Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dita kur lumi u kthye prapa

Dita kur lumi u kthye prapa

Dita kur lumi u kthye prapa

LUMI Misisipi, i cili ngjan si një rrudhë në hartën e Shteteve të Bashkuara, e ndan më dysh vendin. Në burimin e tij në Minesota, lumi është vetëm 3 metra i gjerë. Por zgjerohet menjëherë pasi dhjetëra degë e ushqejnë këtë rrjedhë 3.700 kilometra të gjatë, e cila drejtohet për në jug. Afër Nju-Orleansit në Luizianë, lumi arrin thellësinë 60 metra dhe gjerësinë 1 kilometër. Nëpërmjet deltës së tij, çdo sekondë derdhen në gjirin e Meksikës 15.000.000 litra ujë. Në kohë përmbytjeje, kjo sasi uji mund të shkojë deri në 80.000.000 litra për sekondë.

Njerëzit që jetojnë përgjatë lumit e dinë se çfarë dëmesh mund të shkaktojë gjithë ai ujë. E kanë parë kur u ka përmbytur arat, ka shkatërruar ledhet, ka përlarë shtëpi dhe ka marrë jetë njerëzish. Por ama, sot janë të paktë ata njerëz që arrijnë ta imagjinojnë çfarë ndodhi në këtë lumë më pak se 200 vjet më parë.

Në dhjetor të vitit 1811, një forcë e padukshme mbërtheu në darën e vet luginën qendrore të Misisipit dhe nuk e lëshoi për javë të tëra. Një seri tërmetesh të fuqishme bënë që shtrati i lumit të ngrihej e të ulej si një det i trazuar. Deformimi i tokës ishte kaq i madh, saqë më 7 shkurt 1812, pak më sipër Nju-Madridit, në Misuri, Misisipi i famshëm në vend që të rridhte për në jug, u kthye prapa dhe rrodhi drejt veriut.

Ditë tmerri dhe dridhjesh

Ngjarja e përmendur më sipër ishte pika kulmore e një periudhe të frikshme të njohur si tërmetet e Nju-Madridit. Më 16 dhjetor 1811, në orën 2.00 të mëngjesit, ra papritur tërmeti i parë në një rajon të shtetit Misuri që ngjan me një takë çizmeje. Banorët e fshatrave dhe të qyteteve u zgjuan nga mobiliet që lëviznin dhe nga pjatat që thyheshin në dysheme. Shtëpitë po shkuleshin nga themelet. Njerëzit dolën me vrap përjashta dhe qëndruan aty, ndërsa dridheshin si nga të ftohtët, ashtu edhe nga lëkundjet e tokës. Shtëpitë e tyre, një herë e një kohë të sigurta e të rehatshme, tani po bëheshin një kërcënim.

Toka vazhdoi të lëkundej gjatë orëve të agimit, por me më pak furi. Rreth orës 7.00 të mëngjesit ia behu një tërmet tjetër i fortë. Pastaj, rreth orës 11.00 paradite, goditi një tërmet tjetër edhe më i fuqishëm. Toka filloi të hapej e të formonte të çara. Prej këtyre të çarave doli baltë, ujë dhe qymyr, duke krijuar shatërvanë të frikshëm. Nga nëntoka dolën gaze sulfurore me erë të qelbur, të cilat ndotën ajrin. Dëshmitarë okularë vunë re mijëra zogj që fluturonin si të çmendur për të ikur prej aty. Kur pushuan lëkundjet e forta, qyteza e Litëll-Preirit në Misuri ishte kthyer në gërmadhë.

Udhëtim i trazuar nëpër lumë

Në kohën kur po ndodhnin këto tërmete, avullorja e re «Nju-Orleans» në lundrimin e saj të parë, po transportonte pasagjerë nëpër lumin Ohajo për të kaluar në lumin Misisipi, me pikëmbërritje qytetin Nju-Orleans, Luizianë. Kur anija hyri në ujërat e trazuara nga tërmetet, ngazëllimi ia la vendin ankthit të madh. Brigjet e lumit lëkundeshin dhe shembeshin brenda në ujë. Në sipërfaqe të lumit pluskonin trungje pemësh që prej shumë kohësh kishin qenë të varrosura në shtratin e tij. Tani ato rrezikonin të çanin bashin e anijes. Dallgë të mëdha e vërtitnin anijen si të ishte një tapë lundruese. Hartat e lundrimit që kishin qenë përgatitur për udhëtimin dolën jashtë përdorimit, sepse tërmetet e kishin zhvendosur rrjedhën e lumit. Duhej të kishte qenë një udhëtim i këndshëm, por tashmë ishte kthyer në një tmerr.

