Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Praga: Ejani të shihni xhevahirin tonë historik!

Praga: Ejani të shihni xhevahirin tonë historik!

Praga: Ejani të shihni xhevahirin tonë historik!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË REPUBLIKËN ÇEKE

A DO t’ju pëlqente të vizitonit një qytet me një histori më shumë se njëmijëvjeçare, një qytet arkitektura e të cilit nis që nga stili romanik i shekullit të 10-të e vazhdon më tej me stilin gotik, të Rilindjes, barok, rokoko, klasik, neoklasik dhe me Art Nuvonë në shekullin e 20-të? Atëherë ejani me ne në Pragë, që është një xhevahir i Evropës Qendrore. Gjuha çeke nuk është aspak e lehtë, megjithatë do t’ju ndihmonte shumë po të merrnit me vete një fjalor me shprehje të përditshme. Mirëpo, së pari, ku është Praga?

Hidhini një sy hartës së Evropës. Në pjesën lindore të Gjermanisë gjeni Berlinin, kryeqytetin e saj. Prej andej zbritni në vijë të drejtë rreth 120 kilometra në jug dhe qyteti i parë i madh që do të gjeni në Republikën Çeke është Praga, kryeqyteti i saj. Më në jug do të gjeni Vjenën në Austri e prej andej më në lindje ndodhet Budapesti i Hungarisë. Të tria këto qytete janë vetëm disa orë me makinë larg njëri-tjetrit.

Përmes qytetit të Pragës kalon lumi Vëltavë. Për ta vizituar më me lehtësi Pragën, pjesën qendrore të saj mund ta ndajmë në pesë zona. (Shih hartën në faqen 23.) Zona e parë ndodhet në bregun perëndimor të lumit, sipër një kodre. Këtu do të shihni Kështjellën e Pragës dhe Hradçaninë, qytetin që u ndërtua në periferi të kështjellës aty nga viti 1320. Brenda territorit të kështjellës ndodhet Katedralja e Shën Vitusit, një katedrale e madhe në stilin gotik. Ajo filloi të ndërtohej në vitin 1344, por u përfundua në vitin 1929. Aty ndodhen simbolet mbretërore dhe varri i princit Vençeslasi. Në zonën e kështjellës mund të shkohet me transport publik ose në këmbë. Rruga për atje është e përpjetë, prandaj vishni këpucë të rehatshme. Kur të arrini në zonën e kështjellës, mos lini pa parë shtëpitë jashtëzakonisht të vogla dhe dyqanet e dhuratave që ndodhen në Rrugicën e Artë (në çekisht Zlata Uliçka). Ato u ndërtuan nga fundi i shekullit të 16-të për pjesëtarët e gardës mbretërore. Më vonë, në shekullin e 17-të, aty u vendosën argjendarët. Nga kjo mori emrin Rrugica e Artë.

Në jug të kështjellës ndodhet Lagjja e Vogël, Mala Strana. Një libër udhërrëfyes thotë: «Lagjja është plot pallate madhështore të stilit barok dhe shtëpi të vjetra me tabela tërheqëse.» Praga njihet si Qyteti i Njëqind Majave, ndonëse ka më shumë se njëqind të tilla. Kjo na kujton kohën kur shumë çekë ishin fetarë. Këtu në Lagjen e Vogël shohim disa nga kishat e asaj kohe, ndonëse sot në epokën paskomuniste ato frekuentohen pak. Një nga më të famshmet është Kisha e Shën Nikollës. Filloi të ndërtohej më 1703 dhe përfundoi më 1761. Për ndërtimin e saj u desh kaq shumë kohë, saqë ndonëse punuan si arkitektë atë e bir, pra dy breza, asnjëri nuk e pa të përfunduar sa ishte gjallë.

Në anën tjetër të Vëltavës

Për të shkuar në anën lindore të Pragës, ka të paktën shtatë ura mbi lumin Vëltavë. Më e famshmja është Ura e Karlit (Karluf Most) që është vetëm për këmbësorët. Po të mos e përshkoni këtë urë nga fillimi në fund, një largësi afro 520 metra, nuk e keni shijuar Pragën. Provoni ta bëni këtë herët në mëngjes dhe në mbrëmje. Kur kundron peizazhet e ndryshme që krijohen nga efektet e dritave, e kupton se i gjithë mundimi ia vlejti.

Ura lidh Lagjen e Vogël në bregun e majtë me Qytetin e Vjetër në bregun e djathtë që ndodhet në lindje. Zakonisht Ura e Karlit gumëzhin nga turistët, nga artistët e trotuareve dhe nga tregtarët. E gjithë kjo krijon një atmosferë kënaqësie e çlodhjeje. Ka shumë mundësi të dëgjoni një grup çek të talentuar të muzikës xhaz, të cilët po luajnë ndonjë pjesë të preferuar nga Nju-Orleansi. Ata madje shesin dhe kompakt-disqe e kaseta me interpretimet e tyre gazmore. Në ndonjë pikë tjetër mund të shihni studentë që përpiqen të fitojnë ca para duke shitur statujëza porcelani të lezetshme. Ato janë kopje në miniaturë të ndërtesave më të famshme të Sheshit të Qytetit të Vjetër. Në shtëpinë tuaj, me këto statujëza mund ta formoni vetë krejt sheshin, pa harruar edhe orën e famshme astronomike.

