Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Formulë e lashtë egjiptiane për pastën e dhëmbëve

Electronic Telegraph thuhet se «në bodrumin e një muzeu në Vjenë është zbuluar në një copë papirusi të pluhurosur formula më e vjetër e njohur në botë për pastën e dhëmbëve, e përdorur më shumë se 1.500 vjet para se marka Colgate të nxirrte në treg pastën e parë të dhëmbëve në vitin 1873». «Kjo formulë e shkruar në bojë të zezë të zbehur, të bërë prej bloze dhe gome arabike të përzier me ujë, është shkruar nga një kopjues i lashtë egjiptian. Aty ai përshkruan me kujdes atë që e quan ‘pluhur për dhëmbë të bardhë e të përsosur’. Kur përzihet me pështymën në gojë, kjo përzierje formon një ‘pastë për dhëmbë të pastër’.» Ky dokument i shekullit të katërt të erës sonë radhit përbërësit, që janë: kripë guri, mendër, lulet e thata të bimës së shpatores dhe kokrra piperi të zi, të shtypura e të përziera bashkë. Ky zbulim bëri bujë në një kongres dentar të mbajtur në Vjenë. «Asnjë profesionist në fushën dentare s’e kishte menduar që ekzistonte një formulë kaq e lashtë dhe kaq e përparuar për pastë dhëmbësh»,—tha dr. Hajnc Njumani, i cili kur e provoi këtë pastë e ndjeu «gojën të freskët e të pastër». Në artikull thuhet: «Vetëm kohët e fundit dentistët kanë zbuluar vetitë e mira të bimës së shpatores, e cila ka dalë e efektshme në luftën kundër sëmundjeve të mishrave të dhëmbëve dhe tani është futur në treg.»

Zgjatin jetën e frutave

«Frutat që ke në shtëpi shumë shpejt mund të rrinë të freskëta për një kohë më të gjatë, falë një substance që është shpallur si një nga përbërësit që e bëjnë më të fortë verën e kuqe,—thuhet në New Scientist.—Kur i zhytën mollët në një solucion trans-rezveratroli, lëndë kundëroksiduese që gjendet te rrushi, kjo ua shtoi periudhën e ruajtjes nga dy javë deri në tre muaj. Rrushi i zhytur në të njëjtën lëndë nuk kishte po kaq sukses, por gjithsesi jetëgjatësia e tij u dyfishua me dy javë.» Kërkuesit zbuluan se nevojiteshin vetëm sasi të vogla të kësaj lënde kundëroksiduese për të ndaluar dëmtimin e indit dhe për të mbajtur larg tharmëzat dhe mykun që prishin shumë fruta. «Në studime të mëtejshme, ekipi ka mbrojtur edhe prodhime të tjera, duke përfshirë domatet, avokadot dhe specat jeshilë,—thoshte revista.—Tani po kërkojnë metoda më pak të kushtueshme për të prodhuar trans-rezveratrolin.»

Lojërat në video janë të rrezikshme për shëndetin

Gazeta El Universal e qytetit Meksiko thotë se ndoshta prindërit nuk e kuptojnë sa të rrezikshme mund të jenë për shëndetin e fëmijëve lojërat në video. Sipas Antonio Gonzales Hermosilos, president i Shoqatës Meksikane të Kardiologjisë, deri në 40 për qind e fëmijëve që luajnë vazhdimisht me lojëra në video më vonë do të vuajnë nga tensioni i lartë. Përse? Sepse përveçse nuk bëjnë ushtrime fizike, fëmijët stresohen duke u përfshirë kaq shumë në situata që përcaktohen si të rrezikshme, siç mund të jenë sulmet, luftërat imagjinare dhe konflikte të tjera. «Specialisti paralajmëronte se kjo do të bëjë që rastet me sëmundje kardiovaskulare, shkaku numër një i vdekjeve në Meksikë, të rriten me të shpejtë në vend»,—thuhej në gazetë.

«Diçka krejt të gabuar»

«Ka diçka krejt të gabuar lidhur me mënyrën se si po drejtohet bota jonë»,—thotë dr. Zhak Djuf, drejtor i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë. Ndërsa mbante një fjalim në Fakultetin e Shkencave Politike «Kenedi» në Universitetin e Harvardit, SHBA, Djufi u shpreh: «Një nga sukseset më të mëdha të arritura në shekullin e njëzetë ishte rritja e ritmit të prodhimit të ushqimeve, e cila ia kalonte në mënyrë të konsiderueshme ritmit të jashtëzakonshëm të rritjes së popullsisë. . . . Pra, ne e kemi aftësinë të prodhojmë mjaft ushqim që kushdo në planet të ushqehet siç duhet.» E megjithatë, vetëm në botën në zhvillim 800 milionë njerëz nuk kanë mjaft ushqim për të ngrënë dhe rreth 6 milionë fëmijë nën moshën pesë vjeç vdesin çdo vit nga të kequshqyerit dhe nga uria. «Shumë prej tyre vdesin nga sëmundje si diarreja, malarja ose fruthi, por mund të kishin jetuar nëse do të kishin qenë të ushqyer mirë,—tha Djufi.—Duket qartë se problemi i urisë në botë ka të bëjë me politikën, jo me teknologjinë.» Ai shtoi: «Po të mos ndërmerret ndonjë veprim në nivelin politik, nuk ka asnjë garanci se gjërat do të ndryshojnë në të ardhmen.»