Më 19 dhjetor 1811, avullorja «Nju-Orleans» iu afrua qytetit Nju-Madrid, duke shpresuar të furnizohej me ushqime. Mirëpo ai qytet, dikur tërë gjallëri, tani s’mund t’u ofronte asnjë ndihmë. Ata pak njerëz që kishin mbetur ende atje u përgjëroheshin të dëshpëruar njerëzve në anije të shkonin t’i merrnin nga rrënojat e shtëpive dhe të dyqaneve që po digjeshin.

Por avullorja vazhdoi rrugën përgjatë Misisipit dhe tani pasagjerët e saj dridheshin si purteka në ujë. Ajo kaloi qytezën Point-Plezënt, që ishte katandisur në një qytet-fantazmë. Qyteza tjetër në hartë ku ata duhej të ndalonin ishte Litëll-Preiri. Por avullorja nuk ndaloi as atje, pasi pjesa më e madhe e Litëll-Preirit ishte zhdukur, kurse ato ndërtesa që kishin mbetur ende, ishin gërmadha.

Më në jug anija hasi një pritë të madhe me drurë të ndryshëm që u kishin zënë rrugën. Tërmetet kishin shkulur me rrënjë dhjetëra pemë dhe i kishin hedhur në lumë. Pasi çanë rrugën me forcën e krahut e me sëpata, ekuipazhi, për të kaluar natën, e lidhi anijen me litar pas një peme në ishullin 32, aty ku tani është Oskeola në Arkanzas. Rreth orës 4.30 të mëngjesit, më 21 dhjetor, një pasagjer ndjeu që anija po tërhiqej në mënyrë të çuditshme nga pika ku ishte lidhur. Kur agoi, u kuptua ç’kishte ndodhur. Litari me të cilin ishte lidhur anija ishte i tendosur pothuajse pingul brenda në ujë. Asgjëkundi nuk të zinte syri tokë të thatë. Gjatë natës, shtrati i lumit ishte fundosur dhe ishulli 32 ishte zhdukur poshtë nën ujë. Kjo ishte një humbje tjetër nga tërmetet e Nju-Madridit.

Avullorja «Nju-Orleans» e përfundoi me sukses udhëtimin e saj të parë, duke qenë anija e parë me avull që lundroi nëpër gjithë lumin Misisipi. Por ndoshta suksesi më i madh i saj ishte që arriti deri në vendmbërritje!

Lëkundjet vazhdojnë

Lëkundje të vogla vazhduan edhe gjatë janarit të vitit 1812. Më 23 janar, rreth orës 9.00 të mëngjesit, njerëzit ndien goditjet tmerruese të një tërmeti tjetër të fuqishëm. Qyteza Point-Plezënt në Misuri, e rrënuar tashmë nga tërmetet, kishte qenë pranë epiqendrës së tërmetit dhe banorët kishin ikur që më parë. Kur disa prej tyre u kthyen në shkurt të vitit 1812 panë se qyteza jo vetëm që ishte shkatërruar, po nuk ekzistonte më asnjë gjurmë e saj. Tërmeti i 23 janarit ndodhi në Point-Plezënt dhe toka ku ishte ndërtuar qyteti përfundoi në lumin Misisipi.

Me frikën se po vinte fundi i botës, shumë njerëz në atë rajon filluan t’i drejtoheshin fesë. Disa klerikë u gëzuan kur panë që stolat e kishës, prej kohësh të boshatisur, nisën të mbusheshin me këta të sapopenduar. Por të tjerë s’u zinin shumë besë këtyre kopeve që rriteshin me ritme të shpejta dhe i quajtën ‘të krishterë të tërmetit’. Kleriku Xhejms B. Finli mbajti një fjalim të zjarrtë, ku citoi Zbulesën 6:17 nga versioni King James: «Sepse erdhi dita e madhe e zemërimit të tij; dhe kush do të jetë në gjendje të qëndrojë në këmbë?» Të qëndroje në këmbë ishte bërë vërtet e vështirë, por fizikisht më shumë se frymësisht, për shkak të tokës që lëkundej.

