojnë edhe me biogaz. Në Suedi shumë autobusë urbanë furnizohen me biogaz, dhe disa pika karburanti përveç karburanteve të tjera tashmë shesin edhe biogaz. Në artikull përmendet edhe një dobi e fundit: «Biogazi është shumë herë më i lirë se benzina ose nafta.»
Si mbijetojnë milingonat gjatë përmbytjeve?
Çfarë bëjnë milingonat kur bie shi? Gazeta The New York Times thotë se megjithëse jo të gjitha llojet e milingonave jetojnë nën tokë, ato që jetojnë përdorin metoda shumë të veçanta për të mbijetuar gjatë përmbytjeve. Specialistët e milingonave, dr. Eduard O. Uillsoni dhe Bert Holldoblëri, shpjegojnë se disa milingona të pyjeve tropikale «reagojnë edhe ndaj një pike të vetme [uji] që bie në hyrje të folesë, duke vrapuar për të dhënë alarmin nëpër fole, vrap që shpesh përfundon te hyrjet e tjera. Ato me anë të erërave që lëshojnë u tregojnë milingonave të tjera rrugën drejt galerive që i kanë hyrjet të lira dhe ndonjëherë për të dalë fare nga foleja». Ato janë në gjendje ta mobilizojnë shumicën e kolonisë në më pak se 30 sekonda. Kurse në pjesën jugperëndimore të Shteteve të Bashkuara dhe në veri të Amerikës Jugore, disa milingona të llojit Solenopsis «dalin nga foletë në sipërfaqe të tokës, formojnë grumbuj të mëdhenj, të cilët përfshijnë milingona të rritura, mbretëreshën dhe të vegjlit e saj, dhe pluskojnë mbi ujin që vazhdon të ngrihet. Shumë mbijetojnë . . . Këta grumbuj së fundi kapen pas barishteve ose shkurreve, dhe kur ujërat tërhiqen, të mbijetuarit mund të kthehen në fole»,—thotë The Times.
Pasojat e rënda të teprimit në të pirë
«Teprimi në të pirë te gratë dhe te të rinjtë ka çuar në një rritje mjaft të madhe të vdekjeve që shkaktohen nga alkooli në Britani. Për 20 vjet vdekjet si pasojë e teprimit në të pirë janë dyfishuar, shumica për shkak të sëmundjeve kronike të mëlçisë dhe cirrozës»,—raporton gazeta The Independent e Londrës. Viktimat sa vjen dhe janë të një moshe më të re. Në artikull thuhet: «Një dhjetëvjeçar më parë mosha maksimale e atyre që vdisnin nga ky shkak, si për burrat, edhe për gratë, ishte në fillim të të 70-ave. Shifrat e fundit për periudhën 1998-2000 tregojnë se mosha maksimale është ulur deri në fund të të pesëdhjetave.» Por pasojë e abuzimit me alkoolin nuk janë vetëm sëmundjet. Gazeta Le Monde thotë se në Francë «alkooli është me sa duket shkaku kryesor i 10 deri në 20 për qind të aksidenteve në punë». Për më tepër në Francë çdo vit vdesin 2.700 njerëz dhe dëmtohen 24.000 të tjerë nga aksidentet rrugore të lidhura me pijen, dhe alkooli është shkaku i 30 për qind të akteve të dhunës. Abuzimi me alkoolin shkakton edhe një dëm jashtëzakonisht të madh financiar. Le Monde vëren se në vitin 1996 në Francë, keqpërdorimi i alkoolit solli humbje financiare, e cila u llogarit se ishte e barabartë me 17,6 miliardë euro.
Stresi dhe sëmundjet
Organizata Holandeze për Kërkimet Shkencore raportoi se sipas një studimi holandez, i cili përfshiu më shumë se 8.000 punëtorë, «stresi në punë dhe lodhja e rritin mundësinë e infeksioneve akute, si: rrufa, sëmundjet e ngjashme me gripin dhe pezmatimi i cipës së brendshme të stomakut dhe të zorrëve. Studimi zbuloi se njerëzit që kishin një ngarkesë të madhe në punë vuanin 20 për qind më shumë nga gripi se ata që ishin më pak të ngarkuar». Faktorë të tjerë që e shtonin rrezikun e infeksioneve ishin puna gjatë natës dhe pasiguria që vinte si pasojë e riorganizimit të kompanisë. Raporti pohon: «Ata që punojnë me turne kanë më shumë mundësi që të marrin infeksione, sesa punëtorët që punojnë gjatë ditës.»
