Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa i sëmurë është planeti ynë?

Sa i sëmurë është planeti ynë?

Sa i sëmurë është planeti ynë?

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FILIPINE

Pacienti është në gjendje kritike. Simptomat janë të shumta. Fryma i mban erë të rëndë. Ai digjet nga ethet. Nuk ka pasur kurrë temperaturë kaq të lartë. Po përpiqen t’ia ulin temperaturën, por më kot. Në lëngjet e trupit i kanë gjetur helm. Kur simptomat e sëmundjes kurohen në një pjesë të trupit, papritur simptoma të reja shfaqen në pjesë të tjera. Po të ishte fjala për një pacient të zakonshëm, ka të ngjarë që mjekët t’i cilësonin këto sëmundje të shumta si kronike dhe vdekjeprurëse. Duke mos ditur ç’të bënin tjetër, mjekët thjesht do të përpiqeshin t’ia lehtësonin dhembjet sa më shumë që të ishte e mundur, derisa pacienti të mbyllte sytë.

POR, në këtë rast pacienti nuk është njeri. Është shtëpia jonë, toka. Skena e mësipërme ilustron më së miri se ç’po ndodh me planetin tonë. Ajri i ndotur, ngrohja globale, ujërat e pista dhe mbeturinat toksike janë vetëm disa prej sëmundjeve nga të cilat po lëngon toka. Ashtu si mjekët që përmendëm më sipër, specialistët nuk dinë ç’të bëjnë.

Mediat vazhdimisht tërheqin vëmendjen ndaj gjendjes së mjerueshme të tokës me anë të titujve dhe të diçiturave të tilla si: «Peshkimi me dinamit e kthen fundin e detit në fushë masakre.» «Një miliard aziatikë do të thahen për ujë brenda 24 vjetëve.» «Dyzet milionë tonë mbeturina toksike tregtohen në botë çdo vit.» «Gati dy të tretat e 1.800 puseve të ujit në Japoni janë ndotur me lëndë helmuese.» «Vrima e ozonit mbi Antarktik është shfaqur përsëri, kësaj here më e madhe.»

Disa njerëzve u mësohet veshi me lajmet e shumta rreth rrezikut që i kanoset mjedisit, madje ndoshta mendojnë: ‘Përderisa nuk më gjen gjë mua, s’kam pse të shqetësohem.’ Megjithatë, e kuptojmë apo s’e kuptojmë ne, shkatërrimi i mjedisit në përmasa të mëdha ndikon në pjesën dërrmuese të njerëzve. Meqë sot ndotja e planetit është kaq e përhapur, ka mundësi që tashmë ndikimin e saj ta ndiejmë në mjaft fusha të jetës. Prandaj të gjithë duhet të interesohemi për mirëqenien dhe ruajtjen e planetit tonë. Në fund të fundit, ku do të jetonim tjetër?

Mirëpo, sa i përhapur është në të vërtetë ky problem? Sa e sëmurë është toka? Si ndikon kjo në jetën e njerëzve? Le të shohim vetëm disa nga faktorët që na ndihmojnë të kuptojmë përse themi se toka jonë nuk është vetëm paksa pa qejf, por përkundrazi, është shumë e sëmurë.

OQEANET: Në zona të mëdha të oqeaneve është tepruar me peshkimin. Një raport nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin thotë se «70 për qind e zonave detare të peshkimit janë shfrytëzuar kaq shumë, saqë është e pamundur ose tepër e vështirë që riprodhimi i peshqve të ecë me të njëjtin hap». Për shembull, popullatat e merlucit, troftës së detit, eglefinit dhe shojzave në Atlantikun Verior u zvogëluan gati 95 për qind gjatë periudhës së viteve 1989 deri në 1994. Po të vazhdojë kështu, ç’do të ndodhë me miliona njerëz, për të cilët deti është burimi kryesor për sigurimin e ushqimit?

Gjithashtu, çdo vit, afro 20 deri në 40 milionë tonë krijesa detare peshkohen dhe hidhen sërish në oqean—zakonisht të plagosura ose të ngordhura. Pse i hedhin? Ato kapen bashkë me peshqit e tjerë. Pastaj peshkatarët mbajnë vetëm peshqit që duan, kurse të tjerët i hedhin në ujë.

PYJET: Shpyllëzimi ka shumë anë negative. Pakësimi i pemëve sjell si pasojë uljen e aftësisë së tokës për të thithur dyoksidin e karbonit dhe thuhet se ky është një nga shkaqet e ngrohjes globale. Disa lloje bimësh, që mund të shërbejnë për përgatitjen e ilaçeve jetëshpëtuese, do të zhduken. Megjithatë, shkatërrimi i pyjeve vazhdon me të njëjtin ritëm. Ç’është e vërteta, vitet e fundit ky ritëm është përshpejtuar. Disa autoritete mendojnë se po të vazhdojë kështu, pyjet tropikale mund të zhduken brenda afro 20 vjetëve.

MBETURINAT TOKSIKE: Derdhja e materialeve të dëmshme si në tokë edhe në det është një problem serioz që mund të dëmtojë rëndë miliona njerëz. Mbetjet radioaktive, metalet e rënda dhe nënproduktet e lëndëve plastike janë ndër substancat që mund të shkaktojnë çrregullime, sëmundje ose vdekje te njerëzit dhe te kafshët.

LËNDËT KIMIKE: Gjatë 100 viteve të kaluara janë futur në përdorim gati 100.000 lëndë të reja kimike. Këto kimikate përfundimisht mund të qarkullojnë në ajër, në dhe, ujë e në ushqim. Pak prej tyre janë provuar për të parë ndikimin që mund të kenë në shëndetin e njerëzve. Megjithatë, nga lëndët që janë provuar, është zbuluar se një numër i konsiderueshëm prej tyre janë kanceroze ose shkaktojnë sëmundje të tjera.

Planetin tonë e kërcënojnë edhe shumë e shumë rreziqe të tjera, si: ndotja e ajrit, ujërat e zeza të patrajtuara, shiu acid dhe mungesa e ujit të pastër. Por edhe ato pak probleme që përmendëm deri tani mjaftojnë për të treguar se toka është vërtet e sëmurë. A mund të shpëtohet ky pacient apo beteja tashmë është e humbur?