Furia e fundit

Ndonëse klerikët ngritën duart drejt qiellit duke u lutur për shpëtim, katastrofat nuk iu ndanë atij rajoni. Para se të agonte dita e 7 shkurtit 1812, banorët e atjeshëm u zgjuan përsëri nga gjumi i trazuar, për shkak të lëkundjeve nga valë të fuqishme sizmike që dilnin nga epiqendra në tokën poshtë tyre. Ky tërmet i fundit, më i forti nga të gjithë, ishte kaq i fuqishëm, saqë rrëzoi oxhakë shtëpish në Cincinati, Ohajo, 650 kilometra larg. Bëri të binin kambanat e kishave në Boston, Masaçusets, që është 1.600 kilometra larg. Deri në Monreal, Kanada, u drodhën pjatat dhe filxhanët nëpër tavolina. Një njeri nga Kentaki, i cili banonte 130 kilometra larg epiqendrës së tërmetit, shkroi në ditarin e tij: «Po të mos ikim që këtej, toka do të na gëlltitë të gjallë.» Por gjithsesi një pjesë e veçantë e furisë së tërmetit ishte rezervuar për qytetin e Nju-Madridit në brigjet e lumit.

Lëkundjet e mëparshme e kishin dëmtuar rëndë Nju-Madridin, duke vrarë disa banorë dhe duke larguar shumicën e atyre që kishin mbijetuar. Lëkundja e 7 shkurtit e rrafshoi përfundimisht qytetin. Me të filluar tërmeti, edhe ata banorë që ende ishin në qytet u larguan, dhe mirë që ikën. Bregu i lartë mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti u shemb dhe u zhyt në Misisipi, ku lumi i tërbuar mori me vete dërrasat, tullat dhe gurët e Nju-Madridit. Vetëm brenda pak kohe ishte fshirë çdo shenjë e ekzistencës së qytetit.

Pasojat për lumin

Tërmetet e Nju-Madridit krijuan në lumin Misisipi ujëvara të përkohshme afër Nju-Madridit. Me dhjetëra varka u përmbysën ndërsa kalonin andej. Tërmeti i 7 shkurtit e bëri tokën të ngrihej e të fundosej, duke e detyruar rrjedhën të kthehej prapa e të rridhte në drejtim të kundërt. Në shtratin e lumit u hapën të çara të mëdha, duke krijuar vorbulla të forta ku u zhdukën shumë varka. Tërmetet devijuan shtratin e lumit, i cili përmbyti qytete dhe shtëpi. Gjithashtu, këto tërmete devijuan një pjesë të ujit nga lumi, duke krijuar liqenin Rilfut, një liqen të madh në Tenesi që nuk ekzistonte para vitit 1812. Pemë që më parë rriteshin në tokë të thatë tani gjenden në mes të liqenit Rilfut, duke qëndruar me kokëfortësi në tokën e përmbytur.

Nuk mund të dimë me saktësi se të çfarë shkalle ishin këto tërmete, pasi në vitin 1812 sizmografët modernë nuk ekzistonin. Shkencëtarët përllogaritin se të paktën tre nga tërmetet e Nju-Madridit duhej t’i kishin kaluar 8 ballë të shkallës Rihter. Këto janë tërmetet më të fuqishme që janë vërejtur në kontinentin e Shteteve të Bashkuara dhe janë ndër më të fuqishmit që janë regjistruar ndonjëherë në tokë. Ndonëse zona e prekur kishte një popullsi me dendësi të rrallë, gjatë katastrofës vdiqën me dhjetëra e ndoshta me qindra njerëz.

Sot, lumi Misisipi rrjedh përgjatë rajonit të takës së çizmes sikur të mos kishte ndodhur kurrë ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Por, nëse lumi do të fliste, do të tregonte një histori të pabesueshme për ditën kur u kthye prapa.

[Hartat në faqen 18]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

MISURI

Lumi Misisipi

Nju-Madridi

[Figura në faqen 19]

Avullorja «Nju-Orleans»

[Burimi]

Përdorur me lejen e State Historical Society of Missouri, Columbia

[Figura në faqen 20]

Tërmetet krijuan liqenin Rilfut

[Burimi i figurës në faqen 18]

U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C./Dave Menke