Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në shpëtim të mjedisit: A kemi pasur sukses?

Në shpëtim të mjedisit: A kemi pasur sukses?

Në shpëtim të mjedisit: A kemi pasur sukses?

ÇERNOBIL, Bopal, Valdez, Thri-Majël-Ajlënd. Emra të tillë na sjellin ndër mend pamje të katastrofave ekologjike që kanë ndodhur në pjesë të ndryshme të botës. Çdonjëra nga këto katastrofa na tregoi edhe një herë se mjedisi po sulmohet nga shumë drejtime.

Autoritete dhe individë të ndryshëm kanë dhënë paralajmërime. Disa kanë vepruar publikisht për të shprehur pikëpamjen e tyre. Një bibliotekare angleze u lidh me zinxhirë në një buldozer për të kundërshtuar ndërtimin e rrugës përmes një zone të brishtë ekologjike. Dy gra aborigjene në Australi drejtuan një fushatë kundër hapjes së një miniere uraniumi brenda një parku kombëtar. Punimet u ndërprenë. Ndonëse këto përpjekje janë bërë me qëllime të mira, ato nuk janë pritur gjithmonë mirë. Për shembull, një kapiten i marinës në regjimin sovjetik ishte i shqetësuar për rrezatimin radioaktiv që dilte nga reaktorët e nëndetëseve të mbytura, të mbushura me lëndë bërthamore. Kur botoi në shtyp të dhëna për vendndodhjen e këtyre nëndetëseve atë e arrestuan.

Edhe organizata të ndryshme u kanë rënë sirenave të alarmit për rreziqet që kërcënojnë mjedisin. Këtu përfshihen Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën; Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe organizata ekologjike Greenpeace. Disa thjesht i raportojnë problemet e mjedisit kur këto rastisin që të lidhen me punën e tyre. Të tjerë i janë kushtuar kauzës së informimit të publikut për problemet e mjedisit. Organizata Greenpeace është e mirënjohur për dërgimin e aktivistëve të saj në zonat ku debati rreth problemeve të mjedisit është më i nxehtë. Gjithashtu, ajo njihet për punën që bën për të tërhequr vëmendjen e publikut në çështje të tilla, si: ngrohja globale, llojet në rrezik dhe rreziqet që vijnë nga kafshët dhe bimët e modifikuara gjenetikisht.

Disa aktivistë thonë se përdorin «metoda origjinale ballafaqimi për të nxjerrë në pah problemet e mjedisit». Për shembull, ata lidhen me zinxhirë në portat e një qendre sharrash në shenjë proteste për shkatërrimin e një pylli të lashtë, e taktika të tjera si këto. Një grup tjetër aktivistësh protestuan kundër një shteti që shkeli marrëveshjen për ndërprerjen e përkohshme të gjuetisë së balenave. Për këtë ata shkuan para ambasadës së tij teksa kishin veshur ca si kokërdhokë sysh të mëdhenj, për të treguar se njerëzit po i vëzhgonin veprimet e këtij shteti.

Nuk janë të pakta problemet e mjedisit që meritojnë vëmendje. Për shembull, disa individë dhe organizata kanë bërë paralajmërime të vazhdueshme rreth rreziqeve të ndotjes së ujit. Prapëseprapë, situata duket e zymtë. Një miliard njerëz nuk kanë ujë të pijshëm të pastër. Sipas revistës Time, «3,4 milionë njerëz vdesin çdo vit nga sëmundjet që vijnë nga uji». Një problem i ngjashëm është edhe ndotja e ajrit. Sipas raportit The State of World Population 2001, «ndotja e ajrit vret afërsisht 2,7 deri në 3 milionë njerëz çdo vit». Raporti shton se «ndotja e ajrit në mjediset e hapura dëmton më shumë se 1,1 miliardë njerëz». Për këtë sjell një shembull konkret, duke thënë se «gati 10 për qind e infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes te fëmijët evropianë vijnë prej ndotjes së shkaktuar nga grimca të vogla të shpërndara në ajër». Po, pavarësisht nga paralajmërimet dhe nga veprimet e ndërmarra deri tani, problemet e lidhura me këto elemente, që janë më të domosdoshmet për jetën, vetëm sa janë thelluar.