Tani shikoni me kujdes statujat e shumta të «shenjtorëve» katolikë, që zbukurojnë të dyja anët e urës. Sa shumë rrëfejnë për historinë fetare të Çekisë këto statuja! Datat e vendosjes së këtyre statujave shkojnë që nga 1683, kur u vendos statuja e Jan Nepomukut e deri në 1938, kur u vendosën statujat e Cirilit dhe të Metodit. Megjithatë, më mbresëlënësja për shumë studentë të Biblës është statuja e Krishtit. Ajo daton nga viti 1629. Ç’ka të veçantë?

Atë e qarkon një shkrim i praruar në hebraisht, i cili përmban edhe Tetragramin, katër shkronja hebraike. Këto përfaqësojnë emrin hyjnor, Jehova, i cili shfaqet gati 7.000 herë në Shkrimet Hebraike.

Qyteti i Vjetër do t’ju befasojë vërtet

Pasi të kaloni Urën e Karlit dhe të kaloni poshtë Kullës së Urës së Qytetit të Vjetër (në fasadën lindore të së cilës mund të shihni skulpturën e bilbilit të ujit, simboli i preferuar i Vençeslasit IV) do të gjendeni në Qytetin e Vjetër. Këtu me siguri do ta shkrepni çdo çast aparatin fotografik. Në këtë zonë syri të kënaqet me veprat e shumta arkitekturore. Kur zbret nga ura, po të ecësh drejt, futesh në Rrugën e Karlit (Karlova), e cila ka lidhje me një labirint rrugësh të ngushta dredha-dredha, plot me dyqane të vogla dhe me blerës. Tani rreth e rrotull ju shfaqen para syve stili arkitekturor i Rilindjes dhe stili barok.

Ndërkohë që shëtitni e soditni, si pa e kuptuar do të gjendeni në Sheshin e Qytetit të Vjetër. Gjëja e parë që mund të vëreni është një turmë njerëzish të cilët ia kanë ngulur sytë një ore, sidomos kur vjen çasti që ajo të bjerë. Kjo është Ora e Bashkisë së Qytetit, një orë astronomike magjepsëse. Por mos pritni të jetë e saktë nga ana astronomike. Kjo orë u projektua kur njerëzit ende besonin se toka ishte qendra e universit dhe se dielli e yjet rrotulloheshin rreth saj. Megjithatë, nga pikëpamja e ndërtimit si orë dhe nga ana inxhinierike ajo është një kryevepër. *—Shih kutinë në këtë faqe.

Tani futemi më thellë në Sheshin e Qytetit të Vjetër. Këtu do të mbeteni gojëhapur nga ndërtesat e bukura dhe arkitektura e larmishme. Sheshi është kaq i madh, saqë edhe turmat e njerëzve duken të papërfillshme. Këtu ke plot ç’të shohësh. Merreni me nge dhe për t’u orientuar se çfarë jeni duke soditur, shikoni librin udhërrëfyes. Ajo kisha e madhe atje larg, që ka dy kulla binjake dhe shumë maja quhet Kisha Tin dhe është e vitit 1365. Nuk do të na mjaftonte vendi për të përshkruar edhe ndërtesa të tjera të mrekullueshme të këtij sheshi të jashtëzakonshëm, një nga të cilat është pallati Golz-Kinski, i ndërtuar në stilin rokoko.

Në qendër të sheshit ndodhet një monument i madh, kushtuar reformatorit fetar çek, Jan Husit (1372-1415). Ndonëse ishte një prift katolik, ai ndezi zemërimin e hierarkisë kishtare, pasi guxoi të demaskonte shthurjen morale të klerikëve dhe dënoi shitjen e indulgjencave. Edhe pse iu premtua mbrojtja, nëse do të ndiqte Këshillin e Kostancës për të shpjeguar pikëpamjet e tij, Husin e dënuan si heretik dhe e dogjën në shtyllë.

E kaluara judaike e Pragës

Zona e katërt që nuk duhet lënë pa parë është Lagjja Judaike, e cila në çekisht quhet Jozefov. Më 1784, kur diskriminimi kundër judenjve ishte zbutur, asaj i vunë emrin e Jozefit II. Një nga gjërat më interesante të kësaj lagjeje është Sinagoga e Vjetër dhe e Re. Ajo u ndërtua rreth vitit 1270 dhe është sinagoga më e vjetër që ende përdoret në Evropë dhe një nga ndërtesat më të hershme të stilit gotik në Pragë. Në këtë sinagogë lejohet hyrja dhe, po të shihni me kujdes, do të gjeni të shkruar emrin hyjnor në hebraisht, por mos u orvatni të bëni ndonjë fotografi. Një rojë mund t’ju nxjerrë përjashta me shpejtësi nëse nuk e respektoni kushtin për të mos bërë fotografi.

