Shtegu veriperëndimor—Një ëndërr që bëhet realitet?
Shtegu veriperëndimor—Një ëndërr që bëhet realitet?
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË FINLANDË
NGROHJEN GLOBALE zakonisht e lidhim me efekte negative. Mirëpo, ndoshta ajo do të ndihmojë që të bëhet realitet një nga ëndrrat më të mëdha të marinarëve, ëndrra për të lundruar lirshëm nëpër Shtegun veriperëndimor. Sipas revistës Science, kjo urë lidhjeje ndërmjet oqeanit Atlantik dhe atij Paqësor, që kalon përgjatë pjesës së sipërme të kontinentit të Amerikës së Veriut, këtë shekull mund të hapet për trafik të rregullt detar. Revista shpjegon: «Kjo do t’i shkurtonte [11.000 kilometra] rrugës Evropë-Azi nëpërmjet kanalit të Panamasë dhe [19.000 kilometra] udhëtimit përqark kepit Horn që bëjnë anijet cisternë gjigante, të cilat nuk arrijnë dot të manovrojnë përmes kanalit.»
Njerëzit filluan të ëndërronin për këtë shteg detar që më shumë se 500 vjet më parë. Përpjekjet e para për të gjetur një shteg verior u bënë jo shumë pasi Kristofor Kolombi zbuloi Amerikën. Në vitin 1497 mbreti Henri VII i Anglisë ngarkoi Xhon Kabotin me detyrën për të gjetur një rrugë detare për në Lindje. Ashtu si Kolombi, edhe Kaboti u nis nga Evropa dhe lundroi në perëndim, por u drejtua më në veri. Kur zbriti në tokë, ndoshta në Njufaundlend të Amerikës së Veriut, Kaboti ishte i sigurt se kishte mbërritur në Azi. Ndonëse më vonë u kuptua se ndërmjet Evropës dhe Azisë kishte një kontinent të tërë të quajtur Bota e Re, ideja e një shtegu verior për në Lindje nuk u harrua. A do të ishte e mundur t’i binin përqark nga veriu këtij kontinenti të ri të zbuluar?
Një pengesë akulli
Në teori mund të jetë dukur e thjeshtë të gjeje Shtegun veriperëndimor dhe të lundroje përmes tij. Por në praktikë, kushtet e ashpra të zonës arktike e bënë këtë detyrë më të vështirë sesa mund ta kishte menduar ndonjëri në atë kohë. Pengesa më e madhe ishte akulli. «Akulli zhvendosej, pluskonte kuturu, ndahej për t’i lënë anijet që të kalonin përmes, pastaj mbyllej si një çark, duke i burgosur anijet bashkë me ekuipazhet ose duke i shkatërruar ato»,—shkruan Xhejms P. Delgadoja në librin e tij Across the Top of the World.
Për shembull, sër Martin Frobisheri, i cili udhëhoqi ekspeditën e parë që lundroi në veri të kontinentit të Amerikës së Veriut për të kërkuar Shtegun veriperëndimor përmes Arktikut, u ndesh me akullin. Ai u nis në vitin 1576 që nga Londra, me dy anije dhe një varkë. Frobisheri hasi edhe eskimezë, banorët vendës të Arktikut. Në fillim iu dukën si foka ose si peshq, «por, duke u afruar, zbuloi se ishin burra në varka të vogla prej lëkure»,—tregon një libër që flet për udhëtimin e Frobisherit. Gjithsej ai bëri tri udhëtime për në Arktik, por në asnjë prej tyre nuk e gjeti Shtegun veriperëndimor. Megjithatë Frobisherit i eci mbarë, sepse u kthye shëndoshë e mirë nga të gjitha ekspeditat që bëri në Arktik. S’mund të thuhet e njëjta gjë për eksplorues të tjerë që kërkuan këtë shteg
legjendar. Për shumë veta Arktiku, me akullin, të ftohtët dhe mungesën e ushqimit të freskët, ishte më tepër nga sa mund të duronin. Gjithsesi, pas Frobisherit, për shumë vjet me dhjetëra anije dhe mijëra burra u drejtuan për në veri, duke u përpjekur të çanin rrugën përmes akullit.Ç’u bë me Frenklinin?