Shumë njerëzve kjo gjendje iu duket një paradoks. Asnjëherë nuk ka pasur kaq shumë informacione rreth mjedisit sesa sot. Kurrë më parë nuk ka pasur kaq shumë individë dhe organizata të interesuara për ta parë të pastër mjedisin. Qeveritë kanë krijuar ministri për të ndihmuar në zgjidhjen e këtyre problemeve. Për zgjidhjen e problemeve kemi më shumë mjete teknologjike nga ç’kemi pasur gjatë gjithë historisë. Megjithatë, me sa duket, gjërat nuk po përmirësohen. Pse?

Një hap para, dy hapa prapa

Progresi industrial kishte si qëllim që të na e bënte jetën më të lehtë. Në disa drejtime ia ka arritur. Por, pikërisht ky «progres» ia ka keqësuar problemet mjedisit. I çmojmë shpikjet dhe mjetet e përparuara që industria ka vënë para nesh, megjithatë tamam prodhimi i tyre dhe përdorimi që u bëjmë shpesh ka sjellë si pasojë rrënimin e disa pjesëve të botës.

Një shembull konkret janë automobilat. Ata e kanë bërë udhëtimin më të shpejtë dhe më të lehtë. Shumë pak njerëzve do t’u pëlqente të ktheheshin në epokën e karrocave me kuaj. Gjithsesi, transporti modern ka ndikuar në një mori problemesh. Njëri prej tyre ka të bëjë me ngrohjen globale. Njerëzit gjatë kohës e kanë ndryshuar përbërjen kimike të atmosferës duke përdorur shpikje që çlirojnë miliona tonë gaze. Thuhet se këto gaze shkaktojnë atë që quhet efekti serrë dhe kështu sjellin si pasojë ngrohjen e atmosferës. Temperaturat janë ngritur gjatë shekullit të kaluar. Agjencia e SHBA-së për Mbrojtjen e Mjedisit raporton se «10 vitet më të nxehta të shekullit të 20-të u vërejtën gjatë 15 viteve të fundit të këtij shekulli». Disa shkencëtarë besojnë se në shekullin e 21-të, temperatura mesatare botërore mund të rritet me 1,4 deri në 5,8 gradë Celsius.

Pritet që rritja e temperaturës të shkaktojë probleme të tjera. Sasia e borës në hemisferën veriore është zvogëluar vazhdimisht. Një masë akulli me sipërfaqe 3.250 kilometra katrorë u shkëput nga një akullnajë e Antarktidës në fillim të viti 2002. Niveli i deteve mund të rritet ndjeshëm gjatë këtij shekulli. Meqë një e treta e popullsisë së botës jeton pranë detit, si pasojë e kësaj rritjeje do të përmbyteshin shtëpi dhe toka të punueshme. Kjo mund t’u shkaktonte shumë vështirësi edhe qyteteve bregdetare.

Shkencëtarët besojnë se rritja e temperaturës do të sjellë shtimin e reshjeve dhe kushtet ekstreme të motit do të jenë më të shpeshta. Disa mendojnë se stuhitë e forta, si ajo që mori 90 jetë njerëzish dhe shkuli 270 milionë pemë në Francë në vitin 1999, janë thjesht shenja paralajmëruese të gjërave që priten të ndodhin. Studiues të tjerë mendojnë se ndryshimet e klimës do të sjellin si pasojë përhapjen e sëmundjeve siç janë malarja, denga dhe kolera.

Shembulli me automobilat tregon se sa të lidhura e të ndërlikuara janë pasojat e teknologjisë—shpikje që janë të dobishme për njerëzit në përgjithësi, në të njëjtën kohë mund të shkaktojnë një mori problemesh që ndikojnë në shumë fusha të jetës. Është e vërtetë ajo që thuhet në Human Development Report 2001: «Çdo përparim në teknologji sjell dobi dhe rreziqe të mundshme, disa prej të cilave nuk është e lehtë të parashikohen.»

Shpesh njerëzit kërkojnë ndihmën e teknologjisë për zgjidhjen e problemeve të mjedisit. Për shembull, ambientalistët e kanë dënuar prej shumë kohësh përdorimin e pesticideve. Kur u prodhuan bimë të modifikuara gjenetikisht që do të pakësonin ose që do të zhduknin nevojën për pesticide, u duk sikur teknologjia kishte gjetur një zgjidhje të mirë. Megjithatë në rastin e misrit Bt, që u modifikua gjenetikisht për të prodhuar një lloj toksine për të luftuar krimbat e drurit pa përdorur pesticide, provat treguan se toksina e prodhuar vriste edhe fluturat monark që janë të padëmshme. Pra, «zgjidhjet» e problemeve ndonjëherë bëjnë të kundërtën dhe mund të sjellin probleme të tjera.