Fëmijët dhe të kënduarit
Dr. Mikael Fuksi, specialist i veshit, hundës dhe fytit në Universitetin e Lajpcigut, shkruan në revistën shëndetësore gjermane Gesundheit se të kënduarit është «një mënyrë e rëndësishme për të shprehur emocionet dhe nxit zhvillimin e personalitetit të fëmijës». Mirëpo, dr. Fuksi shpreh keqardhjen e tij, sepse «gjatë 20 viteve të fundit shtrirja vokale te fëmijët ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Edhe tingulli i zërit të tyre ka ndryshuar». Ai mendon se ka dy arsye për këtë. E para është se «sot fëmijët këndojnë më pak në shtëpi. Ndërsa në të kaluarën familjet e kishin zakon ta kalonin kohën e lirë duke kënduar dhe duke i rënë ndonjë vegle muzikore, tani ato ulen së bashku para televizorit dhe vetëm sa dëgjojnë muzikë në mënyrë pasive». Arsyeja e dytë është se kur këndojnë, fëmijët priren të imitojnë zërat e ngjirur të këngëtarëve të muzikës rok ose pop. Dr. Fuksi shkruan: «Kur përpiqen të imitojnë këta muzikantë, fëmijët i sforcojnë shumë organet e zërit.» Për pasojë, muskujt e laringut dhe të qafës tendosen. Gjithashtu, si pasojë e lodhjes së tepërt, në kordat e zërit formohen nyjëza të cilat e ulin më shumë cilësinë e zërit.
Sigurojeni oxhakun!
«Zjarri i oxhakut ose i sobës me dru mund të jetë një burim ndotjeje, jashtë dhe brenda shtëpisë, si dhe një rrezik i mundshëm që shtëpia të marrë flakë»,—vë në dukje UC Berkeley Wellness Letter. Për t’i ndihmuar njerëzit që të shmangin rrezikun e zjarrit, si dhe problemet shëndetësore që vijnë shpesh si pasojë e ndotësve prej zjarrit të oxhakut, Wellness Letter jep këto këshilla:
● «Mbajeni oxhakun në gjendje të mirë pune . . . , pastrojeni dhe meremetojeni.»
● «Shqyrtoni nëse mund të vendosni një sinjalizues të monoksidit të karbonit . . . , sidomos nëse shtëpinë e keni shumë të izoluar nga ajri.»
● «Në vend që të ndizni një zjarr të madh që nxjerr shumë tym, bëjeni zjarrin të vogël e të fortë.»
● «Përdorni dru të staxhionuar, që kanë të paktën gjashtë muaj në stivë dhe që janë të thatë. Me dru të fortë bëhen zjarre të mira që nuk fiken shpejt.»
● «Hapeni disa centimetra një dritare, për ajrosje.»
● «Sigurohuni që soba me dru të vendoset siç duhet, të paktën një metër larg mureve dhe mobilieve që mund të digjen lehtë.» Përdorni «një fletë llamarine për të mbrojtur dyshemenë».
● «Mos digjni lëndë druri të përpunuar më parë, si kompensatë, pllakë zdrukthi, dru të lyer me bojë a me llak, letër me ngjyrë ose lëndë plastike. Këto mund të nxjerrin gaze helmuese.»
● «Përdorni gjithmonë një rrjetë mbrojtëse kur jeni përballë zjarrit që digjet në oxhak.»
Dimri dhe vitamina D
«Vitamina D është e nevojshme për thithjen e kalciumit, me qëllim që minerali të zërë vendin e tij në kockë dhe ta përforcojë skeletin duke e mbrojtur nga frakturat,—shpjegon Tufts University Health & Nutrition Letter.—Në përgjithësi, 90 për qind e vitaminës D formohet në lëkurë pas ekspozimit ndaj rrezeve të diellit. Por gjatë muajve të dimrit, në vendet e ftohta rrezet e diellit nuk janë aq të forta sa të fillojnë sintezën e vitaminës D. Ç’është më e keqja, pothuajse asnjë njeri me moshë mesatare ose më i madh nuk arrin të marrë nga ushqimi sasinë prej 10 për qind të vitaminës D që duhet të vijë nga ushqimi.» Prandaj Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA rekomandon që gjatë dimrit në rajonet veriore, veçanërisht njerëzit mbi 50 vjeç duhet të marrin më shumë vitaminë D. Për këtë duhet të hanë ushqime si peshk të yndyrshëm, të përdorin vaj të mëlçisë së merlucit ose të marrin vitamina D me tableta, të cilat nuk duhet t’i kalojnë 2.000 njësitë ndërkombëtare farmaceutike, pra 50 mikrogramë në ditë.
Të rinjtë pijanecë të Afrikës së Jugut
«Afrika e Jugut ndoshta po nxjerr një komb pijanecësh, sepse fëmijët po nisin të abuzojnë me alkoolin që në moshë shumë të vogël»,—paralajmëron gazeta The Star e Johanesburgut. Thuhet se edhe fëmijë 9-vjeçarë shkojnë në shkollë me simptoma të rënda që vijnë nga të pirët e tepërt, dhe abuzimi vazhdon të rritet. Pse ekziston ky problem me pijen? Policia përmend «fushatat e reklamave [që] tregojnë një mënyrë jetese tërheqëse për adoleshentët». Arsye të tjera që përmend gazeta janë blerja me lehtësi e alkoolit, pranimi në shoqëri, prindër liberalë, si dhe liria dhe paratë që kanë tani fëmijët. Një psikologe thotë: «Nuk ka më as kontroll nga prindërit dhe as respekt për autoritetin, pra kjo është në thelb një shembje totale e strukturës së shoqërisë.»