Po në atë lagje, në qoftë se përpiqeni të shikoni që nga portat e një varreze të vjetër judaike mund të shihni mijëra gurë varri me mbishkrime në hebraisht. Aty afër është Bashkia Judaike e Qytetit, e cila ka dy orë, njëra me numra romakë dhe tjetra me shkronja hebraike.

Sinagoga Pinkas që ndodhet aty afër «tani shërben si një përmendore në kujtim të 77.297 judenjve nga Bohemia dhe Moravia që humbën jetën në dhomat naziste të gazit». Emrat e tyre, përfshirë edhe emrat e 36.000 judenjve nga Praga, janë skalitur në muret e brendshme.—Prague Art and History.

I lashti «Qytet i Ri»

Zona e fundit që do të vizitojmë është Qyteti i Ri (Nove Misto). Ndonëse quhet i ri, ai u themelua nga Karli IV që në vitin 1348 për të shërbyer si treg kuajsh. Pjesa më e famshme e më e spikatshme është Sheshi Vençeslas, i përshkruar si «qendra tregtare në Pragën bashkëkohore». Ka disa fasada të stilit të Art Nuvosë, siç është ajo e hotelit të bukur «Evropa», por gjëja më interesante është statuja e Vençeslasit hipur mbi kalë, e përfunduar më 1912.

S’mund ta quajmë të përfunduar vizitën në Pragë pa kujtuar trashëgiminë e saj kulturore, sidomos në fushën e muzikës. Pra mos e lini pa shkuar në Teatrin Kombëtar dhe në Pallatin e Operës. Miliona të apasionuar të muzikës klasike e kanë dëgjuar simfoninë «Bota e Re» të Antonin Dvorzhakut. Muzeun Dvorzhak do ta gjeni në një vilë me ngjyrë të kuqe dhe okre, të ndërtuar në stilin barok. Ai që njihet si «babai i muzikës çeke» është Bedrih Smetana, «kompozitor me një shpirt të kulluar çek», siç ka shkruar Franc Listi. Është i famshëm sidomos për përmbledhjen e poemave simfonike, të quajtur «Ma Vlast» (Atdheu im) dhe për pjesën e quajtur Vëltava, e cila është një përshkrim muzikor i lumit që rrjedh përmes Pragës. Muzeu i Smetanës gjendet buzë ujit në Qytetin e Vjetër.

Ka shumë e shumë gjëra të tjera për të parë dhe për të shijuar në Pragë. Por duhet ta shihni me sytë tuaj. Ejani dhe përjetoni një mijë vjet histori dhe kulturë!

[Shënimi]

^ par. 14 Shih Zgjohuni! e 22 majit 2000, faqe 16-18, anglisht.

[Kutia dhe figura në faqen 23]

Ora astronomike

Ora ka tri pjesë. Në çdo orë fiks hapen dy dritaret në pjesën e sipërme dhe kështu mund të shihni një procesion të 12-të apostujve. Është interesante që në vend të Juda Iskariotit dhe të Jakobit, birit të Alfeut, janë Pavli dhe Barnaba, të cilët Bibla nuk i përmend ndër 12 apostujt. Pikërisht poshtë apostujve është një skelet, simbol i Vdekjes. Ai hap procesionin dhe shërben si prezantues i apostujve. Në dorën e majtë mban një orë me rërë që pastaj kthehet përmbys. Figura të tjera që lëvizin janë një gjel që këndon, një turk që tund kokën, Kotësia që shihet në pasqyrë dhe Lakmia që simbolizohet nga huadhënësi kurnac.

Ndër të tjera, ora astronomike e shpreh kohën në tri forma: sipas orës së vjetër bohemiane me numra arabë, sipas orës së ditëve tona që ka numra romakë dhe sipas sistemit babilonas që e ndante në 12 pjesë kohën me dritë të ditës. Tani e kuptoni përse iu duhet kohë për ta parë me kujdes këtë orë të stolisur.

[Harta në faqen 23]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Pjesa qendrore e Pragës

Kështjella e Pragës dhe Hradçania

Lagjja e Vogël

Lumi Vëltavë

Lagjja Judaike

Qyteti i Vjetër

Qyteti i Ri

[Figura në faqen 22]

Shkrimi në hebraisht përmban edhe Tetragramin

[Figura në faqen 24]

Pallat i ndërtuar në stilin e Art Nuvosë dhe me veçori të stilit barok

[Figura në faqet 24,25]

Ura e Karlit

[Figura në faqen 25]

Kulla me orë në Bashkinë e Qytetit të Vjetër dhe Kisha e Shën Nikollës

[Figura në faqen 25]

Pamje nga brenda e Katedrales së Shën Vitusit

[Figura në faqen 25]

Sheshi Vençeslas