A mund të ndihmojnë qeveritë?

Meqë shkatërrimi i mjedisit është një problem kaq i madh, një zgjidhje e suksesshme do të kërkonte bashkëpunimin e qeverive në botë. Është për t’u lavdëruar që në disa raste disa qeveritarë kanë treguar guximin e nevojshëm për të sugjeruar ndryshime të dobishme në ndihmë të mjedisit. Megjithatë fitoret e vërteta kanë qenë rrallë e për mall.

Një shembull i kësaj është samiti ndërkombëtar që u mbajt në Japoni më 1997. Shtetet folën e diskutuan lidhur me kushtet e një traktati për të pakësuar lëshimin e gazeve që thuhet se shkaktojnë ngrohjen globale. Të gjithë u habitën kur më në fund u arrit një marrëveshje. Kjo marrëveshje u quajt Protokolli i Kiotos. Rajone të zhvilluara, siç janë Bashkimi Evropian, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, do ta pakësonin sasinë e gazeve që lëshohen në atmosferë mesatarisht me 5,2 për qind brenda vitit 2012. Dukej diçka premtuese. Por, në fillim të vitit 2001, qeveria e SHBA-së dha shenja se po tërhiqej nga Protokolli i Kiotos. Shumë veta mbetën pa fjalë, pasi në Shtetet e Bashkuara, ku ndodhet më pak se 5 për qind e popullsisë së botës, prodhohet gati një e katërta e sasisë së gazeve që lëshohen në atmosferë. Gjithashtu, qeveri të tjera janë treguar të ngadalshme për ta futur në fuqi traktatin.

Shembulli i mësipërm tregon se qeveritë nuk e kanë aspak të lehtë të gjejnë zgjidhje të efektshme. Është e vështirë që t’i mbledhësh për të diskutuar qeveritë e ndryshme, por edhe nëse arrihet kjo, është e vështirë që ato të bien në një mendje për mënyrën si të zgjidhen problemet e mjedisit. Madje edhe kur marrëveshja firmoset, më vonë disa palë tërhiqen nga zotimet. Për disa qeveri është e vështirë që ta vënë në zbatim marrëveshjen. Në raste të tjera qeveritë ose korporatat mendojnë se nuk mund t’i pranojnë shpenzimet që kërkon pastrimi i mjedisit. Në disa vende kjo është thjesht çështje lakmie, pasi gjigantët e pushtetshëm të tregtisë ushtrojnë një ndikim të fuqishëm te qeveritë me qëllim që ato të mos vënë në zbatim masa, të cilat do të pakësonin fitimet e tyre. Tashmë dihet se shoqëritë tregtare dhe korporatat duan të nxjerrin përfitimet maksimale nga toka pa u merakosur për pasojat që do të sjellë kjo në të ardhmen.

Një faktor që e vështirëson edhe më shumë problemin është se shkencëtarët nuk janë në një mendje se sa të rënda do të jenë për tokën pasojat e ndotjes. Prandaj ata që përcaktojnë politikat qeveritare mund të mos jenë të sigurt se deri në ç’masë duhet ta kufizojnë zgjerimin e ekonomisë për të mbajtur nën kontroll një problem, i cili mund ose edhe s’mund të jetë aq i madh sa mendojnë disa.

Njerëzimi e ka vërtet punën pisk. Çdokush e di se ekziston një problem dhe se duhet bërë diçka. Disa shtete po bëjnë një përpjekje të ndërgjegjshme, por shumica e problemeve të mjedisit po keqësohen. A është e dënuar toka që të bëhet e papërshtatshme për t’u banuar nga njerëzit? Këtë pyetje do ta shqyrtojmë në vijim.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

NDOTJA NGA ZHURMAT

Një lloj ndotjeje që nuk shihet, por dëgjohet, është ndotja nga zhurmat. Specialistët thonë se edhe ajo përbën shqetësim pasi shkakton humbje të dëgjimit, stres, tensionin e lartë të gjakut dhe ulje të rendimentit në punë. Fëmijët që shkojnë në shkolla ku ambienti është i zhurmshëm mund të kenë mangësi në të lexuar.

