Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Gjumi Seria e artikujve «A flini sa duhet?» (22 mars 2003) erdhi tamam në kohë për mua. Ngaqë m’u sëmur papritur vajza, fillova të vuaja nga pagjumësia. Pas pesë a gjashtë ditësh, shkova te një spital afër shtëpisë dhe me ndihmën e ilaçeve tani arrij të fle. Mirëpo artikujt tuaj sugjeronin që të bëja edhe ushtrime fizike gjatë ditës, por jo pak kohë para se të shkoja në shtrat. Do të përpiqem t’i zbatoj këto këshilla sa më shpejt që të mundem.
T. M., Japoni
Kohët e fundit kam pasur një lodhje të jashtëzakonshme. Mjeku i familjes më vizitoi dhe arriti në përfundimin se nuk flija sa duhej dhe se në këtë problem po ndikonte edhe një ilaç që marr për epilepsinë. Nuk i besova shumë kësaj diagnoze. Por një javë më vonë mora revistën që fliste për gjumin. S’e lëshoja dot nga dora revistën dhe, pasi bëra testin që tregohej në faqen 9, arrita edhe unë në të njëjtin përfundim që nxori mjeku im. Tani po përpiqem të zbatoj sugjerimet që jepeshin në artikull. Faleminderit për informacionin që erdhi në kohën e duhur.
M. B., Shtetet e Bashkuara
Arrat e kokosit Dua të shpreh vlerësimin për artikullin «Një nga arrat më të dobishme në botë». (22 mars 2003) Kohët e fundit vizitova Meksikën dhe pashë me sytë e mi sa shumë përdorime ka vërtet arra e kokosit. Pashë pothuajse çdo përdorim që përmendej në artikull. Madje i përdornin edhe në një mënyrë tjetër. Degët i pritnin, u zhvishnin pjesët me gjethe dhe i lidhnin bashkë 10 deri në 15 nga këta shkopinj të tharë e elastikë. Është një vrasëse mizash e shkëlqyer!
D. S., Shtetet e Bashkuara
Ky artikull më rizgjoi kujtime të gjyshes sime teksa bënte filxhanë nga guaskat e arrës së kokosit në vitet 1930. Shumë fqinj të saj i kishin ndërtuar kasollet me drurin e pemës së arrës së kokosit dhe çatitë me gjethet e thara të arrës së kokosit. Dua t’ju falënderoj për këta artikuj kaq të bukur.
M. B., Shtetet e Bashkuara
Ushqimi me gji Pjesa «Dobitë e ushqimit me gji» që gjendej në rubrikën «Një vështrim rreth botës» (22 mars 2003) nuk m’u duk shumë e këndshme. S’e vë në dyshim që ata që nuk janë ushqyer me gji mund të kenë mangësi në sistemin imunitar. Mua vetë nuk më kanë ushqyer me qumësht gjiri dhe më zë shpeshherë gripi. Por më duket mungesë ndjeshmërie për ndjenjat e të tjerëve të citosh një studim që tregon se ata që nuk janë ushqyer me gji kanë tregues inteligjence më të ulët se ata që janë ushqyer me gji.
Ç. B., Itali
«Zgjohuni!» përgjigjet: Nuk kishim si synim të fyenim ndokënd. Thjesht raportuam zbulimet që kishte bërë një studim danez për sa i përket ushqimit me gji. Botimi i këtij informacioni u jep mundësi prindërve të sotëm që të marrin vendime të bazuara në njohuri të saktë për sa u përket metodave që përdorin për të rritur fëmijët.
Proverbat afrikane Vazhdimisht mrekullohem nga shumëllojshmëria e madhe e artikujve që përmban Zgjohuni! Kam rreth 40 vjet që e lexoj dhe më pëlqeu jashtëzakonisht artikulli «Proverbat akanase: Pasqyrim i normave të shoqërisë». (22 mars 2003) Më ndihmoi të kuptoja sa të rëndësishme janë normat e mirësjelljes për të shkuar mirë me të tjerët. Disa proverba i mora shënim që t’i rishikoj herë pas here.
D. Z., Shtetet e Bashkuara
S’kam lexuar kurrë më parë një artikull kaq të këndshëm, zbavitës dhe ndërtues për proverbat. Është një përvojë e gëzueshme të shijosh për një çast zakonet e një kulture tjetër. Pas çdo proverbi, ndaloja dhe përpiqesha të gjeja çfarë kuptimi kishte. Sigurisht që jo gjithnjë arrija ta gjeja.
Y. K., Gjermani