Të lindur jashtë martese

Siç njofton gazeta spanjolle La Vanguardia, në Bashkimin Evropian, «25 për qind e gjithë fëmijëve lindin jashtë martese». Me ndryshimin e vlerave tradicionale, «lindjet jashtë martese po rriten në gjithë Evropën». Sipas Zyrës së Statistikave të Komunitetit Evropian, në krye të listës janë Suedia, Danimarka dhe Franca me përkatësisht 54 për qind, 46 për qind dhe 39 për qind lindje jashtë martese. Më pas vijnë Finlanda dhe Britania e Madhe, që të dyja me 37 për qind fëmijë të lindur jashtë martese. E njëjta prirje vihet re në vendet mesdhetare, ku më parë mbizotëronin traditat e forta familjare. Për shembull, shifrat e fundit në Spanjë tregojnë se 19 për qind e fëmijëve lindin nga nëna të pamartuara. Në disa krahina, si në Katalonjë, shifra është 22 për qind, pra një rritje me 100 për qind vetëm në dhjetë vjet.

Gati gjysma e Tokës është e virgjër

«Megjithëse për një shekull të tërë kemi parë rritjen e kërcënimeve të mjedisit, 46 për qind e steresë së Tokës mbetet kryesisht e virgjër dhe e paprekur»,—njofton botimi World Watch. Një studim që përfshiu 200 shkencëtarë nga e gjithë bota «zbuloi se [68 milionë kilometra katrorë] tokë plotësojnë kriteret e ‘tokës së virgjër’: kanë të paktën 70 për qind të bimësisë origjinale, më pak se [5] banorë për [kilometër katror] në zonat jo qytetare dhe nuk janë të kufizuara në copëza toke me sipërfaqe më pak se [10.000 kilometra katrorë]». Të 37 zonat e virgjëra përmbajnë vetëm 2,4 për qind të të gjithë popullsisë së tokës (144 milionë njerëz, duke mos përfshirë zonat qytetare), edhe pse kanë një sipërfaqe të barabartë me shumën e sipërfaqeve të gjashtë shteteve më të mëdha të marra së bashku: Australisë, Brazilit, Kanadasë, Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Gjithsesi, World Watch thotë që «më shumë se një e treta e kësaj toke të virgjër është akull antarktik ose tundër arktike, dhe nga 37 zonat vetëm në 5 prej tyre u jepet përparësi ruajtjes së mjedisit—domethënë secila përmban më shumë se 1.500 lloje vendëse bimësh e kafshësh dhe ka një përqendrim të lartë të shumëllojshmërisë biologjike».

Kryeqyteti i burgjeve për Evropën Perëndimore

«Tani Britania është kryeqyteti i burgjeve për Evropën Perëndimore, pasi raporti i të burgosurve është 139 për çdo 100.000 banorë të Anglisë e të Uellsit,—thuhet në Guardian Weekly.—Popullsia e burgjeve është rritur nga 42.000 që ishin në vitin 1991, në 72.000 të burgosur.» Gjykatat britanike jo vetëm që po dënojnë më shumë njerëz me burgim, por po japin dënime edhe më të gjata. Në vitin 1992, u dënuan me burgim 45 për qind e të rriturve të arrestuar, kurse në vitin 2001 ishin 64 për qind. Megjithatë, ka disa vende jashtë kësaj pjese të Evropës ku shkalla e burgimeve është shumë më e lartë. Në fakt, gati gjysma e 8,75 milionë njerëzve që janë nëpër burgje në mbarë botën gjenden vetëm në tri vende: në Shtetet e Bashkuara (1,96 milionë), në Kinë (1,4 milionë) dhe në Rusi (900.000).

Rreziqet e mbipeshës

«Njerëzit që janë mbi peshë në moshën 40-vjeçare, ka të ngjarë të vdesin të paktën tri vjet më shpejt se ata që janë të dobët, e kjo do të thotë se të jesh i shëndoshë gjatë moshës mesatare është po aq e dëmshme për jetën sa edhe duhani»,—njofton The New York Times. «Ky studim po tregon se nëse je mbi peshë kur je në mes të të 30-ave deri në mes të të 40-ave, edhe po të humbësh peshë më vonë, prapëseprapë do të kesh një rrezik më të madh vdekjeje»,—tha dr. Serzh Zhabur, drejtor i një klinike spitalore për rënien në peshë. «Mesazhi është që duhet të punosh sa më shpejt me peshën. Po të presësh shumë kohë, dëmi tashmë mund të jetë bërë.» Të biesh në peshë mund të parandalojë edhe vdekjet nga kanceri. Pas një studimi 16-vjeçar te 900.000 njerëz, Shoqata Amerikane kundër Kancerit arriti në përfundimin se «mbipesha mund të jetë përgjegjëse për 14 për qind të vdekjeve nga kanceri te burrat dhe 20 për qind te gratë»,—tha Times. Studime të ndryshme e kanë lidhur mbipeshën me shumë lloje kanceresh.