[Kutia dhe figura në faqen 7]

SHPYLLËZIMI SJELL VËRSHIMIN E MINJVE

Kur në 15 qytete të ishullit Samar në Filipine u shkaktuan dëme nga një vërshim i madh minjsh, një burim qeveritar ia vuri fajin shpyllëzimit në atë rajon. Heqja e pemëve çoi në pakësimin e grabitqarëve të minjve, si edhe në pakësimin e burimeve të ushqimit për minjtë. Prandaj, brejtësit shkuan në zona të populluara për të kërkuar ushqim.

[Burimi]

© Michael Harvey/Panos Pictures

[Kutia dhe figura në faqen 7]

A JANË VIKTIMA TË MBETJEVE TOKSIKE?

Kur Majkëlli ishte tre muajsh e gjysmë, u zbulua se kishte neuroblastomë, një lloj kanceri. Po të ishte rasti i vetëm, ndoshta nuk do të dukej diçka e jashtëzakonshme. Mirëpo, më vonë zbuluan se rreth 100 fëmijë të tjerë nga po ai vend i vogël kishin kancer. Kjo alarmoi shumë prindër. Disa menduan se ndoshta ky numër i madh rastesh me kancer lidhej me fabrikat e lëndëve kimike në atë rajon. Nga një hetim u zbulua se kohë më parë një ndërmarrje private që merrej me transportin kishte marrë fuçi me lëngje helmuese nga njëra prej fabrikave dhe i kishte depozituar në një ish-pulari. Ndonjëherë ata i kishin derdhur lëngjet nga fuçitë. Studiuesit zbuluan gjurmë lëndësh helmuese në puset e ujit. Patjetër që prindërit pyesin veten nëse ky mund të ishte një nga shkaktarët e mundshëm të kancerit te fëmijët e tyre.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

MBETURINAT TOKSIKE

Pas përfundimit të Luftës II Botërore, 120.000 tonë materiale toksike, shumica fosgjen dhe iprit, u mbyllën hermetikisht nëpër anije dhe u fundosën në det diku në veriperëndim të Irlandës së Veriut. Shkencëtarët rusë kanë paralajmëruar se sot ekziston rreziku që ato të rrjedhin.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

NDOTJA E AJRIT VRET

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se 5 deri në 6 për qind e vdekjeve çdo vit në mbarë botën vijnë si pasojë e ndotjes së ajrit. Raportohet se vetëm në Ontario të Kanadasë, si pasojë e ndotjes së ajrit, shtetasit shpenzojnë më shumë se 1 miliardë dollarë në vit për shkak të shpenzimeve për shëndetin dhe ngaqë mungojnë në punë.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

SHKËMBINJTË KORALORË PO MARRIN FUND

Disa peshkatarë në Azinë Juglindore përdorin solucion cianidi për të trullosur peshqit që t’i kapin më lehtë. Helmi del nga trupi i peshkut, prandaj peshku mund të hahet. Megjithatë lënda helmuese mbetet në ujin e detit dhe shkatërron shkëmbinjtë koralorë.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

A DUHET TË MBANI NJË MASKË KIRURGU?

Revista Asiaweek thotë se një pjesë e mirë e ndotjes së ajrit në qytetet e Azisë vjen nga gazet që shkarkojnë automjetet. Motorët dizel dhe ata dycikëlsh shpesh janë ndotësit më të mëdhenj, pasi prodhojnë sasi të mëdha grimcash shumë të imta që përhapen në ajër. Këto shkaktojnë shumë probleme shëndetësore. E njëjta revistë thotë: «Kryespecialisti i Tajvanit në fushën e pasojave të ndotjes, dr. Çan Çang Çuan, thotë se gazet e motorëve dizel janë një ndër shkaktarët e kancerit.» Disa njerëz në qytetet aziatike vënë maska kirurgu për t’u mbrojtur. A i ndihmojnë këto maska? Dr. Çan thotë: «Këto maska nuk bëjnë punë. Një pjesë e mirë e gazeve dhe e grimcave ndotëse janë kaq të imta saqë një maskë e thjeshtë nuk arrin t’i filtrojë. Përveç kësaj, . . . ato nuk janë hermetike. Prandaj duket sikur të mbrojnë, por më kot.»

[Figura në faqen 7]

Mbjellin sërish pemë në një zonë të shpyllëzuar në përpjekje për të shpëtuar mjedisin

[Burimet e figurave në faqen 8]

AFP/Getty Images; sipër majtas: Botuar me lejen e The Trustees of the Imperial War Museum, Londër (IWM H 42208); sipër djathtas: Howard Hall/howardhall.com