Në shekullin e 19-të, marina britanike organizoi disa ekspedita masive për të kërkuar Shtegun veriperëndimor. Një prej këtyre ekspeditave çoi në katastrofën më të madhe në historinë e udhëtimeve nëpër Arktik. Për të udhëhequr ekspeditën u zgjodh sër Xhon Frenklini, eksplorues me përvojë i Arktikut. Në dy anije të mëdha u montuan motorë me avull. Të dyja anijet u mbushën me marinarët më të kualifikuar dhe u pajisën me furnizime për tre vjet. Veç kësaj, iu kushtua shumë vëmendje gjendjes emocionale të ekuipazhit. Për shembull, në anije kishte biblioteka të mëdha e madje edhe organo dore (me dorezë rrotulluese). Një oficer që u bashkua me këtë ekspeditë shkroi: «Nuk kanë lënë pa marrë pothuajse asgjë që do të ishte e nevojshme dhe, në të vërtetë, mendoj se edhe po të kisha ca kohë për të shkuar të bëja pazar në Londër, nuk do të më duhej gjë.» Ekspedita u nis në maj të vitit 1845 nga Anglia dhe në korrik mbërriti në gjirin e Bafinit.
Kaloi një vit. Pastaj edhe një tjetër. Së fundi kaluan të tre vjetët për të cilët ata ishin përgatitur edhe për situatat më të vështira, por për ekspeditën e Frenklinit s’u mor vesh gjë. Zhdukja misterioze e dy anijeve dhe e ekuipazheve të tyre shkaktoi një shtim të udhëtimeve drejt Arktikut. Me dhjetëra ekspedita hodhën dritë jo vetëm mbi fundin që pati ekspedita e Frenklinit, por edhe mbi misterin e Shtegut veriperëndimor.
Kapiteni Robert Meklur ishte komandant në njërën nga dy anijet që u dërguan për të kërkuar Frenklinin. Pasi lanë Londrën në vitin 1850, anijet iu afruan bregut verior të Amerikës nga Paqësori, duke kaluar nëpërmjet ngushticës Bering. Me vendosmëri Mekluri e la një anije prapa dhe u nis i guximshëm drejt Oqeanit të Ngrirë të Veriut. Jo shumë kohë më pas po lundronte në ujëra ku s’kishte shkelur asnjë evropian më parë. Duke rrezikuar shumë, ai më në fund mbërriti në brigjet e ishullit Banks, ku bëri një zbulim të gëzueshëm. Ishulli ishte po ai që kishte parë nga larg Eduart Parri vite më parë, kur po kërkonte Shtegun veriperëndimor duke u nisur nga lindja. Sikur Mekluri të arrinte të lundronte në anën tjetër të ishullit, do të përfundonte Shtegun veriperëndimor.
Mirëpo anija e tij u burgos nga akulli. Dy vjet më vonë, Mekluri dhe ekuipazhi i tij ishin ende atje, të ngecur në akull. Po kur kishin humbur çdo shpresë, ata panë në horizont njerëz që vinin drejt anijes. Ishte si një mrekulli. Henri Keleti, kapiten i një ekspedite tjetër, kishte gjetur një mesazh që e kishte lënë Mekluri në ishullin Melvill, dhe arriti të dërgonte njerëz për t’i ndihmuar. Njerëzit e ekuipazhit të Meklurit, gjysmë të vdekur, u çuan në anijen e Keletit me të cilën u kthyen në shtëpi, duke kaluar tani nga lindja. Po, pikërisht Keleti kishte ardhur në bregun verior të Amerikës që nga Atlantiku. Mekluri «pra, ishte i pari që e kaloi Shtegun veriperëndimor, ndonëse iu desh të ndërronte anije dhe një pjesë të rrugës e bëri në këmbë»,—thotë The New Encyclopædia Britannica.
Por, çfarë kishte ndodhur me ekspeditën e Frenklinit? Ka disa të dhëna që na japin njëfarë ideje për ngjarjet që ndodhën pas vitit 1845. Të dyja anijet e ekspeditës ngecën në akull në ngushticën Viktoria. Kur anijet tashmë kishin 18 muaj që kishin ngecur në akull, disa burra, përfshirë edhe Frenklinin, kishin vdekur. Ata që kishin mbetur gjallë vendosën të braktisnin anijet dhe të drejtoheshin në këmbë për në jug, por, tashmë të dobësuar, vdiqën rrugës. Asnjë njeri nga ekuipazhet nuk mbijetoi. Fati i kësaj ekspedite mbetet ende subjekt hamendjesh. Si një shkak i vdekjes së përshpejtuar të ekuipazhit
është përmendur edhe helmimi nga plumbi i kanaçeve ku ishte konservuar ushqimi.Kalimi i parë
Edhe pse tashmë ishte provuar se ekzistonte, Shtegu veriperëndimor u përshkua me lundrim vetëm në shekullin e 20-të. I riu Roald Amundsen udhëhoqi një grup prej shtatë norvegjezësh për këtë udhëtim. Përdorën një anije të vogël peshkimi me emrin «Ioa», krejt ndryshe nga anijet hijerënda britanike të luftës. Gjithsesi, kjo anije e vogël me fundosje të paktë doli se ishte mjeti ideal i transportit për Oqeanin e Ngrirë të Veriut, me kalimet e shumta të ngushta, me shkëmbinjtë e nënujshëm dhe cekëtinat. Më 16 qershor 1903, Amundseni dhe ekuipazhi i tij filluan udhëtimin e gjatë nga Osloja për në zonën arktike të Amerikës së Veriut, duke u nisur nga lindja. Më shumë se dy vjet më vonë, më 27 gusht 1905 ekuipazhi i «Ioas» vuri re një gjuajtëse balenash që kishte ardhur në Oqeanin e Ngrirë të Veriut nga ana perëndimore, përmes ngushticës Bering. Amundseni shkroi për këtë takim: «Shtegu veriperëndimor është përshkuar i gjithi. Ëndrra ime e fëmijërisë u bë realitet pikërisht në këtë çast . . . I kisha sytë të mbushur me lot.»
Megjithatë, deri më sot nuk ka qenë e mundur të fillojë trafiku i rregullt detar përmes këtij shtegu. Që nga koha e Amundsenit, disa anije kanë lundruar përgjatë pjesës së sipërme të Amerikës së Veriut, por prapëseprapë nuk është një udhëtim i lehtë. Gjithsesi, kjo mund të mos vazhdojë gjatë.
Zgjidhje surprizë?
Akulli i Arktikut po shkrin me shpejtësi të habitshme. Për shkak të kësaj, në vitin 2000 një anije kanadeze e policisë arriti ta përshkonte Shtegun veriperëndimor për afro një muaj. Kur gazeta The New York Times intervistoi kapitenin e anijes, rreshterin Ken Bërton, pas udhëtimit, ai shprehu shqetësimin e tij që nuk patën asnjë problem me akullin. «Kishte disa ajsbergë, por nuk pamë asgjë që të na bënte të shqetësoheshim. Pamë disa rripa akulli lundrues shumëvjeçar, që të gjithë të vegjël e të copëzuar, dhe arritëm t’u binim përqark»,—tha Bërtoni. Sipas revistës Science, «shtrirja e akullit të Arktikut është zvogëluar 5% në 20 vitet e kaluara, trashësia po ashtu, dhe programet kompjuterike që bëjnë parashikimet klimaterike tregojnë se akulli do të vazhdojë të zvogëlohet ndërkohë që temperaturat globale rriten». Artikulli fliste për një raport të hartuar nga Komisioni Kërkimor për Arktikun në SHBA, i cili parashikon se brenda një dhjetëvjeçari, Shtegu veriperëndimor «mund të jetë i lundrueshëm të paktën për një muaj në verë edhe për anijet që s’kanë përforcime kundër akullit».
Sipas revistës Science, është ironike se tani njerëzit «thjesht duke ndenjur në shtëpi e duke djegur miliona tonë lëndë të djegshme», do të realizojnë ëndrrën që një herë e një kohë i frymëzoi disa të ndërmerrnin aventura të rrezikshme udhëtimi. Gjithsesi, kërkuesit janë të shqetësuar për efektet që do të ketë shkrirja e akullit dhe trafiku i rregullt detar te arinjtë polarë, lopët e detit dhe te banorët vendës të Arktikut. Përveç kësaj, po të arrihet që të udhëtohet rregullisht nëpër Shtegun veriperëndimor, kjo mund të çojë në konflikte politike. Çfarë tjetër mund të nënkuptojë hapja e këtij shtegu? Vetëm koha do ta tregojë.
[Harta në faqen 23]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Itinerari i Martin Frobisherit, 1578
Itinerari i Xhon Frenklinit, 1845-1848
Itinerari i Robert Meklurit, 1850-1854
Itinerari i Roald Amundsenit, 1903-1905
(Vijat e ndërprera tregojnë udhëtimin në këmbë)
Poli i Veriut
RUSI
ALASKË, SHBA
KANADA
GRËNLANDË
[Figura në faqen 23]
Xhon Kaboti
[Burimi]
Culver Pictures
[Figura në faqen 23]
Sër Martin Frobisheri
[Burimi]
Pikturë nga Cornelis Ketel/ Dictionary of American Portraits/ Dover Publications, Inc., in 1967
[Figura në faqen 23]
Sër Xhon Frenklini
[Burimi]
National Archives of Canada/C-001352
[Figurat në faqen 23]
Robert Mekluri dhe anija e tij «Investigator» (poshtë)
[Burimet]
National Archives of Canada/C-087256
National Archives of Canada/C-016105
[Figura në faqen 23]
Roald Amundseni
[Burimi]
Vëllezërit Brown
[Figura në faqen 24]
Rritja e temperaturës globale po i bën më të lundrueshme kalimet e ngrira nga akulli
[Burimi]
Kværner Masa-Yards
[Burimi i figurës në faqen 21]
Nga libri The Story of Liberty, 1878